
Humami transmeton këtë hadith nga Asimi por si hadith mursel dhe nuk e përmend në të Vail Ibn Huxherin, kurse në Telhis’ul-habir qëndron se e transmetojnë Ibn Huzejme, Ibn Hibani dhe Ibn Sekeni në sahihët e tyre. E theksoj se atë e transmeton edhe Hakimi në Mustedrek nëpërmjet Asim Ahvelit nga Enesi, i cili thotë: “E kam parë Pejgamberin e Zotit duke e marrë tekbirin fillestar dhe me gishtin e madh të dorës duke i prekë veshët, e pastaj shkon në ruku dhe ndalet në ruku që çdo nyje të shkojë në vendin e vet, e pastaj lëshohej duke e shqiptuar tekbirin, ashtu që gjunjët e tij i paraprinin duarve të tij.”
Ai thekson se senedi i këtij hadithi është sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit dhe këtë e konfirmon edhe Dhehebiu, i cili edhe e shton hadithin e Vail ibn Huxherit, në të cilin thuhet: “Pejgamberi i Zotit, kur e bënte sexhden, i lëshonte gjunjët e tij para duarve, kurse kur ngrehej i ngrinte duart e tij para gjunjëve.” Hakimi thotë se Muslimi e ka marrë për dëshmi Sherejkun dhe Asim ibn Kulejbin. Dhehebiu thotë se ky hadith është sipas kushteve të Muslimit.
Në veprën Nejl’ul-evtar, pas përmendjes së hadithit në lidhje me lëshimin e gjunjëve para duarve në sexhde, thuhet se këtë e ka pranuar shumica, kurse Kadi Ebu Taibi thekson se ky është qëndrimi i shumicës së ulemasë islame. Atë e përcjellë edhe Ibn Mundhiri nga Omer ibn El-Hattabi, Nehaiu, Muslim ibn Jaseri, Sufjan Eth-Therviu, Ahmedi, Is’haku dhe dijetarët e tjerë islamë. Tahaviu transmeton nga Ibrahim En-Nah’iu se ka thënë: “Është ruajtur nga Abdullah ibn Mes’udi dhe është mbajtur në mend se gjunjët e tij janë lëshuar në tokë para duarve.”
Sa i përket qëndrimit të disa njerëzve që duart të lëshohen para gjunjëve, ky qëndrim është refuzuar ndër juristët sheriatikë për shumë arsye. Qëndrimin e tyre ky grup e argumenton me dëshmitë vijuese:
Nga Ebu Hurejre transmetohet se ka thënë: Pejgamberi i Zotit ka thënë: “Kur dikush nga ju bënë sexhde, mos të ulet sikur që ulet deveja, por le t’i vendosë duart e tij para gjunjve.” [2]
Ibn Kajjimi thotë: Këtë hadith e konsiderojnë të dobët Buhariu, Tirmidhiu dhe Darekutni.
Buhariu thotë se Muhamed ibn Abdullah ibn Hasanin, raviun e këtij ahadithi nuk e pason askush dhe ky nuk e di se a ka mësuar ai te Ebu Zinade apo jo.
Tirmidhiu qorton se ky hadith është garbi dhe se e ka të njohur vetëm këstë hadith të cilin e transmeton Ebu Zinadi vetëm në këtë mënyrë.
Darekutni thotë: Atë e transmeton vetëm Daverdi nëpërmjet Muhammed ibn Abdullah ibn hasan aleviut, kurse ky nga Ebu ZInade.
Nesaiu e përmend me sened: Kutejbe – Abdullah ibn Nafi’ – Muhammed ibn Abdullah ibn Hasan El-Alevi – Ebu Zinad – El-A’rexh – Ebu Hurejre, se Pejgamberi a.s. ka thënë: Disa nga ju mbështeten në namazin e tyre dhe ulen si ulen devetë.” – vetëm këtë e ka transmetuar dhe asgjë më shumë.”[3]
Fillimi i këtij hadithi e kundërshton fundin e tij, sepse kur deveja dëshiron të ulet, ajo i lakon këmbët e saj të parme (duart), kurse këmbët e saj të fundit janë të drejta, ndërsa kur ngrehet ajo së pari ngrehet me këmbët e pasme, kurse këmbët e saj të parme (duart) ende janë në tokë. Këtë Pejgamberi i Zotit ua ndaluar njerëzve dhe ka urdhëruar që të bëhet e kundërta.
Në fund mund të përfundojmë disa gjera për shkak të të cilave ulemaja e ka marrë hadithin e parë ku thuhet se Pejgamberi a.s. i ka lëshuar gjunjët e tij para duarve kurse e ka refuzuar të dytin:
Hadithi i Ebu Vailit është më autentik sikur që këtë e theksojnë Hatabi e të tjerët.
Hadithi i Ebu Hurejres është mudtarib (joautentikë) në tekst.
Buhariu, Darekutni e të tjerët thonë se hadithi ka të meta të fshehta në tekst,
Disa thonë se ky hadith është abroguar, sikur që thotë Ibn Huzejme.
Ai pajtohet me ndalimin e Pejgamberit se është e ndaluar të ulemi në namaz sikur që këtë e bënë deveja.
Hadithi i dytë nuk ka shahid, d.m.th., hadithi i cili e përcjellë dhe e konfirmon, për dallim nga hadithi të cilin e transmeton Vaili.
Hadithi të cilin e transmeton Vaili pajtohet me qëndrimet të përcjella nga ana e as’habëve sikur që janë Omeri, Ibn Mes’udi dhe Enesi kurse nuk kemi asnjë hadith tjetër i cili është në pajtim me hadithin të cilin e transmeton Ebu Hurejre, përveç veprimit të Ibn Omerit edhe pse edhe te ky kemi qëndrime të ndryshme.
Shumica e dijetarëve e kanë miratuar hadithin e Vailit.
Në hadithin të cilin e transmeton Vaili gjendet rrëfim solid dhe i paraprinë rrëfimit për veprimin e Pejgamberit a.s. që do të thotë se hadithi i Vailit është i ruajtur dhe i shkruar.
Veprimet në hadithin e Vailit në tërësi janë stabile, të argumentuara dhe më autentike se sa versionet që i kanë përcjellë të tjerët. Këto janë veprime të njohura dhe të vërteta, për këtë shkak edhe unë e theksoj se Ibn Huzejme, Ibn Hibani, Ibn Sekeni kanë theksuar se ky hadith është sahih, kurse Tirmidhiu mendon se është hasen. Këtë e thekson edhe Begaviu në veprën Sherhu Sunen dhe Hakimi në Mustedrek, deri sa gjykimi i Tirmidhiut për hadithin, të cilin e transmeton Ebu Hurejre se hadithi është garib, d.m.th. e ka vetëm një transmetim dhe ai nuk mendon se hadithi është korrekt.”[4]
http://ebuhanife.net/index.php?option=com_content&view=article&id=99%3Asputanje-koljena-prije-ruku&catid=35%3Afikh&Itemid=44
[1] Tirmidhi, 1/ 36
[2] Ebu Davud, Nesai, Tirmidhi, Bulug’ul-Meram, 1/ 53
[3] Multeka’l-Ebhur, Ibrahim El-Halebi, fq. 108.
[4] Zad’ul-Me’ad, 1/ 56; Mirkat’ul-Mefatih, El Kari, 2/ 324.