
Shqiptarët në këto kohë të rëndësishme historike, kanë nevojë për një lider, të ngjashëm me atë të Sulltan AbdulHamidit. Një njeri të autoritetshëm, krenar dhe mjaftë diplomat, secili popull në botë do ta dëshironte për lider. Periudha e sundimit të Sulltan AbdulHamidit është periudhë mjaftë e gjatë historike, por edhe e rëndësishme për fatin e shumë popujve të Ballkanit, Lindjes së Mesme, Afrikës e Evropës. Është i rëndësishëm zelli dhe njohuria detaje që ka rreth të gjitha kurtheve dhe intrigave që bëheshin kundër tij nga ana e forcave të ndryshme. Ai i dinte detajisht të gjitha kurthet dhe intrigat dhe mbi baza të tyre ai edhe ndërtonte strategji veprimi. Shpesh herë Sulltani AbdulHamidi shfrytëzoi edhe armiqësitë e miqve të tij me armiqtë e tij, për të përfituar politikisht në skenë. Më e rëndësishme mbi të gjitha, është rëndësia që ai Sulltan i kushtoi shkencës dhe investimeve në ndërtimin e hekurudhave duke i parë ato si një veprim strategjik për të mbrojtur Perandorinë nga pabesitë evropiane.
Duke ditur provincialisht tashmë karakteristikat dhe veprimet e këtij Sulltani, mendoj se shqiptarët e Maqedonisë, po edhe të Ballkanit në përgjithësi, kanë nevojë për një lider të tillë si Sulltani. Një lider i tillë duhet që njëkohësisht të veproj nëpër shumë fronte, të jetë vizionar, të dijë të sillet me intrigantët, me risitë, por edhe të mbroj traditat. Mendoj se karakteristikat përmbledhëse të një lideri të këtillë mund të kishin këtë renditje:
1. Të jetë i njohur për gjithçka që ndodh përreth tij. Ai duhet që ti njoh njerëzit rreth tij, karakteret e këtyre njerëzve, preferencat e tyre, xhelozitë e tyre etj. Pa njohur njerëzit përreth vetes, një lider nuk mund të jetë i suksesshëm për popullin e tij. Ai mund vetëm të shpresoj në sukses, por nëse nuk di se si ti shtyj në lëvizje forcat që ka përreth tij, atëherë që në start puna e tij është e dështuar. Është e qartë se të gjitha punët nuk mund të zgjidhen vet, prandaj ka nevojë lideri për njerëz rreth tij, që janë të aftë dhe të zot për t`i kryer punët në mënyrë të përpiktë.
2. Duhet që ti plotësoj dhe kënaq nevojat politike dhe ekonomike të njerëzve afër tij, por edhe popullatës. Me një fjalë, një lider i tillë si Sulltan AbdulHamidi duhet që gjithmonë të mbaj premtimet që jep, madje edhe të mundohet që të ndryshoj pozitën ekonomike, sociale dhe politike të vartësve të tij. Sulltan AbdulHamidi kur e shihte se disa njerëz rreth tij po fillojnë që të mos shprehin besnikëri ndaj tij, ai menjëherë përdorte benificione të ndryshme për të ia kthyer besnikërinë atyre njerëzve, ndërsa tek ne, në Maqedoni ndodh e kundërta. Partitë politike shqiptare mezi presin ndonjë gabim për të përjashtuar ose dënuar. Ata shfrytëzojnë të gjitha forcat e tyre për të rrjepur për së gjalli. Njerëzit më të aftë, përbuzen më shumë, ndërsa ata që janë më dinak ngjiten lartë dhe favorizohen shumë nga strukturat e partisë. Kjo mangësi është e liderëve tanë dhe jo e partisë. Pastaj shumë lehtë para një lëvizjeje të thjesht të një lideri tjetër të huaj, liderët tanë përbuzen dhe shtypen.
3. Shërbimin informativ ta ketë shumë të zhvilluar. Pa marrë parasysh a bëhet fjalë për liderët e Kosovës, të Shqipërisë në nivel shteti, apo të liderëve partiak në Maqedoni, mendoj se shërbimin informativ të gjithë duhet ta kenë mjaftë të zhvilluar. Edhe në kuadër të partisë, lideri i shkathët dhe vizionar zhvillon një shërbim informimi që gjurmon në partitë tjera, në prapa skenë, po edhe në shërbimet informative në shtetin e caktuar, me qëllim përgatitjen e një plani të rëndësishëm veprimi në dobi të kombit shqiptarë. Jam i bindur se ekzistojnë shumë rrjete maqedonase të futura nëpër gati të gjitha partitë politike shqiptare në Maqedoni, por edhe në organizatat jo qeveritare fetare e jo fetare. Prandaj edhe në kohë, maqedonasit arrijnë që të detektojnë çdo tentim të shqiptarëve për të ndryshuar pozitën e shqiptarëve të këtushëm në aspektin politik.
4. Sulltan AbdulHamidi dinte në përpikëri se çka shkruhej dhe çka përflitej rreth tij. Po liderët tanë a thua vallë, a kanë kohë të lexojnë ndonjë gazetë dhe të jenë të njohur rreth asaj se çka shkruhet aty? Sulltan AbdulHamidi dinte edhe çka shkruhej në romanet e popujve të huaj, dinte edhe përfitimet që kishin armiqtë e armiqve të tij në raste të caktuara, me një fjalë, nuk e kalonte kohën kot në thashetheme politike.
5. Pranon risitë, por krenar për traditën. Kjo pikë është shumë me rëndësi për secilin lider të ardhshëm në mesin e popullit tonë. Ne nuk duhet që të jemi kundër risive në aspektin teknologjik dhe shkencor, por edhe të mos përbuzim traditat tona në dobi të interesave të këtyre risive. Shpesh herë përmes këtyre risive dimë që të shkatërrojmë gjenerata të tëra dhe përmes humbjes së disa traditave tona, dimë që të mos vlerësojmë mirë kapacitetet tona kombëtare. Nderi dhe morali kanë qenë virtyte të larta të popullit shqiptarë. Por, sot të flasësh për këto dy virtyte në kuadrin e risive të pandershme të pamoralshme, të llogarisin si një njeri të prapambetur. Ndryshimin e historisë dhe fatit të popullit të tij për të mirë ose për të keq e bën lideri.
http://www.ina-online.net/Default.aspx?news=df20f836-da39-4284-b7d5-84585511bd04&ln=3