Stuhia dhe grepi i “peshkatarit”

Sipas asaj që mund të lexohet në raportin e tij, Dick Marty “nuk është vetëm”. Bile, ai as nuk ka probleme vetëm me shqiptarët. Më herët ishte në hasmi me amerikanët, shushuriti mjaft kundër CIA-s e, kohëve të fundit, po duket se bëhet fjalë për një “kumbari” me rusët. Këta të fundit po blejnë aksionet e gazetave më prestigjioze të botës dhe, nëse “Time”, “The Gardian”, apo ndonjë gazetë tjetër bie në dorën prosllave, atëherë duhet të përkujtojmë fjalën e mençur se “arma është e mirë kur përdoret për mbrojtje, e, nëse bie në dorë të kriminelit, është e rrezikshme”. E keqja e madhe është se rusët bo bëhen bossët e gazetave dhe të revistave të njohura në botë.

 

Të përkujtojmë se i ngarkuari i posaçëm i Këshillit të Evropës, anëtar i Dhomës së Lartë të Parlamentit zviceran, në një rast pati thënë se raport mund të jetë përfundimi i një hetimi ose fillimi i një tjetri në lidhje me burgjet e CIA-s. Mirëpo, edhe pse evidencat rrethanore nuk pranohen si dëshmi, edhe pse raporti shihet si nisje e hetimit e jo si përfundim, edhe pse ai është një trillim të cilit i janë ngjitur pasuse raportesh të shërbimeve të ndryshme sekrete, ndoshta antishqiptare, ai raport po e bën të veten: Dick Marty ka damkosur Kosovën.  

 

Me gjuhën e peshkatarisë, raporti i Dickyt është hedhje e grepit. Në këtë rast, qëllimi i Dick Martyt (dhe sigurisht jo vetëm i tij) është që në grep të ngjiten sa më shumë materiale rënduese, të dendësohet raporti me pohime anonime të dëshmitarëve, të shpallen zbulime shokuese dhe, kështu, t’u dërgohet projekti i raportit medieve të caktuara. I tërhequr në kulmin e tensioneve, Dicky “peshkatar”, mjeshtër i zanatit, ka turbulluar ujin që grepit të tij t’i afrohen sa më shumë dëshmitarë, informatorë dhe aktorë të tjerë, nëse ka. “Peshkatari” Dick synon më shumë se sa që shqiptarët mund të kenë parë.

 

Qeveria e Kosovës, kjo që e kemi dhe ashtu siç është, përveç që di vetë, ajo duhet të konsultojë njerëzit e dijes, e posaçërisht të përvojës, me qëllim që të marrë qëndrim të duhur. Kur Dick Marty flet pa prova, qeveria jonë duhet ta kuptojë qëllimin e raportit dhe efektet politike që do t’i ketë për Kosovën. Imazhi i saj, njohjet e reja, integrimet dhe proceset e tjera nëpër të cilat po kalon vendi nuk guxojnë të vihen në rrezik. Ka frikë se raporti është më shumë se një raport. Nëpërmes tij po punohet të arrihet diku më thellë e më shumë se sa që një raport mund të arrijë. Momenti është delikat. Kryeministri i Kosovës po atakohet, Kosova dhe ardhmëria e saj po njollosen, ndërsa i tërë populli shqiptar po shahet. Është diçka më e madhe se që po duket!

 

Trysnia psikologjike që po ushtrohet mbi ne, nuk guxon të na nxjerrë nga binarët. S’është normale kur secili që del para kamerave, të thotë atë që i vjen në gojë. Qytetari i Kosovës duhet të kursehet. Ai ka mjaft derte. Në vend se t’i dëgjohen dertet, t’i lehtësohen ato, atij secili lajm po i bëhet dert i ri në vete. Prandaj duhet ndarë detyrat e shtetit nga detyrat e qytetarit. Marty është punë për shtetin. Dhe, jo vetëm për shtetin e Kosovës.

 

Çka pastaj?

 

Institucionet relevante, mediet, e sidomos diplomacia kosovare, duhet të lëvizin në drejtim të prezantimit të fakteve në të mirë të vendit, sa më shpejt por jo me nguti. Ato duhet të konsultojnë institutet shqiptare dhe të huaja, mbi tavolinën e tyre të ketë materiale të bollshme, të kontaktojnë miqtë dhe të organizojnë takime, ligjërata e simpoziume. Nuk di nëse ambasadat tona në botë janë duke bërë një gjë të tillë. Gazetat prestigjioze do të kishin luajtur rol me rëndësi. Dyshoj nëse do të jetë e mjaftueshme vetëm të thuhet se Dicky do të dalë para gjyqit, se duhet të marrë avokat, se paska bërë krim, apo se paska ndikuar negativisht në investimet e huaja, e të cilat me sa dihet as që kanë ekzistuar...Të marrurit me raportin, për momentin është më e nevojshme se të mirremi me përpiluesi(n)t e tij!

 

Dick Marty nuk është sharlatan. Ai nuk është as i sëmurë e as i çmendur. Ai ka kryer dhe po kryen detyrën që i është dhënë ta kryejë.

 

Ta kryejmë edhe ne detyrën tonë.

 

Pas stuhisë, sepse nuk i morëm seriozisht paralajmërimet për stuhi...

 

(Shkrimi është botuar në të përditshmen ZËRI, Prishtinë, 28 Dhjetor 2010)

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme