PAPAGALLI

Nuk pres që një ditë të mrekullohem
Sepse vetë ekzistenca është mrekulli
Por nëse diçka do duhej të quhej më e mrekullueshme se të tjerat
Është çasti kur e kuptojmë ekzistencën si të tillë
Në farën e çdo gjëje rri fshehtësia e jetës
Në një pikë ujë është përcaktuar të shikuarit  dhe të dëgjuarit
me anë të të cilave  perceptoj një papagall që nxjerr ca fjalë brenda kafazit
Oh sa mrekulli, për fjalët e thëna të mos kesh përgjegjësi!
 
Papagall!
Në puplat tua janë shfaqur ngjyrat më të bukura të jetës,
Po ta dije ti se je kaq i bukur, a do t’i imitoje të tjerët me zërin tënd?
Ah ç’fat paske pasur o krijesë e mahnitshme:
Të kesh krahë e të mos fluturosh,
Ata që të kanë mbyllur në kafaz, t’i argëtosh
Ta thërrasësh emrin e Qiellit e  e Qiellin të mos e kërkosh…
 
O njerëz të lirë që jeni mbledhur rreth kësaj krijese të robëruar!
Nëse njëmendësisht e doni lirinë, përse ndërtoni kafaze?
Nëse kafazet nuk qëndrojnë brenda qenies, si mund të ndërtohen jashtë saj?
A mund të jetoni të lirë duke menduar si t’i robëroni të tjerët?
Mbase, mu për shkak se i dini përgjigjet, i urreni pyetjet!
 
Dëgjo pak ti o zemër e pushtuar nga zemërimi!
E di se papagalli mund të ta sjell në mendje budallain
I cili nuk di çfarë të fshehë e çfarë të tregojë
Por, a s’është e mrekullueshme edhe ekzistenca e budallenjëve?!
Sikur Allahu të mos i krijonte budallenjtë,
Mbuluesit e të vërtetës do të pohonin se Ai nuk është i Gjithmundshëm.
Nëse ty të zemëron një papagall që nuk e di çfarë thotë
Ti që e di çfarë thua, pse flet në prani të papagajve?!
 
Më thuaj ti o më i mençuri i dynjasë!
A ke fuqi që me dijen tënde të krijosh një budalla?
Nëse nuk mund t’i bësh mendimtarët të mos mendojnë,
Si mund t’i bësh papagajt që veten ta kuptojnë?!

Njëherë një i urtë më dhuroi një libër që fliste për llojet e papagajve
Me këshilloi si ta ruaj gjakftohtësinë kur ata zbulojnë fshehtësitë
Më tha: Disa nga ata në një mënyrë u ngjajnë fëmijëve:
Kur fëmijët zbulojnë fshehtësitë e  të mëdhenjëve
Faj kanë të mëdhenjtë që ua kanë shfaqur ato të vegjëlve
Kështu, m’u shfaq e vërteta në zemër prej fjalëve të tij:
“Nëse do ta mundësh një burrë, ballafaqoje me një fëmijë!”

O gjallesë që fjalë thua e nuk flet!
Po të mos ishte bota jote aq sa ti e sheh me sy
Do të pyesja: A janë të lirë ata që të kanë robëruar ty?
Por, meqë ti më dëgjon e s’më kupton, unë do të hesht
Nëse ti mund ta zbulosh fshehtësinë e heshtjes sime
Shfaqe atë para njerëzve se e ke hallall
A s’është e mrekullueshme të ruhesh nga një papagall?

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme