“Kur të vdes unë, bëni me mua atë që Pejgamberi a.s. ka urdhëruar t’u bëhet të vdekurve. Na ka urdhëruar Pejgamberi a.s. duke thënë: “Kur të vdes ndonjë prej vëllezërve tuaj dhe ta hidhni dheun mbi varrin e tij le të thotë dikush nga ju te koka e tij: “O (dhe e thirr për emër) i biri (dhe e përmend emrin e nënës së tij), sepse ai njëmend atëherë flet: “Na udhëzo Allahu të mëshiroftë!” por ju këtë nuk e ndjeni: “Përmende atë me të cilën ke dal nga bota, shehadeti se nuk ka Zot tjetër pos Allahut dhe se Muhammedi është robi i Tij dhe Pejgamberi i Tij, dhe bëhu i kënaqur me Allahun si krijues, me Islamin si fe, me Muhammedin si Pejgamber dhe me Kur’anin si udhëheqës.” Vërtetë Munkeri dhe Nekiri, secili nga ata e merr për dore shokun e tij duke thënë: “Shkojmë, nuk do të ndalemi te ai i cili ka dije, i cili e di dëshminë e vet.” E njeriu tha: “O Pejgamber, e nëse nuk e dimë emrin e nënës së tij?” Pejgamberi a.s. ka thënë: “Përshkruajani nënës së tij, Havasë, thoni: O i biri i Havasë.”[1]
Pastaj, nga dëshmitë e themelësisë së talkinit është edhe hadithi nga Muslimi, i cili transmetohet nga Ebu Hurejre, Ebu Seid El-Hudariu dhe Aisheja r.a., në të cilin thuhet: “Bëjini talkin të vdekurve tuaj la ilahe il-lall-llah.”[2]
Shejh Shibbir Ahmed El-Uthmani në komentimin e këtij hadithi thotë: “Thotë El-Ubejji: “Ka mundësi që hadithet nga kapitulli për talkinin të shpjegohen si talkin pas varrosjes. Shumica e shafiinjve këtë e konsideron të lavdëruar, kurse këtë qëndrim e ka përzgjedhur edhe Ibn Salahu. Tajjibi thotë: Ka mundësi që ky hadith të ketë lidhje me ata që janë në buzë të vdekjes por edhe me ata që kanë vdekur por ende nuk janë varrosur.” El-Eshremi thotë: “I kam thënë Ahmedit: Ç’është me atë që ata e bëjnë, kur vdes njeriu, dikush qëndron te varri i tij dhe thotë: “O biri ....”. Dhe Ahmedi ka thënë: “Nuk e kam parë askënd ta bëjë këtë pos banorëve të Shamit kur iu vdiq Ebu’l-Mugire, sepse ai ka transmetuar nga Ebu Bekr ibn Ebu Merjemi nga shejhët e tyre se këtë e kanë bërë. Edhe Ismail ibn Ajjasi gjithashtu e transmeton.” Ibn Haxher El-Askalaniu në veprën Et-Telhis i ka theksuar hadithet të cilët e forcojnë hadithin e Ebu Umames kurse këta janë hadithet të cilët i shënon Seid ibn Mensuri në Sunenin e tij nga Reshid ibn Sa’di, Damre ibn Hubejbi, Hakim ibn Umejri dhe të tjerët.[3]
Ibn Abidini në Hashije thotë: “Nuk ndalohet talkini pas varrosjes sepse në këtë nuk ka kurrfarë dëmi, madje përkundrazi, në atë ka dobi sepse të vdekurit i lehtësohet për shkak të dhikrit siç është transmetuar kjo.”[4]
Shejh El-Uthmani thotë: “Në Sherh’ul-Ihja thuhet: “Në Er-Revdi thotë: “Është mirë të bëhet talkini pas varrosjes sepse kemi një hadith lidhur me këtë çështje.” En-Neveviu thotë: “Numër i madh i dijetarëve tanë e konsideron talkinin të lavdëruar; nga ata janë: El-Kadi Husejni, autori Tetimme, Shejh Nasr El-Makdisi në librin e tij Et-Tehdhib etj. Hadithi i cili transmetohet për këtë është i dobët por ai është nga hadithet për vlerat dhe përdoret te dijetarët dhe muhadithët si dëshmi valide. Këtë hadith e mbështesin hadithet e tjera sahih, sikur: “Luteni Allahun që ta forcojë...” sikur edhe porosia e Amr ibn’ul-Asit: “Ndaluni te varri im aq sa është e mjaftueshme të prehet një kurban dhe të ndahet mishi i tij, që të ndihem më lehtë dhe të di si të përgjigjem para të deleguarve të Allahut të lartësuar.” Muslimi e shënon në Sahih. Banorët e Shamit e kanë praktikuar talkinin qysh nga fillimi.” [5]
Shejh Abdul Kadir Isa Dijab në veprën Mizan’ul-Adil thotë: “Madje edhe pse Neveviu dhe disa të tjerë thonë se talkini ka të bëjë me atë që vdes, Muhibb Et-Taberiu, Kemal ibn Humami, Shevkaniu e të tjerë thonë se fjala “Mevtakum” udhëzon në të vdekurin dhe se kjo është metafora për atë që është duke vdekur. Pasi e dimë se nuk kalohet nga kuptimi tekstual në atë metaforik përveç për dëshmi të cilat këtë e kërkojnë apo në këtë udhëzohet, kurse dëshmi e tillë këtu nuk ekziston, atëherë më e mundshme është që ky hadith është në lidhje me të vdekurit.” [6]
Nga Rashid ibn Sa’di, Damreh Ibn Hubejbi dhe Hakim ibn Umejri transmetohet se ka thënë: “As’habët kanë dëshiruar që, kur i vdekuri të varroset, të qëndrojnë te varri dhe të thonë: “O filan, thuaj La ilahe il-lall-llah (Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut) - tre herë. O filan, thuaj: Krijuesi im është Allahu, feja ime është Islami dhe Pejgamberi im është Muhammedi.”[7]
El-Hattabi në veprën Mevahib’ul-Xhelil thotë: “Nga Ibn’ul-Arebiu transmetohet: “Kur të varroset i vdekuri është e lavdëruar t’i bëhet talkini në atë momente, këtë e kanë bërë banorët e Medinës dhe njerëzit e mirë sepse kjo pajtohet me ajetin:
وَذَكِّرْ فَإِنَّ الذِّكْرَىٰ تَنفَعُ الْمُؤْمِنِينَ
“Dhe (vazhdoje) këshillimin, se, me të vërtetë, këshilla u bën dobi besimtarëve.” (Edh-Dharijat, 55). [8]
Imam Neveviu thotë: “Sa i përket talkinit, numër i madh i dijetarëve tanë këtë e konsideron të lavdëruar.” [9]
Përktheu: N. Ibrahimi
[1] Taberani; Nejl’ul-Evtar, Shevkani, 4/ 102; Telhis’ul-Habir, Ibn Haxher El-Askalani, 2/ 270 dhe thotë: Ky hadith është i mire, kurse të mire e ka shpallur edhe Hafiz Ed-Dijau.
[2] Muslim, nr. 2094 i 2095.
[3] Fet`h’ul-Mulhim, Shibbir Ahmed El-Usmani, 4/ 429.
[4] Hashija, Ibn Abidin, 3/ 81, Dar Alemul Kutub, Rijad.
[5] Fet’h’ul-Mulhim, 4/ 430
[6] Mizan’ul-Adil, fq. 61.
[7] Ibid.
[8] Mevahib’ul-Xhelil, El-Hattab, 2/ 238
[9] El-Edhkar, En-Nevevi, fq. 123.