Dr.Musa GASHI
ISLAMI BRENDA STRUKTURËS SË RINISË
Brenda strukturës së rinisë gjallëron pjesa më e madhe e ateistëve, e edukuar në komunizëm me frymën e eleminimit të besimit (fesë) ku, përkundrazi, përqendrohen atributet themelore të edukimit moral dhe shpirtëror të individit dhe shoqërisë. Sipas mendimit të shumicës së rinisë, (në Kosovë ka mëse 350.000 nxënës, rreth 30.000 studentë, 20.000 pedagogë dhe arsimtarë të shkollave tetëvjeçare dhe atyre të mesme, rreth 60.000 studentë të diplomuar, 2.000 doktorë shkencash dhe magjistra, 427 shkolla tetëvjeçare, 66 të mesme, 23 fakultete dhe 7 shkolla të larta),“feja si institucion” duhet flakur “për arsye se ajo pasqyron kuptimet e tejkaluara për edukimin e njeriut, është i tejkaluar si koncepcion mendor, se nuk ka më forcë për të përmbajtur vlera morale për një shoqëri të avancuar, sidomos tani në kushtet aktuale për cilësimin e njeriut si subjekt, që është vetë farkëtar i fatit të tij. Me emancipimin e njeriut bashkëkohës është arritur një shkallë e lartë e vetëdijes së tij për idetë dhe vlerat jetësore individuale dhe ato shoqërore. Në këtë kuptim, theks i veçantë vihet në rolin negativ që ka feja islame për kategoritë e përmendura të subjekteve! Në rrethanat aktuale, feja (sidomos Islami), paraqet një institucion të panevojshëm për individë dhe shoqëri, një ngarkesë e panevojshme e cila madje pengon aftësitë e të menduarit të lirë dhe logjikës…! Këto ide filozofike “nuk i interesojnë” rinisë, përkundrazi, ato pengojnë “zhvillimin e lirë të individit”, “lirinë dhe dinamikën” e organizimit të jetës së tij”. Por, këtu duhet shtruar problemi: ku kanë mbetur morali dhe etika e të rinjve, e cila mjerisht u është nënshtruar instinkteve të ulëta?! Problematike mbetet edhe distanca kohore e edukimit të brezave të rinj gjatë 50 vjetëve të komunizmit, të ateizmit, në të cilën janë përfshirë gati dy gjenerata të popullsisë. Rinia për këtë periudhë është edukuar me frymën ateiste dhe vlerat dominante të jetës janë kërkuar në thesin e shkencës materialiste, historisë saj dhe praktikës gjysëmshekullore, duke i adaptuar si vlera të përhershme të kuptimeve ideologjike, të cilat “do të jenë të përhershme!
Në kontekst të këtyre fakteve, nuk është e tepërt të kujtojmë disa momente nga e kaluara historike përkitazi me sistemin komunist:
Institucionalizimi i sistemit komunist në Evropën Lindore dhe Juglindore (në Ballkan pos Greqisë !?), shumë herët është hartuar dhe planifikuar në Evropën Perëndimore, në qendra të caktuara strategjike të cilat merren me hartime të strategjisë planetare, më vonë të udhëhequra nga SHBA. Objektivisht, në këto vise të Evropës, ku sistemi komunist është imponuar e më vonë edhe në Azi dhe gjetkë, nuk kanë ekzistuar kushtet objektive klasore, politike dhe shoqërore. Gjithë bota e di se si sistem klasor, politik dhe shoqëror, komunizmi e ka djepin e vet në Perëndimin kapitalisto-imperialist, por i cili është “paraparë” se duhet të implementohet në Evropën Lindore, Juglindore, Azi, etj. si sistem politiko-shoqëror “shumë i përshtatshëm” për anët e përmendura të botës, i cili mjerisht u ka kushtuar jetë miliona njerëzve (“armiq klasor”?!). Parë në retrospektivë, institucionalizimi i sistemit komunist në Rusinë e dikurshme cariste, pa dyshim, na bën të dimë se i është imponuar Rusisë me përdorimin e forcave të shumta, e dirigjuar nga jashtë, sepse në vend nuk kanë ekzistuar në asnjë mënyrë kushtet klasore, politike, shoqërore dhe ekonomike për një aventurë të përgjakshme si i ngjau këtij vendi. Niveli i ulët i zhvillimit të përgjithshëm të Rusisë së atëhershme, shkalla e ulët e bazës shoqërore dhe ekonomike dhe niveli i ulët i vetëdijes klasore i proletariatit rus, edhe pse në atë periudhë ky vend paraqiste një prej fuqive imperialiste kontinentale të botës, nuk mund të jenë në asnjë mënyrë, shkas për ekzekutimin e një revolucioni si ky, aq i përgjakshëm, të cilin me miliona njerëz të pafajshëm e paguan me kokë, bashkë me dinastinë e Romanovëve, të cilëve u humbi çdo trase e jetës. Sipas logjikës së ecurisë politike (“revolucionare”), vetëdija klasore e proletariatit në Perëndim ishte në nivel shumë më të lartë se në Rusi, prandaj aty duhej kërkuar më parë institucionalizimi i një sistemi komunist! Shkakun e kryerjes së këtij “evolucioni proletar" në këtë vend, e kanë ditur fuqitë e caktuara dhe qarqet profesioniste për projektime të tilla strategjike. Ato, në të vërtetë, mobilizojnë gjithë fuqinë e energjisë për krijimin e çrregullimeve në botë, por, për ironi, nën devizën e “Aksionit të instalimit të rendit të ri shoqëror në botë”, me përdorimin e formave të ndryshme të futjes së turbullirave të cilat mbajnë emërim atraktiv: NOVUS ORDO SECLORUM. Mjerisht, ky pushtet i pakufizuar në botë, është në zgjerim e sipër dita- ditës!
Një zbatim karakteristik i një sistemi antihuman ishte ai që u realizua në Shqipëri, një vend i vogël i Ballkanit, ku sistemi i egër komunist pat treguar fytyrën e vet të vrazhdë!
Me Kushtetutën e vitit 1967, përfundimisht feja dhe besimi fetar u flak dhe me këtë akt, Shqipëria pat fituar epitetin e “shtetit të parë ateist në botë”. Kompleksi i inferoritetit të “vegjëlisë” për një parti të një shteti të vogël, duhej “shëruar” me një akt të tillë politik që deri atëherë nuk u pat paraqitur në asnjë vend të botës, përveç Shqipërisë. Me këtë akt, diktatura komuniste e Shqipërisë ka imituar kinezët (miqtë e atëhershëm), në aksionin e “revolucionit kulturor” që zhvillohej në atë periudhë në Kinë.
Rruga “revolucionare” për në “socializëm dhe komunizëm” u provua si një ide udhëheqëse në botë, si “një luftë klasore kundër kapitalizmit dhe imperializmit”. Një manipulim i tillë ideo-politik (lexo: maskarada ideore e komunizmit), atëherë gjeti mbështetje më të madhe në Shqipëri, ku diktatura komuniste u zhvillua në shkallë edhe më të egër duke theksuar më tepër procesin e tjetërsimit të vetëdijes kolektive të masave njerëzore, me pavetësi të njeriut dhe shoqërisë, pa vetëdije të vlerave morale të tyre, mjerisht të pranishme edhe në ditët e sotme të sjelljes morale të një pjese të madhe të popullsisë. Ky është një primitivizëm moral dhe nihilist, sikurse e vërteton rregulli i “implementimit të rendit” me përdorimin e “çrregullimeve”.
Në periudhën e sundimit komunist, në Shqipëri janë rrënuar objektet sakrale: xhami, manastire dhe objekte të tjera, me urdhërin e partisë. Një numër i madh i personave të klerit musliman, katolik dhe ortodoks, përkatësinë e tyre e kanë paguar me kokë. Disa nga objektet sakrale janë adaptuar në “pallate rinie”, në magazina, madje edhe në “WC publike” (xhamia e Beratit)!, me të cilat është vërtetuar edhe një herë shkalla primitive e koncepcionit dhe e praktikës së sistemit komunist.
Faktet dhe ngjarjet e përshkruara në këtë punim nuk janë hiperbolizuar, por janë shkruar në dimensionet e vërteta që i ka pajisur praktika e vrazhdë komuniste si sistem kudo ku ka sunduar. Për këtë arsye, shtrohet një pyetje e thjeshtë: Si është e mundur që një sistem politik dhe rend shoqëror mund të jetë human dhe atraktiv për botën normale, kur zhvillimi i tij në shkallën e praktikës në një vend, merr përmasa shumë të mëdha të krijimit të kushteve anarkiste, të cilat u kanë kushtuar jetën e miliona e miliona të njerëzve – “armiqve klasorë”, gjë me të cilën është kryer procesi i riciklimit të sistemit! Ndaj, strukturës së “humbur” të rinisë, sidomos asaj shkollore, duhet t’i përkujtojmë se çfarë dimensionesh merr ateizmi në praktikë, kur vjen në pushtet nën emrin komunizëm, i cili gjithmonë, në çdo periudhë dhe kohë, krijon “armiq klasor dhe armiq të popullit”, në të vërtetë, me këtë, ai riprodhon veten!
Besimi në Zot dhe feja, identifikohen me aspiratat njerëzore për realizimin e një jete të rehatshme dhe të drejtave personale, bashkë me dinjitetin e jetës në frymën e lirisë personale dhe të paqes. Lidhur me këtë, Aldos Haksli (Aldous Huxly), thekson: “Shkenca dhe feja paraqesin dy binjakë sijamezë dhe çdo ndarje njëri prej tjetrit, mund të shkaktojë vdekjen e të dyve”, gjithashtu edhe Rusoja (J.J. Rpisseau) thotë se “është marrëzi e madhe të supozohet se harmonia në natyrë mund të realizohet nga një mekanizëm i verbër i materies, rastësisht i vënë në lëvizje”
(Autori i përmendur, ICR, Impact Series, july, 1971, faqe 1, Londër: “Probality and Order against Evolution”, Londër, 1971).
Ne jemi duke përjetuar faktin se shoqëria bashkëkohore vuan nga kompleksi i vlerës materiale, e cila te njeriu zhvillon dëshirën për instikte dhe epshe joracionale. Vlerat shpirtërore janë vënë në plan të dytë, kështu që edhe humanizmi i njeriut mbetet në plan të dytë. Theksimi i tepërt vihet në arsimimin verbal të njeriut në të cilin nuk ka vend për notë edukative, e cila te njeriu krijon raporte pozitive ndaj vetes, natyrës dhe bashkësisë njerëzore. Njeriu modern i kthehet epsheve të përfaqësuara si preokupim kryesor i jetës. Nga shkaqet ideologjike disa njerëz shpallen edhe për idolë dhe zotëra. Parë nga ana historike, gati të gjithë reformatorët shoqërorë dhe politikë, qysh prej shekujve të mesëm e deri më sot, kanë tentuar të krijojnë një botë më të bukur, më të lumtur se më parë (Muhammed Asad: Rruga për në Mekë, faqe 54, përkthim në boshnjakishte, Sarajevë, l981).
Ta marrim si shembull idealizimin e tepruar me revolucionin francez të vitit 1789 (në kështjellën e Bastilës, atëherë janë gjetur shtatë vetë të burgosur: dy vetë për arsye politike, kurse pesë të tjerë hajdutë të rëndomtë, bile njëri prej të pestëve i çmendur, të cilin masa e “revolucionarëve” e bartnin në krahë?!), nën devizën “për të vërtetën hyjnore individuale dhe për lirinë nacionale”. Pas idealizimit të tillë, në skenë na del nacionalizmi i tërbuar i Napolenit I, i cili në vend që të ishte shpëtimtar i shoqërisë dhe njeriut, ai u bë një sundimtar tiran dhe njeri i pangopur i pushtimeve të tokave të huaja! Në periudhën fillestare të sundimit të Napoleonit, Bet’hoveni ishte i mahnitur nga ai dhe u frymëzua për të krijuar simfoninë IX (Eroica), ku me talentin e tij të bujshëm në muzikë i pat përshkruar sukseset e luftërave të Napoleonit, madje vuajtjet e popujve në të kaluarën, duke shprehur “një vëllazërim të të gjithë njerëzve në botë”.
Rinia e edukuar në frymën e komunizmit ateist nuk ishte në gjendje t’i kuptonte vlerat dominante të njeriut të përqendruar në filozofinë fetare, por gjatë një gjysëm shekulli ishte drejtuar në hulumtimet e konceptit materialist të shkencës dhe të historisë së saj, si botëkuptim i vlerave të përhershme! Entuziazmi rinor përqendrohej në themele të dobëta të praktikës jetësore “Homo sui iuris” dhe në motive hedoniste që e udhëheqnin gjatë tërë jetës, duke humbur idenë se me këtë kuptim është shtrembëruar drejtimi i konceptit për të drejtat e tij në jetë, punë dhe fat. Për një filozofi të tillë nihiliste mund t’u jemi “mirënjohës” një Frojdi, Fojerbahu, Shopenhaueri, Darvini, Jungu, Niçe etj., të cilët i patën “zbuluar” shkencat e psikoanalizës, principet analitike, nihiliste shpirtërore, relativizmit moral (Muhammed Asad, vepra e cituar, faqe 55), krijimin e jetës së njeriut, teorisë së evolucionit dhe të tjera, sikurse “shkencën” marksiste të filozofisë materialiste (filozofi e stomakut), raportet klasore, proletariatin etj.
Mjerisht, botëkuptime të tilla paraqesin edhe sot kulturën aktuale të të menduarit te pjesa më e madhe e rinisë shkollore, e cila është kundër një “dogme fetare” me konceptin steril (Një profesor në Fakultetin Juridik të Prishtinës, në pyetjen e parë që i bën kandidatit, thotë: “A beson në Zot?” Nëse kandidati përgjigjet pozitivisht, ai menjëherë në indeks ia vë notën pesë…?!)
Mirëpo, krahas me një hedonizëm optimist të rinisë, mund të hetohet edhe një proces i krijuar i një boshllëku shpirtëror, një relativizëm cinik dhe i papërcaktuar…! (Muhammed Asad, vepra e cituar, faqe 57).
Në të vërtetë, njeriu bashkëkohës, respektivisht një i ri, është i thyer në shpirt, është i ngarkuar me dinamikën jetësore, të cilat e çojnë në aktivitetet e potencimit të epsheve dhe instikteve të jetës. Në një sistem të tillë të jetës mëkëmbet një fushë e gjerë e konflikteve, e idealeve dhe e realitetit, të cilat ushtrojnë ndikim të dukshëm në krijimin e karakterit të njeriut, gjë me të cilën hapet shtegu për dezintegrimin psikologjik dhe moral të tij. Në të vërtetë, fusha e edukimit shkatërrues të rinisë përfshin tërë jetën e saj, ku konfliktet paraqesin një ambiguitet në çdo fushë veprimi. Procesi i përshkruar nuk merr fund vetëm me këtë. Duke humbur kuptimin e drejtë të konceptit jetësor, njeriu u përshtatet kuptimeve nihiliste të jetës, të gjitha perceptimet e tij përqendrohen në një rreth të zbrazët brenda të cilit qarkullon gjatë tërë jetës, respektivisht, duke e përqafuar kuptimin e një jete të zbrazët, shpesh anon në drejtim të një “filozofie ekzistencialiste”, e themeluar në principet nihiliste! Fusha e përmendur e konflikteve e çon njeriun në sferën e sjelljes mazokiste, deri te depresionet e ndryshme neurotike dhe psikike, impotenca dhe sëmundjet e tjera neuro-psikike. (M. Lenné, Depresionet, faqe 145, Paris, 1978, thekson këtu faktin se në Gjermani p.sh., në çdo 42 minuta mesatarisht, një qytetar bën vetëvrasje (?!!).
Në këtë amulli të bredhjeve ideologjike në këto anë, ateistët pohojnë se “feja ka ngritur kokën” (feja islame), gjë e cila patjetër do të ushtrojë ndikim negativ në “bashkimin e kombit”. Në këtë pohim, ne u përgjigjemi me të vërtetën faktike: Pjesa dërrmuese e rinisë është klientelë e “kafeneve”, e përdorimit me shumicë të alkoolit dhe të drogës, prostitucionit, e vjedhjeve dhe e shumë punëve të këqija. Krahasuar me atë pjesë të rinisë që falet në xhami, situata është në përpjestim të zhdrejtë ndaj strukturës së rinisë fetare.
Raportet e bëra na vërtetojnë faktin se rinia, si masë e madhe e popullatës shqiptare, nuk është drejtuar në kullitë pozitive të edukimit, përkundrazi, ajo i është lënë stuhisë së erërave që fryejnë nga kuadratet kundërshtuese të moralit. Nëse mendohet se përdorimi i alkoolit, i drogës dhe prostitucionit paraqesin një formë të emancipimit të popullsisë shqiptare, në raport me afrinë që duhet bërë me Perëndimin, respektivisht, e gjithë kjo paraqet një kuptim individual “për lirinë individuale” si kategori pozitive për shoqërinë, kurse kategoria e rinisë dhe popullsisë, e cila beson në vlerat shpirtërore që i përbën feja, paraqet masën negative të popullsisë, atëherë një kuptim i tillë është një shikim i bërë në pasqyrë të shtrembëruar dhe kjo qëndron në përpjestim të zhdrejtë me proporcionet e nevojave objektive për një moral që i duhet shoqërisë. Kur Papa Gjon Pali II bën vizita në botën katolike në shumë vende dhe kontinente, gjithnjë u bën thirrje shoqërive në fjalë që prej rinisë të kërkojnë të heqë dorë nga alkooli, droga dhe prostitucioni, sepse ai është shumë mirë i informuar që bota perëndimore paraqet një shoqëri të korruptuar, aq e materializuar saqë është kthyer në një shoqëri të prishur, në një shoqëri pornografike dhe të aborteve, etj.. (Mexhid Yvejsi: “Fjala e Zotit e ka larguar nebulozën partiake”, “Dituria Islame”, revistë, Nr. 89, mars, 1997, Prishtinë.)
Mos të harrojmë edhe këtë fakt: Prishtina sot ka rreth 530.000 banorë dhe të gjitha xhamitë, 140, janë ngritur në qytet gjatë sundimit osman. Xhamitë e reja kryesisht janë ndërtuar nëpër fshatra nga fshatarët e vendit.
Kuptohet se zhvillimi material i shoqërisë paraqet një parakusht për ekzistencën njerëzore, por në suazën e një aktiviteti të tillë duhet të jetë e pranishme një notë e vlerave morale dhe shpirtërore. Duhet të jemi të sigurtë se vetëm një segment i aktiviteteve njerëzore nuk është i mjaftueshëm për vetveten, por brenda tij duhet të jenë të pranishme edhe vlerat morale dhe shpirtërore si dhunti nga All-llahu xh.sh., ku nuk ka vend për dilema dhe për ndryshime të mendimeve, por këto t’i shërbejnë organizimit të një jete të njeriut të profilit “Homo Sapiens et Spiritualis”!
http://www.aiitc.org/universi/uni15.html