Njerëzit e mëdhenj merren me ide, mesatarët me ngjarje ndërsa të vegjëlit me persona! Të mirresh me (raportin) Dick Marty, a thua në cilën kategori hynë?
Kur u dha lajmi se diplomacia shqiptare, përgjatë vitit 2011, në top-agjendën e saj do ta ketë kryesisht raportin e Dick Marty, në Tiranë, Edmond Haxhinasto, deklaroi se raporti është i papranueshëm dhe me akuza të pabazuara në fakte. Nga ana tjetër, në Beograd, kur Svetko Kovic, drejtor i agjensisë sekrete të zbulimit serb pati deklaruar se “përveç që Serbia nuk ka fakte për të dëshmuar trafikimin e organeve, ajo as nuk ka dosje klasike kundër Hashim Thaqit”, ndërkaq përtej Atlantikut, Washingtoni zyrtarë e tha troq: “Përderisa nuk argumentohen akuzat e ngritura në raport, administrata amerikane do të mbështesë çdo qeveri në Kosovë që zgjidhet nga qytetarët e vendit”. Angazhimi i mëtutjeshëm posaqërisht i Tiranës zyrtare për çështjen e Kosovës, s’ka dyshim se do të jetë mbështetje e pakursyer për Prishtinën, e cila domosdo duhet të përqëndrohet në tri drejtime: në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar, në dekonstruktimin e raportit të Dick Marty dhe aderimin e Kosovës në mekanizmat multilateralë.
Sinkronizimi diplomatik dhe roli i insitituteve kërkimore
Pyesim: Nëse diplomacia shqiptare raportit në fjalë i paska dhënë një prioritet kaq të madh, përse atëherë të mos formohet një grup lobues i përbashkët Kosovë-Shqipëri, apo, përse nuk mendohet të shfrytëzohen ambasadat shqiptare në të cilat do të kryheshin punët e mëdha për Kosovën, mbase, për kosovarët kjo do të ishte një përfitim përvoje e cila kaq shumë po na mungon?
S’ka dyshim se pavarësia e Kosovës e shndërroi Ballkanin nga burimi i konflikteve në burim stabiliteti. Ajo u bë faktor i rëndësishëm jo vetëm për rajonin. Hyrja e saj në agjenda ndërkombëtare, për politikën kosovare është edhe një obligim më tepër. Në një shkrim të mëhershëm ne patëm potencuar nevojën e konsultimit të njerëzve që dijnë dhe që kanë përvojë! Përvoja që sot na duhet, është ajo që krijohet me dije dhe kohë. Në fund të vitit që shkoi, kur një ministër po rradhiste sukseset e ministrisë që ai kishte udhëhequr, ndër të tjera tha se për tre vjet kishte realizuar afro 400 projekte, ndërsa vetëm në vitin 2010 paska shpenzuar mbi 81 milionë euro nga totali 84 milionësh sa ka pasur buxhetin ajo ministri. Sukseseve të tij i’u gëzuam të gjithë. Mirëpo, sa nga ato mjete janë shpenzuar për institute kërkimore? A nuk do të ishte më mirë që nga ajo shumë të ishin ndarë vetëm 1 milion euro për hulumtime të mirëfillta shkencore? Kosovës nuk i mungojnë resurset njerëzore, asaj ndoshta po i mungon menagjmenti i cili do t’i përfillte këto resurse. Institutet janë të rëndësishme për zhvillimin e vendit, mirëpo ato do të ishin të suksesshme nëse financohen mirë dhe në kohë të duhur. Ministritë, posaqërisht ministria e jashtme, duhet të ndajë më shumë mjete për kërkime të bazuara në fakte. Faktet, sot e nesër, do të nevojiten si pika referimi në betejat diplomatike, që nuk do të jenë as të shkurtëra e aq më pak të lehta. Koha ka ardhur që premisat e politikës kosovare të rezultojnë konkluza konsistente, ndërsa sntencat e diplomacisë të kenë mbështetje analitike. Investimet në Institute kërkimore, sado që mund të duken të shtrejta, ato janë më të vogla në krahasim me humbjet eventuale që mund t’i pësojmë pa përgatitje adekuate. Puna kërkimore është substrat i fortë për diplomacinë kosovare. Shtetet me përvoja të njëjta si kjo jona, gjithashtu do t’i shërbenin si mesim Kosovës. Është mirë të përkthehen ato përvoja, eventualisht të dërgohen atje kuadro për shkollime pasuniversitare.
Fjala e Ilir Metës se “çështja e Kosovës nuk është një çështje e ngushtë e raporteve bilaterale midis Tiranës dhe Beogradit, por një çështje ndërkombëtare”, duhet të kuptohet si thirrje për zgjerimin e njohurive për zhytje në ujërat ndërkombëtarë. Në ato ujëra, anija e diplomacisë kosovare duhet të hapet me vela të reja, mbase me timonier që nuhatë më mirë rreziqet e mundshme. Refrenet e përditshme dhe të mërzitshme që lexoheshin përgjatë vitit 2010, duhet të zëvendësohen me argumente më të forta për njohje të reja. Fotografitë e ministrit të jashtëm në “Starbucks” kinse për lobime, mbetshin pjesë e dështimeve të së kaluarën tonë diplomatike.
Rrumbullakim ideor
Është koha të merremi me ide, më pak me ngjarje, ndërsa me persona le të merren të tjerët. “Dick Marty” është një proces i ndërlikuar i së ardhmes sonë. Raporti i tij do të duhej të ishte leksion i sfidave të realpolitikës kosovare si dhe adut i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Mënyra se si do të merremi me të, do të jetë një test tjetër i ballafaqimit tonë si subjekt shtetëror në marrëdhëniet ndërkombëtare.
(Ky shkrim eshte botuar ne te perditshmen ZERI me date 05 Janar 2011)