Burimi i këtij lajmi është zëvendësministri grek i Mbrojtjes, Panos Beglitis, gjatë një vizite në Washington për një sërë takimesh. Beglitis, që foli me zyrtarë amerikanë me ‘mënyrën klasike’ të hyrjes së Turqisë në hapësirën ajrore të Egjeut, shtoi gjithashtu se ata po përpiqeshin të rrisnin nivelin e marrëdhënieve me Ankaranë zyrtare. Njëkohësisht, ai ndjeu nevojën të shprehte shqetësimin e vendit të tij për një sërë çështjesh thelbësore, sipas atij artikulli.
Shqetësimi i zyrtarit grek fshihet në terminologjinë e përdorur që mbart mjaft domethënie për debatin që ne këtu në Turqi nuk duket se po i japim rëndësi. Nëse përpiqemi të përkthejmë lajmin, në ligjëratë të drejtë Beglitis u shpreh kështu: “Greqia ndjehet e shqetësuar për Turqinë si një fuqi në ngritje. Është një çështje që jam kureshtar të di nëse miqtë e mi amerikanë janë të aftë për ta kuptuar apo jo”. Ai vijon të shprehë idenë se Turqia po fuqizohet financiarisht e ushtarakisht në rajon, duke i dhënë hov e dinamizëm gjithë kësaj hapësire dhe që Ankaraja dëshiron të luajë një rol më të madh politik në rajon.
Po vërtet, nëse nuk na shkon për shtat, madje edhe nëse nuk duam ta pranojmë apo përpiqemi të argumentojmë të kundërtën e saj – që Turqia po zhytet me shpejtësi dhe që e ardhmja është e zymtë – ky është portreti i Turqisë i skicuar nga ata që e shohin nga larg.
Me qëllim që të kuptohet arsyeja e kësaj çështjeje, gjithkush mund të përqasë fjalët e përdoruara nga Beglitis – të cilat në rrafshin e objektivitetit zor se i mohon dikush – me ato të presidentit turk Gyl, që është shprehur me fjalët e mëposhtme dhe që zunë vendin e krye-lajmit në faqet e gazetës së përditshme “Zaman”. Kur u shtrua çështja e debateve të pafundme në lidhje me drejtimin që po merr Turqia, presidenti u shpreh: “Disa qarqe janë angazhuar në mënyrë të hapur, me qëllim, si dhe po organizojnë një fushatë psikologjike kundër Turqisë”. Kjo vërehet si në SHBA, ashtu edhe në Evropë. Ngaqë jemi të vetëdijshëm për këtë, kjo situatë nuk ka lidhje me ne. Përkundrazi, kjo trysni e padenjë e kësaj fushate psikologjike na bën edhe më të vendosur. Në çdo hap që hedhim drejt Lindjes së Mesme, Rusisë, Afrikës dhe vendeve të tjera, fatkeqësisht kjo çështje nxjerr gjithmonë kokë”.
Kështu, nuk paska vend që kritikuesit të na vënë në shënjestër? Sigurisht që jo. Sidoqoftë, nëse duhet të tregohemi të sinqertë me veten tonë dhe të dëshirojmë që fjalët e thëna të kenë efekt tek ata që u adresohen, duhet të kuptojmë që sot Turqia është fuqizuar mjaft krahasuar me të djeshmen, çka në mënyrë të pashmangshme ka vënë në siklet disa vende. Në këtë kuptim, politika e ndjekur ndaj Iranit nga Partia për Drejtësi e Zhvillim(AKP), pavarësisht sa me qëllim të mbarë janë, kanë ngritur pikëpyetje edhe në qarqe që e shohin me sy të mirë Turqinë, e për këto arsye këto politika lypin një retushim të lehtë. Në mënyrë të ngjashme, imazhi që vihet në fokus për Turqinë – një vend që po ndryshon, zhvillohet dhe po fiton gjithnjë e më shumë tipare demokratike – për politikat që ajo ndjek në Lindjen e Mesme, mbështeten kryesisht në qëndrimin kundër Izraelit, që përcaktohet vetëm në pozicionin politik turk ndaj Palestinës e Izraelit, dhe që ndoshta ka nevojë të rishqyrtohet.
Sidoqoftë, këto imazhe që e përfytyrojnë Turqinë si një vend i izoluar, i parë ngushtësisht si vend islamik, qoftë edhe sunit, ndjejnë nevojën e një vështrimi objektiv të të dhënave që pasqyrojnë sqimën e vendit tonë përpara opinionit botëror. Shpërfaqja e Turqisë në organizmat ndërkombëtare, në Lindje e Perëndim, është një tregues mjaft i rëndësishëm.
Për herë të parë një turk kryeson Organizatën e Konferencës Islamike(OIC), që përfaqëson 57 vende myslimane në botë. Është njëkohësisht edhe hera e parë që një turk ulet në karrigen presidenciale të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës(PACE). Si mund të lëmë në harresë faktin se 151 vende dhanë mbështetjen e tyre për Turqinë në zgjedhjet e mbajtura prej Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për anëtarësimin në Këshillin e Sigurimit. Së fundi, kryebashkiaku i Stambollit Kadir Topbash u zgjodh president i “Organizatës së Qyteteve të Bashkuara dhe Qeverisjeve Lokale”(UCLG), që ka në gjirin e tij mijëra pushtetarë lokalë nga 136 vende.
Le të flasim edhe për gabime apo të meta, por pa harruar këto realitete, e veçanërisht, rrëfimin e zyrtarit të lartë grek Panos Beglitis.
(Express)
http://breziiri.com/2011/01/08/kush-po-i-frikesohet-turqise/