
Moralizmi për shpirtin anarkist, është i njejtë si shteti për shoqërinë : trup i huaj, kufizim lirie, futje në rreth e qëllimeve dhe mjeteve. Për anarkistët, është më së miri apo më praktike, që standardet dhe vlerat t’i shikojnë si korniza kufizuese, cunguese të qëllimeve, që edhe nëse duken se i ofrojnë një drejtim të duhur, praktik dhe të dobishëm drejtimit të shoqërisë, prapëseprapë me formulimet outpute që japin, nuk i shërbejnë asnjë qëllimi anarkist, dhe si të tilla janë të paarsyeshme.
Të elaborosh mbi standardet dhe objektivat anarkiste, nuk është domosdoshmërisht absurde - por, ato japin të kuptojmë se ofrojnë rreziqe të caktuara, të cilat shpesh mund të jenë të pashmangshme. Në një shoqëri të krishterë apo/edhe krejtësisht laiciste/shekullare ku edhe në rastin e parë diviniteti i krishterë konsiderohet vlerë, edhe në rastin e dytë shekullarizimi si metatezë etatiste karshi divinitetit poashtu është aksiologji në vete, rreziku bie tek përdorimi tradicional dhe ortodoks (dogmatik) i këtyre frazave absolutiste e moraliste, të cilat mund të jenë hapje rruge dhe tamam “cak” i atakimit për anarkistët, duke shkaktuar kështu kunderefektin e qëllimeve dhe të vetë qenësisë ontologjike të tyre.
A ke standarde dhe vlera, apo standardet dhe vlerat si “të kamura” në vete, të ngëthejnë edhe ty si pjesë integrale të aksiologjizmave? Zakonisht kjo e dyta është më mirë, (por jo dhe absolutisht më mirë) për anarkistët sepse ndaj kësaj anarkistët për të rezistuar dhe për tu kundërvënë, i rreken (edhe ata) përdorimit të fjalorit mashtrues “moralist” me gjuhë shumë direkte, duke thënë thjesht “atë që duan”/”pse e duan atë”/dhe “pse ata duan të gjithë të tjerët të duan atë”. Me fjalë të tjera, arrihet stadi kur edhe anarkistët alternojnë me “moralizmin” e tyre, për t’i hapur kështu të gjitha kartat.
Sikurse në standardet dhe aksiologjitë, kështu edhe në “izmat” e vjetër dhe të ri anarkistë, më së miri është po qe se i shikojmë si burime e jo si kufizime. Sepse ato eksistojnë për ne e jo ne për to. Për shembull nuk është me rëndësi nëse unë si anarkist kam përfituar personalisht (duke vjedhur/demoluar) më shumë si i gjendur në ndonjë rrjedhë situacioniste, apo nga ndonjë organizim kolektiv sindikal (malverzime me para të sindikatës), sikurse që nuk është me rëndësi se a ka fituar ndonjë tjetër anarkist/e më shumë nga ideologjia e mëhershme, apo tash nga kthesa anarkiste e paparë në jetën e tij : bërja deputet.
Nëse pikësynim është rënia e qeverisë, apo së paku bërja opozitë e fortë, na bashkon pikërisht kjo aksiomë, ky idil, ky “identifikim turmëzues” (Deleuze), ky qëllim i fundit. Vendet që kemi vizituar (që ndikojnë në kulturim/akulturim), por edhe vendet prej nga vijmë, edukata familjare, kredoja, arsimimi etj., janë sipas anticipimit anarkist pak të rëndësishme, karshi asaj “ku jemi sot” si vend dhe “kah po shkojmë si popull”.
Në konvulsionin në mes anarkistit A : anarko-majtist, anarkistit B : anarko-kapitalist dhe C : anarkistit meta-tipik (alla “mos ma ngjitni tiketen se s’jom anarkist”), tipi i tretë i anarkistit, kategorikisht refuzon kategorizimin. Tek ta, nëse përdorim thënjen e Sartrit “eksistenca i paraprinë esencës”, nuk është asgjë e pamundur, dhe nga kjo as edhe të qenurit në ndonjë rast anarkist. Në një rast, gruja e Çurçillit ishte ankuar përse ky i fundit po pinte shumë raki. Çurçilli i ishte përgjigjur se nga nga alkooli më shumë kishte “nxjerrur vetë” se sa që alkooli kishte “nxjerrur” nga ai. Me fjalë tjera Çurçillin nuk e kishte dehur as “gota e katërt”. Nga ky shembull rrjedh se anarkistët e tipit të tretë, marrin më shumë nga anarkizmi, se sa që merr anarkizmi nga ta. Ata janë konsistentë që edhe nga jeta të marrin më shumë se sa që jeta merr nga ta. Kthejlltësia dhe imagjinata e anarkistit të tipit C, qëndron në hapjen, në të qenurit openminder në dashurinë, në butësinë, në vetë-afirmimin, dhe të qenurit më praktik dhe oportunist, megjithëse “në esencën” (qe e pason “eksistencën” e tyre), mbeten anarkist.
Në parim, refuzimi i parimeve universale, për anarkistët është “parim universal”. Në praktikë secili individ ka rreth vetes koordinatat që e kufizojnë, kurse rrjedhojat rrethuese përherë ndryshojnë. Nuk ka formulë për sukses, nuk ka as dëshmi që nuk ka formulë për sukses. Suksesi “imagjinohet” dhe “përjetohet”. Por arsyeja dhe përvoja, tregojnë për disa “zona” lehtë të vërejtshme të kotësisë në nomosin e llogosin anarkist. Së pari, si “shenjë”e parë në këtë drejtim, është qëndrimi jashtë (anashkalimi) i procesit politik zgjedhor i dëshiruar nga anarkistët, dhe më pas (kur inovacionet duken me të mundshme), preferohet participimi në zgjedhje
I dëshirueshëm është edhe qëndrimi jashtë detyrës së punës, anipse është mundur kyçja në ndonjë “levizje” në vendin e punës, pa ndonjë rrezik të shkallës së lartë për largim nga puna, por vetëm sa për ta mbajtur ambientin rrethues nën tension. Kriminaliteti, bizneset “n’t’zezën”, mospagimi i tatimeve, janë shpesh alternativa reale individuale të anarkistit, por edhe kyçja në këso marifetlleqësh (çoftë edhe nëse zyrtarë shtetërore particpojnë aty) nuk përbënë dert, dhe janë të mundshme. Anarkisti (sidomos ai i tipit C që përshkruam) “shpirtin e tij të lirë” duhet ta vë në funksion gjithsesi karshi çdo prohibitimi. “Bëjeni më së miri atë që mundeni dhe shikoni se mos po u zë kush. Si anarkistë edhe ashtu kemi shumë armiq”
Anarkizimi është në tranzicion dhe për këtë gjë shumë anarkistë, ndiejnë ankth. Lehtë është të flasësh për ndrrimin e botës. Fjalët janë të lira. Ajo çfarë nuk është e lirë janë pjesët e tërësisë së asaj bote. Dallimet në mes rrymimeve tradicionale anarkiste janë të pavlera, sepse “vetë rrymimet tradicionale anarkiste për ne si anarkistë na jënë bërë të pavlera”. (Natyrisht në vendet më kapitaliste ka rënë roli i anarko-liberalëve kapitalistë përderisa nuk ndiejnë nevojën e të qenurit anarkistë). Kurse gjithandej tjetër ku ekscentrizmi i së majtës nga pozitat pushtetare, forcon sfodin alternativ të anarkistëve majtistë.
Anarkistët kalojnë nëpër kriza identiteti. A janë ata akoma, dhe pos kësaj i vetmi krah i së majtës ? Apo diçka më shumë se kjo, apo krejt diçka tjetër ? Anarkistët gjithmonë kanë bërë më shumë për të majtën se sa e majta për ta. Të gjitha borqet e anarkistëve ndaj së majtës janë paguar dhe atë edhe më shumë se që duhet. Anarkistët përfundimisht sot mund të jenë vetëm ata që janë. Por komoditeti është blasfemi e parimeve. Besimi në liri gjë e frikshme. Perspektiva është e pasigurtë. Kurse klishetë e të majtës dhe shkelja e marrëveshjeve tashmë janë të njohura si këpucet e vjetra (përfshirë edhe ato të drurit, kur na e ngulin keq !).
Po çka tutje, kur e majta të vijë në pushtet dhe nuk shkakton kurrfarë pengese, si anarko-majtistë më nuk na kërcënon represioni shtetëror apo jo” ? “A të dehemi në një rast të tillë, dhe – edhe pse – jemi tradhtuar, ne përseri të festojmë revolucionarisht” ? Triumfalisht. Si Chee Guveara !
Sa është bota e sotme “anarkiste” ? Në njërën anë është shumë anarkiste, në anën tjetër nuk është aspak anarkiste. Bota është anarkike sepse shoqëria, siç potenconte Kroportkini jeton e ndërkushtëzuar nga kohabitimi popullist shumë më shumë se sa nga qeverisja etatiste/tutela shtetërore. Në anën tjetër, bota nuk është aspak anarkiste, përderisa nuk ka mbetur pothuajse asnjë shoqëri që në një fare forme nuk i nënshtrohet i një kupole të quajtur shtet. Në luftë është kruciale që roli kryesor ti lihet gjeneralëve, kurse në anarki anarkistëve. Secila taktikë është e vlefshme, anipse zgjedhjet paraprakisht janë sharë. Apo kot ka thënë Bismarcku se politika është “art i së mundshmes” ? Nëse deri dje anarkistët nuk e kishin mësuar se si revolucionarizohet bota, për të fat të mirë e mësuan me 12 dhjetor.
U vodhën boll vota, ama 13 ulëse në parlament nuk është keq ! Së paku kanë mësuar rrugë shumë më insitucionale të inovacioneve politike. Tregimi për “prioritetet” tani zë vendin e tregimeve mbi vlerat dhe parimet. Sepse “prioriteti” është nocion më pak i kamur, dhe me më pak peshë se sa vlerat dhe parimet. Por edhe njëhere : a ke prioritete, apo PRIORITET “paske qenë tërë kohën vetë”
Epo, vetë-sakrifikimi është aktivitet kontra-revulcionar. Gjithkush është në gjendje të sakrifikoj PËR DIÇKA MË TË MADHE, dhe për këtë ta sakrifikojë edhe dikë tjetër në kalkulimet matchpolitike. Për këtë arsye, kurrë nuk ka solidaritet në mes tipave jo vetë-sakrifikues. Altruizmi në këtë rast është gjëja e fundit në botë. Kurrë nuk mund ta paramendosh se kur fillon mashtrimi, nga vëllau yt anarkist. Këtë e kupton vetëm në fund : kur sheh se nuk je duke marrur rrogë të majme deputeti. Kurti dhe të tjerët do të jenë DEPUTETË. Je TI, ai që ke ngelur në turmë. Nuk ka më njësi rumune, madje edhe plumbat e gomës janë hequr nga përdorimi. Nesër mund të vijë edhe Kurti dhe ish-shokët e tu të turmës në pushtet. Por ti sidoçoftë, RUAJU ! Ose kupto makavelizmin, dhe po deshe ndiq rrugën e tyre ! Si pacifist dhe i konformuar.