Prandaj, s’është e drejtë të presim që të tjerët të jenë njëlloj si ne, me zemra dhe mendje identike. Pritjet jorealiste për uniformitet rezultojnë në fajësimin e diversitetit si burim konflikti, duke mos e vlerësuar atë si burim pasurie.
Pasoja e kësaj mënyre negative të menduari është se të qenit ”ndryshe” bëhet sinonim i të qenit “i dëmshëm” dhe kjo përbën një pengesë të madhe për komunikimin efektiv.
Kurani ofron një rregull të artë për komunikimin mes njerëzve me formime e kultura të ndryshme.
“O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete.” (49: 13)
Nga perspektiva e komunikimit, në mënyrë që vërtet ta "njohin" njëri-tjetrin, njerëzit duhet ti fillojnë kontaktet e para me dashamirësi dhe pa paragjykime.
Ata duhet ti rezistojnë prirjes për të marrë vendime të nxituara duke u bazuar në ide negative e të përgjithësuara.
Ky përbën një stereotip. Për shembull, supozimet se të gjithë spanjollët janë toreadorë apo se të gjithë italianët janë këngëtarë operistikë përbëjnë stereotipe. Kur veprojmë kështu, jo vetëm që tregohemi të padrejtë me të tjerët, por gjithashtu jemi të padrejtë me veten; pasi duke i trajtuar supozimet si fakte të padiskutueshme dhe duke i marrë vendimet tona në përputhje me to, e privojmë veten nga një burim i çmuar mësimi.
Kjo është pikërisht ajo që ndodh kur disa besojnë se të gjithë muslimanët janë terroristë, dhe të tjerë besojnë se të gjithë perëndimorët janë tëpafe! Asnjë nga këto supozime nuk qëndron.
Kur shpërtheu kriza e karikaturave daneze në 2006, unë pyeta veten se çdo të bënte profeti Muhamed në një situatë të tillë konflikti? Duke u bazuar në konceptet e tij fisnike të komunikimit dhe të zgjidhjes së konflikteve, si dhe në ajetin që përmendëm më lart, fillova një projekt krijues komunikimi ndërkulturor të quajtur "Mos urre, eduko!"
Sfidat e komunikimit
A e keni pyetur ndonjëherë veten pse luftojnë njerëzit? Në përgjithësi, bindjet kontradiktore shkaktohen nga ndryshimet në moshë, gjini, fe, arsim, kulturë, e kështu me radhë, si dhe nga ndryshimet në status dhe të drejta teritoriale.
Profeti Muhamed u ballafaqua me situata komunikimi tejet sfiduese. Që në fillim ai u përball me një audiencë tepër diverse që shpeshherë ishte kundërshtuese. Profetit iu desh ta lufonte armiqësine dhe dyshimin me këmbngulje teksa mbante qëndrim pozitiv.
Për më tepër, profeti shpesh e gjente veten në situata shtrënguese dhe konfontuese, të cilat e detyruan të shpërngulej në territore të tjera dhe të ndërtonte një bashkësi të re me burime minimale.
Megjithëse u përball me shumë vështirësi, ai i ndryshoi me sukses bindjet negative të rrënjosura thellë deri atëherë. Ai gjithashtu arriti të nxirrte më të mirën nga njerëz të cilët ishin aq mospajtues saqë ishin në luftë të vazhdueshme me njëri-tjetrin. Si mund të përfitojmë nga suksesi i tij sot?
Gjykimi me shikim të parë
Strategjia e profetit ishte parandalimi dhe jo "shuarja" e konflikteve.
Për ta arritur këtë, ai vazhdimisht e me butësi i edukonte njerëzit për barazi, tolerancë dhe për menaxhimin e zemërimit. Ai e bënte këtë me qëllim që të minimizonte rëndësinë e tepruar që i kushtohej statusit dhe teritorit kundrejt barazisë dhe lirisë.
Ai paralajmëroi kundër efekteve shkatërruese të ndjenjave negative, dhe nxiste për arsyetim të qetë në situata konflikti. Profeti themeloi konceptin islam të lirisë së shprehjes. Ai i inkurajonte shokët e tij të flisnin me zë të lartë nëse vërenin veprime të nxituara e të pamatura rreth tyre. Vetë profeti i pranonte dhe i vlerësonte shumë këshillat e atyre rreth tij me kusht që ato të ishin të sinqerta. Në të njëjtën kohë, ai i dënonte ashpër abuzimet verbale dhe talljet publike të të tjerëve.
Profeti qëndronte i qetë gjate zgjidhjes së konflikteve me të cilat ballafaqohej.
Një ditë, një hebre erdhi në xhami për të kërkuar borxhin që i kishte dhënë profetit, por e kërkoi atë në publik e në mënyrë të ashpër. Një nga shokët e profetit, Omer ibn Hatabi nxorri shpatën nga milli në mënyrë kërcënuese. Por profeti Muhamed e qetësoi Omerin duke i thënë: “Unë dhe ai meritojmë trajtim më të mirë, mësoi atij ta kërkojë hakun më butë dhe më keshillo mua t’ia kthej borxhin në mënyrë më të mire.” (Ibn Habani)
Pas zgjidhjes së një konflikti, ai nuk i mbante kurrë mëri të tjerëve dhe nuk bënte gjykime të përgjithshme duke u bazuar në një incident të vetëm. Në vend të kësaj, ai përqëndrohej te mësimet e marra nga zgjidhja e problemit. Sa herë e lejojmë një incident të vetëm ti ndyshojë mendimet tona për dikë përgjithmonë?
Sindromi i riatdhesimit
Psikologjia bashkohore na tregon që përshtatja e një personi në një ambient të ri shoqërohet me simptoma të forta si depresion, vetmi, pagjumësi, oreks të dobët, dhe së fundi paaftësi për tu afruar me të tjerët. Problemi intensifikohet nëse banorët vendas i trajtojnë të ardhurit si "pushtues të territorit të tyre".
Sot, integrimi i emigrantëve përbën një problem të madh në Perëndim. Ndoshta gjërat mund të përmirësohen nëse kjo shihet si një situatë komunikimi dhe trajtohet si një mundësi, jo si kërcënim; veçanërisht nëse emigrantët nuk e kanë zaptuar tokën e dikujt me forcë, por thjesht kanë pranuar një ftesë për të jetuar në një vend të ri. Në një situatë të tillë, si mysafiri dhe mikpritësi janë përgjegjës për mundësimin e një ndërveprimi të mirë, duke e përdorur atë si një përvojë mësimi për të dy palët.
Profeti Muhamed u përball me një situatë të ngjashme pas largimit nga Meka për në Medinë me ftesë të medinasve. Kur ai arriti atje, disa nga shokët e tij prej emigrantëve, ishin aq të përmalluar për vendlindjen saqë u sëmurën fizikisht.
Uniteti i shoqërisë ishte në rrezik dhe një zgjidhje urgjente ishte e nevojshme. Profeti me shkathtësi e ktheu mallin e dhimbjen në energji e shpresë përmes një sërë rregullash dhe normash shoqërore projektuar për arritjen e lidhjeve të forta mes medinasve dhe emigrantëteve. Ndoshta kemi nevojë për ti shqyrtuar këto mësime të çmuara sot.
Kapërcimi i barrierave të statusit
Paraja, fuqia, pasuria, dhe bukuria fizike janë sëmundjet e botës tonë materialiste sot. Për shkak të tyre ndodhin konflikte.
Kur e krahasojmë veten me imazhe me shkëlqim në tabela lajmërimesh dhe nuk arrijmë të jemi si ato, fillojmë me vetëdije ti kemi zili dhe ti urrejmë; e urrejmë edhe veten për shkak të pamundësisë për të qenë si ato. Individët me probleme të tilla psikologjike nuk janë të aftë të komunikojnë me të tjerët siç duhet.
Islami thekson barazinë mes njerëzve, dhe na mëson se dallimi mes njerëzve bëhet vetëm në bazë të cilësive të mira që ata kanë në zemra, e këto të fundit i sheh dhe i di vetëm Zoti.
Si pasojë, ne nuk kemi të drejtë ta gjykojmë apo ta vlerësojmë veten, le me të të tjerët. Pra, ne duhet të tregohemi të drejtë me të gjithë njerëzit dhe në të gjitha situatat.
Ky rregull i artë pasqyrohet në sjelljen e profetit i cili na mësoi se një buzëqeshje është lemoshë. Ai i thirte njerëzit me emrat e tyre të preferuar, madje dhe armiqtë e tij.
Ai nuk rezervonte një vend të veçantë në takime por ulej kudo, dhe nuk pranonte që njerëzit të ngrihen në këmbë për të. Ai gjithmonë lejonte kontakt direkt si me miqtë ashtu dhe me armiqtë. Profeti ia përgatiste vendin për tu ulur mysafirit dhe nuk terhiqej i pari nga biseda.
Një herë dikush e kapi profetin për tunike me forcë për të tërhequr vëmendjen e tij, por Profeti nuk iu përgjigj me të njëjtën forcë; ai thjesht i kërkoi në mënyrë të vendosur ta lëshonte, dhe tjetri e bëri këtë për shkak të autoritetit që impononte profeti.
Ai e respektonte edhe më të riun e më të varfërin prej njerëzve saqë secili ndihej se ishte personi më i rëndësishëm për të.
Dikush i ofroi një brokë ujë dhe Porfeti piu. Në krahun e tij të djathtë, ndodhej një djalë i njomë, kurse në të majtën e tij, burra më të mëdhenj. Ai e pyeti djalin: "A më lejon që radhën për të pirë ujë ta kaloj te më të mëdhenjtë?" Djali ia ktheu: " O i derguari i Zotit! Për Zotin, nderin që të pi ujë direkt pas teje, nuk ia jap askujt tjetër (sepse jam në të djathtën tënde)." Profeti ia kaloi ujin djalit. (Buhariu)
Kjo situatë paraqet një dilemë; kush duhet të merrte ujë i pari, djali i ri apo burrat e mëdhenj? Profeti e zgjidhi problemin përmes barazisë pa marrë parasysh moshën apo statusin.
Sot ne vërejmë vrazhdësi dhe mungesë takti në marrëdhëniet shoqërore, veçanërisht kundrejt njerëzve të panjohur. Njerëzit shpesh bëjnë atë që është e mirë për veten e tyre në vend që të bëjnë atë që është e drejtë. Një komunikim i mirë fillon duke i respektuar të tjerët dhe duke i trajtuar ata me drejtësi.
Nëse ne vërtetë kërkojmë ti njohim të tjerët, atëherë ne duhet të edukojmë veten dhe të tjerët, dhe t'i japim fund kësaj urrejtjeje shkatërruese.
SHENIM:
Sahar Elnadi është diplomuar për histori dhe kulturë antike në Universitetin e Kajros. Në punën e saj ajo ka patur kontakte të vazhdueshme me njerëz. Ajo ka prezantuar programe të ndryshme televizive; ka instruktuar kurse trajnimi në komunikim, aftësitë e të menduarit dhe çështje ndërkulturore. Ka një eksperiencë të gjatë në dinamikat e komuniteteve shumëkombëshe në internet. Projektet e saj kanë fituar çmime të shumta.