Wikileaks apo dyfytyrësia e politikës

Dhe, derisa SHBA-të e shpallën tradhtar, duke i kërkuar falje shteteve dhe politikanëve që këto dokumente i kanë fyer, Suedia e quan përdhunues dhe seriozisht mendon që ta padis, edhe pse për argument  kryesor sjell vetëm një prezervativ jo-kualitativ?!

Nga ana tjetër Rusia e kandidoi për çmimin Nobël, tërë kjo flet për vërtetësinë vrastare dhe aq më shumë për konsensusin vrastar të politikës ndërkombëtare e cila sillet ngjashëm sikur demi me brirët në thes, gjë të cilën edhe ne e kemi ndjerë këto ditë dhe kohë mbi supet tona se sa në të vërtetë bashkësia ndërkombëtare qetëson dhe prinë drejt të ardhmes më të mirë… Kurse rrjedha i bën ngjarjet e ngjashme sikur ato për të cilat Assange ndodhet në burg në Britaninë e Madhe.

Dhe, përkundër asaj se deri më tani kanë dalë (rrjedhur) vetëm një pjesë e vogël e dokumenteve nga ata që janë paralajmëruar me pompozitet – se janë diku rreth 4 milionë – (vendi ynë (Bosnjë e Hercegovina, vër, e përkth.) praktikisht përmendet kalimthi vetëm në disa vende, nga ku do të mund të veçonim pohimin se ish-anëtarit të Presidencës dr. Haris Silajxhiqit nga ana e Turqisë i është sugjeruar që të mos e përdor shprehjen gjenocid, gjë të cilën ai kategorikisht e demantoi, duke mos llogaritur në thashethemet e mëdha që u përhapën pikërisht gjatë kohës së shfaqjes së këtij teksti mbi Reis-Ul-Ulemanë (Dr. Mustafa Ceriqin dhe Fahrudin Radonçiqin, themeluesin e partisë së re, i cili, pak a shumë, ishte i njohur edhe para publikimit të Wikileaks-it), shumë analistë por edhe politikanë janë të prirur ndaj deklaratave se edhe në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe përgjithësisht në diplomaci, situata kurrë më nuk ka për të qenë sikur që ishte më parë, si dhe në të gjitha takimet e ardhshëm me zyrtarët amerikanë, gjuhët e diplomatëve përgjithësisht do të jenë të mbyllura, kurse për organet tjera as të mos bëjmë fjalë…

Në këtë shkrim që po bëjmë, neve nuk na intereson edhe aq ajo çka është botuar deri më sot, që në të vërtetë paraqet thashetheme të mëdha mbi politikanë të caktuar ose burrështetas (siç i shohin dhe vërejnë ata që në situatat më të shumta, më mirë nuk do të kishin dashur t’i shohin…), edhe pse, na duhet të pranojmë, se tërë kjo përbën një material jashtëzakonisht të mirë për shfaqjen e një koncerti variete humoristik mbi dyfytyrësinë dhe hipokrizinë e nivelit më të lartë.

Neve, (fjalën e kam myslimanëve), për fat të keq, posaçërisht na prek ajo që deri më tani  është publikuar në lidhje me disa vende/shtete arabe-islame dhe politikanët e tyre, përkatësisht sovranëve, nga ku qartë vërehet dhe  shihet se armiqtë e tyre më të mëdhenj nuk janë SHBA-ja, Kina, as Rusia apo Izraeli, as… por armiqtë e tyre më të mëdhenj – janë shtetet islame, gjegjësisht shteti islam, të cilin ata me plot dëshirë do ta kishin fshirë nga faqja e dheut!!!

Natyrisht kjo gjë nuk është diçka e re dhe e pazakontë: Historia, qoftë ajo e afërmja, qoftë ajo e më hershmja, për fat të keq, na tregon se si shtetet me të ashtuquajturin regjim islamik dhe qeveri islame, kanë udhëhequr luftëra të përgjakshme (dhe gjatë kësaj, sërish dhe për gaz të botës, gjithsesi e kanë keqpërdorur fenë!) Në fakt, feja është ajo që është keqpërdorur më shumë, dhe ka qenë preteksti kryesor, si nga njëra ashtu edhe nga pala tjetër e konfliktit, pra si nga agresori, ashtu edhe nga ana e palës së sulmuar. Kështu që edhe sot e kësaj dite në disa nga ato shtete po thuaj se në mënyrë konstante ekzistojnë konflikte në mes të partive të ndryshme, fraksioneve apo fiseve, e as të mos flasim për aktet terroriste, në të cilat, madje edhe nëpër xhami, jo vetëm gjatë ceremonive fetare ose ritualeve, por pothuaj se çdo ditë, vriten dhe masakrohen me qindra apo dhe mijëra njerëz të pafajshëm: vëllezër dhe motra myslimane.

Ironia e fatit të sotëm të myslimanëve (edhe pse ajo është e ngjashme, për të mos thënë gati identike si ka qenë më herët) qëndron në faktin se këto dokumente janë publikuar pikërisht në ditët e Haxhillëkut apo ato të Bajramit të Kurbanit, kur në Mekë, Medinë apo në Arafat takohen milionë haxhinjë, kur jepen mesazhe të paqes dhe unitetit, kur nga Zoti ynë i Vetëm – Allahu i Madhërishëm, i Gjithëmëshirshëm dhe Mëshirëplotë kërkojmë falje dhe i lutemi që të na ndryshojë gjendjen ku ndodhemi dhe të na udhëzojë në rrugën e drejtë, të na shërojë nga sëmundja e urrejtjes, zilisë dhe jo-tolerancës…

Në dokumentet e publikuara shkruan se ai shtet islam, ky shtet islam, kërkon nga SHBA-ja që ta sulmojnë këtë dhe atë shtet islam. Pse?- nuk thuhet edhe aq hapur – por megjithatë fare qartë mund të kuptohet. Ajo çka është më me rëndësi përqendrohet rreth faktit se një kërkesë e këtillë bëhet në mënyrë të fshehur (sekrete) në qarqet-kuluaret diplomatike, sikur thua vallë se nuk dihet se kush çka kërkon… Ngjashëm sipas motiveve të filmave kriminalistik mbi vrasësit me pagesë, apo njëjtë siç kërkon Izraeli (gjë kjo e cila veç më dihet edhe pa bërjen publike të dokumenteve të Wikileaks-it).

Por çështja këtu ndryshon, ndryshon mjaft bile, ngase Izraeli një gjë të këtillë e kërkon fare hapur dhe publikisht, në mënyrë transparente do të thoshim, dhe një gjë të këtillë e përsërit gjithnjë si një nga prioritetet kryesore të “politikës” së vet të jashtme! Kështu ndodh që Izraeli dhe politika e tij sioniste të gjejë dhe fitojë aleat aty ku edhe më së paku mund të pritej: tek shtetet islamike… Dallimi qëndron vetëm në faktin se Izraeli është i hapur, të mos themi troç (ngase tingëllon një çikëz ashpër) i sinqertë, kurse disa shtete islame janë fare të pasinqerta, me një politikë të prapaskenës së dyfishtë, trefishtë ose shumëfishtë…

Në këto shtete dokumentet që i publikoi Wikileaksi, e të cilat nuk duhet të harrojmë se njëkohësisht i përcollën edhe mediumet më të njohura botërore, janë pritur në heshtje, pa asnjë koment… Kjo, ngase komenti në këtë rast as që nevojitet! Dhe pas kësaj me të drejtë pyetemi: Përse myslimanët janë të prapambetur, kanë stagnuar – kurse të tjerët përparojnë? Dhe përse kemi këtë situatë që kemi në botën islame? Këtu, ndonjë autor patetik do të kishte mundur të numërojë dhjetëra ajete nga Ku’ani dhe hadithe nga Muhammedi s.a.v.s. të cilët flasin për myslimanët si vëllezër, si pjesë të pandashme të një trupi, një organizmi, e kështu me radhë, por – pse? Pse tërë kjo, kur të gjithë këto i dimë dhe, pothuaj tamam si papagalli i përsërisim, gjersa nuk na godasin (edhe në gojë dhe kokë, e më së shumti në ndërgjegje) dokumentet që flasin se pikërisht këtyre parimeve nuk iu përmbahen ata që janë më përgjegjës për gjendjen e myslimanëve, për fatin e tyre, të sotmen dhe te ardhmen e tyre.

Në lidhje me disa dokumente tjera (kushedi se çfarë nuk do të ketë, natyrisht nëse ky portal nuk shkatërrohet plotësisht) siç janë ata mbi princat e ndryshëm të cilët në vendet perëndimore, me suitat e tyre të mëdha përrallore organizojnë ahengje dhe kokteje – të cilëve do t’ua kishte zilinë cilido nga organizatorët e këtyre disiplinave bashkëkohore perverse – të mos flasim më mirë, ngase kjo gjë dihet edhe pa Wikileaksin, por kjo veç më është ana tjetër (perëndimore-lindore) e cila do të na shpinte thellë në xhunglën e asaj që quhet morali i hipokrizisë, për të cilën gjer më tani janë shkruar vëllime e vëllime, materiale me tonë, ndaj kjo që publikohet këtyre ditëve  mund të quhet variacion i të njëjtës temë.

Dhe derisa disa grupe të lirive dhe të drejtave të njeriut, shoqata dhe individë veç po protestojnë duke kërkuar lirinë si për Assange, ashtu edhe për publikimin e informatave dhe dokumenteve, lirinë e të shprehurit (si do të thuhej: populli ka të drejtë të di)  - ata – të mëdhenjtë që sundojnë me botën, përpiqen që me çdo çmim ta ndalojnë këtë farë mënyre të lakuriqësisë së politikës botërore, duke folur mbi relativitetin e këtyre qëndrimeve dhe mendimeve, mbi pasaktësinë dhe jobesueshmërinë e këtyre dokumenteve që publikohen etj., por fakt i pakontestueshëm është dhe mbetet: kjo që bën Wikileaksi është një shuplakë e madhe ndaj politikës botërorë dyfytyrëshe. Ose vetëm një goditje e thjeshtë. Por ama një gjë është e sigurt: Tani lirisht dhe me plot komoditet mund të aktualizohet parulla para-elektorale e asaj partie: POPULLI DI!

P. S. Kur ky tekst përfundoi së shkruari, arriti një dokument i ri i këtij portali, i cili tregon se si Papa Benedikti  XVI për vite të tëra është kundër hyrjes së Turqisë në Bashkimin Evropian (EU), vetëm pse fjala është për një shtet mysliman!

Gjithçka bukur e më bukur… Apo si do të thoshim ndryshe: sa më shumë josh – aq më shumë verbon!

Kështu pra, historia ja sërish po na përsëritet, kurse dyfytyrësia shihet si një bosht rreth të cilit rrotullohet kjo botë…

Nga boshnjakishtja:
Ahmed R. Ramadani

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme