Intifada nuk ka të ndalur

Por, askush nuk ka besuar se për një kohë aq të shpejtë intifada e Tunizisë do të arrijë në vendin më të madh dhe më me ndikim  në botën arabe në Egjipt. Kur dihet se Egjipti është konsideruar si vendi më stabil në rajon. Në muajin nëntor u mbajtën zgjedhjet nacionale dhe Partia Nacional Demokratike në krye të së cilës është presidenti Husni Mubaraku fitoi 97% të votave. Për shkak të falsifikimeve të mëdha që u bënë gjatë procesit zgjedhor, situata  u keqësua edhe më tepër. Për këtë edhe zemërimi i popullatës sa vinte e po bëhej  edhe më i madh.

Egjipti dallon pothuajse nga të gjitha vendet tera të rajonit, si për nga numri i popullatës, që arrin në 80 milionë banorë, por edhe për nga pozita gjeostrategjike në rajon. Në veçanti për SHBA-të Egjipti është tejet i rëndësishëm për shkak peshës që ka në Lindjen e Mesme dhe në kontinentin e Afrikës. Egjipti në vitin 1979 ka nënshkruar marrëveshjen paqësore me Izraelin, të cilën e garanton SHBA-të, për çka për Lindjen e Mesme është çelës i paqes. Andaj, çdo ndryshim radikal i qeverisë në Kajro do të thotë vendosjen e procesit paqësor në pikëpyetje, për këtë Uashingtoni gjithmonë ka pasur në llogari këtë çështje dhe shpesh herë është detyruar t’i mbyllë sytë para disa shkeljeve që ka bërë qeveria e Husni Mbarakut. Mirëpo, si duket tash ka ardhur fundi. Andaj takimi i presidentit amerikan, Obama për më shumë se dyzet minuta mbrëmë, me bashkëpunëtorët e tij më të  afërt  për ta shqyrtuar gjendjen aktuale në Egjipt dhe daljes së tij e me prononcime konkrete pas një bisede të gjatë telefonike që kishte zhvilluar  me Mubarakun i ka sqaruar gjërat mjaft mirë. Administrata amerikane tash e tutje është në anën e kërkesave legjitime të popullit egjiptian.

Me këtë rast vlen të theksohet se nuk është kjo hera e parë që populli egjiptian ngrihet në këmbë për realizimin e të drejtave të tij. Kjo kishte ndodhë në kohën e Naserit, Sadatit dhe Mubarakut. Për dallim nga herët tjera kësaj radhe intifadën janë duke e udhëhequr të rinjtë, të cilët nuk kanë përkatësi politike. Janë të rinjtë të moshës 30 vjeçare, të cilët nuk shohin perspektivë për të ardhmen e tyre, kanë mbaruar fakultete, por nuk kanë ku të punësohen. Pra kemi të bëjmë me “hidhërimin e të uriturve”, siç po i  quajnë disa analistë pjesëmarrësit  e intifadës.

Presidenti Husni Mubarak, ashtu edhe si paraardhësit e tij që nga rrëzimi i mbretit Faruk nga froni, më 1952, pinjollë i fundit i  dinastisë së Mehmet  Ali Pashës, duke filluar prej gjeneralit Nexhip, Naserit, Sadatit dhe vet Mubarakut ishin figura ushtarake.

Husni Mubaraku, ishte ardhur në postin e zëvendës presidentit, me propozimin e Muhamed Enver Es-Sadatit, si shpërblim për suksesin që kishte treguar gjatë luftës së tetorit të vitit 1973  kundër Izraelit, kur ai ishte komandant i aviacionit të Egjiptit. Në tetor të vitit 1981, kur Sadati vritet në një komplot gjatë paradës ushtarake tradicionale, Husni  Mubaraku vjen në krye të Egjiptit ku mbetet në këtë post deri më sot. Meqenëse, ai tash është në moshën 86 vjeçare, në mediat egjiptiane bëheshin kalkulime se në dhjetor të këtij viti kur duhej të mbaheshin zgjedhjet presidenciale në vend të tij mund të vijë i  biri,  Xhemal Mubarak, i  cili mban post kyç në Partinë Nacional Demokratike, në krye të së cilës është babai i tij. Kjo kishte irrituar pa masë një pjesë të madhe  të popullatës së Egjiptit.

Intifada e Egjiptit filloi ditën e xhuma, për këtë edhe u quajt “hidhërimi  xhumasë” me dhjetëra mija qytetarë dolën në rrugët e Kajros, Aleksandrisë, Suezit dhe qyteteve tjera anë e kënd e Egjiptit. Në këtë situatë, presidenti egjiptian, me një vonesë të madhe u paraqit në TV kombëtar, ku kërkoi  prej qeverisë të japë dorëheqje kolektive,  urdhëroi ushtrinë të dalë në rrugë dhe të shpallë orë policore prej orës 18.00 në mbrëmje deri në 70.00 të mëngjesit. Por, ora policore nuk ishte respektuar si duhet. Për këtë, sot ushtria kërkonte prej qytetarëve të kenë kujdes sepse rregullat do të zbatohen në mënyrë strikte.

Skenari ç intifadës së Egjiptit nuk dallon nga ai i Tunizisë, por mbetet të shihet se a do të jetë fati i presidentit egjiptian,  Husni Mubarakut si ai  kolegut të tij tunizian Zejnul Abidin ben Aliut?!

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme