Presidenti i Egjiptit, Husni Mubaraku, që asnjë herë nuk e ka imagjinuar një formë të tillë të ballafaqimit me popullin e tij, nuk po i dëgjon këshillat e aleatëve perëndimor, për ndryshime rrënjësore në regjimin e tij. Në ditën e gjashtë të intifadës ai bëri dy emërime. Për zëvendës president emëroi Omer Sulejmanin, gjeneral në pension, 74 vjeçar, ish shef i shërbimit ushtarak të kundërzbulimit, pastaj edhe shefi shërbimit informativ të Egjiptit. Viteve të fundit është marrë me dosjen e nxehtë palestinezo-izraelite.
Vlen të theksohet, edhepse presidenti Mubarak, nga posti i zëvendëspresidentit u bë president i Egjiptit, ai këtë post e la vakant për 30 vite me radhë. Atë po plotëson në momentin më të vështirë të karrierës së tij politike, kur po i numëron çastet e fundit në pushtet. Në Egjipt lidhur me këtë tregohej një shaka, se kur presidenti Mubarak pyetej përse nuk po emëron dikën zëvendës president, ai përgjigjej: “nuk po mund të gjejë dikë më të marrë se unë!”
Kurse, për mandatar të qeverisë emëroi Ahmed Shefikun (69 vjeçar), gjeneral në pension ish-komandant i aviacionit në armatën egjiptiane dhe ish- student presidentit. Kështu pra Mubaraku, për dallim nga kolegu i tij tunizian, Zejnul Abidin ben Ali, i cili nuk gjeti mbështetje në ushtri, fatin e tij si duket e ka mbështetur në armatën egjiptiane. Kjo shihet edhe nga përbërja e kabinetit të ri. Prej gjithsej 29 ministrave 14 janë emra të rinj, kurse 15 nga përbërja e qeverisë së mëparshme. Ministri i mbrojtjes është mareshali, Husejn Tantavi, i cili gjendet në këtë post prej kohës kur në krye të Egjiptit ishte presidenti Enver El-Sadat. Kësaj radhe ai është edhe zëvendëskryeministër. Si duket Mubaraku nuk ka mësuar nga leksioni i Tunizisë. Kryeministri, Muhamed El-Ganush, nën presionin e demonstruesve, më në fund u detyrua t’i ndërrojë të gjithë ministrat e kohës së Zejnul Abidin ben Ali që të mbetet vetëm ai.
Zërat nga masa janë kundër emërimeve të reja. Një analist egjiptian pyet, si është e mundur që zëvendëspresident të jetë një ish-shef i shërbimit informativ i kohës së regjimit të Mubarakut, apo ministri punëve të jashtme të mbetet, ai që ishte në përbërjen e mëhershme, Ahmed Abul Gajt?! Këto emërime vetëm sa e kanë elektrizuar atmosferën edhe më tepër.
Në mesin e emrave që po lakohen në mediat egjiptiane për postin e presidentit të Egjiptit, është Muhamed El-Baradej- ish shef i Agjencisë bërthamore me seli në Vjenë, i cili erdhi në Kajro pas fillimit të protestave në Egjipt. Mirëpo, ky nuk ka përkrahjen e grupimit më të madh pan islamik të “Vëllezërve Mysliman”, të cilët haptazi kanë shpreh se janë kundër tij. Ai gëzon përkrahje nga një pjesë të rinjve dhe një pjesë e intelektualëve pro perëndimor. Mediat proqeveritare kanë propaganduar kundër tij, duke e quajtur se ai nuk e njeh realitetin e Egjiptit, meqenëse ai ka jetuar një kohë të gjatë jashtë vendit, me nënshtetësi suedeze.
Emri tjetër, që ka më shumë gjasa dhe i cili u prononcua haptazi për largimin e Mubarakut nga skena politike, por duke mos lënë vakum institucional është Amr Musa, sekretar i përgjithshëm i Ligës Arabe dhe ministër i jashtëm shumë vjeçar i Egjiptit. Figurë që ka një reputacion të gjerë në Egjipt dhe në botën arabe.
Sipas shumicës së analistëve prapa këtyre protestave nuk qëndrojnë partitë politike tradicionale, qofshin ato me ideologji islame apo panarabe, por pas tyre qëndrojnë të rinjtë të zhgënjyer nga realiteti i hidhur që po jeton shumica dërmuese e popujve arabë. Ato janë lëvizje të pavarura, sindikata dhe qytetarët e thjeshtë. Ata janë të interesuar që edhe në vendet e tyre të sundojë ligji, drejtësia dhe demokracia dhe t’i jepet fund sundimit të autokracisë, nepotizmit dhe korrupsionit.
Tunizia me sukses deri më tani kaloi këtë provim të vështirë duke e larguar nga skena politike Zejnul Abidin ben Alium. Mbetet të shihet se a do të ketë sukses që një gjë të tillë ta bëjë edhe Egjipti, që nga skena politike ta eliminoje Husni Mubarakun, apo ai do të gëzojë mbështetjen e armatës?! Mbetet këtë ta tregojnë ditët në vijim apo siç pohon analisti nga Kajroja, Memun Efendiu se në pyetje janë vetëm disa çaste.