Bota arabe në veçanti, por edhe ajo islame në përgjithësi, është duke kaluar nëpër një gjendje tmerrësisht konfuze, të shkaktuar pikërisht nga ky grup i “shpëtuar”, i cili në pohimet dhe veprimet e tyre thirret në emër të Islamit dhe etiketon të tjerët, thënë ndryshe ua mohon Islamin të tjerëve dhe i “përgëzojnë” me Xhehenem të gjithë ata të cilët nuk pasojnë fraksionin e tyre.
Një vetëdije e tillë, e cila më herët ka qenë e pa njohur në trojet tona shqiptare-islame, për fat të keq ka filluar të importohet para 15 vjetëve, kur edhe filluan ndryshimet politike në Ballkan, gjegjësisht pas rënies së sistemit totalitar komunist-ateist.
Ky grup dhe të tjerë të ngjashëm me të nuk u përqendruan në vlerat e mirëfillta fetare, por me të zbarkuar në viset tona, filluan me etiketime ndaj praktikës sonë fetare qindra vjeçare, duke i përvetësuar vlerat e Islamit vetëm për veten e tyre dhe filluan të mohonin të drejtën për Xhennet për të gjithë ata të cilët s’e kanë ndjekur dhe nuk e ndjekin orientimin e tyre.
Ata filluan t’i fyejnë dijetarët tanë eminentë mysliman shqiptarë, siç janë fjala bie Hafiz Ismet Dibra, Hafiz Ibrahim Dalliu, Haxhi Sherif Ahmeti etj.; duke shpikur ide të reja të frymëzuar nga të ashtuquajturit “shejhë” arabë konservativ dhe duke grumbulluar njerëz jo të arsimuar mirë, për t`i shndërruar në lëvizje të re fetare.
Në këtë shkrim timin modest, në përgjithësi do të përpiqem të bëjë një vështrim se kush është myslimani sot, si e pasqyrojmë ne vetveten sot përmes këtij grupi? Dilemat që lindin: Jemi modernë, pasues të Sunetit, të të parëve tanë apo të vetë Kur’anit Fisnik?
Përpjekja imja modeste, përkatësisht ky shkrim, assesi nuk mëton të jetë përgjithësues, përkundrazi, mjaft i matur dhe i kufizuar. Përmes tij vetëm mundohem që lexuesit t’i japë mundësinë që vetë ai ta vlerësojë këtë shkrim, i cili, po e theksoj: Uroj dhe dëshiroj të mos jetë ashtu siç e pasqyroj unë këtu!
Shikojeni se si e konsiderojnë veten disa dhe si e këshillojnë njëri-tjetrin në “emër të Islamit”?
1. Ti je në rrugë të drejtë, i pagabueshëm, nuk ke rival. Çdo kush që është kundër teje – është në humbje edhe nëse ka virtytet e njerëzve të mirë, qofshin këto edhe virtyte të profetëve, si të Musait, Nuhit, Isait apo të Muhammedit s.a.v.s. Edhe nëse shumica e ulemave te mëdhenj kanë ide dhe qëndrime të ndryshme nga ti edhe ata janë në humbje, sepse nuk janë në pajtim me idetë tona;
2. Ti je banor i Xhennetit, ndërsa të tjerët që nuk janë në grup me ty nuk mund të hyjnë ne Xhennet. Myslimanët jashtë medh’hebit tënd llogariten jomyslimanë dhe politeistë, qofshin edhe prej atyre që Allahu u dha begati;
3. Përbuzi dhe mbaj armiqësi për secilin që kundërshton idetë tua. Fyeje atë, mallkoje në çdo formë qoftë ai edhe në rrugë të drejtë;
4. Beso se Allahu ka nevojë për krijesa; Ai ulet! Ai qesh! Ai gëzohet! Ai hidhërohet! Ai ka duar! Ai ka sy! Ai ka këmbë! Në rregull! Por, nëse dikujt i shkon ndërmend të kundërshtojë këtë apo të bëjë ndonjë interpretim qoftë edhe të lejuar në atë që u tha më lartë, atëherë vaj halli për të, të këtillin e pret ndëshkimi i Zotit në ahiret!;
5. Kujdes! Mos mendo të vizitosh varrin e Muhammedit s.a.v.s., këtij njeriu të ndershëm dhe të pastër. Ruaju paganizmit dhe besëtytnive!; Kujdes! Prindërit e të Derguarit s.a.v.s. janë banorë të Zjarrit! Mos mendo ndryshe? Ruaju mendimeve të mira për Familjen e të dashurit tonë s.a.v.s. dhe mos e merr për shembull Imam Aliun r.a., sepse mund të jetë rrezik që të orientohesh kah shiizmi? Pra, kujdes o vëlla!
6. Bëhu prej atyre që mohojnë kategorikisht të katër shkollat juridike islame. Mos prano doktrina të askujt, përveç te atyre që janë në përputhje me ideologjinë tënde. Beso se katër shkollat juridike ishin ato të cilat ndanë Umetin tonë, sepse u bënë rob të dinarit, nuk gjykuan me Sunetin e Resulull llahit s.a.v.s., ndaj pikërisht për këtë edhe nuk kemi nevojë të ndjekim shembullin e tyre;
7. Beso fuqishëm se mjekra e gjatë dhe e shkurtër është prej kushteve të Islamit dhe njëherit element kyç për t’u llogaritur mysliman i vërtetë, varësisht kërkesave politike dhe ideologjike te hoxhallarëve me “renome” të cilat e minimizojnë rëndësinë e mjekrës;
8. Çdo manifestim apo traditë siç janë dasma, netët e mira, mevludi, festat kombëtare: 28 nëntori, 24 marsi, 17 shkurti etj. – kundërshtoi në mënyrë të rreptë, sepse kështu ti e mbron “dinin”. Çdo imam, pa përjashtim, i cili merr pjesë në të tilla manifestime ti luftoje me mjete “paqësore”! Akuzoi se ata janë fasikë (nënvlerësues dhe nënçmues të vlerave fetare), xhahila (injorantë) dhe të paturpshëm. Ti tërhiqu nga shoqëria dhe bashkësia pa ndonjë problem, në mënyrë që kështu të jesh në qendër të vëmendjes si mbrojtës i “dinit”;
9. Luftoje misticizmin me përpjekjet tua të vazhdueshme dhe mos prano asnjë argument, qoftë edhe nëse është nga i preferuari juaj! Delego misionar nëpër vendet islame për të luftuar gjithçka që është ne kundërshtim me parimet tua! Rrënoji traditat e popujve jo-arabë edhe nëse ato nuk janë në kundërshtim me Sheriatin!;
10. Nëse përmenden dijetarët si Imam Ebu Hanife, Imam Gazaliu, Dr. Buti dhe qindra dijetarë të tjerë të shkencave të ndryshme, si dhe luftëtarët mysliman eminentë siç ishte p.sh. Salahudin Ejubi që ndihmuan dhe kontribuan në përhapjen e Islamit, atëherë thuaj: Me siguri se ata kishin qëllime të caktuara politike si dhe nuk e kishin për dert Islamin!…
11. Kudo që gjindemi, në çdo shoqëri duhet të japim maksimumin që asaj shoqërie t’i ofrojmë një medh’heb të ri, një formë të re të faljes së namazit, t’i fyejmë dijetarët e mëparshëm. Të mos i respektojmë institucionet qofshin ato fetare apo shtetërore. Nuk i respektojmë politikat e shtetit dhe aleatët e tyre. Nuk i konsiderojmë për njerëz jomyslimanët, dhe nuk pranojmë asnjë të drejtë për ta; dhe:
12. Assesi të mos të harrohet edhe kjo: Femra e cila bart mbulesën është motra jote, ndërsa ajo pa mbulese është “lavire”!; Vëllai yt është ai që falet dhe ai duhet te martohet me një “motër” me mbulesë. Gjithnjë kur flasim për femrën, atë e llogarisim krijesë të izoluar dhe me jetesë nën regjimin e rreptë të bashkëshortit, tërë kjo “në emër të sunnetit”!
Pra, myslimani i sotëm është i këtillë, dhe ka para vete edhe disa obligime dhe porosi:
-Mos u fal me atë që nuk është me ty, pa marr parasyshë a është i devotshëm apo jo, i ditur apo injorant. Mos u fal pas atij që nuk ka mjekër apo është mistik, apo nuk është në lëvizjen tënde. Mos u beso, pa marrë parasysh se ata e besojnë Kur’anin, të Dërguarin dhe janë të drejtuar kahe njëjta kible-Qabeja!
- Mos hy në secilën xhami, kujdes! Xhamitë e atyre që nuk janë të një mendimi me ty llogariti si kisha apo sinagoga.
- Ai që nuk është në një medh’heb me ty, urreje, nënçmoje – sepse nuk është i pastër si ti. Ai është injorant.
-Thuaj: Ne jemi të Islamit dhe ai është yni dhe për ne. Ai që është kundër nesh – është kundër Islamit dhe kundër nesh. Ata janë banorë të Zjarrit.
Konkluzion:
Në këto pak pika që përmenda më sipër, sot janë të përqendruar mësimet islame të grupit të lartpërmendur dhe të kufizuara në to. Në këto qëndrime thërrasin disa lëvizje të ashtuquajtura “islame”.
Kështu e shoh gjendjen në shoqëritë islame dhe për fat të keq edhe tendencat që mentaliteti i tillë të fut rrënjë edhe në hapësirën tonë mbarëshqiptare…
Ky është sot përkushtimi, bindja dhe vëmendja e disave që veprojnë edhe në mesin tonë. Nuk di nëse harrova apo shtova ndonjë te vërtetë apo të pavërtetë. Ky është realiteti, mjerisht!
Ky pra është Islami që po e pretendojnë dhe predikojnë dhe për këtë po na e ka “lakmi” bota jomyslimane – kuptohet gjithnjë sipas perceptimeve të tyre.
Për fat të keq, ky është pra Islami që “grupet e shpëtuara” po ua ofrojnë të tjerëve!
Vijon: Nëse ky nuk është Islam, atëherë cilat janë realisht porositë islame?!
______________
*Autori është imam në xhaminë “Dëshmorët e kombit” Podujevë.