Lindja e Mesme, mësim edhe për Ballkanin

Në realitet, Shimon Peres, qysh në vitin 1990, fliste për ndryshimet që po vijnë. Edhe Hillary Clinton u kishte thënë liderëve arabë: “Ose ndryshoni qëndrimet, ose turmat kanë për t’ju ndërruar”. Vitin e kaluar, në Davos të Zvicrës, Taip Erdogan kishte thënë se s’ka më kush që mund të nënçmojë emrin e Turqisë, jo vetëm në Lindje të Mesme. Nga ana tjetër, Ahmedinexhadi, në Teheran, por edhe në foltoren e Kombeve të Bashkuara, kishte dhënë myzhde se “Ymmetit” së shpejti do t’i vijë “Mehdiu Shpëtimtar”. Në çfarë po aludonte të jetë shpëtimtari, popujt që tani janë ngritur në këmbë apo ndonjë lider fetar politik, do të shohim kur të vendoset: për demokracinë ose për islamin politik.

Një gjë ende nuk është e qartë! Prej nga po vijnë erërat e ndryshimeve në tokat arabe? Për shkak të zhvillimeve të brendshme, apo thjesht e tërë kjo është një dëshirë e Perëndimit? Rashid Ganushi, lideri islamik i tunizianëve, u kthye nga Londra në Tunis; Homeini ishte kthyer nga Parisi, ndërsa Metin Kapllan, ekstremisti islamik turk, i cili ende thërret për khalifatin, thuhet se edhe sot e kësaj dite jeton në Gjermani. Çfarëdo që të jetë, kësaj radhe demonstruesit, për çudi, nuk po mbajnë pankarte në të cilat shahet Amerika! Këtë herë, bota vërtet po duket si një glob i vogël në të cilin po rritet fuqishëm ndikimi i ngjarjeve nga një vend në vendin tjetër! Kujto shembullin e censurës nga Kina për emrin “Egjipt” për të larguar efektin e këtij globi të ndërvarur!

Lokomotiva e ndryshimeve, e cila lëvizi nga Algjeria, ku pas vete la mbi 300 mijë viktima, në ditët që shkuan u ndal në Tunis, sot në Egjipt e nesër ndoshta diku tjetër. Ajo, domosdo do të kalojë nëpër Siri e Jordani dhe nga andej, duke frikësuar emirët e Gjirit Persik, sipas të gjitha gjasave, do të ndalet në Arabinë Saudite. Prognoza mund të ndryshojë për aq sa ndikimi i Iranit dhe Turqisë do të vazhdojë, duke mos harruar se aty është edhe Izraeli, dhe, nëse interesat e këtij të fundit cenohen, atëherë fati i ndryshimeve do të jetë edhe më i paqartë.

Ngjarjet në Egjipt kanë një rëndësi të posaçme për disa arsye. Ato, mbase do të jenë të rëndësishme më shumë se të tjerat që do të ndodhin edhe në Arabinë Saudite. Egjipti, në tri dekadat e fundit nuk ia doli të zbusë aspak pakënaqësitë sociale. Ky vend është zhytur aq shumë në korrupsion, sa që vetë egjiptianët, për vendin e tyre thonë se duhet të ishte vendi më i pasur në botë, ngase në Egjipt të gjithë vjedhin dhe ende ka për të gjithë! Në vitin 1981, atëherë kur në pushtet erdhi Hosni Mubarak, edhe pse kishte deklaruar se “drejtësia sociale është rregulli i parë për paqe dhe stabilitet në shoqëri”, ajo drejtësi kurrë nuk u realizua. Për shkak të rëndësisë së këtij vendi, pas Natanjahut, Hosni Mubarak është i dyti lider që është pritur më së shumti në Shtëpinë e Bardhë, dhe i dyti që është takuar më së shumti me Obamën. Edhe pse Egjipti për Amerikën është themeli i politikës së saj në Lindje të Mesme, ndërsa për Izraelin direku i saj, edhe pse është i pari shtet arab që nënshkroi marrëveshjen për paqe me Izraelin, ky vend ende vazhdon të jetë ndër vendet më të korruptuara në botë. Pesha e këtij vendi u provua edhe përgjatë trazirave të fundit në Kajro. Ato ndikuan direkt në ngritjen e çmimit të naftës në botë. Tani Egjipti është mes dy zjarresh: në njërën anë është Mubaraku, bindshëm properëndimor, por jo shumë i dëshiruar nga qytetarët e llomitur në varfëri, e në anën tjetër janë “Vëllezërit Myslimanë”, të cilët, përkundër deklaratave të tyre se do t’i respektojnë të gjitha kontratat që janë bërë mes Egjiptit dhe Izraelit, sipas analistëve, po erdhën në pushtet, ata mund të anulojnë të gjitha marrëveshjet me shtetin çifut. Në mes këtyre ekstremeve qëndron Muhammed Baradei, laureati i Nobelit, i cili është kyçur në garën potenciale presidenciale, por që nuk ka një bazë politike në vend. Baradein mund ta përkrahin masat (mund të cilësohet si figurë properëndimore por edhe e dyshimtë për shkak të postit të tij të mëhershëm për energji bërthamore dhe “çështjes së Iranit”!), por do të jetë shumë vështirë të arrijë postin e presidentit të shtetit.

Izraeli, i përkëdheluri i Perëndimit dhe baza e interesave amerikane në rajon, është i rrethuar nga popujt arabë që sot janë ngritur në këmbë. Pushtetarët izraelitë që po mblidhen për çdo ditë të vlerësojnë zhvillimet e paqarta në rajon, së bashku me gjeneralët e këtij vendi të cilët patën një rol të madh të paqes afatgjate me Egjiptin, ngjarjet po i përcjellin në ankth. Gjysma e gazit natyror që harxhon Izraeli vjen nga Egjipti, 18% e ujit të pijshëm vjen nga Rrafshnalta e Golanit të Sirisë, dhe më shumë se gjysma tjetër nga Jordania dhe Libani. Egjipti, për çdo vjet merr nga 1.5 miliard dollarë ndihma nga SHBA-të, pikërisht si shpërblim për marrëdhëniet e mira me Izraelin. Sipas Eli Shaked, ish-ambasadorit izraelit në Kajro, njerëzit e afërt të Mubarakut janë të vetmit që mendojnë për vazhdimin e marrëveshjeve me Izraelin. Sipas tij, nëse në pushtet vijnë kundërshtarët e kësaj marrëveshjeve, Izraeli do ta ketë kokën në rrezik.

Kohëve të fundit, Mubaraku kishte deklaruar se nuk do të kandidohej më për president të vendit. Të njëjtat premtime kishin bërë edhe shumë liderë të tjerë arabë, por ato nuk po realizohen. Sa vlejnë deklaratat e tilla kur për trashëgimtarë caktohen bijtë e presidentëve? Sa vlen “hapi demokratik” i Mubarakut kur ish-shefin e shërbimit sekret të tij, Omer Sylejmanin, e cakton për zëvendëspresident të shtetit? Sa vlejnë prononcimet e Bashar al-Asadit, presidentit të tanishëm të Sirisë, trashëgimtarit të “fronit presidencial” të babait, i cili kishte sunduar Sirinë më gjatë se Mubaraku Egjiptin? A thua kush do t’i besonte një Ali Abdullah Salihut, presidentit të Jemenit, i cili premtoi se do të largohet nga pushteti, por jo para vitit 2013, dhe i cili me zjarr shtypi të gjitha pakënaqësitë popullore që vinin si rezultat i korrupsionit që vetë ai e kishte krijuar?

Krizat në Lindje të Mesme s’kanë të ndalur. Egjipti nuk është vendi i vetëm që është kapluar nga kriza. Elitat politike të gjeneratave të vjetra nuk po mund të korrespondojnë më me gjeneratën e tanishme të kohës së Facebook-ut, Wikileaksit e automatizmit të jetës. Qeveritarët arabë janë para një sprove të madhe. Ata, para së gjithash duhet të ndalin parregullsitë, vjedhjet që i bëhen shtetit, korrupsionin, sepse, “plumbi ka dalë nga tyta” dhe, derisa të ndryshohet gjendja, ai s’ka për t’u ndalur më. Ngjarjet në Lindje të Mesme, gjenerimi i nevojës për ndryshime, aktivizimi i popullatës arabe për të marrë legjitimitetin atyre që e tepruan me sundim jetëgjatë dhe pa frikë nga qytetari, tregojnë për të satën herë se vetëdija qytetare ngrihet në kushte represive sociale, ekonomike, politike e kulturore. Me një fjalë, populli nuk duhet nënçmuar siç dinë të habiten elitat politike udhëheqëse. Leksioni nuk duhet të mos përtypet edhe nga udhëheqësit e Republikës së Kosovës, sepse situata e rëndë ekonomike te ne, rritja e papunësisë, sigurimet dhe shëndetësia në nivel të ulët, flasin për besim në ngjizjen e kësaj vetëdijeje aktive për ndryshime edhe te qytetarët tanë.

 

(Autori është drejtor i Institutit për Hulumtime Shkencore “Victory”)

 

(Shkrimi është botuar në të përditshmen ZËRI, me datë 8 Shkurt 2011)

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme