Aleati më i madh i islamit militant gjithmonë ka qenë hipokrizia e Perëndimit. Dhe në vazhdimësi, Perëndimi ka mohuar vlerat e veta në Lindjen e Mesme, duke i dhënë autokracisë përparësi para demokracisë. Tani demokracia po rrezikon të shndërrohet në aleat të islamizmit.
Me miliona njerëz në Lindjen e Mesme dëshirojnë liri, pikërisht ashtu siç e deshën dikur banorët e Evropës Lindore. Para dy dekadave, Perëndimi ishte një model shembull, por tani ka filluar të tradhtojë vlerat e veta. Duke e bërë këtë, Perëndimi njëkohësisht po forcon armikun e tij: islamizmin radikal.
“Gjashtë dekada të justifikimit dhe akomodimit të mungesës së lirisë në Lindjen e Mesme nga ana e Perëndimit, nuk na kanë bërë assesi më të sigurt-ngase, në periudhën më afatgjatë, stabiliteti nuk mund të ndiqet në kurriz të lirisë”.
Është kjo deklaratë e George Bushit të ri. Dhe tani mund të shihet: Perëndimit nuk i kanë munguar fjalët e ëmbla apo qëndrimet inteligjente. Por ajo që ka munguar janë politikat e drejta-dhe ajo që është edhe më e keqe, besimi në vlerat vetanake.
Nuk ka shumë vende në botë, në të cilat vlerat e dyfishta të Perëndimit janë më të qarta se në Lindjen e Mesme. Në veshët e 1.5 milionë palestinezëve, të ngujuar në Rripin e Gazës, fjalët e Perëndimit për liri dhe demokraci, me gjasë tingëllojnë po aq besueshëm sa edhe fjalët lavdëruese të Brezhnjevit për liri dhe socializëm, në veshët e Polonisë së okupuar.
Dhe vërtetë, aleatët kryesor të Perëndimit janë ata që mbajnë të burgosur popullin palestinez. Asnjë shtet tjetër nuk ka pranuar më shumë ndihma të jashtme nga ana e SHBA-së, se sa Izraeli dhe Egjipti. Pjesa më e madhe e këtyre ndihmave shkojnë në ushtri-por përfiton edhe industria amerikane e mbrojtjes.
Pa marrë parasysh se a ka ndihmuar kjo në ruajtjen e sigurisë së Izraelit, duke ofruar kalim të lirë nëpër Kanalin e Suezit apo duke e frenuar islamin radikal, regjimi i Mubarakut për vite me radhë i ka ofruar Perëndimit shërbime të vlefshme. Dhe natyrisht, bëhet këtu fjalë për interesa legjitime.
Por problemi është se si Izraeli, ashtu edhe Perëndimi kanë përdorur mjete jolegjitime, për të realizuar këto interesa. Përkrahja për një regjim, i cili për tri dekada ka qeverisur me dorë të hekurt, ka qenë jo-legjitime.
Siç e ka thënë Bushi saktë:”Në periudhën më afatgjatë, stabiliteti nuk mund të ndiqet në kurriz të lirisë”.
Dhe vërtetë, epoka e paqes, e cila mund të blihet, ka marrë fund. Në kuadër të zhvillimeve në Tunizi, Egjipt, Jordani dhe Jemen, mund të shohim zgjimin e një epoke të re në botën arabe. Por kësaj radhe, Perëndimi nuk është në anën e lajmëtarëve të lirisë-përkundrazi, është aleat i shtypësve. Nuk ka kaluar madje as një vit, që nga momenti kur ministri i Jashtëm gjerman lavdëroi regjimin e Mubarakut për “vitet e tëra të vazhdimësisë politike”, duke e cilësuar si “shtyllë e stabilitetit në rajon”.
Si do ta shërojë Perëndimi këtë shkatërrim të besueshmërisë së vet? Kjo me siguri se nuk do të ndodhë sot. Ka tashmë kohë që erërat e ndryshimeve janë shndërruar në stuhi, por madje as kjo nuk ka shtyrë qendrat e pushtetit në Washington që të flasin me qartësi. Sekretarja amerikane e shtetit murmuriti në lidhje me një transicion të rregullt, por njeriu, drejtë të cilit janë hedhur shikimet e botës, po heshtë.
Para disa javësh, të rinjtë në Gazë formuluan ndoshta në mënyrën më të mirë politikat e Perëndimit në Lindjen e Mesme, pa marrë parasysh se a formulohen ato në Washington, Paris, Londër apo Berlin. “Dëshirojmë të jemi të lirë. Dëshirojmë të kemi një jetë normale. Po kërkojmë paqe. A mos po kërkojmë shumë?”
Por këta të rinj as që mund t’i drejtohen Perëndimit, në kërkim të përgjigjeve për pyetjet e tyre. Perëndimi tashmë ka hequr dorë nga përgjegjësia.
Pasojat e rrezikshme të këtij dështimi tashmë janë të qarta. Aleati më i madh i islamit militant gjithmonë ka qenë hipokrizia e Perëndimit. Dhe në vazhdimësi, Perëndimi ka mohuar vlerat e veta në Lindjen e Mesme, duke i dhënë autokracisë përparësi para demokracisë.
Tani demokracia po rrezikon të shndërrohet në aleat të islamizmit. Pas të gjithave, Hamasi ka ngadhënjyer në zgjedhjet e lira në Gazë, në vitin 2006. Vëllazëria Myslimane tani ka premtuar se do të mbështesë Egjiptin sekular, por sa do të zgjasë ky premtim, nëse ky grup islamit ngritët në pushtet?