
HYRJE
Nëse do të vërenim gjendjen e muslimanëve sot dhe faktorët, që kanë çuar në këtë gjendje dobësie dhe përçarjeje, do e gjenim atë të ngjashme dhe të përafërt me gjendjen e muslimanëve në Andaluzi. Janë të njëjtat shkaqe disfate, të njëjtat pika dobësie, neglizhence dhe humbje rastesh. Kjo ka ndodhur, me gjithë ndryshimet gjeografike dhe kohore mes tyre.
Për këtë, sjellim në duart e lexuesit të nderuar këtë studim të përgjithshëm mbi historinë e Andaluzisë, me qëllim që t’ua kujtojmë atë njerëzve të mençur dhe t’u tërheqim vëmendjen të shkujdesurve, duke dashur të përçojmë të mirën dhe të dobishmen me sa të mundemi.
Metoda e ndjekur në libër.
Me qëllim që t’ia lehtësojmë lexuesit, që të arrijë të përvetësojë të gjitha periudhat dhe zhvillimet në të cilat kaloi Andaluzia, e kemi ndarë librin në katër kapituj kryesorë:
Kapitulli i parë (Pushtimet islame): Këtu kemi folur mbi synimet dhe shkaqet e ndërhyrjeve islame në Afrikën veriore në përgjithësi dhe në Andaluzi në veçanti, duke përmendur dhe emrat e pushtetarëve të dinastisë Omejade në Andaluzi.
Kapitulli i dytë (Dinastia Omejade në Andaluzi): Ku kemi përmendur historinë e çuditshme të Abdurrahman Ed-Dahil (Abdurrahmani I), i cili arriti t’u shmanget përndjekjeve të Abasitëve dhe hyri në Andaluzi, ku mori pushtetin dhe hodhi atje themelet e dinastisë Omejade për vete dhe pasardhësit e tij. Këtë kapitull e kemi përfunduar me periudhën ku sundoi Almansor (Elhaxhib El-Mensur).
Kapitulli i tretë (Shtetet e përçara dhe monarkët e Afrikës veriore): Në këtë kapitull kemi folur mbi përçarjen e Andaluzisë në shtete dhe fraksione dhe kemi përmendur monarkët, që sunduan Andaluzinë gjatë kësaj periudhe. Më pas kemi folur mbi dinastinë e Almoravidëve të cilët arritën t’a bashkonin sërish Andaluzinë pas përçarjes. Kapitullin e kemi përfunduar me epokën e dinastisë Almohade dhe monarkët e saj, të cilët sunduan Andaluzinë pas epokës së shteteve të përçara.
Kapitulli i katërt (Fundi i Andaluzisë): Ku kemi përmendur fundin e dhimbshëm të atij shteti, të cilin muslimanët e shndërruan në metropolin e botës dhe perlën e perëndimit. Në këtë kapitull, kemi folur dhe për tradhëtitë, që çuan në fundin e ekzistencës së muslimanëve dhe toruturat që u ushtruan mbi ta.
Ç’do kapitull e kemi përfunduar me disa të vërteta nga të cilat duhet të nxjerrim mësim. Gjithashtu - për ta bërë librin sa më të kuptueshëm për lexuesit - kemi vendosur një kronologji të ndodhive të shoqëruar me hartat përkatëse të betejave më të rëndësishme.
Të gjitha këto e bëjnë librin unik për nga rradhitja dhe gjithpërfshirja.
HISTORIA ËSHTË MËSIM DHE KONKLUZIONE
Andaluzia, ashtu si çdo pjesë toke islame, jeton në ndjesinë dhe ndërgjegjen e çdo muslimani të vërtetë, që i digjet zemra nga malli për të, duke pritur ditën në të cilën do bashkohen tokat e tyre të pushtuara, toka që thërrasin sot: Ku janë muslimanët?
Kur dikush vizitoi Andaluzinë, e quajti “parajsa e humbur” dhe i përmallur thurri këto vargje:
I hutuar zbrita në brigjet e tu pas një mungese të gjatë
Lloje të shumta dhimbjesh jetova
E ndjeva veten mes teje të huaj
Pa miq, pa vëllezër dhe pa njeri
Gjuha nuk është arabishtja që njoh
As koha nuk është e njëjta kohë
As bilbilat në pyje s’më mbushin me gëzim
As palmat e vaditura me ujë shiu
As xhamitë në të cilat dëgjohej në mbrëmbje
Zëri i ezanit që mbush hapësirën
Një nga dijetarët muslimanë të kohës moderne, ka thënë: “Pyeteni historinë, nëse ylli i civilizimit tonë nuk është shuar, veçse në kohën kur u shfaqën yjet e muzikës dhe këngëtareve”.
Mendoj se këtë e ka thënë, kur ka studiuar dhe parë historinë e Andaluzisë, një zinxhir ngjarjesh që dëshmojnë ditët e famës, epërisë dhe qytetërimit. Ditë të cilat u pasuan me një dëshirë të shfrenuar për tu kënaqur me të mirat e kësaj bote dhe dëshirën e pushtetarëve për t'i vënë vetes tituj dhe epitete të ndryshëm. Thotë Ibnu Khafashe El-Endelusij:
Ajo që më pikëllon në tokën e Andaluzisë
El-mutedid dhe El-mutemid, llagape simbole të zisë
tituj të një mbretërie jo në vendin e saj
si macja që fryhet për t’u dukur si luan.
Këtë gjendje e pasuan konfliktet të cilat e çuan gjendjen në buzë dhe më pas në greminë. Poeti i Andaluzisë e përshkruan këtë gjendje me këto fjalë:
Për të tilla ndodhi, të shkrihet zemra në hidhërim
Nëse ka mbetur në zemër islam dhe besim.
Historia, (historia e çdo kombi) është një zinxhir ndodhish, që tregon faktorët e suksesit dhe shkaqet e humbjes. Një komb pa histori, është një komb pa të ardhme dhe kush nuk nxjerr mësime prej historisë do të goditet prej saj. Nëse gjendja aktuale e muslimanëve nuk është premtuese, pasi kanë humbur pushtetin, janë pushtuar vendet e tyre të shenjta, janë nënshtruar dhe shtypur nga armiqtë e tyre dhe vazhdojnë në këtë gjendje - në historinë e çdo populli ka të meta dhe humbje - megjithatë gjithmonë kanë ekzistuar lëvizje të dlira dhe të sinqerta. Një grusht besimtarësh mund të arrijnë rezultate të mëdha duke e kthyer umetin në epokën e lavdisë dhe zhvillimit. Një fjalë e urtë arabe thotë:
“Mos thuaj jam i vetëm pasi ka shumë që të vetëm e kanë çuar vendin drejt lavdisë ose rrënimit”.
Historia është e mbushur me shembuj të tillë. Thotë Zoti në Kuran:”Ne e shënuam në Zebur (në Lehvi Mahfudh), që tokën do e trashëgojnë robët e Mi të mirë”. (El-Enbija: 105).
Megjithatë duhet të theksojmë që vetëm qëllimi i mirë nuk mjafton, por duhet patjetër përgatitje dhe punë e pandarë. Për të arritur qëllimet, duhet t’u nënshtrohesh ligjeve dhe shkaqeve, të cilat duhet të kihen parasysh për të realizuar objektivat. Thotë Zoti në Kuran:”Allahu di të fshehtat e qiejve dhe të Tokës dhe çdo gjë kthehet tek Ai.” (Hud: 123)
RËNDËSIA E HISTORISË NË KUR’ANIN FAMËLARTË
Pothuajse nuk ka sure në Kuran, pa folur mbi një ngjarje historike, ku janë në konflikt forca të ndryshme. Në fund, suret përqendrohen në konkluzionet dhe mësimet e nxjerra, nga të cilat përfitojnë vetëm njerëzit e mençur.
Vetëm ata përfitojnë nga eksperiencat e njerëzimit, duke marrë më të mirat prej tyre dhe duke lënë të panevojshmet. Thotë Zoti në Kuran:”Mos u ligështoni dhe mos u pikëlloni, sepse ju, gjithsesi jeni më të lartët, nëse jeni besimtarë të vërtetë.” (Ali imran: 139).
Ky është një shembull i vetëm nga Kurani, ku Zoti thotë:”Elif, Lam, Mim. U mundën bizantinët. Në afërsi të tokës (arabe), por pas thyerjes së tyre, me siguri do të fitojnë. Brenda disa vjetëve. Me të vërtetë, është vendimi i Allahut, si për të parën dhe për të dytën. Dhe, atë ditë, do të gëzohen besimtarët. Për ndihmën e Allahut; Ai ndihmon kë të dojë dhe është i Plotfuqishëm e Mëshirëplotë. (Rum: 1-5)
Kronikat e luftërave janë një degë e historisë, dhe çdo historian apo shkrimtar i komenton ngjarjet sipas pikëpamjeve të tij.
Shumë popuj kanë arritur dhe ndërtuar qytetërime gjigande duke u mburrur: ”Kush është më i fortë se ne?!” (Fusilet 15)
Popuj të tjerë u tha udhëheqësi i tyre: ”Unë ju tregoj vetëm atë, që shoh dhe ju udhëzoj vetëm në rrugë të mirë” (El-Gafir 29)
Shumë popuj të tjerë u treguan të pacipë dhe (mendonin se fortesat e tyre do t’i mbronin prej Allahut” (Hashr 2) Këta popuj e kishin harruar fuqinë e Zotit të Madhëruar.
UMETI ISLAM NXJERR MËSIME NGA HISTORIA
Kurse umeti islam – i përfshirë nga rrjedha e historisë – nuk harron kurrë :
1 – Të qenit i përgatitur për çdo situatë, duke zbatuar porosinë hyjnore:“Përgatisni kundër tyre kuaj dhe forcë për luftë sa të mundni“ (El-Enfal: 60)
2 – Fuqinë e Zotit, e cila shfaqet në format më të natyrshme si përmbytje, stuhi, epidemi dhe thatësira, “Ne u dërguam atyre në një ditë fatkeqe një erë të stuhishme të pandërprerë“ (El-Kamer:19) “Ne u dërguam atyre përmbytje, karkalecë, morra, bretkosa dhe gjakun si shenja të qarta“ (El-A’raf 133)
3 – Forcën e fshehtë të Zotit e cila shihet në frikën, panikun dhe dobësinë që hedh në zemër, dashurinë e kësaj bote dhe urrejtjen e vdekjes: “Do të mbjellin frikë në zemrat e jobesimtarëve, sepse ata adhurojnë veç Allahut gjëra, për të cilat Ai nuk ka sjellë kurrfarë prove“ (Al-imran: 151)
4 – Vullnetit absolut të Zotit, i cili shprehet në thënien e Tij: “Bëhu“Ai nuk pyetet për atë që punon, kurse ata do të pyeten“ (El-Enbija: 23)
TË FLASËSH MBI ANDALUZINË
Në faqet e ardhshme do të flasim mbi Andaluzinë, të cilën disa e kanë quajtur "Andaluzia e humbur", të tjerë e quajnë "Andaluzia e rënë", kurse disa të tjerë e quajnë "perëndimi i Andaluzisë". Do të jenë faqe të mbushura me lavdi dhe krenari, hidhërime dhe dhimbje. E gjithë kjo me qëllim që të rikthejmë kujtimin e Andaluzisë, të kujtojmë të kaluarën tonë dhe të nxjerrim mësim prej saj.
Shumica e njerëzve dhe në veçanti intelektualët, pothuaj nuk dinë gjë mbi Andaluzinë dhe historinë e muslimanëve atje. Ata nuk e dinë madje as historinë e profetit Muhamed a.s dhe të heronjve muslimanë. Ata nuk dinë më shumë sesa emrat e tyre. Nëse do e pyesnim dikë mbi Numan ibnu Mukrin El-Muzenij, nuk do të dinte çfarë të thoshte. Nëse do pyetej mbi betejën e Nehavend-it, e cila është e barabartë me Alkadisijen për nga rëndësia, do të mblidhnin supet. Nëse do i pyesje mbi Ukbe bin Nafi El-Fihri dhe El-haxhib El-Mensur, do të habiteshe nga padija dhe heshtja e tyre.
Kjo, në një kohë kur historinë e Napoleonit dhe luftrat e tij, Kazanovën dhe aventurat e tij, yjet e futbollit dhe muzikës, i ka mësuar përmendësh. Thotë poeti arab:
E humbëm lavdinë kur pamë
Muzikën dhe kërcimin të përhapur në çdo anë
Shprehja "tradhëti e intelektualëve", ndoshta është shprehja më e goditur për të përshkruar gjendjen tonë, mbi të cilën fryjnë erërat e fuqishme të globalizmit, erëra të cilat duan të shkatërrojnë gjithçka, që ka të bëjë me umetin tonë, ashtu siç thotë dhe poeti:
Unë rrjedh nga një umet i zgjuar nga lavdia
Dhe ka fjetur i mbushur me turp, u harrua madhështia
Duke kujtuar historinë e Andaluzisë, shpresojmë që të ringjallen vendosmëritë, të stimulohet vullneti dhe këmbëngulja, të ngjallet në zemra dëshira për t’u bërë si gjyshërit tanë, me qëllim që umetit tonë t'i kthehen ditët e lavdisë. Kjo do të ndodhë me lindjen e një brezi, i cili do ndërtojë lavdinë mbi themelet e të parëve, siç thotë dhe poeti:
Prej nesh ka të rinj dhe liderë
Përse të mos sundojmë dhe ne si të tjerë?
Studimi i historisë nuk bëhet për t'u argëtuar, por për të nxjerrë mësime prej saj.
Nevoja për të mësuar nga faqet e historisë është aq e madhe sa ç’janë dhe rreziqet, që rrethojnë umetin musliman.
Së pari: Hyrje rreth shtrirjes islame
Studimi i historisë dhe i asaj të luftrave në veçanti, është domosdoshmëri e çdo lideri politik apo ushtarak. Ai duhet të dijë kronologjinë e ngjarjeve dhe të nxjerrë mësime prej tyre, pasi historia përsërit veten dhe ajo që ndryshon prej saj është vetëm ana e jashtme, kurse thelbi dhe esenca e ngjarjeve është e njëjtë në çdo kohë.
“Sikur Allahu të mos i ndihmonte njerëzit e mirë kundër të këqijve, bota do të ishte e shkatërruar” (El-Bekare: 251)
Jetën mbi tokë do e përfshinte amullia dhe do shkonte drejt shkatërrimit, nëse në natyrën e njeriut të cilin e krijoi Zoti, nuk do të kishte përplasje interesash dhe rrymash, të cilat janë shkak për të shpërthyer energjitë duke larguar plogështinë dhe dembelizmin dhe duke mundësuar vazhdimësinë e jetës.
Historia është e mbushur me luftra të cilat kanë filluar thjesht për qëllime kapriçioze dhe tekanjoze, por që çuan drejt shkatërrimit të botës. Shembulli më i afërt i kësaj janë dy luftrat e fundit botërore.
Romakët më parë, mbartnin shkatërrimin drejt vendeve që i pushtonin. Efektet negative të sulmeve të kryqëzatave dhe të mongolëve janë argument i gjallë akoma dhe sot në botën islame. Kolonializmi i sotëm modern dhe globalizmi nuk janë gjë tjetër, veçse një shtrirje e shkatërrimit dhe kolonializmit të padrejtë të djeshëm.
Përhapja e dritës
Në të gjithë luftrat që kanë zhvilluar muslimanët, nuk kanë qenë më superiorë se armiqtë e tyre, as në numër dhe as në armatim. Madje nuk kishin trashëguar as edhe mjeshtëri luftarake nga pasardhësit e tyre. Ajo që i bënte superiorë ndaj kundërshtarëve, ishte se ata luftonin mbi bazat e parimeve të besimit të tyre.
Gjithashtu faktorët që çojnë drejt fitores, nuk ishin ata që mbështeteshin zakonisht në beteja, madje dhe vetë fitorja e betejës nuk ishte synim kryesor i tyre. Synimi kryesor i tyre ishte hapja e zemrave dhe largimi i perdes, me qëllim që të depërtojë në brendësi të zemrave, drita dhe udhëzimi hyjnor.
Qëllimi kryesor i ndërhyrjeve islame ka qenë: Largimi i perdeve që pengonin depërtimin e dritës hyjnore në zemrat e njerëzve. Që të jetë fjala e Zotit mbi çdo gjë tjetër, që adhurimi t'i përkasë vetëm Krijuesit të njerëzve, që t'i nxjerrë njerëzit nga adhurimi i njerëzve në adhurimin e Zotit të njerëzve, për të gjallëruar tokën dhe përhapur përkushtimin dhe përuljen ndat Zotit, të cilën ua la njerëzve si amanet: “Është Ai që ju krijoi nga toka dhe ju kërkoi ta gjallëroni atë” (Hud 61)
Synimi i tyre ishte që duke zbatuar ligjet e jetës në tokë, të sillnin zhvillimin e saj dhe të vendosnin drejtësinë pa dallim ngjyre dhe race.
Kështu u përhap drita islame rreth botës, duke i treguar njerëzimit qëllimin final të ekzistencës dhe misionin, që duhet të përmbushin. Ndërhyrjet islame hapën kufijtë e shteteve për të depërtuar drita e Zotit drejt zemrave të banorëve vendas. Ndërhyrjet islame para se të hapnin kufijtë e këtyre shteteve, kishin hapur kufijtë e zemrave dhe shpirtrave të banorëve.
Vetë profetit Muhamed a.s, iu mbush zemra me gëzim kur iu shpall sureja Fet’h, (çlirimit) me faljen gjithëpërfshirëse, me mirësinë e plotësuar, me udhëzimin në rrugën e drejtë të Zotit dhe me ndihmën e Zotit të Gjithëpushtetshëm dhe Bujar. Ai u gëzua pasi vetë Zoti ishte i kënaqur me besimtarët. Ai vetë në këtë kontekst thotë:”Sonte më është shpallur një sure, e cila është më e dashur për mua se drita e diellit” (Transmeton Buhariu, Muslimi dhe Tirmidhiu)
Me hyrjen e ushtrisë muslimane në Meke, u vendos qetësia, Islami filloi të përhapej me shpejtësi, u korrën fitore ndaj çifutëve në Hajber dhe pushteti i muslimanëve shtrihej në gjithë Gadishullin Arabik.
Pas vdekjes së profetit Muhamed a.s në 12 Rebiul Evel, pushtetin e mori Ebu Bekri (r.a). Menjëherë pas vdekjes shumica e fiseve të Gadishullit Arabik e braktisën sërish fenë islame.
Luftrat që shpërthyen në të gjithë Gadishullin Arabik dhe që përfunduan me rivendosjen e pushtetit islam, treguan mbi epërsinë e muslimanëve në luftra dhe ishin sinjal mbi shtrirjen e pushtetit islam në tokat përreth.
Luftrat në dy frontet me persët dhe romakët, vazhduan derisa iu dha fund pushtetit të persëve dhe u morën shumë nga tokat e perandorisë romake. Muslimanët vazhduan të përparonin derisa arritën në Kinë duke luftuar me ushtarë, që vdekjen e kërkonin ashtu siç kërkonin armiqtë e tyre jetën.
Në kohën e Umer ibnu Hatabit (r.a) u mor Egjypti dhe zgjerimi i territoreve vazhdoi dhe në kohën e Uthmanit (r.a) dhe më pas në brezin e tabi’inëve (brezi që erdhi pas shokëve të profetit).
Së dyti Nënshtrimi i veriut të afrikës
Ukbe ibnu Nafi El-Fihrij
Nënshtrimi i gjithë shteteve të Afrikës veriore zgjati për shtatëdhjetë vite afërsisht, që nga viti 23 deri në 89 hënor.
Shtetet e Afrikës veriore u nënshtruan nga muslimanët, por duhet theksuar, që pushteti i tyre nuk ishte i qëndrueshëm pasi banorët rebeloheshin kur largohej ushtria muslimane. Ai që ka luajtur një rol të madh në nënshtrimin e këtyre shteteve është Ukbe ibnu Nafi, nga ai brez muslimanësh që erdhën pas shokëve të Profetit a.s. Ai, gjithashtu është nga transmetuesit e haditheve nga Abdullah ibnu Umeri (r.a) duke zënë një vend të madh në zemrat e muslimanëve. Ai njihet si luftëtar i aftë, që kurrë nuk u thye para vështirësive dhe që jetën ia kishte kushtuar çështjes islame. I entuziazmuar nga fitoret që filloi të korrë, ai depërtoi në thellësi të shteteve të Afrikës veriore, derisa arriti në brigjet e oqeanit Atlantik, të cilin atëherë arabët e quanin “deti i errësirave”. Me kalin e tij hyri në det derisa uji mbuloi kalin dhe thirri:” O Zot, ji dëshmitar që unë bëra ç’munda. Nëse nuk do më pengonte ky det, do të vazhdoja t’i luftoj të gjithë ata, që nuk e besojnë madhështinë Tënde, derisa të mos adhurohet tjetër kush veç Teje”.
Kur deshi që të kthehej në kryeqytetin e Afrikës veriore “Kajravan” zgjodhi rrugën e shkretëtirës dhe kur arriti në “Tabne” e ndau ushtrinë në disa pjesë. Gjatë rrugës, kur nuk u kishte mbetur veçse tetë ditë për të arritur në Kajravan, fiset berbere dhe romakët i ngritën kurth në vendin e quajtur Tehudha. I gjendur vetëm me treqind kalorës, Ukbe ibnu Nafi El-Fihrij mbeti i vrarë me gjithë ushtarët pas një qëndrese heroike.
Berberët vazhduan mes nënshtrimit dhe revoltave derisa administrimin e kësaj zone e mori në dorë një nga komandantët më të lavdishëm:
Musa ibnu Nusejr
Familja e tij.
I ati i tij Nusejri, ishte një nga dyzet djelmoshat që i zuri robër Halid ibnul Velidi (r.a) në kishën e Ajnu Temr, në brigjet e lumit Eufrat në vitin 12 hënor. Këta djelmosha ishin të mbyllur në kala. Kur Halidi theu derën ku qëndronin, i treguan që ishin pengje tek banorët e Ajnu Temr. Kështu Halidi i morri robër dhe ua ndau ushtarëve që luftuan. Mes tyre ishte dhe babai i dijetarit të njohur Muhamed ibnu Sirin dhe Jesari, gjyshi i Muhamed ibnu Is’hak, shkruajtësit të jetëshkrimit të Profetit a.s.
Fisi Benu Umejje më vonë i kishin dhënë lirinë Nasrit dhe e kishin caktuar të shërbente si rojë në ushtrinë e Muavije ibnu ebi Sufjanit (r.a). Ai njihej si ushtar i vendosur, bujar, i zgjuar dhe i fuqishëm. Këto cilësi e bënë që të rritej në pozitë deri sa u bë komandant i përgjithshëm i rojeve të Muavijes.
Në kohën e konfliktit mes Aliut r.a dhe Muavijes, Nasri refuzon që të luftojë kundra Aliut r.a, që ishte djali i xhaxhait të Profetit a.s. Pasi Muavija arriti ta mbajë pushtetin, e kritikoi mbi mosmarrjen pjesë në luftë kundër Aliut, duke i thënë: “Ç’të pengoi të dalësh në krahut tim në luftë, duke e ditur që të kam ndihmuar dhe nuk ma ke shpërblyer?!”
Nasri ia ktheu duke i thënë një fjalë të madhe, që tregonte mbi besimin, që kishte hedhur rrënjë në zemrën e tij. Ai i tha: “Nuk mund të të falenderoj duke mohuar dikë që e meriton falenderimin më shumë se ti”. Muavija i habitur e pyeti: “Kush qenka ky që e meriton falenderimin tënd më shumë se unë që të dhashë lirinë”?! Nasri ia ktheu: “Zoti i Madhëruar”. Muavija uli kokën dhe tha: “O Zot më fal, o Zot më fal” dhe e fali Nusejrin.
Rinia e Musa ibnu Nusejrit
Musai lindi në Sirinë e sotme në vitin 19 hënor gjatë periudhës që Halife i muslimanëve ishte Umer ibnul Hattabi (r.a). Duke përfituar nga detyra e lartë e të atit, Musai u rrit me fëmijët e Halifes dhe iu dha rasti të mësojë kalorësinë dhe artet e luftës. Ai mori pjesë në tentativat për të marrë Qipron dhe ishte një nga komandantët e flotës islame.
Në kohën kur ndodhi konflikti mes Emevitëve (Omejadëve) me njëri – tjetrin nga njëra anë dhe mes tyre dhe Abdullah ibnu Zubejrit (r.a) nga ana tjetër, të gjithë njerëzit në tokat islame i dhanë besën Abdullah ibnu Zubejrit. Musa ibnu Nusejr së bashku me Dah’hak ibnu Kajs El-Fihrij, Zufer ibnul Harith Elkajsij dhe Numan ibnu Bishr El-ensarij i dhanë besën Ibnu Zubejrit, megjithëse më parë kishin qenë valinj të Omejadëve. Vetë Omejadët arritën, që të binin dakort për të zgjedhur si Halife Mervan ibnul Hakem. Të ndihmuar nga fiset aleate, sidomos ajo Keleb Eljemanije, u nisën drejt Dah’hak ibnu Kajs dhe i kërkuan atij dhe pasuesve të tij që të njihnin pushtetin e Omejadëve. Por ai refuzoi dhe kështu nisi lufta mes tyre. Në këtë betejë fitojnë Omejadët dhe vetë Dah’haku arratiset. Nga ata që u arratisën ishte dhe Musa ibnu Nusejr, i cili gjeti strehim në Egjypt tek Abdul Aziz ibnu Mervan, valiu i Egjyptit që e fali për atë që kishte bërë dhe e mbajti afër. Musai e falenderoi për këtë dhe i shërbeu me përkushtim. Ai njihej si bujar, trim, i përkushtuar ndaj Zotit, i ditur, me vullnet të çeliktë dhe i vendosur.
Viti 86 hënor
705 kalendari diellor
Musa ibnu Nusejr, valiu i Afrikës veriore.
Abdul Aziz ibnu Mervan e emëroi Musanë si vali të Afrikës veriore – që në atë kohë përfshinte Libinë, Tunizinë, Algjerinë dhe Marokun – përveç Egjyptit.
Veriu i Afrikës në atë kohë vazhdonte të ishte i paqëndrueshëm dhe ziente nga trazirat. Musai filloi të mendohej rreth shkaqeve, të cilat e bënin këtë pjesë të paqëndrueshme dhe gjeti, që kishte dy shkaqe kryesore:
Një shkak ishte se ushtritë muslimane që shkonin për ta vënë nën kontroll këtë zonë, nuk qëndronin atje për një kohë të gjatë, pasi numri ishte i pamjaftueshëm. Ky ishte dhe shkaku kryesor i cili bëri që Ukbe ibnu Nafi të vritej nga berberët. Ai kishte arritur deri në brigjet e oqeanit atlantik duke mos lënë dikë pas tij, t’i mbrojë krahët nga sulmet e papritura të berberëve. Nga gabimet e Ukbes ishte, se kur arriti në oqeanin Atlantik nuk kishte kush ta mbrojë nga pas, dhe kur deshi të kthehej për në Kajrevan, qytet që ndodhet në Tunizi, fiset berbere e sulmuan dhe e vranë gjatë kthimit. Musa ibnu Nusejr kur e dëgjoi këtë histori tha: “Zoti e mëshiroftë, si përparon pa pasur dikë që ta mbrojë nga pas? Si nuk paska pasur një njeri të ditur ta këshillojë?”
Shkaku i dytë për mos qëndrueshmërinë e veriut të Afrikës, ishte se feja islame nuk kishte zënë vend në zemrat e banorëve të këtyre vendeve dhe se fiset berbere rebeloheshin sa herë u jepej rasti. Kështu Musai nuk kalonte me ushtrinë në zonat e tjera të Afrikës derisa të përhapej dhe konsolidohej feja mes vendasve. Ai punoi shumë, që Islami të depërtojë në zemrat e fiseve berbere. Për këtë ai solli shumë dijetarë e ftues dhe i shpërndau në vendet, që i kishte vendosur nën sundimin e tij.
Ajo që vlen të përmendet dhe që tërheq vëmendjen e studiuesve, është se gjithë këto përparime të muslimanëve ndodhnin pas një periudhe shumë të shkurtër pas vdekjes së profetit a.s, vetëm 76 vite.
Kështu njerëzit filluan të hynin në Islam grupe-grupe. Shumica e tyre ktheheshin në ushtarë dhe së bashku me ushtrinë muslimane vazhduan të luftonin pjesën tjetër të panënshtruar. Kundërshtarët u tërhoqën në male, por dhe atje i ndoqi Musai ku pothuaj i shfarosi të gjithë.
Kur arriti me ushtrinë e tij në fiset që kishin vrarë Ukbe ibnu Nafi, u ndez një luftë shumë e përgjakshme mes dy ushtrive. Në fund, berberët e Sexhumes e humbën betejën dhe Musai arriti të hyjë në qytet ku urdhëroi të vriteshin kryetarët e fiseve. Gjithashtu ai i mundësoi dhe tre djemtë e Ukbe ibnu Nafi – Ijad, Uthman dhe Ebu Ubejde – të hakmerreshin për gjakun e babait të tyre, të vrarë nga këta fise. Kështu ata vranë 600 nga paria e qytetit. Njëri nga djemtë – Ijadi – i tha: “Për Zotin po të më kishe lënë, do i shfarosja të gjithë përderisa kanë në gjak rebelimin. Me rënien e këtij qyteti, ranë dhe pengesat e fundit, që pengonin përhapjen e islamit. Më pas njerëzit që pranuan islamin ishin me mijëra. Nga ata që pranuan islamin ishte dhe një nga komandantët më të suksesshëm berberë, i cili do të fitojë famë më pas, Tarik ibnu Zijad.
Musa ibnu Nusejr
Viti 19 Lindi në Sham dhe është nga brezi i tabi’inëve.
- Muavija e caktoi komandant të flotës detare.
- I dha besën Ibnu Zubejrit pas vdekjes së Muavijes, më pas u arratis dhe gjeti strehim në Egjypt tek Abdul Aziz ibnu Mervan.
- Bëhet vezir (kryeministër) i Abdul Aziz ibnu Mervanit, valiut të Egjyptit.
Viti 86 H U caktua vali i Afrikës veriore.
Viti 92 H Vendos planet për hyrjen në Andaluzi.
Viti 92 H Dërgon një njësi ushtarake në Andaluzi nën komandën e Tarik ibnu Zijadit, . i cili arrin ta nënshtrojë jugun
Viti 93 H Rinënshtroi jugun e Andaluzisë pas rebelimit dhe nënshtroi dhe disa qytete të tjerë.
- U bë i njohur mbi dashurinë e tij për luftën (xhihadin).
Viti 97 H Vdiq në Medine.
Nënshtrimi i Afrikës së veriut.
Musa ibnu Nusejr arriti të nënshtrojë veriun e Afrikës me fiset berbere, të cilat rebeloheshin deri atëherë kundër muslimanëve.
Nga Afrika veriore tani kishte mbetur pa u nënshtruar veç dy qyteteve Seuta dhe Tanxher, dy qytete që ndodheshin në pjesën veri-perëndimore të Marohun dhe që me Spanjën i ndante ngushtica e Gjibraltarit.
Musa ibnu Nusejr, caktoi Tarik ibnu Zijadin komandant të një ushtrie prej 9.000 ushtarësh të përbërë nga muslimanët e rinj (berberët) dhe i urdhëroi të nënshtronin qytetet Tanxher dhe Seuta. Kjo ushtri arriti t’a nënshtrojë qytetin Tanxher për një kohë shumë të shkurtër dhe tani nuk mbetej tjetër veç qytetit të fundit Seuta, e cila ishte nën juridiksionin e spanjollëve.
Guvernatori i caktuar nga mbreti i Spanjë në Seuta, quhej Juljan. Ai nuk pranoi të dorëzohej, kështu që nuk mbetej tjetër veç luftës. Por ushtria muslimane hasi vështirësi pasi ky qytet ishte i rrethuar dhe i mbrojtur mirë. Atëherë Musai tërhiqet me ushtrinë në Tanxher, ku cakton si guvernator të saj, Tarik ibnu Zijadin, duke i lënë dhe ushtrinë e përbërë prej 19.000 vetësh. Veç ushtarëve ai caktoi dhe një grup dijetarësh për t’u mësuar vendasve Islamin.
Vetë Musai u tërhoq në kryeqytetin e Afrikës veriore, Kajravan.
FILLIMI I HYRJES NË ANDALUZI.
1) Siguria nga ana e detit
Musai filloi të mendohej rreth një sulmi të mundshëm ndaj Spanjës. Gjatë studimit të situatës, pa që nga gjërat të cilat e vështirësonin një gjë të tillë, ishte se romakët dhe spanjollët (banorët e Andaluzisë në atë kohë njiheshin me emrin Hunë) mund të sulmonin veriun e Afrikës kurdo nga deti. Kjo, pasi ata posedonin një flotë dhe ushtri të fuqishme detare, të cilës muslimanët nuk mund t’i bënin ballë. Ky ishte dhe një nga shkaqet që veriu i Afrikës nuk stabilizohej, pasi romakët i furnizonin rebelët me armë dhe forca nga deti. Kjo, në një kohë kur muslimanët nuk shquheshin për beteja në det dhe nuk kishin flotë të fuqishme.
Kështu filloi Musai të mendojë dhe të thurë plane strategjikë pa u nxituar në atë që kërkonte të arrijë.
Ai vendosi të ndërtojë një flotë detare të muslimanëve, me qëllim që t’u bëjë ballë sulmeve të romakëve dhe të spanjollëve. Kështu arriti të ndërtojë një bazë të madhe për ndërtimin e anijeve në Tunizi dhe në një periudhë kohe tepër të shkurtër, arriti të ndërtojë mbi njëqind anije.
Beteja e fisnikëve
Duke dashur që të jetë ai dominues në det, pa pasur kundërshtarë dhe rivalë të tjerë në zonën e Afrikës së veriut, ai shpalli, se dëshironte të niste një fushatë tjetër luftrash në det. Rreth tij u mblodhën njerëz nga të gjitha anët, të udhëhequr nga më fisnikët e çdo ane. Kështu u formua një lloj tjetër ushtrie e cila përbëhej nga ushtarë që dëshironin t’i transmetonin botës dijet dhe njohuritë islame. Për shkak të numrit të madh të fisnikëve, beteja morri emrin “beteja e fisnikëve”.
Pasi u formua ushtria, vetë Musa e pa të panevojshme të merrte pjesë, por caktoi djalin e tij Abdullahun si komandant të ushtrisë, e cila arriti të nënshtrojë ishullin e Siçilisë.
Nënshtrimi i Sardenjës
Gjithashtu, Musai arriti të fusë nën pushtetin e tij dhe një ishull tjetër që quhej Sardenia, i cili është një nga ishujt e mëdhej në detin mesdhe. Për nënshtrimin e Sardenies, Musai dërgoi Ata ibni ebi Nafi El-Hudhlij. Kur Ata’ deshi të kthehej me ushtrinë, Musai e lajmëroi që të mos kthehej, pasi ishte kohë me furtunë dhe mund të mbytej në det. Por Atai nuk e dëgjoi këshillën e tij dhe u nis në lundrim. Për shkak të erërave të fuqishme, të gjithë anijet u mbytën në det.
Ishujt Baliar
Musai, pas një periudhe, u detyrua të dërgojë dhe një ushtri tjetër nën komandën e djalit të tij Abdullahut, që mundi t’a nënshtrojë përsëri Sardenjan.
Më pas, ai u drejtua nga lindja, drejt ishujve Baliar të cilët quheshin ndryshe dhe ishujt lindorë, të cilët ndodhen në lindje të Spanjës. Abdullahi arriti, që t’i vendosë dhe këta ishuj nën pushtetin islam. Tani Musa ibnu Nusejr ishte më i qetë, pasi shumica e brigjeve ishin të sigurta nga çdo lloj sulmi. Ajo që ishte problem për të, ishte qyteti i Seutas.
2) Gjeografia e Andaluzisë
Andaluzia (Spanja dhe Portugalia) ka pamjen e një katrori në hartë, ku në pjesën e fundit përballë Marohun dallojmë një të dalë, ku ndodhet mali i Tarihun (Xhebel Tarik, nga i cili ngushtica ka marrë dhe emrin Gjibraltar).
Andaluzia dallohet nga lumenjtë e saj të shumtë, pesë nga të cilët janë më kryesorët, prej tyre janë: Lumi Duero, lumi Shukar dhe lumi Guadalquivir.
Gjithashtu Andaluzia përbëhet nga vargmale të shumtë, ku më të njohurat prej tyre ndodhen në jug dhe quhen malet e Borës (Sierra Nevada), lartësia e të cilave arrin mbi 3.000 m.
Në skajin verior të saj ndodhen malet Pirene, të cilat arrijnë lartësinë mesatare 3.500 m, por si karakteristikë kanë, se janë më të vështirë se Sierra Nevada për tu përshkuar, pasi ushtria e ka shumë të vështirë për të kaluar. Ato nuk lejojnë kalimin e ushtrisë pasi ka vetëm një vendkalim të ngushtë. Këto male ishin mburoja më e madhe, e cila e mbrojti Francën nga nënshtrimi i ushtrive muslimane.
Ajo që e ndan Marokun nga Andaluzia, është ngushtica e Gjibrartarit, ose siç e quanin arabët “Derbuzikak”. Distanca mes brigjeve të Marohun dhe të Spanjës është vetëm 13 km dhe nga njëra anë mund të shihen brigjet e anës tjetër me sy.
Arabët e përshkruanin Andaluzinë me fjalët: Ajo i përngjet Shamit (Lantonit) për nga mirësitë dhe ajri, Jemenit për nga njëtrajtshmëria, Indisë për nga parfumet dhe Kinës për nga mineralet dhe gurët e çmuar.
3) Banorët e Andaluzisë
Banorët e Andaluzisë ishin Romakët, emër të cilin arabët e përdornin për të gjithë europianët. Ata banonin aty qysh nga viti 201 p.kalendari diellor dhe vazhduan të banonin aty deri në shekullin e pestë të erës sonë.
Duke filluar nga shekulli i pestë fiset vandale të ardhur nga Azia sulmuan Europën. Gjatë këtyre sulmeve ata përhapën frikë dhe tmerr në mbarë Europën, ku me egërsinë, që i karakterizonte, shkatërruan çdo lloj shenje të civilizimit romak të ndërtuar deri atëherë. Europën e përfshiu një natë e errët, errësirë e cila vetëm shtohej. I madhi shtypte të voglin, i fuqishmi shfrytëzonte të dobëtin, njerëzit ishin të zhytur në qejfe dhe shthurje morale dhe ishin në konkurrencë për të arritur sa më shumë të mira materiale. Vandalët vazhduan me pushtimin e tokave derisa arritën në Andaluzi, ku u vendosën pëfundimisht.
Për shkak të emrit “Vandalë” ata e quajtën Spanjën Vandolicia, që do të thotë
“toka e vandalëve”. Këtë emër arabët e shkurtuan dhe e quajtën më vonë Andalus.
Gotët
Më vonë, Andaluzinë e pushtojnë disa fise primitivë nga Gjermania, të cilët quheshin Fiset Gote.
Duke jetuar me pjesën vendase, këto fise filluan të civilizoheshin dhe arritën të ndërtonin qytetërim në Andaluzi të cilin e morrën nga romakët.
Ata e drejtuan Andaluzinë për tre shekuj me radhë, deri në fillimin e shekullit të gjashtë hënor. Andaluzia vazhdoi të jetë e fuqishme ushtarakisht, merrte pjesë në ngjarjet që ndodhnin dhe përballej me situatat e reja që krijoheshin. Numri i mbretërve që udhëhoqën këtë vend arriti në 36 mbretër.
Jetë e mjeruar
Gjendjes së mjeruar në Andaluzi, i shtohej dhe pushteti dominues dhe i fuqishëm i kishës, gjendje e cila ishte në të gjitha vendet europiane. Ajo përdorte pushtetin e saj dhe ndikimin që kishte në popull, për të ndezur konflikte mes sekteve të krishtera, duke vërtetuar thënien e Zotit në Kuran: “Ne kemi vendosur mes tyre armiqësinë dhe urrejtjen deri në ditën e Kijametit” (Maide: 14)
Gjithashtu ajo shfrytëzonte ndjenjën fetare, të cilën e ka vendosur Zoti në natyrën e çdo njeriu, për të hyrë në luftra, si kryqëzatat.
Andaluzia vuante nga shpërbërja shoqërore dhe mos stabiliteti. Populli ishte i ndarë në shtresa të ndryshme, si ajo e pushtetarëve, ku bënte pjesë familja mbretërore, të cilët kishin në dorë dhe kontrollonin gjithçka në vend. Ndërkohë që pupullata kishte detyrë të zbatonte gjithë dëshirat dhe kërkesat e shtresës së lartë. Ata i shfrytëzonin njerëzit e varfër sa të kishin mundësi, gjë e cila kishte shkaktuar pakënaqësi dhe ishte bërë shkak për revolta të shumta në Andaluzi dhe në mbarë Europën.
Qytetet më të njohura të Andaluzisë
Në zonën e ishullit të blertë (Algeciras), e cila është krahinë që ndodhet në jug të Andaluzisë, ndodhet qyteti i Sevilles.
Në veri-lindje të Sevilles, ndodhet qyteti i Kordobas, kurse në lindje të saj ndodhet Grenada.
Kurse kryeqyteti “Toledo” ndodhet në mes të Andaluzisë. Qytete të tjerë janë: Saragosa që ndodhet në veri-lindje të vendit afër kufijve të Francës, Leoni që njihet si kryeqyteti i veri-perëndimit. Kurse Galicia ndodhet në skajin verior të Andaluzisë.