Dora e shtrënguar e Greqisë dhe gishtat e mangët të Shqipërisë

Një shprehje e vjetër thotë:”Nëse një grek të jep dorën, kontrollo gishtat më pas nëse i ke tamam”. Kjo shprehje fatkeqësisht na kujtohet vetëm atëhere kur dhimbjet na zgjojnë nga ëndërrat. Të gjithë kemi ngelur të habitur nga konsensusi i Athinës për integrimin tonë që nga marrëveshja e Stabilizim Asociimit e deri tek liberalizimi i  vizave, në kohën kur Maqedonisë, e cila kishte numëruar mirë gishtat e saj si para dhe pas shtrëngimit të duarve me grekët, i kishte ulur traun e kalimit për në NATO. 

 

Që nga marrëveshja për ujrat ndërkombëtare e deri tani së fundmi me deklaratën e konsullit grek në Korçë Ikonomu lidhur me procesin e rregjistrimit të popullsisë, kuptohet se shtrëngimi i duarve të Athinës zyrtare ka pasur edhe koston e vet. Historikisht edhe në ato pak raste kur greku i ka dhënë dorën shqiptarit, nuk ka treguar pikë mëshire që këtë ta bëjë duke e lënduar dhe në kohën më të keqe për të.

 

Ka një përgjigje nga Tirana zyrtare sa herë që ndonjë gisht i yni rezulton mangut dhe kjo shprehje, që tani i ka kaluar caqet e hipokrizisë, eshtë përsëritur bajatshëm. “Sjelljet apo pretendimet e qarqeve të caktuara nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të shtetit grek”. Mirëpo po t’i referohemi  Trojkës me Shqipërinë e mbajtur në Tiranë më 13 janar 2003 Ministri i atëhershëm i jashtëm i Greqisë Papandreu, i rendit qeverisë shqiptare disa pika për të cilat ai shprehet:“Qeveria greke i jep rëndësi të madhe vërtetimit dhe respektimit të të drejtave të minoritetit në Shqipëri. Një gjë të tillë e vërteton edhe nënshkrimi me Shqipërinë i marrëveshjes së Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Fqinjësisë së Mirë më 1996”. 

 

Kërkesat e tij atëbotë ishin të renditura si më poshtë:

• Regjistrimi i popullsisë, gjatë të cilit të përmbahen pyetje, të cilat kanë të bëjnë me kombësinë dhe besimin fetar. Në këtë mënyrë, do të mund të dalë numri i saktë i komunitetit grek dhe atij ortodoks në Shqipëri.

• Zgjerimi i mësimit të gjuhës greke në zonat ku jeton minoriteti grek.

• Përdorimi i greqishtes si gjuhë zyrtare në zyrat shtetërore si dhe të jenë në greqisht të gjitha tabelat në zonat ku banon minoriteti.

• Pjesëmarrje e barabartë edhe e minoritetit në aparatin shtetëror

• Përcaktimi i saktë i kufijve të zonave ku jeton minoriteti

 

Të njëjtat kërkesa i potencoi më vonë organizata “Omonia” si shfryrje e trumpetës së qeverisë greke. Pra, këtu nuk kemi të bëjmë më qarqe te caktuara por me nje vijë të qartë zyrtare. Konsulli grek Ikonomu është përfaqësuesi zyrtar i Athinës dhe prononcimi i tij nuk mund të zhvishet nga statusi diplomatik. Përfaqësuesit e kësaj organizate shtuan edhe pikën tjetër, ndoshta të nënkuptuar zyrtarisht për sa kohë në Himarë prezenca e deputetëve grekë ka qenë e vazhdueshme, që:

• Të pranohet që Himara është zonë minoritare, ashtu siç është konstatuar nga dëshira e lirë e banorëve të saj. 

 

Me 10 Dhjetor 2009 në tryezën “Minoriteti, pjesëmarrja dhe Integrimi” Bollano shprehet:

 

"Prania e grekëve në territorin që përbën shtetin shqiptar të ditëve të sotme mund të datohet që prej shekullit të 7-të para Krishtit. Prej kësaj kohe ka pasur një prani të vazhdueshme dhe dinamike por jo vetëm të përqendruar në jug, grekët përbënin tërësisht 3/5 e popullsisë, pa përfshirë grekët që flisnin gjuhën vllahe"

 

Po ashtu është po ky konsulli grek Ikonomu i cili sipas dëshmive të korçarëve me lehtësinë më të madhe jep pasaporta greke qindra korçarëve të cilët nuk kishin prejardhje greke, as që kishin punuar ndonjëherë në Greqi dhe nuk kishin më të voglën lidhje me këtë shtet. Alarmi i dhënë nga nënkryetari i Këshillit të lartë të Drejtësisë z. Spahiu është sa patriotik aq edhe i vonuar. Nuk duhej lejuar që në Gjirokastër të mund të jepeshin rreth 2000 nënshtetësi greke dhe shumë të tilla në Korçë. 

 

I gjithë strumbullari i kësaj meseleje përqëndrohet në rregjistrimin e popullsisë së Shqipërisë. Iniciativë kjo e cila u kërkua me forcë nga autoritet greke që më 2003 dhe si për çudi gjeti një dorë të mirë për të shtrënguar në 2010-tën. Përfshirja në këtë akt-regjistrimi në formë vetëdeklarimi për dy çështje thelbësore të një kombi siç janë etnia dhe feja së bashku me deklarimin se çfarë vaske banjo ke, e bën sa qesharak aq edhe të rrezikshme çështjen. Nuk është kusht që feja apo etnia të jenë pjesë e fomularëve të rregjistrimit. Në Sh.B.A për shëmbull feja nuk përfshihet fare në deklarimin e popullsisë, ajo që dallohet atje është vetëm deklarimi për racën. (http://2010.census.gov/2010census/)

 

Në Francë në rregjistrimin e popullsisë nuk përmendedet as kombësia as feja dhe qëllimi i tij është siç shprehet insituti i statistikave francez (INSEE): "... Censusi (rregjistrimi) sherben per percaktimin e projekteve te interesit te pergjitheshem siç eshte ndertimi i kopshteve, shkollave, qendrave kulturore dhe sportive etj. Ai sherben edhe per projekt-planet e rregullimit te territorit.” Dhe “.. rezultatet jane te fshehta dhe sekreti eshte i detyrueshem” Te dhenat e mbledhura i nenshtrohen dispozitave te ligjit nr. 51-711 dt. 7 qershor 1951 mbi obligimin, koordinimin dhe sekretin persa i perket statistikave, si dhe ligjit nr. 78-17 dt. 6 janar 1978 mbi informatiken, skedimet dhe liritë.

(http://www.legifrance.gouv.fr/WAspad...o=INTX0100065L)  

(http://www.insee.fr/fr/recensement/n...eneralites.htm)

 

Po ashtu  në Rregulloren e Parlamentit Evropian per regjistrimin e popullsise të 9 korrikut 2008 “On population and Housing Censuses” nuk perfshihet deklarimi per etninë dhe fenë. (http://eurlex.europa.eu/LexUriServ/LexUriServ.do?uri=OJ%3AL%3A2008%3A218%3A0014%3A0020%3AEN%3APDF).

 

Më ironikja është se i kërkohet Shqipërisë futja e këtyre dy kategorive, etnisë dhe fesë, në rastin kur Shqipëria nuk është një shtet multietnik dhe si e tillë nuk përbën detyrim një deklarim i tillë po ashtu kërkuesja kryesore Greqia, deklaron vetë se nuk ka minoritet në territorin e saj(http://www.cia.gov/cia/publications/...k/geos/gr.html) duke mohuar si minoritarët autoktonë arvanitas, çamët dhe turkët e Thrakisë.

 

Një tjetër pikëpyetje e cila përshkon këtë proçes rregjistrimi në Shqipëri është fakti se si mundet që etnisë t’i jepet status vetëdeklarimi pa u bazuar në gjëndjen civile si provë e dëshmi së etnisë. Vetëdeklarimi është një proçes psiko-emocional i cili mund të jetë i luhatshëm apo i lidhur me disa kushte e rrethana të caktuara ekonomiko-sociale të cilat nuk përbëjnë thelb etnik. Kështu që deklaruesi duhet që të detyrohet të sjellë prova në proçesin e rregjistrimit për përkatsinë etnike të tij duke u bazuar në trungun familjar të tij. 

 

Edhe pse feja është e lirë në bindje përsëri problem madhor është përkatësia fetare e femijëve në familje me prindër me fe të ndryshme. Kush do të përcaktojë fenë e fëmijës babai apo nëna? A mundet fëmija të vetëdeklaroje fenë?

 

Regjistrimi i popullsisë pritet të ndodhë një një kohë kur besueshmëria e institucioneve në Shqipëri është në kohën e vet më të keqe. Konstestimet për numërimet zgjedhore të cilat kanë mekanizma shumë më të rreptë dhe kuadër ligjor tepër strikt, janë subjekt mos njohjeje nga forcat kryesore politike. Po për një proçes rregjistrimi çfarë besueshmërie mund të ketë, kur në komisione dhe grupet e rregjistrimit nuk ka përbërje konsensuale, kur një pjesë e mirë e familjeve ndodhen në emigracion apo kur grupet e rregjistrimit nuk do të munden të  intervistojnë ato familje të cilat nuk ndodhen në shtëpi për aryse pune, shërbimi etj ?

 

"Gjithkush qe eshte i pasigurt, i paqarte ose thjesht e di por nuk do t'ia deklaroje perfaqesuesve te institutit te statistikave, ka te drejte dhe eshte nje pyetje me vete, ne kuadratin qe i perket gjuhes amtare, perkatesise fetare dhe etnike, qe nuk e deklaroj, qe te mos deklarohet, eshte nje e drejte Kushtetuese qe mund ta ushtroje kushdo", shprehet Minitri Genc Pollo. Po atëhere si mundet të përbëjë kriter statistikor një shifër e dalë si pasojë e një kriteri fakultativ ?

 

E gjithë ajo që ne i frikësohemi është konçesioni i vetëdijshëm i autoriteve shqiptare në këmbim të favoreve integruese shprehur dhe materializuar në aktin e rregjistrimit të popullsisë duke plotësuar një ëndërr të vjetër greke për denatyralizim, deformim dhe dehomogjenizim të popullsisë shqiptare. Deklaratat e konsullit grek Ikonomu por edhe ato të përfaqësuesve minoritarë grekë në Shqipëri se vllehët janë grekë demantohen në librin e Prof. Sherif Delvinës "E verteta mbi Epirin" ku ai jep shumë fakte domethënëse .

 

“Të dhënat onomastike (emrave të njerëzve) të 64 fshatrave të kazasë së Delvinës, të ngulitura në regjistrin kadastror osman të vitit 1582 - 1583, flasin qartë për autoktoninë absolute të shqiptarëve në këto katunde, ndërsa banorët e sotëm me kombësi greke janë të ardhur.Kjo gurrë dokumentare osmane, me urdhër të sulltanit lëshuar më dt. 18 qeshor 1711, u ruajt në zyrën e regjistrave. Fshati Kakodhiqpërbën një dëshmi të pakundërshtueshme se ka qenë i banuar nga popullsia shqiptare, autoktone, vijim i trungut arbëror të dikurshëm shqiptar.Në atë kohë ishin 1657 familje vllehësh të përfshira edhe këto në shumën e 269 990 familjeve. Siç del nga të dhënat e mësipërme, në trojet shqiptare kishte gjithsej 269990 familje nga të cilat 38 prej tyre ishin konvertuar në fenë islame; prej kësaj shifre kaq të vogël konkludohet se:

 

a) konvertimi në fenë e re, atë islame, duke braktisur fenë e mëparshme krishtere, është kryer pa dhunë;

b) në vendin tonë nuk ka ardhur ndonjë popullsi turke gjatë shekullit XV.

 

Në vitin 1491 Greqia përbëhej nga sanxhaku i Trikallës me 30.550 familje, nga sanxhaku i Eubesë me 19.744 familje, nga ai i Moresë me 29.743 familje, nga i Prevezës me 23.218 familje, nga i Mitilenës me 23.218 si dhe nga Maqedonia greke (për atë kam marrë vetëm popullsinë e Maqedonisë së sotme greke para se të vinin refugjatët grekë nga Turqia). Ajo përfshin edhe tokat shqiptare të grabitura nga Greqia gjatë Luftës Ballkanike dhe të sanksionuara si greke në Konferencën e Londrës. Për popullsinë e Maqedonisë greke i jam referuar J. Ancel, "La Macedoine" (Paris 1930). Grekët vendas të Maqedonisë greke deri në çastin që erdhën refugjatët nga Turqia, ishin gjithsej 521.265 vetë. Prandaj mbërrijmë në konkluzionin se popullsia e Greqisë më 1491 ishte më e vogël se ajo e Shqipërisë së asaj kohe, duke marrë për bazë për Maqedoninë helene shifrat e popullsisë greke të Maqedonisë në prag të Traktatit të Lozanës, të cilat janë disa herë më të mëdha se ato të Maqedonisë greke të vitit 1491). Shtojmë se më 1491 në sanxhakun e Moresë, Eubesë dhe të Prizrenit mbi gjysma e popullatës së tyre ishte shqiptare.” (Prof. Sherif Delvina “E vërteta mbi Epirin”)

 

Sigurisht që këtu nuk bëhet fjalë për përmirësimin e situatës me anë të fakteve historike sepse kjo nuk do të bëjë punë, por duke u bazuar në vullnetin e shqiptarëve, të shoqërisë civile si dhe të intelektualëve duhet që në mënyrë të vazhdueshme të bëjmë presion mbi qeverinë që të deklasifikojë apo heqë futjen e deklarimit të etnisë dhe fesë në fomularin e rregjistrimit. E nëse kjo nuk mund të arrihet atëhere ka mjete ligjore siç është neni 150 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë i cili thotë : “1. Populli, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, si dhe t’i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë.”

 

Kështu që mund të ndërmerret një aksion qytetar për të parandaluar dhe për ta hedhur në referendum futjen apo jo në formularin e rregjistrimit të popullsisë të deklarimit të etnisë dhe fesë. Ndoshta me kurajo qytetare dhe aksion civil do të mund të parandalojmë një dëm të madh ndaj interesave tona kombëtare.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme