Ferit Vokopola

Prej asaj kohe Vokopola rezulton një qendër e rëndësishme me objekte kulti dhe social-kulturore dhe nyje lidhjesh mes zonës së Beratit-Skraparit dhe Përmetit. Njëherazi Vokopola ka qenë qendër dhe vatër e rëndësishme e Lëvizjes Patriotike Shqiptare. Megjithëse familja e Feritit u vendos në lagjen Murat Çelepi të Beratit në fillimet e shekullit XIX, ajo nuk i shkëputi lidhjet me vendin e origjinës. Në këtë familje me tradita të hershme islame lindi Feriti në vitin 1887, i cili u edukua dhe u mbrujt me besimin islam që në fëmijëri. Mbasi kreu arsimin e ulët e të mesëm në Berat, ai vazhdoi dhe përfundoi studimet e larta në Stamboll ku u diplomua në fushën e jurisprudencës islame. Mbas mbarimit të shkollës për disa vite jetoi në qytetin e lindjes duke ushtruar edhe profesionin e avokatit. Prej viteve 1920-1939 ushtroi veprimtari politike si dhe veprimtari fetare. Mbas çlirimit, disa vite mbeti i papunë, vuajti në kampet e komunizmit për 10 vjet dhe pesë e fundit të jetës punoi në Institutin e Historisë si përkthyes nga osmanishtja.

Ndihmesa në fushën e besimit islam

Edukimin fetar e mori që në familje si edhe në lagjen e tij, e cila i përkiste tërësisht besimit islam. Përveç mësimeve në shkollat laike ai vijonte rregullisht mësimet e besimit që zhvilloheshin në xhamitë e lagjes së tij veçanërisht në xhaminë e Hysen Pashës (Sahatit). Kur ishte ende i ri arriti të perfeksiononte mirë osmanishten dhe arabishten, të cilat i perfeksionoi më mirë gjatë kohës së kryerjes së gjimnazit turk të qytetit. Mbas përfundimit të shkollës së lartë në Stamboll, ai u kthye në qytetin e lindjes ku u përfshi intensivisht në jetën fetare të qytetit, jo vetëm si frekuentues i rregullt i xhamive e pjesëmarrës aktiv i jetës fetare, por në disa raste edhe në pozicionin e predikuesit fetar. Fjalimet, vazet dhe hytbet e tij në xhamitë e qytetit dalloheshin për nivelin e lartë teologjik dhe shkencor. Zakonisht të premteve shkonte në fshatin e Vokopolës për predikimin e asaj dite dhe veprimtari të tjera fetare. Xhamia e Vokopolës filloi të frekuentohej edhe nga besimtarët myslimanë të fshatrave përreth deri në atë masë sa ajo nuk nxinte më dhe një pjesë e xhematit e kryenin namazin në oborrin e saj.

Mbas shkëputjes prej Kalifatit, Feriti luajti një rol të rëndësishëm në organizimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar dhe veçanërisht në drejtimin e reformave. Për 20 vjet ka qenë anëtar i Këshillit të Lartë të këtij Komuniteti. Në vitin 1940 themelon organizatën fetare “Drita Hyjnore”, e cila pati si organ të saj revistën “Njeriu”. Kjo ishte një nga revistat më prestigjioze të kohës që shërbeu si tribunë e mesazheve islame, por revista dallohej edhe për nivelin e lartë artistiko-letrar dhe shkencor. Në të nisën të shkruanin penat më të spikatura të kohës.

Në vitin 1935, Feriti bëri një botim të disa ajeteve kuranore në tri gjuhë: shqip-frëngjisht dhe arabisht i transliteruar. Ky libër u shërbeu dhe u bë nga librat më të kërkuar nga studentët shqiptarë dhe ata francezë të përkatësisë islame. Gjatë viteve të burgimit përfundoi përkthimin e Kuranit, i cili ka mbetur vetëm si dorëshkrim. Botimi i dorëshkrimit do të ishte një kontribut i ndjeshëm në pasurimin e kulturës islame. Në fushën e islamistikës, publicistika e FeritVokopolës është vlerësuar nga shumë autorë vendas dhe të huaj.

Veprimtaria atdhetare

I ati i Feritit u angazhua në veprimtari patriotike që në periudhën e Rilindjes Kombëtare, si pjesëmarrës dhe aktivist i Degës së Beratit të Lidhjes së Prizrenit si dhe iniciator për hapjen e shkollave shqipe në qytet. Në këtë veprimtari u përfshi edhe Feriti. Në disa momente kyçe që kalonte vendi, Feriti luajti rol të rëndësishëm. E shohim si pjesëmarrës në Kuvendin e Vlorës dhe firmëtar të aktit të Shpalljes së Pavarësisë. Ishte Feriti ai që stenografoi fjalimin historik të Ismail Qemalit në kuvend. E shohim Feritin pjesëtar aktiv në Kongresin e Lushnjës. Himni i këtij kongresi, i cili këndohet prej shqiptarëve afërsisht që prej një shekulli ka për autor FeritVokopolën. I ingranuar në veprimtarinë politike në një periudhë 20 vjeçare, ai ishte pjesëmarrës i Parlamentit shqiptar; në vitet 1920 -1928 si deputet i Vlorës dhe në vitet 1928-1939 si deputet i Beratit. Meritat e Feritit në këtë drejtim për shumë kohë u lanë në harresë megjithëse në memorien e qytetarëve beratas u ruajt dhe u përcoll gojarisht kjo veprimtari e frytshme që vlejti për edukimin atdhetar të shumë brezave.

Si shkencëtar dhe poet

Shkrimet e tij si: Të rinjtë e sotshëm, si mejtojnë dhe kujt i mbesojnë”, “Rëndësia e martesës”; analizojnë problemet madhore shoqërore, duke mos u mjaftuar vetëm në zbulimin e shkaqeve dhe faktorëve veprues, por edhe në gjetjen e rrugëdaljeve të mbështetura në besimin islam. Ndërsa në shkrimet “Vuajtjet e jetës dhe zëri i shpëtimit”, “Ku shkon njerëzimi”, autori, duke u mbështetur në shpjegimet kuranore, u jep përgjigje shumë problemeve shqetësuese të kohës, por që shqetësojnë e angazhojnë sot mendimin njerëzor.

Midis poezive më të mira që krijoi dallohen: “Gjëmimi i Tomorrit”, “Njeriu i përsosur”, “Sureja e Agimit”, “Lum ai që e kupton”, “Një kohë më thoshte”, “E shkuara, e sotmja dhe e ardhmja e njeriut”, “Madhështia e gjithësisë”, “Mbarështimi i gjithësisë”, “Hëna e Ramazanit” (vjershë shpirtërore), “Pika dhe Elifi” (poemë filozofike), “Zgjohu o njeri”, “Dashuria e flaktë hyjnore”, “Sureja e Kijametit”, “Misteri i Qarkësisë”.

Për të krijuar një ide dhe përfytyrim më të gjerë rreth vjershërimit të tij po e njohim lexuesin me disa fragmente poezish:

Pjesë nga poezia “Hana e Ramazanit”

Nga Qielli sipër, nga vendi m’i naltë

Po zbret një hije e shenjtë mbi dhe,

Si vera q’i ngjall lulet mbi baltë,

Shpresë shpëtimi po derdh për ne.

 

Po vjen t’ue fitue dritën e vet

Hënë e Ramazanit në kët mënyrë

“Ezani” e fton mbi minaretë.

 

Pjesë nga poezia “Madhështia e gjithësisë”

Njerinë e mahnit kjo botë

Fund e krye çudij-plotë

Pyesni qiellin çfarë na thotë?

Kasht ‘ e kumtrit po bën notë

Në një det që s’ia del dotë

Ç’madhërim, aman, o Zotë

 

Këto ngjyra kush i t’holli?

Kaq drita kush i solli?

Mijëra lule kush i mbolli?

Qajnë e qeshin sytë me lotë

Ç’mallëngjim, aman, o Zotë!

 

Pjesë nga poezia 400 vargëshe “Fluturimet e shpirtit”. Në një vegim alegorik, të një bote tejtokësore, shqyrton shkaqet dhe tmerret e Luftës së Parë Botërore. Kjo poezi u përkthye e plotë edhe në italisht dhe në konkursin e vitit 1925 u klasifikua në vendin e parë.

Ti francez, unë gjerman

Unë inglez, ti italian.

Sllav e belgas-muslimanë,

Pse të vriten? një brum janë.

 

Zot i madh! Ti mos duro,

Të shfaroset njerëzia.

Zjarrm e luftës e qëndro

Lësho drit nga dashurija.

 

Në vitin 1942 revista “Njeriu” në disa numra të saj boton poemën në vargje “Gjëmimi i Tomorrit” me 148 strofa katërshe. Poema është ndarë në disa nëntituj që janë: Fuqia jetike, gjallëria, vargimi i gjallërisë, rrez’e ndritur, përshtypjet e natyrës, profetësia, një ëndërr shpirtërore në botën rrëfimtare, përshtypjet e tri fuqive, gjendja e njeriut para historisë, femra dhe tara e saj, pendimi, si ka filluar detyra, për mos vuajtur duhet të shkojmë...

Si në gjithë krijimtarinë e tij poetike edhe në këtë poemë spikat mendimi i thellë filozofiko-fetar i autorit, i cili përpiqet të futet në misteret e gjithësisë e të besimit.

Mendimi predominues i poemës është se gjithësia është e krijuar nga Zoti që artistikisht poeti e shpreh që në hyrje të poemës:

Një ka qenë gjithësia

Një e –njëjt e pa anë

Është vetë Perëndija

Me gjithë sendetë që janë

Në vargjet në vazhdim autori shtjellon mendimin se toka që u gjallërua nga uji dhe ngrohtësia, nga bimët dhe kafshët dhe së fundi njeriu që për të parë ka Ademin. Se me dëshirën e Zotit erdhën në tokë profetët për të drejtuar njerëzimin, deri tek profeti i fundit, Muhamedi (a.s.). Se trupi i njeriut është shembulli i gjithësisë si vepër e Perëndisë.

Pra andaj duhet kqyrë

Njiher bukur vetja tonë

Zemra që është si pasqyrë

Dhe mendja që na ndriçon.

 

Megjithëse poema mban titullin “Gjëmimi i Tomorrit”, ajo nuk ka lidhje aspak me malin Tomorr dhe as që përmendet gjëkundi në të kjo fjalë, por autori e ka zgjedhur këtë titull si shpërblim i një zëri të fuqishëm dhe i një mendimi të thellë për shumë probleme e çështje që trullosin mendjen njerëzore.

Jeta dhe vepra e FeritVokopolës mbetet akoma pak e njohur prej shqiptarëve. Duke lexuar disa nga krijimet e tij, ndjeva detyrimin e këtij shkrimi si një ndihmesë modeste për një figurë që la pas një vepër që meriton të njihet.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme