Zotëri Bentaher, si duket qyteti i Bengazit momentalisht?
Situata është stabile. Policia ka ikur. Procesi i reformave dhe rindërtimi ka filluar. Janë formuar komitete të ndyrshme, shumica nga intelektualë dhe ingjinierë që studimet e tyre i kanë përfunduar në Libi apo edhe në vendet tjera evropiane dhe në Shtetet e Bashkuara.
A është qetë tani në Bengazi?
Po, në Bengazi është qetë dhe i lutemi Zotit që edhe në Tripoli të qetësohet dhe njerëzit të ndihen të sigurt edhe atje. Libia është shteti ynë kurse Tripoli është zemra. Kjo është motoja e demonstracionit sot në Bengazi. Ne po i përkrahim tripolitasit kundër Gadafit dhe shpresojmë që ndihma jonë të ketë sukses.
Çfarë dini për situatën atje?
Tripoli është pika e fundit e qëndresës së regjimit të Gadafit. Populli po përpiqet që ta mbrojë qytetin, por regjimi i tij i frikës e ka bërë të vështirë të demonstrohet. Ai i ka shpërndarë njerëzit e tij në pjesë të ndryshme të qytetit dhe posa të dalin në protestë ata qëllojnë në masën e demonstruesve.
A dini ju më tepër për gjendjen në Tripoli sesa ne në Evropë?
Gadafi po përpiqet me çdo kusht ta mbrojë qytetin dhe t`i burgosë aktivistët. Një shok timin, ingjinier, njërin nga organizatorët e kryengritjes në Tripoli, të enjten në mesnatë e kanë burgosur. Është e mundur që ai të vritet. Njerëzit e Gadafit ashtu vepruan edhe në Bengazi para se ta linin qytetin. Këtu të burgosurit u mbytën.
Të gjithë të burgosurit?
Po, të gjithë të burgosurve politik ua lidhën duart dhe i mbytën.
Pasiqë shoku juaj u burgos në Tripoli, a do të thotë kjo se forcat e sigurisë së Gadafit ende janë të forta në Tripoli?
Po, sigurisht po. Të enjten shumë pak njerër ecnin rrugëve. Por situata në qyetetet tjera që e rrethojnë Tripolin janë të lira dhe sot apo neser do të marshojnë për Tripoli, sigurisht.
Forcat Anti - Gadaf a kanë armatin të duhur?
Po. Kur forcat e sigurisë së Gadafit ikën nga qyteti i Bengazit, armët nuk arritën t`i marrin me vete. Njërëzit u armatosën që ta mbronin qytetin. Por qeveria momentale e qytetit urdhëroi të dorëzohen armët dhe ashtu u bë. Armët janë të gatshme për ta mbrojtur qytetin.
Por ju nuk mendoni të luftoni?
Jo. Unë do të mbrohem dhe do ta mbroj shtëpinë time. Në ditët e para njerëzit e Gadafit nuk i sulmonin demonstruesit por njerëzit në shtëpitë e tyre. Kjo nuk ka ndodhur kurrë gjatë historisë. Kur ata sulmonin njerëzit nëpër shtëpitë e tyre, demonstruesit detyroheshin t`i linin protestat dhe ktheheshin t`i mbronin familjet. Që ta mbroj familjen time unë do të luftoj, përndyshe do të vritem nga forcat e Gadafit.
Sa do të zgjasë afërsisht derisa situata në Libi të sqarohet?
Unë mendoj edhe disa ditë. Ne që jetojmë këtu mendojmë se: Atë që humbim gjatë protestave, në krahasim me atë se nëse mbetet në pushtet ky regjim çka mund të ndodhë, është e pa paramenduar. Të gjithë pjesëmarrësit e protestave do t`i mbysë. Ne po bëjmë një luftë ku nuk ka kthim mbrapa. Familja Gadafi duhet ta lëshojë Tripolin. Nëse kjo do të zgjasë edhe më, e tërë Libia do të marshojë drejt Tripolit.
A dihet ku ndodhet familja Gadafi?
(Qeshet.) Kjo është një pyetje e madhe.
Në Evropë është krijuar bindja se Gadafi është i çmendur.
I çmendur sigurisht, por i çmendur nuk është mjaft, i tërbuar. Këtu njerëzit mendojnë se ai nuk do ta lëshojë vendi, por ai do të bëjë vetëvrasje.
Ju jeni mjek. Sa njerëz kanë vdekur në Bengazi?
Afërsisht 300 kanë vdekur. Ne po përgatitemi t`i varrosim të gjithë të vrarët e pesë ditëve të fundit. Të plagosur janë afërsisht 2000.
A kishte sulme ajrore në Bengazi?
Jo. Këtu kishte sulme me armë automatike, bomba dhe granata dore nga forcat e sigurisë së Gadafit dhe mercenarëve afrikanë.
Por ata tani kanë ikur?
Po, disa nga ta janë të burgosur dhe janë nën kontrollin e qeverisë së përkohshm këtu në Bengazi.
Si është furnizimi me medikamente dhe ushqime?
Të enjten këtu ka arritur ndihmë nga Kryqi i kuq dhe jam i informuar se të premten do të vijnë ndimat e Katarit nga drejtimi i Greqisë.
Kush e udhëhoqi kryengritjen në Bengazi?
Këta ishin intelektualë, avokatë dhe profesorët e universiteteve. Shumica ishin familjarët e viktimave të masakrës së Abu- Salimit. Më 1996 në burgun e Abu Salimit në Tripoli Gadafi mbyti 1200 të burgosur.
Kemi lexuar se ka dallime të mëdha ndërmjet njerëzve të Tripolit dhe Bengazit.
Jo. Jo. Infastruktura është tjetër jo njerëzit. Vëllau im dhe motra jetojnë në Tripoli. I telefonoj shpesh për të parë se çfarë po ndodh.
Ende është e mundur të telefononi?
Po, është një linjë e posaçme që ende po funksionon. Shpresoj që nuk do të na ndërpritet pas bisedës sonë.
Interneti nuk funksionon më?
Jo. E vetmja mënyrë do të ishte nëpërmjet satelitit.
Si qëndron situata me televizionin?
Ka disa programe, por el-Xhezira është e bllokuar.
Si e shihni të ardhmen e Libisë?
Unë mendoj që pa Gadafin e kemi një të ardhme të mirë. Përfundimisht do ta shijojmë lirinë. Ne do të jemi një shtet me ligj, me institucione të pavarura, me qeveri, legjislacion dhe administratë. Shkurt: Libia do të bëhet një shtet modern.
Perëndimi ka frikë se islamistët do ta marrin pushtetin njëjtë sikurse në Iran.
Jo. Jo. Libia vërtet është 90 përqind muslimane, por ne jemi njerëz shumë të dashur. Pas 42 viteve nën pushtetin e Gadafit ne dëshirojmë ta marrim një model perëndimor. Një vend me shkolla të mira, spitale, infrastrukturë të mirë, sistem bankar të mirë, aeroport. Ne e dëshirojmë një shtet modern. Ne jemi musliman, ne e shohim një zhvillim sikurse në Turqi. Nuk e kemi model Iranin. Mullahët nuk mund t`i akceptojmë. Ne e dëshirojmë një kushtetutë, zgjedhje, parti të ndryshme. Demokracia është sistemi që do ta dëshiroja unë.
Ka tendenca se pas ramjes së Gadafit Libia mund të ndahet në disa zona.
Jo. Libia nuk do të ndahet. Zona më madhe Varfala, e ka bërë të qartë se Libia është një shtet. Ashtu edhe zonat tjera kanë qëndrim të njëjtë. Bengazi dhe qytetet tjera në lindje janë pjesë të kryengritjes, askush nuk dëshiron ta copëtojë vendin.
Para së të vijë në pushtet Gadafi Libia ishte një mbretëri.
Po, por para mbretërisë Libia ishte e ndarë në tri shtete. Ne u bashkuam dhe ashtu do të mbesim.
Dhe nuk e mendoni një mbretëri?
Jo, ne jemi për një demokraci moderne.
Çka prisni nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara?
Ne Libiasit jemi shumë të zhgënjyer nga Shtetet e Bashkuara. Në pesë ditët e para në Libi vdiqën shumë më shumë njerëz se në Egjipt. Po reagojnë shumë ngadalë. Ne në Shtetet e Bashkuara gjithnjë e kemi parë një avokat të të drejtave të njeriut. Sigurisht gjatë rindërtimit të Libisë do të na duhen. Tani preokupimi ynë është si t`i nxjerrim të huajt të sigurtë nga vendi.
Si do të ndihmonte perëndimi?
Bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë më tepër presion mbi Gadafin. Kemi ndëgjuar se Zvicra ia ka ngrirë fondet-paratë, gjë që e kemi vlerësuar shumë. Në këtë mënyrë ai nuk do të ketë mundësi të paguaj mercenarë nga afrika për të vrarë gra e fëmijë.
Pse vallë ka zgjatur kaq shumë që libiasit të ngriten kundër Gadafit?
Kjo është një pyetje që zgjon kureshtjen. Shkaku kryesor është se Gadafi me regjimine tij të dhunës e ka vjedhur vetëbesimin njerëzve se mund të ngriten kundër tij. Nuk kishe të drejtë demonstrimi dhe partitë ishin të ndaluara. Kush demonstronte burgosej. Shkak i këtyre protestave është masakra në burgun Abu Salim i vitit 1996. Edhe më parë ka pasur tentativa për ta rrëzuar Gadafin por kanë qenë të kota. Tani ne jemi shumë të lumtur për këto demonstrime masovike, për këtë lëvizje popullore, për këtë kryengritje.
Duhej shumë guxim të marrësh pjesë në këtë kryengritje?
Po, por kur e pamë se çpo ndodhte në Tunizi ishte si një ëndërr. Pastaj në Egjipt. Kështu na hyri guximi të dalim rrugëve. Edhe ne jemi për liri, ecim pra para.
A do të shkoni sot në punë?
Sot do të vijnë ndihma nga e tërë bota. Ne e ndajmë materialin dhe të jeni të sigurtë se asgjë nuk shkon në duar të dyshimta. Mjekët e bëjnë ndarjen.
A nuk duhet të shkosh në spital për t`i mjekuar të plagosurit?
Ka tri ditë që nuk ka të plagosur më. Situata në spital është stabile.
Libia është një vend me rezerva të naftës. Çka do të ndodhë me të?
Ka dekada që nuk kemi parë gjë nga ajo. Shpresojmë që së shpejti të jetojmë në një shtet stabil e demokratik.
Pra, të gjithë duhet të profitojnë nga pasuritë e naftës?
Natyrisht. Sidomos të varfërit jashtë Libisë duhet ta ndanin këtë me ne. Ne jemi një lidhje njerëzore dhe duhet ta ndihmojmë njëri tjetrin.
Libia ka një shkretëtirë të madhe dhe potencial të madh turistik.
Po. Turistët do të jenë të sigurt këtu. Ajo që do të më gëzonte shumë pas ramjes së Gadafit do të ishte hapja e një linje direkte Tripoli – Zyrih, pa ndërmjetësimin e aeroporteve tjera.
Ahmad Bentaher – është 37 vjeqar. Ai e ka studiuar medicinën në Libi. Ka punuar disa vite në Zvicër dhe Gjermani si mjek. Në tetor të vitit 2010 është kthyer në Libi. Është i martuar dhe ka tre fëmijë. Punon në spitalin Jala`a të Bengazit ku edhe banon. Kjo intervistë u zhvillua të premten në mëngjes (25.02.2011) përmes telefonit.*)
*) Der Bund, e shtunë 26 shkurt 2011.
Nga gjer. Naxhi Ibrahimi