Shūrā dhe demokracia

Teksa diktatorët e botës arabe po bien njëri pas tjetrit, ajo që duket se po bie me shpejtësi akoma më të madhe është teza se Islami apo muslimanët nuk përshtaten apo nuk prodhojnë demokraci.

Nën pretekstin e përhapjes apo vendosjes së demokracisë, qytetërimit apo modernitetit, shoqëritë demokratike perëndimore të përfaqësuara nga qeveritë e  tyre përgjatë shekujve 19 dhe 20 kolonizuan shoqëritë muslimano-arabe duke deformuar konceptin e demokracisë në përceptimin e thjeshtë të masës së kolonizuar si një sistem mjetet e të cilit janë vrasja, padrejtësia, zhvatja e burimeve natyrore si dhe korrupsioni. Ajo ndjenjë përjashtuese, refuzuese e përçmuese që u has në atë kohë në popullsitë e vendeve nën kolonizim, sigurisht që nuk ishte drejtuar demokracisë si koncept i përgjithshëm, por ishte përçmim ndaj projektit kolonizues maskuar me makiazhin demokratik.

Mënyra se si serviret krahasimi ndaj një sistemi politiko-administrativ, pra thjesht një sistem qeverisjeje,  siç është demokracia, me një fe gjithpërfshirëse multisistemike siç është Islami që është një mënyrë e mirëfilltë jetese individuale  e shoqërore, personale e shpirtërore, krijon një disproporcion të theksuar në vlerësimin e gjërave. Do të ishte më mirë nëse krahasimi do të bëhej mes demokracisë si një sistem qeverisës me një sistem homolog të rendit qeverisës  Islam, siç mund të ishte në rastin konkret  Shura.

Shura, përbën një ndër katër principet thelbësore në rendin qeverisës islam përsa i përket  organizimit social e politik. Tre të tjerat janë Drejtësia, Barazia dhe Dinjiteti njerëzor. Në këtë këndvështrim Shura është paraleli i principit perëndimor të demokracisë dhe bazohet në keto pika:

  • Drejtësia, barazia dhe dinjitetit përbëjnë thelbin e moralit të Islamit

  • Çështjet publike vendosen sipas pikëpamjes së shumicës

  • Çdo person në shoqërinë muslimane është i barabartë në të drejtat njerëzore dhe civile

Pra, thjesht shihet ngjashmëria mes Shuras dhe parimeve të iluminizmit: Liberté, égalité, fraternité  (liri, barazi, vëllazëri). I vetmi ndryshim është se Shura si princip organizimi social-politik derivon nga Kurani dhe tradia profetike të paktën 11 shekuj para iluminizmit Evropian. Prandaj shumë studies  perëndimorë në artikulimet e tyre përfshirë këtu edhe John Esposito, kanë theksuar se sistemi politik i Shuras është pjesë përbërëse Islamit si sistem jetese duke e përcaktuar islamin si fe dhe shtet. 

Po ashtu nëse i referohemi bazamenteve të sistemit politik të Shuras dhe demokracisë si sisteme homologe shohim se ngjashmëria në principet bazë të tyre është ekzemplare.

Së pari, proçesi elektoral në demokracitë perëndimore si bazamenti i pushtetit demokratik që buron nga bindja e popullit nëpërmjet votës, është i njëjtë me sistemin  politik të Shuras e cila për herë të parë vjen në eksperincën e Kalifit të dytë të muslimanëve në shekullin e 7-të, Umar Bin Hatab i cili mund të konsiderohet edhe si zbatuesi i proçesit të parë elektoral musliman në përzgjedhjen e pasuesit të tij.

Së dyti, aplikimi i Shuras nënkupton direkt se ky process politiko-administrativ duke pasur si bazë pikëpamjen e shumicës në vendosjen e gjërave është kundër despotizmit dhe despotëve, autokracisë dhe diktaturës. Të njëjtat tipare ka edhe sistemi demokratik i cili vjen si pasojë e qeverisjes së shumicës në luftë e kundërshtim me autokracinë.

Së treti, e drejta e individit në demokracitë perëndimore për të kritikuar apo  protestuar ndaj të zgjedhurëve të padrejtë apo të korruptuar është mishëruar në sistemin e Shuras shekuj më parë ku bazë e saj është “këshillimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja”. Bazuar mbi këtë postulat individi në shtetin musliman mund të kundërshtojë udhëheqësin e padrejtë dhe mund të protestojë për përmirësim të situatës apo edhe zëvendësim të tij.

Së katërti, e drejta e fjalës së lirë në demokracitë e sotme perëndimore në lidhje me sitemin e qeverisjes shkon në përputhje të plotë me parimin tjetër të Shuras të individit karshi pushtetit. Ishte një grua ajo që 14 shekuj më parë në shtetin e Medines ku sistemi politik administrohej me anë të Shuras, u ngrit në mesin e të pranishmëve dhe i tha udhëheqësit se për çështjen në fjalë e kishte gabim. Dhe përgjigja e udhëheqësit ishte : “Po, gruaja ka të drejtë, unë e kisha gabim”. Pra, liria e individit për më tepër femër ishte në përputhje të plotë me liritë dhe të drejtat që gëzon sot një individ në demokraci.

Së pesti, koncepti që derivon nga Shura është koncepti i Al-Bej’ah, thënë ndryshe i besës së individit ndaj shtetit dhe anasjelltas e kuptuar si një kontratë sociale e administrative në mes qeverisësit dhe të qeverisurit. Kjo kontratë nuk ndryshon në thelb me kontratën që ka sot në sistemet demokratike i zgjedhur me zgjedhësit.

Së gjashti, respekti i të drejtave të minoriteteve në shoqëritë demokratike, është përcaktuar në sistemin e Shuras me anë të mbrojtjes me kuadër religjioz të të drejtave të minoriteteve etnike dhe fetare në shoqëritë muslimane

Kështu me pak shembuj të cilët i sollëm në këtë vështrim të shkurtër shohim se në thelb teza se Islami apo muslimanët nuk përputhen me demokracinë është sa e këqvendosur në proporcionet e veta po ashtu aspak realiste sepse në mos qëllimisht vjen nga një keqinterpretim i gjëndjes aktuale të sistemit qeverisës në botën muslimane i cili si lajtmotiv ka diktaturat dhe despotizmin. Po ashtu edhe trajtimet se përbërësi fetar dhe demokracia përjashtojnë njëri-tjetrin janë po ashtu të gabuara. Demokracia është një sistem administrativ pro­­çedurash dhe nuk është një sistem anti-religjioz në thelb, këtë mund ta shohim në shumë vende demokratike ku simbolika religjioze është prezente në shumë sfera publike e private.

Reklamohen popullsi të tëra muslimane në një fragment të caktuar të historisë së tyre, nën zgjedha diktatorësh e mbretërish diktatorë që për më tepër ishin prodhim i kolonializmit të shteteve perëndimore, si pa një strukturë dhe kulturë demokratike si dhe të pa afta të prodhojnë demokraci. Aq më tepër që sipas tyre religjioni që ata përfaqësojnë nuk përputhet me vlerat demokratike.

Fillimi i fundit të padrejtësive ndaj botës arabo-muslimane e cila përkon me fillimin e fundit të diktatorëve të imponuar këtyre rajoneve, do të nxjerrë në pah sistemin e vlerave që ata realisht përfaqësojnë. Njëkohësisht do të zhdukë edhe atë mjegullnajë mbi Islamin dhe ekstremizmin, sepse ky i fundit ka ekzistuar, ka qenë promovuar dhe aplikuar pikërisht nga deformimet e sistemit të vlerave në kurriz të këtyre shoqërive.

Një system i pastër demokratik musliman, apo thënë ndryshe i Shuras, në këto vende, do të dominojë mbi padrejtësitë ku bën pjesë edhe ekstremizmi, njëkohësisht do të restaurojë edhe konceptimin dhe përceptimin mbi botën muslimane.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme