Unë nuk jam profesionist i lëmisë përkatëse për të gjykuar është e drejtë apo jo, mirëpo ndaj mendimin se kjo përgjigje unanime nuk i bën edhe aq dobi atij i cili kalon nga kjo botë në tjetrën, sepse, e para, hallallëku bëhet me zemër dhe e dyta nëse ka rastisur që të falet namazi i xhenazes në një vend ku je mysafir, pse të përgjigjemi, se, ky ‘njeri është i mirë’! Po nëse është grua! Çfarë haku ka ajo ndaj nesh që t’ia bëjmë hallall, apo ku e kemi njohur ne atë që të themi e ‘mirë’!? Gjërat kanë nisur të ndryshojnë kah e mbara në këtë aspekt, dhe disa udhëheqës fetar, një gjë të tillë kaherë e kan larguar nga ‘agjenda’!
Paksa paradoksale, mirëpo nuk është poenta të japim fetva! Nuk është qëllimi që të mbajmë ligjëratë në këtë drejtim, mirëpo pyetjet e këtilla, ‘a e njeh’, e ‘si e njeh’ po përdoren shumë shpesh edhe nga politikan e intelektual, të cilët pyesin e interesohen për atë që kandidohet, konkuron apo propozohet në një vend të caktuar pune!
Në ditët e sodit, është e pamundur të gjesh punë nëse nuk je përfaqësues i partisë që udhëheq, qoftë në nivel lokal apo qendror. Populli thotë ‘merre njërën, plase për tjetrën’! Është e pamundur të punësohesh nëse ke ndryshe bindjen politike, sepse i qëndrohet besnik maksimës “nëse nuk je me mua, je kundër meje”! Gjithashtu, nuk ke mundësi inkuadrimi, edhë nëse nuk je përkrahës i asnjërit subjekt politik, thjesht je apartiak, mirëpo në politikë mund të marrësh vesh, shumë më tepër nga ata që qëndrojnë nëpër kolltuqe!
Pra, nëse nuk je militant i flaktë i ndonjë partie, kapaciteti, ambicjet, mundësitë, afiniteti, janë gjëra të cilat janë të fundit, apo se fare nuk merren parasysh. Nëse një gjë e tillë ndodh në administratë, nuk e marrim shumë për të madhe. Vin njëra, punëson ‘ushtarët’ të cilët do t’ia ‘japin’ (lexo: vjedhin) votat në zgjedhje, kthehet tjetra, vepron me avazin e tjetrës!
Të gjithë jemi të vetëdijshëm se pos titullit akademik që kërkohet për t’u punësuar në Universitet, kusht parësor është mesatarja e studimeve, pavarësisht ciklit të tyre. Një kriter i tillë tanimë është gllabëruar nga ‘politika e pandërgjegjëshme’. Kohët e fundit kemi spote të ndryshme publicitare në të cilat kërkohen kritere për të famshmit ‘profesor doktora’, mirëpo është irritues fakti që ligjet e njejta propozohen dhe mbrohen nga një ministër i cili s’ka haber nga shkenca. Ai personalisht është vetëm me shkollim sipëror, ndërsa përgatitja e tillë është ‘vizë’ që të jep mundësinë për t’u avansuar më tej që të merresh me shkencë. Absurde! E mjerë edhe shkenca!
Një fjalë e urtë popullore thotë: “Gjarpërin po e goditë në bisht, të kafshon në gisht, andaj godite në kokë që ta shtrish për tokë”. Nuk do e bëjmë të njëjtën sot, mirëpo në mënyrë shumë gjeneralizuese për të mos thënë se na ka zënë gjumi e jemi në ëndër, gjendjen e arsimit shqip e ilustrojmë me disa shembuj (praktika) të cilat i kam përjetuar personalisht.
Në të famshmet “Ditët e hapura” që organizon Universiteti, nuk lejohen asistentët dhe profesorët e Universitetit të hyjnë për të promovuar Programet studimore tek nxënësit nëpër shkolla të mesme, me të vetmen arsye, ngaqë udhëheqësitë e shkollave të mesme dhe Universitetit dallojnë për nga bindjet partiake. Pamundësohet një komunikim i tillë vetëm për shkak të partizimit të skajshëm të institucioneve! Faji qëndron tek të dyja palët! Viktimë - nxënësi, i riu i pafajshëm!
Nëpër shkolla të mesme stafi profesional, pedagogjiko-psikologjik, si organ ndër më të rëndësishmit për një shkollë dhe trup këshilldhënës për të rinj, nxënës, zgjidhet jo në bazë të aftësive, por në bazë të partive! Nuk zgjidhen meritorë, por të atillë që janë ‘puthadorë’! Nëse, do kishit rast të shihnit, një arsyetim se pse kanë zgjedhur kandidatë të caktuar, do të demoralizoheshit se si drejtorë të caktuar të shkollave që njihen si prestigjioze, as rregullat elementare të shkrimit dhe drejtshkrimit nuk i dinë. Tmerruese! (Do i vijë koha t’i publikojmë…)
Universiteti, si institucion më i lartë arsimor po humb kredibilitetin, pikërisht partizimit dhe servilizmit, të cilët kanë zënë vendin e profesionalizmit! Tanimë nuk çmohen vlera, por libreza!
Apeli im deri tek ata të cilët vrapojnë që të pyesin, herë në njërën, e herë në anën tjetrën do të ishte, le ti referohen dokumentacionit dhe arkivit, s’ka nevojë informacionet t’i marrin nga “burime jo zyrtare”. Ndoshta të tillët kërkojnë përgjigjen e personit i cili, dallohet nga xhemati dhe ‘nuk bën hallall! Mirëpo, të tillët duhet të kenë parasysh, edhe ‘parimin e kundërefektit’ i cili kthehet ‘boomerang’!
Kësaj rradhe kaq. Herën tjetër edhe me emra e mbiemra, ndoshta! Nëse dikush, mundet të ta ‘ndalojë’ inkuadrimin dikund vetëm për shkak se nuk mendon siç mendon një grup i caktuar, duke shpërfillur në këtë mënyrë diversitetin e duke përfillur ‘nënën parti’, fjalën e lirë s’ka mundësi të ta ndërpret!
Kur një praktikë të tillë, të pyetjes: “Si e njihni këtë njeri” po e anashkalojnë dhe nuk e praktikojnë hoxhallarët, një veprim i tillë është transferuar tek ‘politikanët’ dhe ‘intelektualët’?
Nuk është e tëra zi, ka të atillë që ‘me mish e me shpirt, mundohen’, mirëpo në këtë rast, kush e ka mizën ‘ndër kësulë’, lirisht mund edhe të preket!
Gjithsesi, do vijnë ditë më të mira!
p.s. Respekt, për të gjithë ata të cilët nuk i takojnë ‘tajfes’ së lartëpërmendur! Ka politikanë dhe intelektualë të cilët orvaten që gjërat t’i çojnë kah e mbara, mirëpo fatkeqësisht në të shumtën e rasteve hasin në vesh të shurdhër! “Zoti nuk e ndryshon gjendjen e një populli, përderisa ne nuk e ndryshojmë veten tonë”.