Revolucioni i bukës

"Deri dje i kam blerë nga katër bukë, ndërsa sot vallahi i bleva vetëm tri".

"Unë punoj si shpërndarës i bukës për një kompani e cila më paguan aq sa shpërndaj bukë nëpër mini-markete. Prej dje vetëm në një lagje janë mbyllur dy mini-markete, të cilat më harxhonin nga 40-50 bukë, ndërsa kjo do të ndikojë dukshëm edhe në të ardhurat e mia mujore".

"Unë jam pronar i një shitoreje të vogël. Në fillim kur e hapa atë, u interesova në veçanti se nga sa bukë harxhohen në ditë, që ta dija se nga sa të porosis. Mendova të filloj me nga 30-40 bukë, të cilat edhe harxhoheshin, por u habita me faktin se, nga mesi e deri në fund të muajit, më se gjysma e bukës mbetej pa u shitur. Njëherë mendova se është rastësi, por kur e njëjta u përsërit edhe muajin e ardhshëm atëherë u binda se qytetarët, të cilët jetojnë afër shitores sime, që nga mesi e deri në fund të muajit kursejnë edhe në blerjen e bukës."

Këto më lartë janë disa fragmente të nxjerra nga bisedat që i zhvillova me disa miqtë e mi këto ditë kur u shtrenjtua buka. Sepse, saherë që shtrenjtohet buka, ky është ogur i keq për këtë popullatë – gjithçka bëhet më shtrenjtë. Kur u takova me miqtë e mi, mendova t’ia shkrepim si rëndom muhabeteve të vjetra politike, por ajo temë sikur nuk kalonte tek ata. Ata ishin të preokupuar me lajmin për rritjen e çmimit të bukës dhe flisnin vetëm për atë. Andaj pasi i dëgjova ato biseda, hoqa dorë nga insistimi im që të flasim për zgjedhjet.

Pas këtyre momenteve shumë tronditëse për mua u ndala për një çast dhe mendova se sa larg ka vajtur puna. Ne ende vazhdojmë të flasim për temat të cilat na u bënë preokupimi i vetëm njëzet vite me radhë dhe në asnjë mënyrë nuk po mund ta tejkalojmë vetveten, e të merremi me çështjet reale jetësore. Ne e humbëm veten duke folur e shkruar për të drejtat dhe liritë, për përdorimin e gjuhës shqipe, për të drejtën e studiuarit në gjuhën amtare etj., por harruam se po këta shqiptarë të cilët kanë nevojë të flasin e të studiojnë shqip, para së gjithash kanë nevojë të kenë në sofrat e tyre bukë të mjaftueshme për ta ngopur barkun e vogëlushëve të tyre, që para se të flasin a kanë fletore pune në shkollë, më të rëndësishme e kanë, a hëngër bukë në mëngjes. Bukë! Po, po, bukë. Ne sikur po harrojmë edhe më tej se po këta shqiptarë kanë nevojë të kenë punë të ndershme, të ardhura normale, një kulm mbi kokë dhe kushte elementare për një jetë të dinjitetshme.

Prandaj parashtrohet pyetja me se merren politikanët tanë? Si e kuptojnë këta njerëz politikën? Si e kuptojnë marrjen e përgjegjësisë për të udhëhequr me shtetin dhe për të qenë përfaqësues të një populli i cili po përjeton krizë të thellë ekonomike, sociale e kulturore?

Duke menduar për këto gjëra m’u kujtua edhe raporti i Komisionit Evropian, i cili jep të dhëna për azilkërkuesit në BE. Nga tërë rajoni, qytetarët nga Maqedonia (shqiptarë e romë) janë më të shumtët në këtë aspekt, duke lënë shumë mbrapa vendet si Shqipëria, Serbia, Bosnja e Hercegovina, e pastaj – paramendoni – këto shifra janë të akrahasueshme edhe me vendet si Iraku dhe Afganistani. Nga ky informacion mund të nxjerrim konkluzionin se një shqiptar nga Maqedonia jeton më keq edhe se një irakian e një afgan. E tmerrshme apo jo?!!!

Duke jetuar në shekullin njëzet e një, duke qenë pjesë e Evropës, duke qenë vend në tranzicion njëzet vite me radhë dhe duke pretenduar vazhdimisht se po krijojmë një shoqëri demokratike, në fund kur ndalesh për një çast dhe e vëren se përsëri temë qendrore në këtë kohë e në këtë vend është çështja e bukës, e kupton realitetin e tmerrshëm paradoksal të gjendjes në të cilën realisht gjendemi si shoqëri.

Duke marrë mësim nga historia, e dimë së gjatë periudhave të ndryshme, popuj e vende të ndryshme kanë ngritur revolucione për ta përmirësuar gjendjen e tyre. Që prej Revolucionit Francez, me të cilën kërkohej të vendoset një rend i bazuar në “

Liberté, égalité, fraternité

(liri, drejtësi e vëllazëri)”, revolucionet e mëtutjeshme janë ngritur në baza ideologjike, për të drejta njerëzore, për drejtësi, për liri, për një jetë të dinjitetshme etj.

Gjithashtu edhe lëvizjet e fundit më Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore kanë të bëjnë pikërisht me këto vlera të larta njerëzore të cilat ishin të ngulfatur me vite të tëra nga diktatorët e ndryshëm të këtyre vendeve. Por, megjithatë ata u organizuan dhe përfundimisht po ngrenë kokën lart për t’i përfituar këto vlera të larta njerëzore të cilat janë të domosdoshme që njeriu të ndjehet - NJERI. Sa për ilustrim, vërejta disa analiza të bëra nga ekonomistë të njohur që po krahasonin gjendjen ekonomike të Maqedonisë me vendet në të cilat aktualisht janë ngritur revolucionet. Statistikat tregojnë se shumica e këtyre shteteve kanë  gjendje të ngjashme ose më të mirë se Maqedonia. Andaj, nga e tëra kjo parashtrohet pyetja: Çka presim ne? Kur do të na mbushet mendja të flasim për vlera, për ngritje ekonomike, sociale, kulturore, arsimore e intelektuale? Si duket, pa e mbushur barkun nuk na mbushet mendja.

Dita-ditës kuleçtë e bukës po na pakësohen nga sofrat tona. Vogëlushët tanë do të duhet të numërojnë kush nga sa rriska bukë ha në sofër. Ata do të duhet të shpejtojnë të ulen në sofër të parët, se kush vonohet mbetet i uritur. Ndërsa politikanët tanë do të vazhdojnë të llomotisin për “shpëtimin e gjithmbarshëm shqiptar”. Pallavra, vetëm pallavra.

Shpresa e vetme mbase është se vetëm kur të fillojë të na kërcasë barku, ndoshta atëherë do të fillojë të na kërcasë në të gjitha anët. Ruajna Zot prej sahatit të ligë!

Deri atëherë, Zoti na lashtë shnosh!!!

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme