Ndarja e Libisë, largimi i Gadafit dhe interesat e Perëndimit

Tripolitania, siç e quanin ata, kishte territor shumë më të madh se sa në kohën e dinastisë omajade në vitin 642, pastaj asaj abasite më 750 dhe fatimite në vitin 972. Nga viti 1551 osmanlinjët janë aty, ndërsa italianët në brigjet e Libisë do të zbarkojnë në vitin 1911. Kufijtë e “Devlet-i Osmanije” do t’i zëvendësohen me ato të “Afrikës Veriore të Italisë”. Në vitin 1943, meqë bota ende po digjej në flakën që ia kishte vënë Lufta e Dytë Botërore, anglezët nuk qenë në gjendje të bëjnë gjithaq ndryshime të kufirit, aq më pak francezët pas tyre. Me 24 Dhjetor të vitit 1951, libiasët shpallin pavarësinë nën emrin Mbetëria e Bashkuar e Libisë. Mbreti Idris u pajtua me kufijtë të cilët ia vizatoi Rezoluta e Ansamblesë së Kombeve të Bashkuara të vitit 1949. Përderisa ky i fundit ishte në një vizitë zyrtare në Turqi, më 1 Dhjetor të vitit 1969, koloneli rrebel i ushtrisë mbretërore me emrin Moammal el Gadafi mori pushtetin. Duart e tij të hekurta sunduan vendin më shumë se 40 vjet. Ndërtimi i “Lumit të Madhërishëm” për të cilin, sikur egjiptasit për Nilin, Gadafi thoshte se e ka burimin në parajsë, ishte vetëm një episod i asaj ëndërre ”të të paparit” të Libisë.

 

Hyjnia e perandorëve”

 

Gadafi, shkroi kushtetutën e tij personale me emrin “Libri i Gjelbërt”, sikur më parë edhe Mao Zedongi “Librin e Kuq” dhe Hitleri “Librin e Shenjtë”, por as kjo, sikur as atyre më parë, “Mbretit të mbretërve të Afrikës” nuk i ndihmoi të bënte Libinë, “Xhemahirija e Madhe”. Nuk është e çuditshme se përse speciet e perandorëve si këta, zakonisht kanë “Librat” e vet. Ata nuk pranojnë kushtetuta e as rregullore të shkruara nga dikush tjetër. Në vitin 1986, Gadafi grisi rregulloren e Kombeve të Bashkuara në sytë e të gjithë përfaqësuesve të botës duke thënë se Këshilli i Sigurimit nuk është këshill sigurie por këshill i dhunës dhe kolonialzimit.

 

Fëmijët e perandorëve, edhe pse shkollohen nëpër universitetet e njohura të botës demokratike, zakonisht mbesin pasardhës perandorësh, sikur Sejfulislami i Gadafit. Djali i dytë i “liderit të gjithë arabëve dhe imamit të gjithë muslimanëve” kishte doktoruar në Kolegjin Ekonomik të Londrës. Në disertacionin e tij, me një gjuhë tepër të rrjedhshme kishte shkruar për rolin e shoqërive civile në demoktratizimin e vendit, por, në fund ai kishte “hedhur” temën e doktoratës në kantinën e mbeturinave kur në fund të temës, kishte shkruar se Libia është shoqëri e formuar nga fiset dhe kabilet dhe se modeli shtetëror i babait të tij është modeli i vetëm që i shkon për shtati Libisë.

Kohëve të fundit, tani kur Libia po vlon në kazanin e Lindjes së Mesme, analistët shkruajnë se nëse Gadafi nuk qe në gjendje të realizojë ëndrrën për një Xhemahiri të Madhe, veprimet e tij tani mund ta ndajnë Libinë në dysh: në lindje me Bengazin kryeqytet, prej nga kishte ardhur ish mbreti Idriz i rrëzuar me grushtet, ndërsa në perëndim të mbetet Tripoli kryeqytet, mostër e species së një diktatori për të cilin thuhej se kishte probleme të rënda edhe psikike.

 

Rezultantja e trazirave në Libi

 

Sido që të jetë harta e re e Libisë, rreth saj janë edhe tri çështje ende të paqarta: 1) kush do të vie në pushtet pas Gadafit, 2) çfarë do të jetë ndikimi i Libisë në ekonominë globale dhe, 3) çfarë është qëndrimi perëndimor ndaj lëvizjeve politike islame në Lindjen e Mesme?

 

Nëse kësaj radhe Libia i shpëton ndarjes, ajo, në ditët që vijnë do të ballafaqohet me dy aktorë politik tejet të fortë: Lëvizja politike-islame “Vëllezërit Muslimanë” dhe “Fronti për Shpëtimin Kombëtar”. E persekutuar që nga themelimi i saj në vitin 1979, Lëvizja “Vëllezërit Muslimanë” Libinë e sheh si pjese integrale e tërësisë së botës Islame, ndërsa Gadafin, njërin ndër kundërshtarët më të mëdhenjë të Islamit dhe të të drejtave elementare të njeriut. Për “Lëvizjen”, regjimi i Gadafit ishte pengesa kryesore për themelimin e partive politike, regjim i cili kishte ushtruar kontroll të rreptë mbi gjykatat, sindikatat dhe grupacionet tjera shoqërore civile. Nga ana tjetër, “Fronti për Shpëtim Kombëtar i Libisë”, i themeluar në vitin 1981 synonte përmbysjen e Gadafit dhe krijimin e një Libie me sistem kushtetues demokratik, i pavarur nga shtetet tjera arabe-islame. Që nga themelimi, sikur edhe të gjitha lëvizjet tjera politike që vepruan në ekzil, edhe “Fronti” po punonte në përgaditjen e planit të përbashkët me të gjitha lëvizjet kombëtare libiase si dhe përgaditjen e punës për ndryshimin i imazhit të keq të Libisë në arenën ndërkombëtare që ia bëri sundimi i Gadafit.

 

Për dallim nga mbretëria e Abdullahut, dikur Hixhazi, e tani Arabia e Saudëve e cila ka një naftë me sasi më të madhe sulfuri se ajo e Libisë, edhe pse Libia merrë pjesë me vetëm 2 deri në 5% të prodhimit botëror, nafta libiase me më pak sulfur konsiderohet “ nafta e artë” për Evropën. Kualiteti i lartë i naftës ka ndikuar që shpenzimet në rafinerimin e saj të jenë shumë më të vogla se ato që shpenzohen për naftën e Gjirit Persik. Evropa, e sidomos Franca dhe Gjermania janë dy partnerët kryesorë tregtarë të Evropës me Libinë. Nga ana tjetër, Turqia, korporatat ndërtimore të së cilës  mundësuan këtë shtet të radhitet në pozitën e dytë në botë pas Kinës, fillimin e tyre e kishin bërë në Libi. Në vitin 2010, Turqia kishte kontraktuar punë ndërtimore në vlerë 27 miliardë dollarë, ndërsa eksporti i Turqisë me Libinë arrinë në 6 miliardë dollarë në vit. Italia gjithashtu është shteti i katërt me rradhë që ka llogaritë e saj në Tripolitaninë Romake të dikurshme. Berluskoni, për nder të “jaranit” të tij libias, sjelli në pallatin presidencial 500 bukuroshe të paguara nga 800 euro, për të mbuluar kokat e tyre me shamia, sepse kjo i nevojitej Gadafit për t’i treguar botës islame se ai është thirrësi kryesor në Islam. Gadafi, edhe kësaj rradhe, sikur shumë herë më parë, ia arriti të përqajë unitetin e këtyre lëvizjeve islamiste nëpër tokat arabe, siç ishte në gjendje shumë herë ta bënte të njejtën gjë edhe mes qeverive arabe. Të gjitha këto, por edhe shumë ekzibicione tjera të këtij ‘donzhuani’ të Arabisë po ndikojnë që Evropa, posaqërisht Turqia të mos kenë “guximin” të lënë të vetmuar Gadafin.

 

Thamë edhe më parë! Fëmijët arabë shkollohen në Perëndim, paratë e arabëve gjithashtu janë në bankat perëndimore, qeveritë arabe për 5 dekada ishin të mbështetura nga Perëndimi dhe Perëndimi është ai që themeloi Ligën Arabe nëpërmes së cilës më së shumti përfitoi vetë Perëndimi. Pyetja më e rëndësishme tani është: çfarë po do më shumë Perëndimi nga Lindja e Mesme?

Ngjarjet e fundit në Tunizi dhe Egjipt, sikur më parë ato në Algjeri, Jemen e Palestinë, botën perëndimore e kanë vënë para një akti të kryer. Projekti amerikan i proklamuar nga Kondoliza Rajs për një Lindje të Mesme të Re, sakaq duket të ketë dështuar. Sa herë që u lejuan zgjedhjet demokratike, fitues potencial përllogariteshin islamistët.

 

Përpjekje për konstatim

 

Pra, përderisa Lindja e Mesme vazhdon të jetë regjion me rendësi të madhe ekonomike dhe strategjike, përderisa të ekziston hezitimi se interesat e partive politike islame bien ndesh me interesat e partive politike në pushtet në shtetet perëndimore, pyetja më me vend do të ishte: Çfarë Perëndimi nuk do nga Lindja e Mesme?!

 

Frika nga zhvillimet e fundit në Lindje të Mesme do të reduktohet në masë, atëherë kur qeveritë perëndimore do të pranojnë realitetin historik të këtij nënqielli, në thellësitë e të cilit shkruan se Lindja e Mesme është vendi ku zbritën tri fetë qiellore e fill pas saj të tregohet gadishmëria serioze e krijimit të një atmosfere të përshtatshme për të bashkëjetuar pjesëtarët e të tri këtyre feve (qytetërimeve). Pranimi i realitetit politik dhe kulturor në Lindjen e Mesme mund të mendohet tani për tani si premisë për zgjidhje më të qëndrueshme politike në këtë rajon. Tek e fundit, kjo është platforma e Obamas, e pranimit dhe bashkëbisedimit.

 

(Ky shkrim është botuar në të përditshmen ZËRI me datë 2 Mars 2011)

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme