Teologjia morale në Kur’an

Kur’ani, shpallja e fundit e Zotit që iu shpall Muhammedit a.s, kësaj pyetje i ka kushtuar kujdes të madh dhe vend të rëndësishëm, ashtu që normat sheriatike në Kur’an i ndajmë në tri kategori:

- Normat kur’anore që kanë të bëjnë me besimin;
- Normat kur’anore mbi moralin;
- Normat kur’anore që kanë të bëjnë me veprat e mukel-lefit (të obliguarit).

Në këtë shkrim do të ndalemi në normat të cilat kanë të bëjnë me moralin.
Këta norma kur’anore, normat mbi moralin, edukojnë njeriun dhe forcojnë vlerat morale të tij, ashtu që e edukojnë si krijesë stabile e cila është e gatshme të definojë gjërat e mira dhe të këqijat.

Islami nga ndjekësit e tij kërkon prezencën e moralit në të gjitha rafshet e veprimit të tij. Shembullin më të mirë të moralit e gjejmë tek personaliteti i Muhammedit a.s, i cili është në “shkallën më të lartë të moralit.” Secili musliman duhet të punojë që tek ai të fisnikërohen veprat e mira dhe cilësitë bujare (drejtësia, durimi, sinqeriteti, mirënjohja, mëshira, etj.), kurse të largohet nga cilësitë e pahijshme njerëzore (mendjemadhësia, urrejtja, shpitëngurtësia, smira, lakmia).

Para Allahut, xh.sh të gjithë njerëzit janë të njëjtë, ashtu siç thotë hadithi i të Dërguarit, s.a.v.s.: “Nuk ka përparësi arabi ndaj jo arabit, e as jo arabi ndaj arabit, përveç se në devotshmëri.”
Pra qëllimi ynë duhet të jetë të punojmë gjithçka që Allahu të jetë i kënaqur, ndërsa të largohemi nga gjithë ato gjëra që do të ngjallnin zemërimin e Tij mbi ne.

Kurani mbi moralin

“Kjo (që na këshillon ti) nuk është tjetër vetëm se traditë (mitesh) të popujve të lashtë.” (Shuara, 137.)

”Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit.” (El-Kalem, 4.)

“Është e vërtet se njeriu është i prirur të jetë i padurueshëm” (El-Mearixh, 19.)

“Le të shikojë njeriu se prej çkahit është krijuar.” (Et-Tarik, 5.)

“Ai është krijuar prej një uji që hidhet fuqishëm.” (Et-Tarik, 6.)

“A nuk i shikojnë devetë se si janë krijuar.” (El-Gashije, 17.)

“Allahu dëshiron t’ju lehtësoj (dispozitat) e megjithatë njeriu është i paaftë (për tu përballuar epsheve)” (En-Nisa, 28.)

“Ata (idhuj) që i adhurojnë (idhujtarët) pos Allahut, ata vet nuk krijojnë asnjë send, po vetë janë të krijuar” (En-Nahl, 20.)

“Mirëpo, ata (idhujtarët) në vend të Tij adhuruan zota tjerë, të cilët nuk krijuan asgjë, sepse ata vetë janë të krijuar. Ata nuk posedojnë për vete as dëm as dobi, ata nuk kanë në dorë as vdekje, e as jetë, e as ringjallje.” (El-Furkan, 3.)

Definicioni mbi moralin

Ahlak është fjalë arabe, që donë të thotë gjendje shpirtërore, karakter, moral. Pra, ahlaku është shkenca mbi gjendjen shpirtërore dhe cilësitë e njerëzve, dhe mbi sjelljen e njeriut. Ajo është shkencë e cila sqaron nga çfarë përbëhet e mira dhe çfarë e keqja, dhe cilat vepra të njeriut konsiderohen të mira e cilat të shëmtuara.

Ahlakun e ndajmë në dy grupe:
- “Ahlaki-hamide” - cilësitë pozitive apo të lavdërueshme;
- “Ahlaki-dhemime” – cilësitë negative apo të shëmtuara.

Se sa vlerë kanë cilësitë pozitive apo të lavdëruara (ahlak hamiden) mund ta shohim nga hadithi i Muhammedit, a.s., ku thuhet: “Atij që ka ahlak të mirë, unë i garantoj vend në xhenet.” Gjithashtu ai, s.a.v.s., ka thënë: “Me të vërtet për mua në Ditën e Gjykimit më të dashur dhe më të afërt do të jenë ata të cilët kanë ahlakun më të mirë.” “Me të vërtetë, muslimani me ahlak të mirë në Xhennet do të ketë derexhe (shkallë) aq sa do të ketë ai që ditën ka agjër pandërprerë, ndërsa natën ka bërë ibatet.”

Përmes mesazheve kur’anore, haditheve (sunetit) të Pejgamberit a.s, dhe historisë islame, ahlaku ofron norma etiko-morale afatgjate dhe universale. Në Kur’an janë vendosur parimet morale që vlejnë për të gjitha kohët. Ato parime gjatë historisë jo rrallëherë kanë qenë të sendërtuara, por mos realizimi nuk zvogëlon vlerën e tyre, respektivisht nuk zvogëlon universalitetin dhe afatgjatësinë e tyre.

Të gjitha veprimet e dëshiruara mund të jenë të mira dhe të shëmtuara , qoftë nga vetja , qoftë nga pasojat, rastet specifike apo të përgjithshme. Edhe shqisat por edhe mendja kanë fuqi të dallojnë çka është e mirë kurse çka është e keqe pa mbështetje në inspirim fetar. Megjithatë vlerat morale si, sinqeriteti, besueshmëria, drejtësia, ndershmëria, janë veprat e para morale natyrale që Allahu i ka mbjellë në zemrat e besimtarëve. Pastaj e ka dërguar të Dërguarin e tij me sistemin e jetës i cili është në pajtueshmëri me këtë sjellje natyrale. Besimtari vepron sipas këtyre vlerave sepse natyra e tij e forcuar me fenë e nxit që ashtu të sillet. Feja të cilën e ka e obligon tu mbahet atyre vlerave dhe i premton shpërblim për këtë në botën tjetër (ahiret).

Por shtohet pyetja se a ekziston moral pa religjion, respektivisht a mund të themi se pa religjion nuk ka moral?! Morali në vazhdimësi mund të mbështetet vetëm në religjion, por morali dhe religjioni nuk janë një. Morali si princip nuk ekziston pa religjion. Morali si praktikë, si rast individual i sjelljes nuk varet në mënyrë direkte nga religjioziteti. Morali është religjion i zbrazur, i përkthyer aspiratë dhe rregull të sjelljes, respektivisht sjellje e vullnetshme e njeriut apo sjellja ndaj njerëzve të tjerë në pajtueshmëri me faktin e ekzistimit të një Zoti.

Muhamed El- Gazali thotë: Në të vërtet Kur’ani fisnik dhe ajetet e panumërta të tij mund të komentohen në katër mënyra:

1. Ajete kur’anore që përshkruajnë kozmosin, fillimin e tij nga materia, ecurinë dhe fshehtësitë e tij;
2. Ajetet kur’anore që përshkruajnë këtë botë, përgjegjësitë dhe obligimet tona në të, dhe atë që do t’u ndodh njerëzve nga sprovat;
3. Ajetet kur’anore që përshkruajnë popujt e mëparshëm duke dhënë sqarime mbi ta;
4. Ajetet kur’anore që përshkruajnë ditën e gjykimit, dënimin dhe shpërblimin.

Me fjalë të tjera Kur’ani është ai i cili edukon shpirtin dhe trupin, logjikën, idetë dhe paralajmëron të mirat e jetës dhe ditës së kthimit, premtimet dhe kërcënimet, simpatitë dhe respektin.

Qëllimet e teologjisë morale

Qëllimi i Allahut xh.sh është që njeriun sa më shumë ta përsos në aspektin moralo- etik, ashtu që secili individ të formoj personalitet të pavarur të vetëdijshëm dhe të pjekur i cili me cilësitë dhe veprat e tij do të jetë në shërbim të vetes dhe të tjerëve, në këtë botë edhe në botën tjetër.

Islami, ahlakut i jep rëndësi të madhe ashtu që pas besimit në Allahun xh.sh., e konsideron qëllim kryesor të synimeve të fesë. Për këtë, të gjithë pejgamberët e Zotit, krahas udhëzimit në fenë e vërtet, më shumë mund kanë investuar në përmirësimin e cilësive të njerëzve dhe moralit. Në suren El-Enam Allahu i Lartësuar përshkruan veprat e të dërguarve dhe paraqitjen e tyre mes njerëzve.

“(E shpërblyem) edhe Ismailin, Eljesanë, Junusin, dhe Lutin. Të gjithë këta i veçuam mbi botën tjetër.” (El-Enam, 86.)

Muahmmedi, a.s., si një ndër detyrat kryesore të pejgamberisë së tij dallon edhe përsosmërinë e sjelljeve fisnike tek njerëzit. Këtë na e argumenton hadithi në të cilin i Dërguari, a.s., thotë:

“Jam i dërguar t’i përsos sjelljet (cilësitë) fisnike.”

Qëllimi i të gjithë mendimtarëve botëror, rilindësve, ligjvënësve dhe i të gjithë pejgambereve ka qenë përmirësimi dhe përsosmëria e moralit tek njerëzit dhe në këtë synim kanë qenë të paluhatshëm, sepse morali është lidhja më e fortë mes disa anëtarëve të bashkësisë njerëzore, dhe vetëm me të mund të formojmë bashkësi e cila do të jetë e aftë të mbijetojë në luftën me jetën.

Ahlaku i të dërguarit të zotit Muhammedit a.s.

I Dërguari i Allahut ka qenë kur’ani i gjallë në ndjekjen e tij, në etik, në cilësi, në ibadet, në xhihad, në luftë, në paqe, gjatë udhëtimit, kur ishte në shtëpi, kur fitonte dhe kur humbte, në shëndet, në sëmundje, në vështirësi, në lehtësi, pra në gjithçka. Transmetohet nga Katade r.a., se ka thënë: “Oj nëna e besimtarëve, tregomë mbi ahalakun e të Dërguarit të Allahut a.s.? Ajo u përgjigj: A nuk lexon Kur’an? Kurse unë i thashë: Gjithsesi që lexojë! Ajo tha: Në të vërtet ahlaku i të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., ishte Kur’ani”. (Regjistron Muslimi dhe Ebu Davudi)

Allahu xh.sh për Muhamedin a.s. thotë:

“…Sepse ti, në të vërtet ke moralin më të mirë.”

Përveç dinakërisë që e ka përdorur në kohën e luftës, ai ka vepruar me drejtësi dhe moral me çdo kënd. Respektimi i fjalës së dhënë, me trup e me shpirt, kjo ishte, pra, politika e tërë jetës së tij.

Faraoni – tirani më i madh

Si tiranin më të madh, Kur’ani e përmend dhe e përshkruan faraonin. Ai ka tejkaluar çdo kufi të së keqes, ashtu që të gjitha atributet e Zotit të vërtet ia përshkruan vetes dhe me anë të dhunës njerëzve ua imponon të vërtetat fetare, vlerat morale, dhe normat juridike. Kërkon që vetëm ai të adhurohet, që të ndiqet rruga e tij në të gjitha gjërat. Përcaktimet dhe cilësitë themelore të udhëheqsisë së tij sipas Kur’anit janë se faraoni e ka tepruar në çdo masë në kryerjen e veprave të këqija.

Faraoni ashtu si edhe suita e tij më së shumti frikësoheshin nga misionin i Musait a.s, të vërtetave të Allahut, fesë, moralit dhe ligjeve fetare që përmes tij shpalleshin. Ata e dinin se sistemi i tyre i vlerave, besimit dhe normave në këtë rast nxirreshin si gënjeshtër e kulluar.

“Duke pasur frikë nga faraoni dhe nga rrethi i tij se do ti torturojnë, musafit nuk i besoi kush pos një pjese e pasardhëseve të popullit të tij. Vërtet faraoni ishte mbizotërues në tokë dhe ai ishte njëri prej shkatrimtarëve.” (Junus, 83.)

Çështjet bashkëkohore të njeriut (dhe teologjia morale)

Në botën moderne që jetojmë sot, deshëm apo nuk deshëm ndeshemi me probleme të ndryshme për të cilat duhet dhënë përgjigje. Në këtë kuptim etika islame duhet të përjetojë transformim në vetë teologjinë, ashtu që përmes teologjisë morale të ngrit pyetje të ndryshme të etikës bashkëkohore. Sot kemi mendime të ndryshme rreth asaj se a duhet të ndryshojmë diçka në sferën e moralit islam.

Deri sa modernistët thonë se duhet të ndodhin ndryshime të mëdha, tradicionalistët thonë se nuk duhet të ndryshohet asgjë. Nëse do të shikonim pak më mirë gjendjen e sotme të etikës islame, do të kishim ardhur në përfundim se ajo nuk është as pjesë e teologjisë, por për shkak të statikës së saj në zhvillim nuk përjeton ndryshime të bujshme.

Sot kemi shumë probleme etike (morale) kurse detyra e teologjisë morale është që ti zgjidh ato. Në radhë të problemeve morale paraqitet edhe manipulimi i cili në shoqëri ka qenë prezent prej fillimi. Në botën bashkëkohore mjetet që nxisin manipulimin janë të përsosura, me çka ky është bërë problem dhe mëkat. Në botën e sotme gati nuk ka segment ku manipulimi nuk është prezent. Manipulimi është prezent edhe në bashkësitë fetare, gjithashtu edhe në atë islame, ku ajo del në pah tek një pjesë e xhematit i cili është jo aq shumë i arsimuar dhe i civilizuar.

Problemi më i madh i ditëve të sodit është eutanazia. Sa janë kundërshtarët e eutanazisë të zëshëm dhe këmbëngulës, aq këmbëngulës janë ithtarët e këtij akti sa që kjo i lihet të sëmurit të vendos të jetoj apo jo. Këtë vetëm se etikologët mund ta hulumtojnë dhe të japin përgjigje adekuate. Për fat të keq etikologët islam dhe teologët moral pëlqejnë të japin përfundime pa analizë paraprake të kësaj risie (sëmundje). Çështje tjetër e rëndësishme që i përket pyetjeve morale është edhe përgjegjësia prindërore (atërore dhe amënore). Kësaj çështje islami, ashtu si edhe të gjitha fetë tjera, i kushton kujdes dhe rëndësi të madhe. Prindërit janë të obliguar që sa më shumë të marinë pjesë në edukimin dhe shkollimin e fëmijëve të tyre, dhe mos lejon që gjithë këtë funksion ta mbajnë shkollat dhe çerdhet.

Të gjitha këto probleme kërkojnë nga dijetarët islam, nga lëmi i ahlakut, të drejtës sheriatike, të përgjigjen rreth këtyre dilemave dhe provokimeve të kohës. Të gjitha këto pyetje në radhë të parë janë sjellje morale dhe propaganda më e madhe kundër tyre bëhet nga pikëpamja e moralit.

Vlerat morale dhe sekularizmi

Vlerat morale janë vlera natyrore të cilat Allahu, xh.sh., i ka mbjellur në zemrat e besimtarëve. Besimtarët u përmbahen këtyre vlerave sepse natyra dhe feja e tyre këtë e kërkon. Nga ana tjetër sekularizmi vendos dy gjëra fondamentale në zemrat e njeriut, të cilat kanë të bëjnë me vlerat morale.

Bëhet fjalë për largimin e fesë nga jeta politike, në atë mënyrë që feja të lihet apo të mbyllet në muret pa dritare të faltoreve. Çështja e dytë është lënia e vlerave natyrore si bazë e vendosjes së legjislacionit.

Sekularizmi në përcaktimin e tij qenësorë (esencial) nuk e pranon fenë dhe formën e tij perëndimore nuk shikon në kriteret e vlerave natyrore se a ka diçka të mirë apo të keqe për njerëzimin. Disa grupe në shoqëritë shekullare përkrahin homoseksualizmin sepse dëshirojnë të njëjtat të drejta dhe mundësi në të gjitha aspektet e jetës. Ata qëndrimin e tyre e bazojnë në principin e të drejtave individuale sepse askujt nuk i intereson “orientimi seksual” i tyre. Të njëjtin argument e përdorin përkrahësit e abortit. I vetmi argument që kundërshtarët e tyre mund ta përdorin është se një sjellje e tillë kundërshtohet nga pjesa më e madhe e popullatës. Edhe pse bazë për shumë njerëz që e kundërshtojnë abortin janë vlerat morale dhe religjioze, ata nuk mund qartë ti përdorin argumentet religjioze dhe morale sepse shoqëria shekullare nuk i pranon.

Reinkarnimi

Kur’ani flet mbi reinkarnimin si përcaktim leksikor në katër ajete, në katër sure të ndryshme. Kur’ani askund nuk flet mbi “reinkarnimin e shpirtit”. Qëndrime të tilla teologjike nuk gjejmë edhe tek Muhammedi, a.s. Në ato sure në realitet flitet mbi një reinkarnim tjetër, gjegjësisht mendohet në shkrimet e shenjta të mëhershme biblike dhe evangjeliste të transmetuara në Kur’an, si botëkuptime të amshueshme të Zotit.

Problemi i propagandës në islam ( dhe teologjia morale)

Sa i përket reklamës dhe propagandës, nga pikëpamja morale llogariten si diskutabile, posaçërisht ajo komerciale. Në të gjitha religjionet tregimi i diçkaje të pavërtetë konsiderohet gënjeshtër e madhe, falsifikim, kurse në religjionet qiellore ajo është njëra nga mëkatet e mëdha.

Jusufi a.s. – shembull i pastërtisë dhe moralit

Sikur që është Isai, a.s., kolos në varfëri, Ejjubi, a.s., në durimin nga sëmundja, Ibrahimi a.s, në kundërshtimin e ashpër të shirkut, Sulejmani a.s. në urtësi dhe udhëheqësi, Jusufi a.s, është kolos në modesti dhe pastërti.

“E ajo, në shtëpinë e së cilës ishte Jusufi, i bëri lajka atij dhe ia mbylli dyert e i tha: “Eja!”. Ai (Jusufi) tha: “All-llahu më ruajtë, ai zotëriu im (e burri yt) më nderoi me vendosje të mirë (si mud t’i bëj hile në familje)?”. S’ka dyshim se tradhtarët nuk kanë sukses. Ajo e mësyni atë qëllimisht, e atij do t’i shkonte mendja ndaj saj, sikur të mos I prezentohej argumenti nga Zoti i tij. Ashtu (e bëmë të vendosur) që ta largojmë nga ai të keqen dhe të ndytën. Vërtet, ai ishte nga robtë tanë të zgjedhur. Dhe, që të dy ata u ngutën kah dera, e ajo ia grisi këmishën e tij nga mbrapa dhe pranë dere ata të dy e takuan burrin e saj, e ajo tha: “Çfarë mund të jetë ndëshkimi i atij që tenton të keqen në familjen tënde, përpos të burgoset, ose dënim të dhembshëm!?” Ai (Jusufi) tha: “Ajo m’u vërsul mua!” Një dëshmitar nga familja e saj gjykoi: “Nëse këmisha e tij është grisur përpara, ajo ka thënë të drejtën, kurse ai gënjen. E nëse këmisha e tij është grisur prapa, atëherë gënjen ajo, kurse ai është i drejtë”. (Jusuf, 23-24)

Allahu, xh.sh., në Kur’an na flet mbi pejgamberët të cilët duhet që për ne të jenë shkëndija (fenerë) të moralit. Të gjithë muslimanët, e sidomos të rinjtë, në këtë personalitet kur’anor, në personalitetin e Jusufit, a.s. duhet ta gjejnë rrugën dhe mbështetjen. Kjo është mënyra e vetme që t’i rezistohet anarkisë morale të shoqërisë bashkëkohore.

Përfundim

Allahu, xh.sh., na e shpalli Kur’anin si udhëzim dhe na e dërgoi të Dërguarin tonë Muhammedin a.s. që të na e transmetojë dhe sqarojë atë. Vet Muhammedi, a.s., insistonte shumë në përmirësimin e sjelljeve të njerëzve, e që konsiderohet si njëra nga detyrat kryesore të tij. Secili njeri duhet të synojë që tek vetja t’i mbjell cilësitë e mira, dhe të largohet nga të këqijat. Në botën e sotme problemet më të mëdha janë të karakterit moral, dhe detyra më e madhe e bashkësive fetare dhe zyrtarëve të saj është që t’i zgjidhin këto probleme. Mbi shumë çështje mbi të cilat sot bëhen debate të mëdha, Kur’ani ka dhënë qëndrimin e tij para 14 shekujve. Për fat të keq shtetet e sotme islame disa nga këto çështje nuk i marinë me seriozitet. Për shembull, problemi ekologjik, njëri ndër problemet më të mëdha të botës bashkëkohore, aspak nuk shqyrtohet, e jo më të merren me të. Ekologjia sot aspak nuk përmendet në aktivitetet fetare. Kësaj çështjeje, sikur edhe shumë të tjerave, patjetër duhet t’i kushtuar një kujdes i madh. Kurse teologjia morale, respektivisht teologët moral duhet patjetër që veten ta vendosin në detyrën e zgjidhjeve të këtyre çështjeveve.

Burimi:
http://www.monteislam.com/index.php?akcion=columns&main_id=121

Përktheu:
Arsim Dauti

Literatura :
1. Kur’an Fisnik.
2. Dervish Spahiç “Pojave u moralu i bogobojaznosti”, Sarajevë, 1988.
3. Mustafa Spahiç “Musa a.s. dhe faraoni”, Sarajevë, 1990.
4. Zbornik radova trecek simpozija “Etika u islamu”, Zagreb, 1990.
5. Muhamed Abduhu “Rasprava o islamskom monotoizmu”, Sarajevë, 1989.
6. Shaban Hoxhiç “Ahlak”, Sarajevë, 1939.
7. Zbornik radova sa znasvenog simpozija, Filozofskog fakulteta Druzhbe Isusove- Teoloskog instituta Druzhbe Isusove i Teoloshkog fakulteta Sveucilishta u Innsbrucku o reinkaciju i uskrsnucu “Reinkanacija i/ ili uskrsnuce”, Filozofski niz, djelo Zagreb 1977.
8. Muhamed Hamidullah “Muhammed a.s. – djelo”, Zagreb, 1977.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme