ÇELET NË TIRANË UNIVERSITETI “BEDËR”

Nën kujdesin e Kryesisë së Komunitetit Mysliman të Shqipërisë (KMSH), më datë 7 Prill 2011, ditën e enjte ora 11:00 do të organizohet ceremonia e çeljes së Universitetit BEDËR. Ceremonia do të organizohet në mjediset që vetë qeveria ka dhuruar për këtë universitet.

 

Në ceremoninë e rastit, përkrah Kryetarit të KMSH-së, Haxhi Selim Muça, do të marrë pjesë edhe Kryeministri i Republikës së Shqipërisë z. Sali Berisha, anëtarë të kabinetit qeveritarë, parlamentarë, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, përfaqësues të komuniteteve të ndryshme fetare në vendin tonë si dhe shumë akademikë shqiptarë dhe të huaj.

 

Me vendim të Këshillit të Ministrave, KMSH vendosi të çelë në Shqipëri për herë të parë një universitet që do ti kushtojë një vëmendje të veçantë zhvillimit të aktiviteteve dhe promovimit të vlerave islame, pa prishur ekuilibrat dhe trashëgiminë e besimit tradicional shqiptar, i cili ka rezultuar të jetë një model ideal për vendin tonë, duke u përputhur plotësisht me parimet e ruajtjes së harmonisë mes besimeve të ndryshme që ka shoqëria shqiptare.

 

Universiteti BEDËR do të ofrojë programe studimore të ciklit të parë në dy fakultete me gjashtë departamente. Në Fakultetin e Shkencave Humane do të ofrohen programet e studimit nën Departamentin e Shkencave Islame, Departamentin e Shkencave Juridike dhe Departamentin e Shkencave të Komunikimit. Ky fakultet do të përmbajë gjithashtu edhe një qendër kërkimore “Për Dialogun Ndërfetar dhe Ndërkulturor”. Fakulteti i Filologjisë dhe Edukimit do të ofrojë tre mundësi të tjera studimi në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Arabe dhe Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Turke. Ndërkohë, në këtë fakultet do të jetë aktive edhe Qendra kërkimore-zhvillimore “Për Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe”.

 

Universiteti BEDËR do të jetë një institucion i standardeve ndërkombëtare, duke synuar tërheqjen dhe arsimimin e të rinjve jo vetëm nga Shqipëria dhe hapësira mbarë-shqiptare  por edhe nga vendet e tjera të rajonit dhe Evropa, duke u bërë kështu një qendër e promovimit të vlerave islamo-shqiptare.

 

Mësimdhënia në Universitetin BEDËR do të zhvillohet në gjuhët arabe, shqipe dhe turke, ndërkohë që edhe gjuha angleze do të jepet në mënyrë intensive  si lëndë e gjuhës së huaj gjatë gjithë kohëzgjatjes së studimeve.

 

Universiteti BEDËR, i pari i këtij lloji në Shqipëri, me një infrastrukturë moderne dhe nën kujdesin e një stafi të përkushtuar akademik, ofron mundësi studimi të mbështetur në  kurrikula në përputhje me standardet bashkëkohore ndërkombëtare, programe studimi multidisiplinore dhe mundësi për marrjen e dy diplomave.

 

Universiteti BEDËR synon përshtatjen me konceptin akademik të parimeve themelore Islame dhe njerëzore, duke vlerësuar traditën mbarë-shqiptare dhe vlerat universale. Përgatitja e specialistëve të lartë, në përputhje me kërkesat dhe nevojat e shoqërisë në ndryshim dhe zhvillim si dhe ndërmarrja e studimeve dhe punës kërkimore për çështje sociale që shqetësojnë myslimanët shqiptarë dhe shqiptarët në tërësi në hapësirën ku jetojmë është një tjetër synim i rëndësishëm i Universitetit BEDËR.

 

Puna kërkimore dhe studimore në shkencave sociale dhe fetare  për të pasur një shoqëri të mbushur me vlera; Promovimi dhe forcimi i harmonisë fetare, tolerancës, bashkëjetesës dhe bashkëpunimit,  dialogut ndër-fetar dhe atij ndërkulturor; Promovimi i modelit shqiptar të bashkëjetesës dhe tolerancës fetare dhe dialogut ndër-fetar në botë si dhe kryerja dhe publikimi i studimeve të përbashkëta ndër-fetare mes akademikëve dhe studiuesve të tre besimeve monoteiste janë një pjesë e rëndësishme që Universiteti BEDËR synon të realizojë nëpërmjet aktivitetit të tij.

 

Universiteti BEDËR do të pranojë një numër të kufizuar studentësh për çdo departament, duke synuar së pari cilësinë në përgatitjen e tyre. Kandidatët të cilët dëshirojnë të ndjekin studimet pranë Universitetit BEDËR, duhet të plotësojnë kriteret e nevojshme për regjistrim siç janë mesatarja mbi 8.00 e shkollës së mesme, kalimi me sukses i provimit të hyrjes apo rezultate të arritura në konkurse dhe provime të tjera të njohura në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare.

 

 

KOMUNITETI MYSLIMAN I SHQIPËRISË

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme