Mund të jesh duke pritur në një vend publik dhe je i dënuar të dëgjosh shijet e atij që e vendos atë. Je në taksi dhe e merr vesh nga muzika botëkuptimin e taksistit. Në linjat transportit qytetar, pasagjerët së fundmi së bashku me çmimin e ri të biletës e kanë të paguar edhe sfondin muzikor kryesisht me perlat e turbo folkut mediokër komercial. Në shëtitore apo trotuare, përveç muzikës së lartë të lokaleve njëri pas tjetrit, disa të ashtuquajtura “music shop”, eksportojnë me volum të lartë muzikë, që natyrisht nuk është për kalimtarët por për banorët e lagjes tjetër për karshi.
Në supermarkete apo qëndra tregëtare, gjen aq sa ka produkte edhe këngë, apo rastet kur gëzimi i dasmës së një familjeje kthehet në vajtim për të gjithë komshinjtë si pasojë e efektit shkatërues që sjell volumi i lartë i haresë.
Digjitalizimi gjithnje e më tepër i shoqërisë ka çuar në lehtësimin e infrastrukturave që prodhojnë muzikë. Këto të fundit pashmangshëm kanë filluar të kthehen në instrumente vetjake të secilit të cilat e shoqërojnë atë përgjatë gjithë aktivitetit të tij ditor.
Duke filluar nga kufjet e një Mp3 dhe duke mbaruar tek amplifikatorët vrasës të koncerteve live, muzika pa u lodhur punon gjithnjë e më tepër duke u futur në labirintet e trurit të secilit. Ashtu si njeriu postmodern ka ndryshuar shumë nga parardhësit e tij, edhe aktiviteti i tij ditor ka pësuar një transformim esencial.
Prodhimi apo shumëfishimi i gjithçkaje që ka të bëjë me muzikën është bërë jashtëzakonisht i lehtë. Po aq i lehtë është bërë edhe shumëfishimi i dijes. Të dyja këto falë kapërcimit mahnitës teknologjik, janë shërbime që lehtësojnë proçesin e përthithjes së informacionit. Por në ndryshim me dijen apo informacionin, muzika ka fituar betejën për të sunduar hapësirën botkuptimore të secilit., sidomos të brezit të ri.
E thënë ndryshe është zgjedhur proçesi më i lehtë dhe më pasiv i mbushjes me informacion të hapësirës ditore.
Në ndryshim nga dija e cila kërkon më tepër angazhim e cila stimulon intuitën dhe meditimin, dëgjimi i muzikës pa kriter kurdo dhe kudo, dalëngadalë udhëheq njeriun drejt mpirjes intelektuale duke kufizuar meditimin dhe tkurrur botëkuptimin e tij.
Aq shumë varësia jonë me muzikën është bërë e ndërthurur sa rastet që na sjellin në vete janë vetëm ato kur ndërpritet energjia elektrike. Menjëherë përvijohet një hendek i madh midis atij mashtrimi joshës euforik dhe mahnitës që të jep muzika dhe kthimit në realitet i cili na shpaloset plot me probleme.
I gjithe debati apo opinionet vërtiten mbi atë se sa mirë duhet që të administrojmë vetet tona, botëkuptimet tona dhe pasurimin informativ.
Sigurisht që idealja e një shoqërie njerëzore nuk do të ishte një pakicë e tkurrur e njerëzve të ditur që udhëheqin procesin e përthithjes së dijes dhe një shumice absolute e cila merr të gatshme produktin vetëm e vetëm si pasojë e bilancit difiçitar që ato kanë me kohën apo mbushjen e padobishme të saj me procese të njëanshme e pasive ndër të cilat renditet edhe teprimi me muzikën.
Çdo individ në vetvehte është një potencial i cili sipas shkallës së vet rrezaton dhe mund të kontribuojë në procesin e mendimit intelektual shoqëror si paraprirës i dobisë së përgjithshme, ndaj edhe nënvlerësimi i hapësirës kohore individuale është në radhë të parë nënvlerësim për vetvehten.