
Si dëshmitarë të revolucioneve të ndryshme të ndodhura në këto dekadat e fundit, qëndrojmë të habitur nga mënyra se si revolucioni i botës arabe po merr rrugë, për të mos thënë po humb rrugë. Kompromentimi i idealit të revolucionit, të protestës paqësore popullore dhe rrezistencës intelektuale karshi tërbimit uzurpator të pushteteve autokratike me anë të përdorimit të dhunës së shfrenuar ndaj popullatës dhe demonstruesve, ka humbur tingëllimën për ndryshime demokratike duke amplifikuar ushtimën e trishtë të luftërave civilë të cilat po përgjakin rajonin.
Preçedenti i përdorimit të gjenocidit mbi popullsinë libiane dhe pastaj në formë më të reduktuar mbi atë jemenitase apo siriane, ka sanksionuar në një farë mënyre formulën se me dhunë mund të zgjaten regjimet e vjetra diktatoriale të botës arabe. Çelësi i suksesit të protestave në Tunizi apo Egjipt ishte rrezistenca masive jo e dhunshme e cila solli ne rënien e rregjimeve, kjo u vërejt edhe në fazën e parë të kryengritjeve në Libi ku protestat masive bënë të mundur çlirimin e qyteteve të tëra. Kjo fazë e revolucionit, ku populli proteston paqësisht përballë makinerive ushtarake të këtyre regjimeve, pasohet me dekurajimin e elementëve të ushtrisë për të vepruar mbi një masë bashkëkombasish të pa armatosur e për pasojë fragmentarizon qëndresën e pushtetit duke i hapur rrugë rënies së tij.
Ajo çka ndodhi me Libinë në fazën e dytë të kryengritjes ku dezertimet e ushtrisë libiane u zëvendësuan me mercenarë dhe protesta, si pasojë e sulmeve të ushtrisë së Kadafit, u shndërrua në rrezitencë të armatosur, shënoi edhe etapën e futjes në qorrsokak të pranverës arabe. Ajo që përbën edhe faktorin e brëndshëm të frenimit të revolucionit arab është se natyra e diktaturave ka qenë dhe është e ndryshme në shtete të ndryshme.
Nëse do të duhej të tipizonim mënyrat e shoqërive autoritare të vendeve arabe ato ndahen në dy tipologji shtetesh autokratike.
Tipologjia e pare, përfaqësohet me shtete si Egjipti dhe Tunizia deri diku edhe Siria e Libani të të cilat kanë pasur një strukturë shtetërore deri në detaje, ku kastat e pushtetit ishin disi të pavarura të cilat edhe pse punonin për liderin kishin një autonomi konceptuale mbi shkallët e rendit qeverisës dhe për pasojë ato përbënin skemën dhe strukturën e pushtetit e cila kulmonte me diktatorin. Pushteti ekonomik ishte më i pavarur nga rrathët koncentrikë të familjes diktatoriale dhe ekonomia e tregut ishtë më fleksibël. Gjithashtu shoqëria civile, grupet e interesit edhe pse në formë jo të konfiguruar mirë dhe jo të lira, luanin një rol rrezistence qytetare, për të mos përmendur Egjiptin i cili kishte opozitarizmin brënda skemës qeverisëse ndonëse larg të qënurit të lirë dhe brënda kuadrit të një shteti të mirëfilltë të së drejtës. Kjo lloj tipologjie e realitetit dikatorial në këto vende ishte më e prirur të siguronte fitoren e revolucionit ngase realiteti i konceptimit dhe sjelljes sociale ishte në përmasa më të mëdha se sa diktatori dhe onturazhi i tij. Për këtë arsye e gjejmë rrugën e revolucionit në dy vendet e para si Tunizia dhe Egjipti me një destinacion dhe ide të qartë.
Tipologjia e dytë, përfaqësohet nga vende si Libia, Jemeni, Omani, Bahrejni, deri diku Algjeria dhe Maroku ku përmasa e diktatorit apo mbretit e tejkalon realitetin social apo thënë ndryshe diktatori apo autokrati identifikohet me vete ekzistencën e shtetit. Këta individë ose kanë shkrirë shkallët e pushtetit duke ndërtuar një pushtet vetjak si në rastin e Kadafit, ose kanë vënë në shërbim të tyrin strukturat ekzistuese të cilat të dobëta nuk mund të dalin mbi liderin. Në këto shoqëri si opozitarizmi po ashtu edhe pushtetit ekonomik ose nuk ekzistojnë mirëfilli, ose janë të ngulfatura nga pesha e autoritetit të diktatorit. Është pikërisht në këto tipologji shtetesh ku revolucioni has vështirësitë më të mëdha dhe ku rezistenca popullore duhet të jetë më stoike. Mirëpo, që rezitenca të jetë stoike duhet të shkojë paralelisht me dobësimin e strukturës së diktatit. Në momentin që diktatura kundërvepron dhunshëm dhe me intensitet të lartë gjenocidal, qëndresa masive popullore përthyhet duke e transformuar atë në grupe militare në miniaturë.
Po përse Libia i uli traun ndryshimeve qeverisëse në rajon përmes protestave jo të dhunshme ? Edhe pse një shtet i cili i përket tipologjisë së dytë të dikaturës arabe me një lider jo vetëm egocentrik por edhe një shtet të ndërtuar mbi ekzistencën e diktatorit, mundësia e revoltave popullore masive u shpërfaq me një simetri ekzemplare me ato të fqinjëve të vet Tunizisë dhe Egjiptit dhe përparimi i revolucionit libian qe i dukshëm deri në rrethinat e Tripolit.
Mendoj se janë disa faktorë të cilët ndikuan në frenimin e revolucionit arab.
Së pari, mos ndëshkueshmëria politikisht energjike nga institucionet ndërkombëtare dhe Bashkimit Evropian të përdorimit të dhunës në fillimet e revolucionit. Trajtimi i demokratizimit të botës arabe nga real politika evropiane si një çështje përtej pragut të shtëpise përsa kohë nuk dëmtohen interesat, i dha kurajo për ushtrim të gjenocidit ndaj popullsive të tyre ushtrive libiane, jemenitase, siriane, bahrejnase etj.
Së dyti, qënia pothuaj e të gjithë diktatorëve të botës arabo-muslimane aleatë strategjikë te Perëndimit dhe të SH.B.A –ve, bëri që reagimi i tyre ndaj popullsive respektive të ishte në mënyrë të nënkuptuar i mbrojtur duke luajtur kartën fort të preferuar të gardianëve ndaj rrezikut fundamentalist.
Së treti, ndërhyrja shumë kontroverse, e nxituar jo e planifikuar qartë dhe jo dukshëm në mbështetje të revolucionit, i dha një mezash diktatorëve ende në fuqi se përdorimi i dhunës mund të të zgjasë pushtetin. Gjithashtu ndërhyrja ne Libi dhe mos ndërhyrja në Bahrejn si dhe heshtja për Sirinë, dhanë mesazhin se demokratizimi për Perëndimin do të thotë ndërhyrje ku ka interes strategjik. Ngutja për të kapërcyer thjesht një “no fly zone” në një prolog pushtimi e fshinë përceptimin se rrezistenca popullore afatgjate përbën faktorin bazë për dobësimin e regjimeve, dhe jo vetëm kaq, por çoroditën këtë rrezistencë duke i shtuar edhe rrezikun e jashtëm.
Së katërti, ngritja në opinionin publik të botës arabe të dyshimit mbi atë se kush është i interesuar që ky rajon të mos demokratizohet. Aferat e Sarkozisë dhe Berluskonit me Kadafin e më gjerë, marrëveshjet e Sh.B.A-ve dhe financimet ndaj diktatorit Ali Saleh të Jemenit, shpallja e Mubarakut si aleati strategjik i Perëndimit dhe dhënia e rolit të negociatorit për krizën në Lindjen e Mesme, e shumë kompromise të Perëndimit në kurriz të idealeve të lirisë për hir të stabilitetit politik, të prodhimit të naftës, të marrëveshjeve ushtarake, kanë shtuar dyshimet mbi sinqeritetin e përkrahjes perëndimore.
Së pesti, zgjatja e pushtetit të Kadafit, ngritja e tij nga gërmadhat e bombardimeve dhe vazhdimi i sulmeve të mercenarëve të tij, janë mesazhi më i keq për suksesin e revolucionit arab. Ndjesia se edhe Nato është e pafuqishme të ndryshojë situatën i ka dhënë një kurajo të madhe diktatorëve ekzistues e sidomos Bashar al Assadit të Sirisë i cili po vret pa teklif protestuesit sirianë.
Revolucioni i botës arabe nuk mund dhe nuk duhet konsiderohet i humbur. Rreziku më i madh ndaj këtij revolucioni është detyrimi për të bërë kompromise. Kërkesat të cilat fuqitë perëndimore shtrojnë duke theksuar se cilado qeveri libiane që vjen duhet të respektojë kontratat e firmosura nga Kadafi, apo lufta ndaj organizimeve “islamike” duhet të vazhdojë, si dhe duhet garantuar një gardh mbrojtës ndaj emigrantëve nga Afrika Veriore për në Evropë, tregojnë se pak ose aspak ka ndryshuar mënyra e përceptimit që Perëndimi ka ndaj botës arabe dhe aspiratës së saj për liri. E vetmja mënyrë që revolucioni arab të triumfojë është fuqizimi dhe masivizimi i idealit popullor me çdo mjet dhe në çdo kohë.