Kritika të dijetarëve islamë ndaj teorisë së njohjes të Aristotelit

 

Aristoteli thoshte se njohja duhet të burojë së pari nga parimet e përgjithshme, gjë që duhet të arrihet përmes të përfunduarit, ndërkaq, për të njohur parimet e përgjithshme përcaktonte një metodë tjetër - të përgjithshmet të përftoheshin nga të pjesmet, pra, përmes induksionit. Metoda e përftimit të njohjes sipas Aristotelit është përmes të përfunduarit deduktiv dhe të përfunduarit induktiv . Kështu, kërkimi i Aristotelit për teorinë dhe metodat e njohjes përfundon në substancën e shkencës së logjikës, që është argumentimi.

 

Sa kohë t'ia përbëjë teoria e njohjes sipas Aristotelit themelin logjikës së tij dhe sa kohë të ketë pasur nga myslimanët që ia kanë kundërshtuar teorinë e njohjes; ky kundërshtim merret edhe si kundërshtim ndaj vetë logjikës që është ndërtuar mbi këtë themel.

 

Të kujtojmë se Aristoteli theksonte që nuk ka njohje tjetër veç njohjes së të përgjithshmes (gjenerales); që ekzistencë reale në të vërtetë është esenca (thelbi, çkaja) e gjësë; që njohja nuk lidhet me tjetër veç të përgjithshmeve (gjeneraleve) dhe që vetëm esencat (thelpinjtë, çkajat) janë të përgjithshme (gjenerale). Sado e interesonte njohja e të pjesmeve (partikulareve) apo njohja shqisore dhe e theksonte, Arsitoteli këtë lloj njohjeje e vështronte si një hap nga i cili kalohet dalëngadalë te kapja (përceptimi) abstrakte - kapja e esencave (thelpinjve, çkave). Thjesht, Aristoteli njohjes shqisore i njihte vlerën e meritën e fillimit dhe jo të përparësisë: sipas tij, njohje e vërtetë është vetëm njohja medoemos dhe njohja e përgjithshme (gjenerale), nuk mund të ketë njohje të së pjesmes (partikulares) nga vështrimi i saj si e pjesme, objekt njohjeje të vërtetë është vetëm e vetëm njohja e së përgjithshmes (gjenerales).

 

Këtë ide të Aristotelit e kundërshtuan e e kritikuan rreptësisht dijetarët islamë.

 

Ndërsa Aristoteli thekson që nuk ka njohje tjetër veç njohjes të së përgjithshmes (gjenerales), Ibën Tejmia thotë që burim njohjeje është shqisa apo përvoja dhe që njohja e së pjesmes është më e sigurt se njohja e së përgjithshmes; këtë e shprehte kështu:

 

"Të mençurit kanë më shumë siguri për njohjen e të përveçmeve (individualeve) se për njohjen e të përgjithshmeve (universaleve), kanë më shumë siguri për njohjen e llojeve (specieve) se për njohjen e gjinive (genusëve). Njohja e të përveçmeve është më e hershme në njeriun se njohja e të përgjithshmeve, prandaj siguria e tij për njohjen e të përveçmeve është më e madhe.

 

Nuk bën të thuhet se njohja e të përveçmeve (individualeve) është e varur nga njohja e llojeve dhe e gjinive të tyre, as se njohja e llojeve është e varur nga njohja e gjinive, sepse njeriu mund të dijë, ta zëmë, se është i ndjeshëm e se mund të lëvizë sipas dëshirës, para se të mësojë se i tillë është çdo njeri, dhe njeriu arrin të mësojë se çdo njeri është i tillë para se të mësojë se edhe secila qenie e gjallë është e tillë."

 

Sipas Ibën Tejmies njohja ka të bëjë me të përveçmet (individualet), ndërkaq njeriu arrin njohjen e të përgjithshmeve (universaleve) jo me argumentim logjik, porse përmes gjykimit të së papranishmes analogjikisht me të pranishmen; lidhur me këtë gjykim Ibën Tejmia shprehej kështu:

 

"Kur njeriu arrin të mësojë se gjithë njerëzit, madje gjithë qeniet e gjalla qenkan të ndjeshme dhe se mund të lëvizin sipas dëshirës; këtë njohje e arrin nëpërmjet krahasimit që tërheq ndërmjet të pranishmes dhe të papranishmes, se i papranishmi qenka si i pranishmi apo se i nënshtrohet të njëjtit shkak i cili e bën atë të ndjeshëm e të lëvizshëm sipas dëshirës. Këtë gjykim dhe shumë të tjerë si ky njeriu i arrin, pra, përmes analogjisë, në të cilën mbështeten fukahatë për të nxjerrë rregulla sheriati."

 

Ibën Tejmia binte idenë se njohje e vërtetë është vetëm njohja shqisore, do të thotë njohja e të përveçmeve; këtë e arsyetonte kësilloj:

 

 

"Ёshtë e pranueshme nga gjithë logjicistët dhe e kapur me mendje se silogjizmi logjik frytëzon vetëm falë një çështjeje, ndërkaq nga çështjet të cilat logjicistët i marrin si material e baza të silogjizmit, asnjëra nuk është çështje e përgjithshme (universale) për gjëra të pranishme dhe asnjërën sosh nuk ka mundësi të marrë trajtë të një çështjeje të përgjithshme (universale), veçse nëpërmjet logjikës abstraguese, e cila merr me mend gjëra të paqena.

 

E, kur logjicistët nuk marrin si material bazë të argumentimit të tyre asnjë çështje të përgjithshme për gjëra të qena, kjo i bie se çështja e përgjithshme nuk ka të njohur, nuk ka të ditur."

 

Ndërsa çështjet e përgjithshme nuk kanë të njohur, nuk kanë të ditur, njohja e dija kanë të bëjnë me ndijimet, asgjë prej të cilave nuk mund të jetë çështje e përgjithshme, dhe kanë të bëjnë njohja e dija me provën (eksperimentin), nga i cili gjithashtu përftohet njohje e dije për çështje të pjesme (partikulare).

 

Kësisoj, Ibën Tejmia kishte arritur jo vetëm të kundërshtonte postulatin aristotelian "njohje është vetëm njohja e së përgjithshmes", po kishte arritur edhe deri te prova (eksperimenti) me një kapje më të qartë se ç'arriti ta kapte Frensis Bekoni .

 

 

Ibën Tejmia kur kritikonte silogjizmin aristotelian, thoshte:

 

"Pastaj, logjicistët thonë se parimet e silogjizmit logjik janë dijet e sigurta, që janë :

 

ndijimet, të brendshme e të jashtme;

 

racionalet (intelektivet);

 

aksiomat;

 

të dhënat e besueshme, dhe

 

të provuarat (të eksperimentuarat).

 

Disa logjicistë këtyre u kanë shtuar edhe intiutivet (soditjet e gjalla, të dhënat e çiltëra, evidente).

 

Asnjë nga ndijimet, qofshin të brendshme dhe qofshin të jashtme, nuk mund të jenë çështje të përgjithshme, pasi secili ndijimi, i brendshëm a i jashtëm, ka të bëjë vetëm me gjëra konkrete, të cilat duhet më parë t'i ketë kapur njeriu me shqisa, prandaj njohjet ndijimore bëjnë pjesë te njohja shqisore.

 

Po kështu dhe prova (eksperimenti); asaj mund t'i nënshtrohen vetëm gjërat konkrete, të kapshme nga shqisat.

 

Intuitivet, sipas atyre logjicistëve që i quajnë për dije të sigurta, janë nga lloji i të provuarave. Dallimi mes intuitiveve dhe të provuarave është se prova lidhet me një veprim, si ngrënia e pirja, kurse intuita nuk lidhet me ndonjë veprim, si dallimi i formave të hënës me të ndërruar pozicioni i saj ndaj diellit, gjë që në të vërtetë është provë shkencore, paçka se nuk ndërmerret ndonjë veprim. Ç'përftohet nga intuita është gjë konkrete, e pjesme, dhe nuk mund të jetë çështje e përgjithshme, nuk mund të kthehet në te përgjithshme duke iu nënshtruar analogjisë."

 

Njohja sipas Ibën Tejmies përftohet përmes provës shqisore edhe kur ka të bëjë me aksiomat; ai thoshte:

 

" Njohja e përftuar përmes provës shqisore është më e saktë, më e kthjellët dhe më e plotë: kush sheh me sy të vet Zejdin në një vend dhe Omerin në një vend tjetër, nuk ia ka nevojën, për të argumentuar këtë, të thotë që një trup i vetëm nuk mund të gjendet njëherësh në dy vende…"

 

Çështja e përgjithshme nuk mund të jetë e ditur saktësisht me përjashtim kur përftohet nga metoda e provës shqisore; Ibën Tejmia thoshte:

 

"Ne me shqisa kapim djegien e këtij e të atij zjarri, po nuk kapim me shqisa se çdo zjarr është djegës, po të niseshim nga çështja e përgjithshme se çdo zjarr është djegës nuk do të kishim metodë me të cilën ta matnim vërtetësinë e kësaj çështjeje përveç metodës duke i vërtetuar një për një rastet konkrete."

 

Dija e vetme e cila ka vlerë sigurie, sipas këtyre fjalëve, është dija për çështjet e pjesme (partikulare), që kanë ekzistencë të jashtme konkrete, si: ky e ai zjarr. Njohja e të pjesmeve është më e plotë, dhe më e kthjellët, dhe kjo sepse për burim njohjeje ka provën. Prova bëhet për çështje konkrete. Njohja intuitive, që disa e renditin nga dijet e sigurta, është nga lloji i njohjes së provuar, eksperimentale, veçse ndryshe nga e provuara, intuitivja përftohet pa pasur nevojë të kryhet ndonjë punë. Dija se zjarri djeg nuk është çështje e përgjithshme, pasi, - siç thotë Sujutiu, - përftohet nga prova e edhe nga e zakonshmja, që është nga lloji i metodës së të përfunduarit të zhdrejtë analogjik.

 

Këto mendime e këta shembuj vallë a nuk na biejnë në mend Xhon Stjuart Milin, i cili në librin "A system of logic (sistemi I logjikës)" flet njëjtë si Ibën Tejmia dhe zë shembuj të njejtë me të tijtë?

 

Këto fakte që shtruam a nuk mjaftojnë të vërtetojnë që myslimanët u paraprinë të tjerëve të rrënonin themelet e logjikës aristoteliane dhe të ndërtonin logjikën e re - logjikën e induksionit shkencor apo metodën eksperimentale?

 

Dhe a solli Frensis Bekoni më shumë se ç'kishin sjellë dijetarët islamë?

 

Frensis Bekoni tërhiqte vërejtjen të mos përdorej silogjizmi aristotelian; të mos nisej nga supozime që skolastët (shkollarët) i supozonin të mbështetur vetëm në imagjinatë, pa i studiuar mirëfilli, dhe shprehte habinë pse njerëzit shenjtëronin mendimet e Aristotelit dhe pse jepeshin pas së vjetrës, klasikes, vetëm e vetëm pse ishte e vjetër.

 

Ne, nga ana jonë, shprehim habinë si disa mendimtarë tanë të sotëm nuk i gjetën këto vështrime në trashëgiminë shkencore islame.

 

Meritë e veçantë i njihet Bekonit që dha ndihmesë të lirohet mendja nga gabimet që mund të bëjë e nga pengesat që mund t'i dalin.

Gjithë gabimet që mund të bëjë dhe gjithë pengesat që mund t'i dalin mendjes së njeriut, Bekoni i gruponte kështu:

 

1) pandehma të gjinisë,

 

2) pandehma të shpellës,

 

3) pandehma të tregut, dhe

 

4) pandehma të teatrit.

5)

Vërtet Bekoni emra të goditur e të bukur u vuri, prandaj shumë prej nesh na ka ëndja t'i përmendim, por përmbajtja sa kanë këto grupe pandhmash është krejt e paktë në krahasim me përmbajtjen rreth pandehmave që kihet në trashëgiminë islame. Madje, s'është e tepërt të thuhet, çfarë thotë Bekoni në këtë fushë nuk është më shumë se shpjegim sipërfaqësor i disa shenjave themelore me të cilat Kurani fisnik u tërheq vërejtjen besimtarëve lidhur me diturinë, njohjen e besimin.

 

Le të shqyrtojmë një grup nga këto grupe pandehmash që lajthit mendjen e ngatërron gjykimin: kemi fjalën për atë grup të pandehmave që Bekoni e quante "pandehma të teatrit" e me të cilin grup kishte për qëllim gabimet në të cilat njeriu bie me vetëdije, sepse përvetëson pa peshuar mendimet e filozofëve e të mendimtarëve që simpatizon.

 

Për këtë grup pandehmash dijetarët islamë bënë fjalë aq shumë dhe tërhoqën vërejtjen se u duhej shmangur. Qortonin shkërbimin ( imitimin) dhe shkërbyesit, imam Gazaliu për studimet e ithtarëve të drejtimeve apologjetike thoshte se të shumtën e rasteve përfundojnë në një lloj arrogance e keqkuptimi ndaj atyre që nuk mendojnë si ta dhe kjo ua shuan dritën e të menduarit e ua mbyll derën e ixhtihadit, dhe, edhe më shumë se kaq, ata ithtarë shkërbyes nganjëherë mendojnë se t'u kundërshtohen mendimet është dalje nga feja e kështu hapet dera e idesë se gjithë të tjerët janë të dalë nga feja, sa kohë që shkërbyesi nuk ka ndonjë kriter me të cilin të peshonte mendimet e studiuesve të shkencës së akaidit.

 

Për të dëshmuar qëndrimin e theksuar mohues që mbanin dijetarët islamë ndaj shkërbimit, mjafton të njihemi me përvojën e Gazaliut, i cili vinte dyshimin metodik mbi çdo njohuri të përparme.

 

Ibnulveziri sqaronte se disa grupe islame gabuan në gjykimet e veta pikërisht pse kishin shkërbyer.

 

Dijetarët islamë tërhiqnin vërejtjen se dijetari u duhet shmangur pasionit të vet, dëshirës për t'iu përshtatur rrethit ku jeton, shkërbimit të të mëparshmëve pa ua peshuar mendimet dhe gjithçkaje që mund t'ia lajthitë mendjen nga e vërteta; sepse kështu i mësonte Kurani i madhëruar.

 

Në shumë vende në Kuran urdhërohet të mos udhëheqë pasioni dhe thuhet se pasioni është shkak I lajthitjes:

 

"Thuaj:" Jam urdhëruar të mos adhuroj ata që adhuroni ju veç Allahut", thuaj:" nuk ndjek pasionet tuaja, ashtu kisha për të lajthitur e nuk kisha për të qenë nga të përudhurit"."(Elenam: 56)

 

"ç'keni ju që të mos hani nga ajo për të cilën është përmendur emri I Allahut, tashmë jua ka sqaruar ç'është haram për ju përveç rasteve kur jeni të shtrënguar. Të shumtët lajthitin të tjerët sipas pasioneve të veta e pa asfarë dije, po Zoti juaj I di më së miri ata që kalojnë kufijtë." (Elenam: 119)

 

"Por, ata që bënë zullum ndoqën pasionet e veta pa pasur asfarë dije, e kush mund t'i përudhë ata që Alllahu i lë të humbur, ata s'kanë për të pasur ndihmëtarë." (Errum:29)

 

"A e pe atë që për zot quan pasionin e vet, a ti do t'i jesh mbrojtës?" ( Elfurkan: 43)

 

Kurani urdhëron të mos veprohet sipas pandehmës dhe thekson dallimin mes saj dhe dijes së vërtetë:

 

"Nëse u nënshtrohesh më të shumtëve që janë në tokë, të lajthitin nga rruga e Allahut, ata nuk ndjekin tjetër veç pandehmës dhe nuk janë tjetër veç që gënjejnë."

(Elenam:116)

 

"…ju mbështeteni vetëm në pandehmën (hamendjen), vetëm gënjeni." (Elenam: 148)

 

"Pjesa më e madhe e tyre mbështeten vetëm në pandehmë e pandehma nuk është asgjë ndaj së vërtetës, Allahu di mirë se çfarë veprojnë." ( Junus: 36)

 

"…po ata pasojnë vetëm pandehmën dhe çfarë u ka lakmi shpirti, sado u erdhi nga Zoti udhëzimi." (Ennexhm: 23)

 

Kurani qorton shkërbimin dhe tërheq vërejtjen për të:

 

"Ata i thanë:" a na paske ardhur që ta adhurojmë Allahun e të braktisim çfarë adhuronin prindërit tanë, na sill atë që po premton". Hudi u tha:"Mbi ju ranë dënimi dhe zemërimi nga Zoti juaj…" ( Elaraf: 70, 71)

 

Kurani qorton të gjykohet pa vrojtim, pa dëshmi:

 

" Edhe melaqet që janë adhuruese të Zotiti I quajtën femra,vallë mos i panë si u krijuan ato?Dëshmia e tyre ka për t'u shkruar dhe ata kanë për të dhënë përgjegjësi."( Ezzuhruf : 19)

 

Kurani kërkon të shtrohen argumentet:

 

"A morën zota të tjerë veç Tij ? thuaj:" sillni argumentin tuaj" Ky Kuran është argument për këta që tani janë me mua dhe për ata që ishin para meje, po shumica e tyre nuk e dinë të vërtetën, prandaj dhe janë të padëgjueshëm." (Elenbija: 24)

 

A lënë këto vërejtje që tërheq Kurani, - këso vërejtjesh tërheq aq shumë Kurani ,- pa përmendur ndonjë gjë që e çon në gabim njeriun e të cilën ta gjejmë te pandehmat e Bekonit?

 

A kemi farë të drejte pastaj ne myslimanët që parësinë për arritjen e metodës shkencore t'ia njohim Bekonit, ndërkaq që lexojmë Kuranin në të 5 faljet e ditës ?!

 

Autor: Essejjid Rizkulhaxher-i, profesor në Universitetin e Kajros

 

Përktheu: Ilmi REXHEPI

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme