Laicizmi, asnjanësia dhe hapësirat publike

Në historinë e tij të gjatë e cila përbëhet nga një bashkësi ende e pambyllur shekujsh, njeriu është katapultuar drejt zgjidhjesh të cilat kanë tentuar në më të shumtën e rasteve për të stabilizuar një marrëdhënie ndërnjerëzore e cila si qëllim kryesor të saj do të duhej të kishte mirëkuptimin. Duke i qëndruar besnik postulatit  “më parë jep provime pastaj mëson gjëra”, atij i është dashur të paguajë kosto të mëdha përgjatë historisë së tij që pas kësaj të nxirrte mësime se si duhej administruar bashkëjetesa. Një ndër këto të ashtuquajtura “mësime”, është edhe aplikimi i Laicitetit (Laïcité)  në ato shoqëri ku përbërësi fetar ka dështuar së rregulluari gjërat apo kur ky përbërës me gjuhën e focës është detyruar të strukej në kthinat e shoqërisë dhe si pasojë administrimi i përditshmërisë së njerëzve kanonikë ose jo në lidhje me religjionin, i ka kaluar një sistemi të sajuar i cili luan rolin e një amortizatori social, që për hir të së vërtetës më vonë mori  ngjyrimet e një sistemi të mirëfilltë politik.

 

Dukuria apo fenomeni i parë në lidhje me këtë mënyrë administrimi, u shfaq në historinë e një shteti evropian siç ishte Franca dhe kjo në dy etapa  të rëndësishme të historisë së saj të cilat ishin vitet e para të Revolucionit të vitit 1789, më pas vitet e të ashtuquajturës Republika e Tretë e cila përbën një periudhë më të gjatë nga 1879 deri më 1905 ku ndarja mes shtetit dhe Kishës Romano-Katolike u bë me ligj. Por idetë më të hershme të një shteti që garantonte një bashkëjetesë sociale në një republikë, u hasën në vitin 1756 në  termin “kontratë sociale” te formuluar nga Jean Jaques Rousseaus e cila më vonë në terminologjinë franceze u quajt ”religion civil”1. Në esencë,  ky koncept përfshinte të drejtën e individit për dinjitet, barazi thelbësore sociale, pavarësisht gjinisë, besimit, kombësisë, kulturës, shtresëzimit social etj.

 

Laiciteti (Laïcité) përkthehet apo interpretohet nga fjalorë të ndryshëm si sekularizëm duke përkufizuar me këtë term abstenimin e përfshirjes së religjionit në çështjet qeverisëse, sikundër abstenimin e qeverisë në çështjet religjioze. Më vonë, përgjatë shekullit të kaluar, ky term u interpretua si “trajtim i barabartë i religjioneve”2, dhe në termin e një afishimi zyrtar, principi i Laicizmit përkufizohet si: “ndarje e kishës (ose besimit) nga shteti”3. Në origjinën e vet, terminologjia e përdorur është bazuar në termin Laity që nënkupton mos qënien klerik i Kishës. Pas Revolucionit Francez, kuptimi terminologjik u shndërrua në një koncept më të gjërë duke e mbajtur të ndarë religjionin nga pushtetit ekzekutiv, legjislativ e juridik, duke u shndërruar në një koncept të një shteti pa religjion zyrtar.

 

Ajo çka duhet kuptuar është se ky sistem tashme politik, siç është Laicizmi, duke qenë se vjen nga historia si kurorëzim i përpjekjeve të dhunshme të Revolucionit Borgjez Francez të 1789-tës, jo domosdoshmërisht trupëzon në vetvehte parime e principe të spikatura siç janë toleranca, asnjanësia dhe deri edhe barazia, pavarësisht proklamimeve të veta si sistem i aplikuar. Kjo për arsye se Laicizmi është produkt historik konflikti, të rrëzimit të dominimit të Kishës dhe Monarkut. Laicizmi nuk lindi si një vlerë shoqërore unifikuese përbashkuese e shoqërisë dhe e kombit francez, fillesat dhe burimet e kësaj lëvizjeje janë pasqyrë  e periudhave historike të Republikës së Tretë të mbushura me konflikte, antagonizma si dhe paragjykime shtresore e sociale.

 

Për pasojë edhe laiciteti francez i post revolucionit që u kthye në një politikë zyrtare mbi njëqindvjeçare në Francë, u adresua më shumë kundër religjionit duke u kthyer në një mekanizëm i cili kishte marrë përsipër të mbronte shtetin dhe shtetarët e vet nga hijet dhe fantazmat historike të dominimit të klerit në jetën publike. Kjo strukturë, ky ndërtim marëdhëniesh, ky produkt historik i konvertuar në sistem qeverisës, pësoi një përhapje të shpejtë kryesisht në shtetet evropiane dhe latine duke vënë bazat e sistemit të sotëm qeverisës.

 

Qasje laike ndaj Laicizmit

 

Për shumë njerëz, por edhe për shume forume apo media ne botë, përfshirë edhe ato shqiptare, kuptimi i Laicizmit është  formësuar dhe strukturuar në përceptim si superioritet publik i agnosticizmit dhe agnostikëve mbi çdo religjion apo përkatësi religjioze. I kthyer tashmë në quasi religjion Laicizmi është munduar të zëvendësojë dominimin e religjiozitetit në shoqërinë njerëzore përgjatë shekujve, ku në emër të asnjanësisë në shoqëritë moderne dhe postmoderne shumpërkatësore, ka vulosur dominimin e vet në përdishmërinë dhe sferën publike.

 

Ky realitet, dashur pa dashur hap debatin mbi konceptin se çfarë përfaqëson një hapësirë publike dhe çfarë marrëdhënie ka individi apo shtetari me të. Francesc Rovira Llopart4 shpreh dyshimin nëse është kuptuar hapësira publike si një  koncept homogjen në mendjet e individëve me përkatësi të ndryshme përshirë edhe atë religjioze, apo kuptimi për hapësirën publike është i ndryshëm heterogjen në përkatësi heterogjene njerëzish? Ai në fakt konstaton se, në sjelljen sociale të strukturave shtetërore si bartëse dhe aplikuese të Laicizmit shihet një soj frike nga një le të themi “infektim” i hapësirës publike nga sjellje, paraqitje, performanca individuale apo kolektive të religjionit apo religjiozitetit. Kjo lloj frike, ku në disa raste është transformuar në fobi, ka bërë që hapësirat publike të trajtohen si pronë e një grupimi të caktuar njerëzish të cilët janë përfaqësues të ateizmit si mendësi apo agnostikës.

 

Ajo që supozohej se duhej të bënte Laicizmi nga misioni i vet hisorik, ishte garantimi që pushtetet publike të ardhura me mjete demokratike, në kontekstin institucional sekular, duhej të garantonin mos diskriminimin apo  mos privilegjimin e njërës palë në kurriz të tjetrës.

 

Ajo çka ka ndodhur në dekadat e fundit në Bashkimin Evropian përbën një set eksperiancash apo platformash të cilat kanë shndërruar krejtësisht botëkuptimin e vjetër të fiksacioneve nacionaliste apo të kulturave nacionale të fillim shekullit të kaluar, duke sjellë perspektivën e një kuptimi më të gjërë të konceptit të të qënurit të bashkuar në ndryshueshmëri. Për rrjedhojë, edhe koncepti për neutralitetin e strukturave të pushtetit dhe hapësirave publike karshi një popullsie gjithmonë e më të ndryshme në traditat e kulturat religjioze,  ka pësuar një zbutje krahasuar me konceptin e vjetër e tepër strikt të laicizmit jakobin.

 

Mirëpo, problemet që po has kultura perëndimore për të mbrojtur disa vlera të veta, të cilat ajo fuqishëm po mundohet t’i sanksionojë si “vlera evropiane” të barabarta me “vlera universale”, shprehen në disa vështirësi që përballet ajo kohët e fundit për të akomoduar kultura të ndryshme religjioze brënda një shteti sekular. Kjo ka të bëjë me luhatjet e  konceptit mbi sekularizmin në këto vende. Ky koncept sekular mbi shtetin e sidomos koncepti francez mbi sekularizmin, largohet nga të qënurit neutral duke krijuar kështu një të ashtuquajtrin “religion civil” të vetin i cili ka regullat e veta dhe përpiqet të stabilizojë marrëdhënie me kulturat e tjera.

 

Por, theksimi deri në  fiksacion i vlerave evropiane si vlera universale në disa vende si Franca duke thjeshtuar të gjithë trashëgiminë kulturore të globit, apo duke e pozicionuar atë në nivele inferiore, në fakt, vë në rrezik vetë këto vlera. Komisioni Stasi (Stasi Commission5)  në Francë  e përshkruan laïcité si vlerë themeluese kombëtare. Për të kuptuar historinë e laicitetit duhet kuptuar pasuria e kuptimeve të saj – shprehet ky komision -  dhe se laiciteti është element konstituitiv i historisë kolektive franceze dhe do të ishte i rrezikshëm dështimi me të.

 

Sot, çështja që shtrohet është se; a gjenereon religjioni kulturë në vetvehte dhe nëse po, atëherë si mundet që kjo kulturë të margjinalizohet në të drejtën e vet për t’u afishuar në sferat publike? Cili është përkufizimi i shtetit laik, sekular?  Georges C. Liénard e përkufizon këtë dilemë në formën e shtetit sekular dhe individit sekular. Ai thotë : “Duke e parë problemin nga një këndvështrim më pragmatik, një shtet është sekular kur ligjet dhe rregullat e tij nuk sanksioniojnë de facto diskriminim mes qytetarëve përsa i përket besimeve të tyre, përfshirë edhe besimet  fetare”6. Më tej ai vazhdon: “Qytetari sekular është ai i cili e zhvillon jetën e vet në atë formë në të cilën nuk është bazuar në bindje religjioze, por,  përpiqet për të krijuar një shoqëri demokratike të hapur për rryma të ndryshme mendimi”.

 

Modeli i laicizmit anglo—sakson i pëfaqësuar nga ai kanadez dhe amerikan është modeli i cili është më afër konceptit të neutralitetit dhe e ruan këtë edhe në sferat publike. Komisioni për Akomodimin e Praktikave lidhur me ndyshimet kulturore ne Quebec/Kanada ne vitin 2007 është shprehur kundër kufizimit të hapësirave publike në emër të sekularizmit dhe ka bërë avokaturën për prezencën publike të diversitetit fetar. Komisioni lidhur me këtë çështje shprehet  

:”mënyra më e ndjeshme dhe më efektive për t’u përshtatur me ndryshueshmërinë e kulturave, përfshirë edhe përkatësitë religjioze, është duke mos i fshehur ato por duke i shfaqur ato. Ky është edhe një kusht i cili na mundëson neve t’i promovojmë ato dhe në të njëjtën kohë të përfitojmë nga ato”7.

 Kjo në fakt, përbën edhe kuptimin më të drejtë për atë që mund të quhet asnjanësi në qëndrimin publik ndaj popullsive me përbërës të ndryshëm etno-fetar. Qëllimi i shoqërive pluraliste demokratike të cilat në baze të ndërtimit të tyre kanë shtetin e së drejtës, është garantimi i kushteve dhe mjeteve për të realizuar paqen sociale e cila vjen si pasojë e drejtësisë sociale. Kjo drejtësi sociale garanton që sfera publike e cila përfaqësohet edhe nga institucionet publike, janë hapësira ku anëtari i shtetit të së drejtës pavarësisht përkatësisë së tij ideore, ndryshueshmërisë së tij etnike dhe fetare, të jetë i barabartë në qasjen ndaj kësaj sfere publike.

 

______________________________________________________________

 

1

 

For studies of the revolutionary period, see A CRITICAL  DICTIONARY OF THE FRENCH REVOLUTION 20–32, 449–56, 511–18

   (François Furet & Mona Ozouf eds., Arthur Goldhammer trans., 1989)

2 Collins Robert French Dictionary Unabridged, Harper Collins publishers

3 TLFi dictionary: http://www.cnrtl.fr/lexicographie/laicit%E9?

4 Technician in the Area of Interreligious Dialogue, UNESCO Centre of Catalonia. Coordinator of the Barcelona Interreligious Centre, Barcelona City Government. Director of Dialog)

5 http://en.wikipedia.orgwiki/Stasi_Commission

6 Humanism and Laicity in Europe (2003) by Georges C. Liénard

7 Mariel Angus  “Faith and Diversity in the Public Realm: An Ongoing Dialogue”  November 2008

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme