
Larg zjarrit të këtij Revolucioni nuk mund të jenë edhe vendet tjera, siç janë: Maroku, Algjeri, Sudani, Mauritania, Jordani etj. Ditëve të fundit vala e revolucionit ka ndërmarrë përmasa të mëdha edhe në Siri. Këtë më së miri e argumentojnë protestat e shumta dhe numri i viktimave, i cili për një periudhë më pak se tre javore ka arritur në mbi dy qind.
Për fat të keq, në botën arabe përveç autoritarizmit qeveritar, diktaturës, ndalimit të fjalës së lirë, dhe mos kënaqësive sociale, kemi të bëjmë edhe me grumbullime, etnike, fetare, gjuhësore dhe fisnore, të trashëguara nga fuqitë koloniale. Kjo është arsyeja, tani për tani, revolucionet relativisht paqësore demokratike arabe, pothuajse me kalimin e kohës kanë filluar të zbehen. Ato kanë ndodhur në dy vende ku më së shumti kishin gjetur shtrat të ndodhnin, sepse e gjithë shoqëria në Tunizi dhe Egjipt mund të bashkohen si një familje dhe jo vetëm se rrëzuan “baballarët” e kombit, por edhe po i gjykojnë ata. Në ndërkohë që në vendet tjera jemi dëshmitarë të “revolucioneve arabe” apo luftërave civile arabe. Siç po ndodh në Jemen, Libi, Bahrejn dhe së fundi në Siri.
Në Jemen, në mënyrë më eklatante po manifestohet manifestimit i fisnor dhe ai sektarin. Në një anë kemi opozitën e cila kërkon largimin e presidentit aktual Ali Abdullah Salih, i cili për më shumë se tri dekada po qëndron në pushtet, kurse në anën tjetër kemi përkrahësit e tij, kryesisht të nxitur nga aspekti fisnor që përmbajnë qëndrimin e tij në pushtet. Në këtë aspekt duhet shtuar edhe hezitimin amerikan për shkak të qëndrimit të përbashkët ndaj kërcënimit të “al-Kaidas” në pjesën jugore të Gadishullit Arabik.
Në Libi, me gjithë ndërhyrjen e NATO-së, si duket gjërat kanë ngecur. Aty kemi nga një herë përparim të kryengritësve, të cilët me ndërmarrjen e aksioneve nga forcat ushtarake të kolonel Gadafit, humbin territoret e tyre. Ndërkohë që vendi është ndarë në Lindje, ku mbisundojnë kryengritësit me flamujt e monarkisë dhe në Perëndim, ku kontrollin e mbajnë forcat legale të revolucionit me flamujt e gjelbër. E tërë lufta po zhvillohet për mbikëqyrje të burimeve të naftës.
Në Bahrejn, kemi përpjekjen e shumicës shiite për rrëzimin e familjes mbretërore, që është sunite nga shumica shiite. Pra këtu kemi të bëjmë me një konflikt sektarin, i cili nga një herë është edhe më i ashpër se konflikti ndërfetar. Për herë të parë shtetet e Gjirit zbatuan marrëveshjen e mbrojtjes së përbashkët, duke dërguar forcat e tyre të armatosura në Mbretërinë e Bahrejnit.
Së fundi kryengritja e ashpër filloi edhe në Siri. Një shtet prej njëzet milionësh, i cili llogaritet prej shteteve me nivelin më të lartë të arsimit në botën arabe. Që nga viti 1963 në pushe është partia Baas. Po nga ky vit e deri më tani në fuqi janë masat e jashtëzakonshme. Në Siri, popullata në aspektin fetar ka këtë përbërje: sunitët 70%, alevitët 8-9%, të krishterët 10%, pjesën tjetër e përbëjnë kurdët, të cilët nuk gëzojnë kurrfarë të drejte kulturore. I tërë pushteti është i përqendruar në duar të pakicës alevite dhe për këtë ndikimi i Iranit në qeverinë siriane është i madh. Andaj, konflikti në Siri ka përmasa edhe sektariste.
Me gjithë, vështirësitë, besojmë se kjo lëvizje demokratike arabe ishte e nevojshme dhe e ndërtuar në një kërkesë humane të thellë dhe autentike për liri, dinjitet dhe drejtësi.