Sipas analistëve, shkaku i mos njohjes së pavarësisë së Kosovës nga këto vende është elita politike e jo vullneti i popullit. Shumica e pushtetarëve të këtyre regjimeve janë në pushtet me dekada të tëra. Ata kanë nostalgji ndaj Lëvizjes së Mosinkuadrimit dhe ajo që quhej Jugosllavia e Titos. Sipas tyre, rasti i Kosovës ka të bëjë më tepër me secesionizmin se sa me një pavarësi të vërtetë të një shteti. Pranimi i një realiteti të tillë, sipas tyre do të thotë respektimi i vullnetit të popujve të tyre, për një sistem demokratik, pranim i të drejtave të popujve tjerë deri në shkëputje dhe vetëvendosje, të cilin ata nuk mund ta pranojnë.
Që nga dhjetori i viti të kaluar bota arabe po ballafaqohet me revolucionet që po dridhin fronet e diktatorëve të papara në historinë e saj më të re. Të gjitha lëvizjet e vendeve të ndryshme janë bashkuar rreth agjendave për reformat themelore të qeverisjes. Këto lëvizje e përmasave tejet të mëdha, deri më tani patën sukses në Tunizi dhe në Egjipt, duke përmbysur dy regjime totalitare. Aktivitetet e tyre shumë shpejt depërtuan edhe në vendet si: në Bahrejn, Jemen, Libi, Siri, me tendencë të përhapjes edhe në vendet tjera arabe.
Nuk ka dyshim, se dështimi i regjimeve aktuale të korruptuara të vendeve arabe do të krijojë shanse të reja për afirmimin e çështjes së Kosovës dhe njohjen e saj. Në veçanti kur kemi parasysh se pas këtyre ndryshimeve në skenën politike arabe do të dominojë spektri pan islamik, i cili në programin e vet ka solidaritetin dhe forcimin e bashkëpunimit me botën islamike.
Këtë tendencë e kishte vërejtur kryeministri britanik, i cili në muajin shkurt kishte paralajmëruar se “demokracia egjiptiane do të jetë bindshëm islamike”.
Benjamin Natanjahu, kryeministër i Izraelit, ka paralajmëruar ditë më parë se drejtimi i politikave egjiptiane është anti-izraelit. Ai në një takim me diplomatët e huaj të akredituar në Izrael kishte deklaruar se zyrtarët egjiptianë – përfshirë edhe Nabil al-Arabin, ministër i jashtëm i ri i Egjiptit- po u japin kënaqësi militantëve politikë duke e cilësuar shtetin e Izraelit si një “armik”.
Muhamed Bedi, udhëheqësi shpirtëror i “Vëllezërve Myslimanë”, javën e kaluar parashikoi se kandidatët e lëvizjes myslimane do të fitojnë 75% të vendeve në zgjedhjet e reja që parashihet të mbahen në muajin shtator.
Kjo vlen edhe për Tunizinë, ku kryetari i Partisë pro islamike, “Nahda” (Rilindja), Rashid Ganushit, iu lejua kthimi në vendin e vet vetëm pas 22 viteve që kishte kaluar në mërgim dhe atë falë revolucionit, i cili e detyroi ish-presidentin, Zejnul Abidin ben Ali ta lëshojë vendin pas dy dekadave të qeverisjes së tij. Edhe Ganushi, parasheh që partia e tij do të fitojë në zgjedhjet e para demokratike, që pritet të mbahen në korrik të këtij viti.
Bota arabe, në muajt që do të vijnë është e zënë me problemet e saja të brendshme. Andaj, nuk dijë sa do të ketë kohë të merret me Kosovën dhe njohjen e pavarësisë së saj, por diplomacia kosovare është mirë të përcjell zhvillimin e ngjarjeve dhe në momentin e duhur të jetë prezent aty ku e lypë nevoja.