Ndaj, për të folur rreth këtij fenomeni nuk është aspak e lehtë, sepse kërkon një analizë komparative në dioptrinë analitike të një sociologu, por edhe një qasje më të thellë ontologjike mbi këtë fenomen. Ky fenomen edhe pse daton qysh në kohërat më të hershme e deri më sot, prapë se prapë mbetet një enigmë e madhe e shoqërisë postmoderniste dhe sfidë serioze edhe për futurologjinë. Kur flitet sot mbi këtë koncept nënkuptohet një sjellje e padëshirueshme e natyrës seksuale që bën të ndihen personat (qofshin meshkuj apo femra) të pakëndshëm, të frikësuar apo të pafuqishëm. Mund të themi se vet ngacmimi seksual është një nga format më të vjetra të ushtrimit të pushtetit, midis burrit dhe gruas, që zakonisht gruaja ka qenë në rolin e viktimës, ndërsa në të shumtën e rasteve burri në rolin e kërcënuesit. Poashtu, “ngacmimi seksual, është frikësimi, ngacmimi apo detyrimi i një natyre seksuale, apo edhe premtimi i padëshirueshëm, apo të papërshtatshëm për shpërblime në shkëmbim të favoreve seksuale” (lexo: Michele Paludi Antoinette: “Academic and Workplace Sexual Harassment”). Ndërsa, sipas sociologut të famshëm Anthony Giddens “Ngacmimi seksual është jashtëzakonisht i përhapur. Ngacmimi seksual, në vendin e punës mund të përcaktohet , si shfrytëzim i autoritetit , ose i pushtetit të punës, për të imponuar kërkesa seksuale” (lexo: Anthony Giddens: “Sociologjia”). Ngacmim seksual, qoftë ai në vendin e punës apo në rrugë, në kuptimin logjik mund të konsiderohen të gjitha llojet e përpjekjeve të padëshirueshme seksuale qofshin ato me gjeste, veprim fizik, fjalë fyese, diskriminim në vendin e punës e të tjera, që më poshtë do t’i shtjellojmë disa nga llojet apo format e ngacmimit seksual. Duhet thënë se për herë të parë si termë si terminologji daton nga vitet 70-ta, përkatësisht është përdorur në vitin 1973 në SHBA, në një raport të atëhershëm për forma të ndryshme të çështjeve gjinore. Më vonë akceptohet edhe në fjalorë, leksione, libra, të ndryshëm që merr edhe një trajtim të veçantë si fenomen dhe sfidë e shoqërisë bashkëkohore. Si do që të jetë, edhe pse në parim ekzistojnë një sërë llojesh, formash të ngacmimit seksual, padyshim se ai ka një ndikim jashtëzakonisht të lartë në shoqërinë e gjerë sot, dhe qëllimi fundamental i vet ngacmimit seksual është ushtrimi i pushtetit qoftë në mënyrë direkte ose indirekte të meshkujve mbi femrat, që madje edhe stereotipat gjinor e konstatojnë se ato (femrat) janë gjini më e butë, janë më emocionale, din të falin e të tjera, gjë që tregon qartë se janë shumë më të ndjeshme sidomos në këtë aspekt. Andaj, në të gjitha shtetet ky fenomen konsiderohet si jo-ligjor, dhe normalisht merren masa ndëshkuese. Ndërsa, nëse flasim mbi shoqërinë shqiptare, përkatësisht atë në Kosovë, duhet cekur se ngacmimi seksual gjithnjë e më shumë është duke u përhapur si rezultat i shumë rrethanave politike, ekonomike, sociale, kulturore si dhe shumë rrethana tjera. Edhe pse realisht statistika ende nuk ka, dhe nga disa institute që janë bërë ato mund të ndryshojnë, prandaj duhet cekur se sipas një raporti të Policisë së Kosovës thuhet se “Veprat penale “kundër integritetit seksual” në bazë të nenit 192 deri 204 të KPK, janë regjistruar 34 raste. (dhunim 10 raste, sulm seksual 7 raste, tentim dhunimi 8 raste, marrëdhënie seksuale me të mitur 2 raste, ngacmim seksual 3 raste dhe keqpërdorim seksual me persona të mitur 4 raste, ku në vitin 2009 janë regjistruar 45 raste dhe në vitin 2010 vetëm 34 raste” (shih: http://www.kosovopolice.com/?page=1%2C26%2C1708). Pra, pavarësisht faktit që këto të dhëna ekzistojnë, normalisht që numri i tyre është më i madh, duke marrë parasysh faktin që rrethanat ndryshojnë në realitet. Prandaj, një është e sigurt që ky fenomen dita ditës është duke u përhapur edhe atë mu për shkak të shumë faktorëve që më poshtë do t’i shtjellojmë!
Llojet dhe format e ngacmimit seksual
Të flasësh mbi llojet apo një tipologji të ngacmimeve seksuale në shoqërinë bashkëkohore, padyshim se është një gamë e gjerë, për arsye se ekzistojnë forma dhe mënyra të shumta të ngacmimit seksual. Prandaj, zakonisht janë të njohura këto forma të ngacmimit seksual: Quid pro quo që shpesh asociohet me thënien “kjo për atë”, ky lloj ngacmimi seksual ndodhë zakonisht kur profesorët kushtëzojnë ndonjë femër (studente) lidhur me notim, pjesëmarrje në ndonjë ekip, apo diçka e tillë me kushtëzimin seksual që nëse do të ketë marrëdhënie me të do të ketë benificione të shumta që nga notimi e deri tek gjërat materiale, pastaj shembull tjetër mund të marrim edhe kur femrat aplikojnë për ndonjë pozitë/punë ato kushtëzohen nga pronari, apo nga drejtori, shefi, menaxheri etj. Dhe forma tjetër e ngacmimit seksual është mjedisi armiqësor ose krijimi i një atmosfere të keqe, ky lloj ngacmimi seksual zakonisht bëhet në forma verbale, fizike, apo vizuele që janë shumë të përhapura edhe tek shoqëria jonë sidomos në institucione private por edhe në disa institucione publike. Ndërsa, kur jemi tek format e mundshme të ngacmimit seksual që ndodhin sot, shumica nga to janë të njohura si: komente seksuale për trupin e femrës, propozimet sugjerimet, prekjet seksuale, gjestet seksuale, shfaqja e fotografive fyese, fotografive seksuale, tregimeve apo objekteve e të tjera. Sipas Giddens-it “ngacmimi seksual mund të jetë një ndodhi e vetme ose një mënyrë e vazhdueshme e sjelljes. Atje ku ndodhë rasti i dytë gratë e kanë të vështirë të ruajnë vendin e punës, mund të ikin si të sëmura ose ta lënë punën” (lexo: Anthony Giddens: “Sociologjia”). Ndërsa, sociologia moderne franceze Marie – Vtori Lui, thekson se janë dy gjëra me rëndësi që lidhen me terrenin e vështirë të femrave, për shkak se ato shpesh janë objekt seksual i ngacmimit seksual. Së pari pranimi i përmbajtjes së termit “ngacmim seksual” që nënkupton sipas saj e kanë nxjerrë anglo-saksonët, dhe së dyti përdorimi i këtij përcaktimit si mjet ideologjik, publik, propagandistik dhe ligjore për të denoncuar, analizuar, dhe dënuar ekzistencën e papranueshme të dhunës seksuale kundër grave në vendin e punës” (lexo: Gëzim Tushi: “Ontologjia dhe fenomenologjia e ngacmimit seksual”). Pra, nga e tëra kjo mund të arrijmë në përfundim se sot ky fenomen manifestohet në forma dhe mënyra të ndryshme qoftë në rrugë, vende publike, shkolla, institucione private, publike etj, qoftë në formën e fjalëve banale, qoftë në formën fizike, prekje të prapanicës, bërje e gjesteve seksuale, futja e duarve, përkëdhelja, propozimet gojore, vendosja e fotove në qendër të punës etj., që pasojat janë tepër të mëdha. Realisht ngacmimi seksual sot sanksionohet me ligj, andaj sipas Ligjit të Republikës së Kosovës Nr. 2004/2 për Barazi Gjinore theksohet: “2.6. Ngacmimi dhe ngacmimi seksual paraqesin diskriminim gjinor. 2.7. Ngacmimi përfshin çdo formë të sjelljes që ka për qëllim ose që paraqet cenim të dinjitetit personal. 2.8. Ngacmimi seksual përfshin çdo formë të sjelljes së padëshiruar seksuale verbale dhe joverbale, fizike ose simbolike, që në të njëjtën kohë ka për qëllim ose paraqet cenim të dinjitetit personal” (shih: Ligji për Barazi Gjinore Nr. 2004/2). Ndërsa, në Kodin Penal të Kosovës, ngacmimi seksual edhe pse nuk është përcaktuar shprehimisht, nuk nënkupton faktin se kjo çështje nuk është e rregulluar me ligj. Në kapitullin XIX të Kodit Penal të Kosovë, janë përcaktuar të veprat penale të cilat cenojnë integritetin seksual të personit. Andaj, pavarësisht faktit që edhe me ligjet e Republikës së Kosovës dënohet një gjë e tillë, ngacmimi seksual mbetet një nga fenomenet më të përhapura në shoqërinë tonë!
Pse ndodhë ngacmimi seksual? Cilët janë faktorët?
Pasi që në pika të shkurtra folëm rreth një elaborimi të konceptit mbi ngacmimin seksual, është e nevojshme që të flasim edhe mbi faktorët të cilët dërgojnë tek ky fenomen shoqëror. Është interesant fakti që këto pyetje shpesh shtrohen në diskurset sociologjike, sidomos kur debatohet lidhur me çështjen e femrës, pozitën e saj dhe integrimin e saj në shoqëri. Ne e dimë që nga kohërat e lashta se femra është trajtuar mizorisht, madje në mesjetë (në kohën e inkuizicionit) vetëm se femra kishte flokët ngjyrë tjetër nga ajo e zakonshmja ajo akuzohej për herezi. E mos të flasim për gjëra tjera, siç janë egalitarizmi, pjesëmarrja në votime, integrimi i saj në shoqëri, edukimi/arsimi i saj e të tjera. Mos të harrojmë se vetëm në vitin 1929 në Britani të madhe femrës iu lejua të votonte, gjë që mund të thuhej se ishte bërë një hap para, edhe pse paksa vonë. Prandaj, duke mos dashur që të ekzagjerohemi edhe më tej rreth stratifikimit social që njihet sot nga sociologët, pra një formë e pabarazisë sociale, t’i kthehemi pyetjes se Pse ndodhë ngacmimi seksual? Për të argumentuar më detalisht këtë fakt, duhet cekur faktorët dhe arsyet e shumta që apriori lidhen me këtë fenomen, e që duhet thirr në ndihmë edhe një sërë shkencash siç është psikologjia. Kështu, që sot ekzistojnë një sërë faktorësh që çojnë deri tek ngacmimi seksual: Së pari shumë sociologë janë të mendimit se kjo ka të bëjë me ndikimet negative dhe tonet seksiste në shoqërinë e gjerë, por edhe në shumë media sidomos paraqitja e imazhit të femrës në portretizimin e saj, pastaj raporti i meshkujve me femra. Pse pikërisht raporti shtrohet pyetja? Arsyet janë nga më të ndryshmet, njëra ndër to është edhe fakti sot nuk mund të perceptohet çdo gjë në shoqëri si stabile, sepse njerëzit janë të prirur të ndryshojnë varësisht nga situata të ndryshme dhe normalisht që në këtë kontekst ndikojnë edhe mënyrat e sjelljes së tyre, por edhe qëndrimet (e meshkujve) në raport me femrat që më shumë me këto studime merret psikologjia sociale. Faktor tjetër, mund të konsiderohen edhe veshjet provokuese të femrave që sidomos sot tek shoqëria jonë janë bërë trend, që për disa ky lloj trendi asocion me trendët e globalizmit, pra një pjesë e fajit mbetet edhe tek femrat. Këto, por edhe faktorë tjerë padyshim se janë ato që tregojnë prapavijën e vet ngacmimit seksual. Andaj, sot mund të themi se ky fenomen është prezent tek shoqëria jonë, madje shpesh ka raste kur bëhen edhe reklamat për biznese të ndryshme me femra nudo apo gjysmë të zhveshura, gjë që tregon pozitën e femrës, vlerën dhe imazhin e saj drejt krijimit të një mentaliteti apo një rruge të hapur për një ngacmim seksual të mundshëm.
Pasojat e ngacmimeve seksuale dhe masat parandaluese
Pasojat e ngacmimit seksual mund të jenë të shumta që nga vështirësia e punës sidomos për femra, pastaj problemet lidhur me integrimin e femrës në shoqëri, pozitën e saj, rolin e saj në vendimmarrje, por edhe një luftë për mbijetesë, pastaj pasojat mund të jenë edhe pengimi në karrierë, shkatërrimi i familjes, divorci etj. Ndërsa, si masa parandaluese lidhur me ngacmimin seksual mund të jenë: Fuqizimi dhe implementimi i vazhdueshëm i legjislacionit lidhur me këtë fenomen, roli i familjes si agjens primar i socializmit në këtë drejtim, vetëdijesimi i femrës dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm me institucionet relevante (policinë, OJQ-të e ndryshme, mediat etj), vetëdijesimi i qytetarëve lidhur me këtë fenomen, informimi i tyre përmes mediave, roli i mediave si një element konstruktiv drejt zvogëlimit të këtij ngacmimi, krijimi i programeve sa më pragmatike dhe praktike nga mediat nacionale lidhur me barazinë, pozitën, rolin e femrës sot, dhe fenomenin e ngacmimit seksual në shoqëri, krijimi i një fryme më konstruktive të barazisë gjinore më të mirë se deri më tani, përkrahja dhe organizimi i seminareve, kurseve, trajnimeve sidomos të femrave nga ana e institucioneve publike.