Roli i revistës “Etika” në botimet fetaro-kulturore shqiptare

I. Mjedisi shpirtëror dhe shoqëroro-historik në shekullin XX

Rritja dhe zgjerimi i dijes njerëzore në qindvjetëshin e fundit, sidomos në fushën e shkencave ekzakte, mundësoi transformime të vrullshme, shpesh herë vetëm sasiore. Kjo gjendje e re te një pjesë e njerëzve nxiti drojë nga panjohuritë dhe befasitë e shumta që solli modernizmi dhe njëkohësisht e rriti edhe pa/fuqinë por edhe përgjegjësinë e njeriut.

Në këto rrethana dhe nën ndikimin e tyre edhe sistemi arsimor dhe edukativ aktual çdo ditë e më tepër e relativizon dimensionin fetar dhe moral të jetës njerëzore në Tokë. Në këtë kontekst është në rritje dallimi ndërmjet dijes (profanes) dhe të shenjtës (sakrales) në sistemin arsimoro-edukativ dhe zhveshja nga rrënjët dhe e kaluara e tyre religjioze. Në anën tjetër, humanizmi shekullarist në evro-perëndim dhe thuajse kudo në botë e ngadhënjeu fenë, ndërsa shkollat i shndërroi në kisha shekullare.

Universalizimi dhe globalizimi i arsimimit dhe edukimit, si koncepte të ndërvarura në botën bashkëkohore, i zgjeroi edhe fushat e ndikimit të dijes në formësimin e botës dhe jetës. Gjithashtu, zgjerimi enormë i dijes në botën aktuale e rriti mosdijen njerëzore. Shumica e njerëzve nuk kanë mundësi t’i mësojnë njohuritë e reja nga laboratorët, institutet dhe qendrat hulumtuese. Ky imtësim dhe thellim i dijes, e copëtoi tërësinë e botës dhe të jetës në pjesë të palidhura, dhe, ndonëse i rriti informacionet, megjithatë ndikoi në mjegullimin e të vërtetës. Madje, termi apo koncepti e vërteta në shkencë është fjalë de mode.

Prandaj, në aspekt të arsimimit dhe të edukimit, muslimanët sot, në përmasat botërore, gjenden:

- Një, përballë kujtesës së tyre të zgjuar për traditën e madhe fetare, kulturore dhe arsimore myslimane dhe;

- Dy, përballë konfuzionit, mosgjeturisë së njerëzve para të arriturave qytetëruese e teknologjike perëndimore.

Në pamundësi që të “ikim” nga kjo anije në alarm e sipër në mes të detit dhe në pamundësi për një përgjigje të plotë, sepse pjesshmëritë nuk mjaftojnë, mbetet që në të ardhmen t’i ofrojmë provat, dijen dhe këshillat tona, të cilat pretendojmë se i posedojmë dhe për të cilat konsiderojmë se kemi të drejtë.

 

II. Revista Etika në shekullin XXI – nevojë kohe

Si të bëhet nga ana jonë ky ballafaqim dhe ofrim vlerash, ky prezantim idesh dhe argumentim provash?

Përgjigjja është tejet e ndërlikuar. Ndryshimet e mëdha politike, ekonomike, kulturore dhe sidomos gjeo-strategjike, Shqipërinë, Kosovën dhe regjionet e banuara me muslimanë, dhe në veçanti bashkësitë muslimane në Ballkan, por edhe shoqatat, fondacionet e organizatat e ngjashme joqeveritare, secilën në specifikat e saj, i sollën në pozitë çfarë e kanë pasur muslimanët, mbase, pas largimit të Perandorisë Osmane nga Ballkani më 1912, kur Kosovën, pjesën më të madhe të trojeve shqiptare dhe rajonin e okupoi Serbia dhe blloku sllavo-ortodoks. Madje, gjendja duket se është edhe më e rëndë, sepse sllavët ishin okupatorë, dhe këtë e kishte të qartë e gjithë popullsia, ndërsa ‘ofertat’ aktuale bashkëkohore, të paraqituara si miqësore, mundësojnë një tëhuajësim me përmasa shumë më të thella e më të rrezikshme. Një analizë e para 5-6 dekadash kështu e përshkruan gjendjen e myslimanëve në Shqipëri: “Gjendja jonë e sotme si myslimanë saktë asht për t’u dhimtë e për t’u vajtue... myslimani deri sa mos të ndjeki urdhërat e nalta të Kur’anit Shenjtë, kurrë s’ka me qenë i zoti me çue krye për m’u mkamë si njeri i qytetnuem e kulturuem, por gjithnji ka me qenë mbrapa e i poshtnuem.” Prandaj, sipas mendimit tonë, me rëndësi parësore, atëherë e sot, është edukimi dhe arsimimi, ndaj të gjithë e sidomos institucioni i bashkësive islame në Ballkan, në secilin vend veç e veç, si përgjegjës kryesor për gjendjen e muslimanëve, gjendet para mundësive dhe sfidave serioze.

Meqenëse ky diskutim nuk ka për qëllim dhe as që mund të elaborojë çështje kaq komplekse dhe multidisiplinare, do të fokusohemi në rolin që ka dhe mundësinë që revista jonë e respektuar Etika mund ta ofrojë.

Duke u mbështetur në traditën e emrit të saj dhe atë që kuptojmë me fjalën etikë, revista Etika, si nevojë kohe dhe reflektim i entuziazmit të themeluesve që gjendjen tonë ta shohin më të mirë se aktualisht, që nga numrat e parë është duke trasuar ide, sugjerime e herë-herë edhe projekte konkrete në këtë rrëmujë idesh e veprimesh të proveniencave të ndryshme. Por, këto porosi apo ide janë dhe duhet të jenë, siç e thotë S. H. Nasri, intelektuale dhe thellësisht të studiuara.

Mendoj se revista Etika në rrugëtimin e saj të deritashëm pesëvjeçar është bazuar në disa faktorë relevantë:

- Politika redaktuese e revistës bazohet në vlera të mirëfillta fetare. Feja në revistë ka qenë dhe është natyra themelore që njëmendëson raportin Zoti-njeriu. Dinamika e fesë në revistë rrjedhë nga njëmendësia e gjallë e fjalëve hyjnore, që përfshin në veprimin e vet të mëvonshëm rritjen kozmo-historike të njeriut dhe botës. “Teologjia” në revistën Etika luan rolin e verifikuesit dhe ndriçuesit dituror të të gjitha formave kreative të fesë dhe të përcaktuesit të të gjitha drejtimeve në të cilat lëviz gjeniu i saj i gufuar shpirtëror, duke nxitur kështu edhe rritjen vetjake, praninë dhe kongjenialitetin në çdo çast historik dhe në çdo brez. Do të shtoja se, krahas prezantimit të mësimeve fetare tradicionale, revista kultivon edhe një segment tjetër, në shtypin shqiptar islam disi të shpërfillur, atë të tesavufit, sufizmit islam, duke zbuluar para lexuesit modernist shpirtëroritetin aq të mangët në shoqërinë tonë.

- Mendoj se rolin e vetë revista Etika nga numri në numër po e kërkon jo në kthimin formal e shterpë në burime, jo në kthim në rrënjët shpirtërore, shoqërore, politike dhe qytetëruese të kohës, jo në kthimin fizik dhe sipërfaqësor në burime, por as në kultivimin e shtresimeve të dëmshme kohore. Edukimi dhe arsimimi nga revista Etika është duke u bërë i udhëhequr nga burimet dhe kujtesa konstitutive dhe interpretuese, duke shfrytëzuar të gjitha metodat diturore dhe assesi në mënyrë selektive. Në gjithë këtë mendoj se revista po i kushton rëndësi faktit që procesi i vetëdijesimit të mos shtrihet përjashtimisht në rrafshin emocional, në atë shpirtëror, apo vetëm në atë racional, por në të gjitha aspektet dhe sferat, shpirtërore dhe fizike.

- Politika redaktuese e deritashme e revistës, që do të duhej të vazhdojë edhe në të ardhmen, nuk e ka neglizhuar faktin, siç po ndodh me disa revista të tjera dhe me shumë imamë në mihrabët apo katedrat e tyre që: lexuesin e ka spontan, kalimtar, të rastit, me edukim e arsimim të ndryshëm, nuk e ka neglizhuar faktin që lexuesin nuk e ka të përzgjedhur, që herë-herë lexuesi nuk posedon as njohuritë më elementare fetare. Ajo e ka parasysh se lexuesi i këtillë, i përballur me hollësitë dhe detyrimet e shumta, me një islam të prezantuar në mënyrë rigjide, agresive e të ngurtë, më shumë largohet se sa afrohet. Po të “harrohej” ky faktor, mësimet ngushtë-legaliste dhe literaliste, pa dashje, lexuesin më shumë do ta hutonin, ngatërronin dhe largonin se sa do ta afronin dhe joshnin në absorbimin e mësimeve.

- Politika redaktuese deri tash ka qenë e hapur për botën e njeriut bashkëkohor dhe njëmendësisht i është qasur shqyrtimit të të gjitha përvojave që fryma njerëzore i ka sajuar në vetë/zhvillimin e saj. Kjo qasje e redaksisë është e nevojshme të kultivohet edhe më tej që lexuesi të mund t’i kuptojë shenjat e kohës, rrjedhat e transformimeve më të reja në të cilat bota aktuale tashmë gjendet. Vetëm qasja e këtillë bënë që ‘teologjia’ denjësisht ta kultivojë praninë e Porosisë hyjnore dhe shembullin pejgamberik në shenjat përkatëse dhe ta ndërtojë atë në perspektivat e reja të botës bashkëkohore.

- Redaksia e revistës Etika e vetëdijshme se dëshiron të merr pjesë në mënyrë të barabartë në ndarjen e kulaçit botëror bënë përpjekje që nëpërmjet shkrimeve të saj të edukojë teologë intelektualë, ekspertë por edhe lexues të atillë, të cilët do të dinë të integrojnë në pikëpamjet e tyre çdo gjë që është pozitive nga përvoja aktuale botërore, në ç’gjë bënë pjesë edhe parimi i personalitetit dhe individualitetit të njeriut modern, në të cilin ka futur vlerat etike, estetike dhe aksiologjike të Islamit, nga të cilat njeriu modern është i privuar tashmë një kohë të gjatë.

- Nuk duhet harruar se revista Etika tashmë po luan dhe do të duhej ta luajë edhe më tej rolin e kontribuuesit edhe më të madh jo vetëm në shkencat dhe kulturën fetare islame, por edhe në atë kombëtare e më gjerë, duke integruar brenda kopertinave të revistës shumë emra e penda, shumë specifika vendesh e provenienca konceptesh, shumë prirje e cilësi nga të gjitha anët, që deri tash ishin pak të njohur, e disa krejt të panjohur.

- Njëkohësisht, bashkëpunimi i autorëve nga të gjitha anët e trojeve shqiptare dhe të Turqisë po promovon edhe një gjuhë më të pasur, edhe një terminologji më të pasur, edhe një përmbajtje më të pasur, edhe një unitet në vorbullën e këtij diversiteti njerëzor dhe tematikë etj.

- Mbi të gjitha, revista ka kultivuar një frymë jokonfliktuoze brendamuslimane dhe në përgjithësi. Në vend të përplasjes, revista ka zgjedhur rrugën e dashurisë, në vend të anatemës ndaj “tjetrit” dhe “të ndryshmes” ajo ka zgjedhur faljen dhe mirëkuptimin, në vend të mbylljes dhe vetëmjaftueshmërisë ajo ka zgjedhur rrugën e thirrjes së hapur e të sinqertë për bashkëpunim. Edhe vetë përbërja jonë në këtë tubim është shenjë e kësaj platforme.

Në fund të këtyre meditimeve dhe përshtypjeve personale, që mund të interpretohen edhe si subjektive, mendoj se revista Etika gjatë periudhës pesëvjeçare në masë të madhe po e arrin synimin e saj fillestar, sepse ka ditur të pozicionohet dhe të korrespondojë me rrethanat e ndryshuara globale, politike dhe ekonomike, ka ditur të korrespondojë në pajtim me ndryshimet politike-juridike të fesë dhe të bashkësisë muslimane në Ballkan, ka ditur të bashkëpunojë dhe komunikojë me nevojat e besimtarëve dhe të organizmave alternativë, me mediumet e shkruara dhe elektronike në vend dhe më gjerë, ka ditur të komunikojë me pluralizmin, ekonominë e tregut, ka ditur t’u përgjigjet integrimeve evro-perëndimore dhe sfidave të vlerave tradicionale dhe sektare ndër muslimanët në trojet gjithëshqiptare dhe më gjerë.

 

III. Sfidat në të ardhmen

E ardhmja nuk mund të paracaktohet por mund të parandihet dhe aq sa të planifikohet. Revista Etika duhet të jetë në rrjedha të përditshmërisë nëse dëshiron të merr pjesë në tregun e informacionit dhe dominimit. Nuk bënë t’ia lëmë gjerat rastësisë sepse kjo do të thotë edhe shumë kohë nënshtrim dhe ngecje. Kjo na çon në problemin vijues, heqjen e barrierave dhe pengesave administrative dhe burokratike por edhe të paragjykimeve rajonale për njëri-tjetrin dhe t’i përvishemi punës sikurse edhe shumë të tjerë.

Në këtë rrafsh revista në të ardhmen duhet ta intensifikojë rolin e saj të shkrirësit të akullit, respektivisht rolin e ndërmjetësit ndërmjet popujve (si p.sh. shqiptarëve dhe turqve) që është krijuar për vite e vite, që njëri-tjetrin ta shohim sa me objektivisht dhe sa më gjithanshëm, në kontekste bashkëpunuese, afirmative dhe altruiste, kundrejt urrejtjes, paragjykimeve dhe ...izmave të shumtë.

Revista Etika është dhe shpresoj të mbetet tribunë e fuqishme e kulturës shpirtërore fetare, e mendimit, e filozofisë, e edukatës, e artit islam. Propozoj që këtë rol të ndërmjetësit Etika ta ndërmarrë edhe ndërmjet territoreve shqiptare politikisht dhe territorialisht të ndara, të cilat për fat të keq ende nuk njihen sa duhet mes veti, dhe sidomos këtë ta bëj nëpërmjet bashkëpunimit me revistat simotra (Drita Islame, Universi, Perla, Ura në Tiranë, Dituria Islame, Edukata Islame, Takvimi në Prishtinë, Hëna e Re në Shkup, Elifi në Podgoricë etj.), por edhe me revista të tjera me profile të afërta (Paqja në Prishtinë, Shenja në Shkup etj.) në trojet shqiptare dhe jashtë, me prezantimin e tyre dhe me format e tjera të bashkëpunimit.

Në përgjithësi, nëse revista Etika në të ardhmen do të arrijë t’u përgjigjet nevojave dhe sfidave të mësipërme, ajo do të kontribuonte në tre rrafshe kryesore dhe, pak a shumë, do ta përmbushte misionin e themelimit të saj: edukimin shpirtëror e moral, ideologjik e botëkuptimor dhe kulturor e qytetërues. Fillimi i botimit të shtojcës për fëmijë dhe paralajmërimi i redaksisë në numrin e marsit të revistës Etika për pasurimin e revistës me rrafshe të reja dhe bashkëpunëtorë të rinj është një hap më tutje në sendërtimin e synimeve të themeluesit të revistës, të redaksisë si implementues të synimeve të programuara dhe pritjeve të lexuesve për tekste që do t’u shërbejnë atyre si udhëzues në jetën me plot sfida e të papritura.

 

IV. Në vend të përfundimit

Tema është e gjerë dhe e pashtershme dhe nuk mund te flitet për përfundim. Për këtë arsye, më lejoni të konstatoj se revista Etika është në rrugë të mirë e të mbarë të rritet në një institucion në vete dhe të imponohet me identitetin e saj në rritje e sipër por të padiskutueshëm. Për ta arritur këtë synim në kuptimin e mirëfilltë, Etikës i duhet ndihma jonë.[1]



[1] Kumtesë rasti e mbajtur më 09. 04. 2011 në Hotel “Tirana International”, Tiranë, në Simpoziumin e organizuar nga ShB “Progresi”, me rastin e pesëvjetorit të revistës ETIKA.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme