SERBIA TESTON SKENARË TË RINJ TË TRAZIRAVE NË BALLKAN

Ngritja e tonit në debate publike nga ana e jo pak njerëzve të përfshirë në denoncimin e “shkeljes” që kishte bërë Sejdiu, dukej si sharm i demokracisë, si përkushtim i tyre që të respektohej kushtetuta e vendit. (Po të njëjtat tone e përcollën edhe garën për kryetar të LDK-së, me një angazhim enorm në debate, të shumë personave, që kishin pasion respektimin “e rregullave demokratike” në atë proces zgjedhor partiak). I gjithë ai aktivizëm i koncentruar për të goditur në një adresë të vetme, në një figurë të vetme, në figurën e presidentit të vendit, edhe mund të dukej naive, po të mos ishte e qartë se po shkaktonte destabilizim, çuarje të vendit në zgjedhje të jashtëzakonshme, duke ndërprerë ritmin e punëve të institucioneve.

Prandaj, nuk mund të thuhet se ishte naive, po në fakt ishte e planifikuar. E planifikuar nuk do të thotë se të gjithë pjesëmarrësit në ato debate ishin pjesë e një komploti. Në fakt pjesë e tij ka mundur të jetë ndokush, që ka pasur kapacitetin për të aktivizuar pastaj ortekun politik, i cili mori me vete ish presidentin dhe ua shkurtoi mandatin për një vit Kuvendit dhe qeverisë, duke e futur vendin në një periudhën të rrezikshme jostabiliteti.

Vetëm pasi ai ortek i provokuar politik arriti fundin e humnerës së vet, pa arritur që të dëmtonte më seriozisht stablilitetin e shtetit, u bë i njohur dokumenti më i ri i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë, i cili në pikën 8 thotë tekstualisht” “Të destabilizohen qeveritë e BeH, Kroacisë dhe të Kosovës”. Pra, destabilizimi edhe i qeverisë së Kosovës është njëra nga pikat e këtij dokumenti, në të cilin bashkautor, me Dobrica Qosiqin e Matija Beqkoviqin është edhe Luba Tadiqi, babai i presidentit aktual të Serbisë, Boris Tadiqit. Përpjekjet destabilizuese të mbështetura në Memorandumin 2, në BeH janë shfaqur në formën e arrestimit, me kërkesë të interpolit serb, të ish zëvendëspresidentit boshnjak, Ejup Ganiqit, të arrestimit gjeneralit Divjak dhe së fundmi me organizimin e një referendumi në Republika Sërpska, me të cilin do të kontestohet në fushën e gjyqësisë, autoriteti i komunitetit ndërkombëtarë në Republikën Sërpska.

Ndërsa, destabilizimi i Kroacisë muajt e fundit ka qenë nga kërkesa e Serbisë për ekstradimin e veteranit kroat të luftës, Tihomor Purdës dhe nga verdikti i Tribunalit të Hagës, ku u dënuan me vite të gjata burgu dy gjeneralët e famshëm kroatë. Ante Gotovina dhe Ivan Çermaku. Protestat për veteranin Purda ishin të dhunshme dhe u koncentuan në kërkesën për rrëzimin e qeverisë kroate. (vetëm falë mosekstradimit të tij në Serbi, gjakrat në Kroaci u qetësuan disi).

Kur është fjala për dënimin e dy gjeneralëve kroat nga Tribunali i Hagës, pavarësisht fakti se nuk ka ende fakte konkrete që të dyshohet në anësinë e atij institucioni, ky zhvillim i shkon në favor përmbushjes së një pike tjetër të Memorandumit 2. Në pikën 1 të këtij dokumenti kërkohet: “Të zvogëlohet përgjegjësia e Serbisë për krimet e kryera”, ndërsa në pikën 5 kërkohet: “Serbia të sillet në pozitë të barabartë me republikat e tjera të dëmtuara të rajonit”. Këtyre pikave të dokumentit të Akademisë Serbe të Shkencave u përgjigjet jo vetëm dënimi i dy gjeneralëve kroat po edhe akuzat e Dik Marttit ndaj Ushtrisë çlirimtare të Kosovës dhe drejtuesve të saj, si dhe arrestimi i fundit i një grupi të ish pjesëtarëve të UçK-së.

Ideja themelore e raportit të Dik Martit po edhe e arrestimeve të fundit, në fakt është pikërisht barazimi i viktimës me kriminelin, duke rrafshuar ashtu përgjegjësitë e shtetit serb për krimet e kryera në Kosovë. Sipas interpretimit serb, “të gjithë kanë kryer krime”, prandaj askush nuk mund të akuzohet në mënyrë të veçantë. Pikërisht këtë gjë e ka para sysh edhe pika 4, ku kërkohet që të dekurajohet Bosnja të mos e akuzojë Serbinë para Gjykatës së Drejtësisë. Dhe pika 6, ku kërkohet edhe “mbyllja e Tribunalit të Hagës”.

Termat e Memorandumit 2 janë në frymën e nacionalizmit agresiv serbomadh, ku krahas propozimeve se si të amnestohet Serbia për krimet e kryera në luftërat e viteve nëntëdhjetë kundër Kroacisë, kundër BeH dhe kundër Kosovës, sheshit nxjerrë krye insistimi për vazhdimin e idesë së Serbisë së Madhe. Kësaj here kjo nuk është formuluar si në Memorandumin 1, “të gjithë serbët në një shtet”, po në formën më elastike, “ Të mundësohet tranzicioni i bashkësive serbe të rajonit, në një bashkësi unitare serbe”. Bashkësia unitare serbe nuk ka si të kuptohet ndryshe vetëm se si një shtet unitar serb, përkatësisht një “Serbi e Madhe”.

Kërkesat e akademikëve serbë në Memorandumin 2, do të dukeshin si projeksione ireale të disa pleqve të frustruar, po të mos ekzistonte një lidhje direkte ndërmjet ideve të tyre dhe politikës shtetërore të cilën e udhëheq Boris Tadiçi. Ashtu sikundër shkruan Vlladimir Popoviq- Beba, ish shefi i Zyrës për Marrëdhënie me publikun i ish kryeministrit të vrarë serb, Zoran Gjingjiqit, “ky grup pleqsh ardhjen në krye të shtetit të Tadiçit e ka përjetuar si fitore personale dhe ardhjen në pushtet të grupimit të tyre, i cili do ta shfrytëzojë funskionin e kryetarit të Serbisë dhe partinë më të madhe në Serbi, Partinë Demokratike, si mjet për përmbushjen e ambicieve të veta, të cilat në 60 vitet e kaluara nuk kanë qenë në gjendje që t’i realizojnë.” Më qartë se kaq, nuk ka si flitet.

Prandaj, rreziku nga Memorandumi 2 nuk janë ai grup akademikësh nacionalistë, por është Tadiçi dhe qeveria e tij, e cila ka filluar të realizojë në praktikë atë dokument.

Fakti që në Kosovë për tërë këto vite të qeverisë së Tadiçit ka një përkeqësim gradual të gjendjes në veri të Kosovës, edhe pse ai është i deklaruar si “evropeist i flakët” dhe ithtar i zgjidhjes së problemeve “me dialog”, është brenda kësaj politike destabilizuese.

Në fakt, edhe dialogun e tashëm ndërmjet Prishtinës e Beogradit, Tadiçi po syon ta shfrytëzojë për të fituar poena në sytë e Brukselit, për të fituar Serbia statusin e kandidatit për pranim në BE, (ndërsa, në anën tjetër ai krahas koncesioneve të mëdha ekonomike që i ka bërë tashmë Moskës, po planifikon edhe marrëveshje strategjike me Rusinë).

Ndërsa, qëllimi parësor i qeverisë serbe është që dialogun me Kosovën të përpiqet ta përdorë për destabilizimin e qeverisë së Kosovës. Deklaratat provokuese të shefit të delegacionit serb në dialog me Prishtinën, Borko Stefanoviqit, tashmë janë të qarta në këtë aspekt.

Qeveria e Kosovës duhet ta ketë para sysh këtë hile të politikës shtetërore serbe, edhe në kontekstin e objektivave të shpallura tashmë në Memorandumin 2. Në të kundërtën, mund të ndodhë që të merret me pasojat e ndonjë skenari të ri, si ai me ish presidentin Sejdiu dhe ai tjetri, më morbidi deri tash, raporti i Dik Martit.
2011-05-09

Burimi: http://www.gazetastart.com/analist.php?kategoria=Analistet&analist=Milazim_KRASNIQI&nr=32600
Shiko më shumë

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme