CENIMI I OBJEKTIVITETIT NË SHKENCË

 

2. “Objektiviteti” dhe fokusimi i çështjes

Në kuptimin parimor dhe ontologjik të nocionit, koncepti i ojektivitetit shënon “atë realitet, të cilin e supozon subjekti se është i tillë pavarësisht nga ai.”[1]

Ndërsa, në këtë punim, çështjen e cenimit të objektivitetit në shkencë, do ta fokusojmë në kuptimin që konsiston cenimin e objektivitetit (paanshmërisë) intelektuale të hulumtuesit shkencor objektiv, apo cenimin e asaj që njihet si “aftësia e subjektit të njohjes, që gjurmimet, persiatjet, shpjegimet lidhur me ndonjë çështje t’i paraqesë ashtu siç janë ato në të vërtetë, objektivisht, d.m.th. pavarësisht nga interesat, dëshirat, qëndrimet, e të tjera subjektive të tij.”[2]

3. Konteksti historik i çështjes

Cenimi i objektivitetit në shkencë, mund të themi se ka një histori të gjatë. Që në fillimet e para të mendimit shkencor apo siç e quan Alparslan Açıkgenç “veprimtarisë dijekërkuese”[3], përmbajtja e objektivitetit, dashje pa dashje është përballur me sfidat e dominimit iracional dhe obskurantizmit primitiv. Ngase, njerëzit me prirje shkencore, sidomos në antikitetin e hershëm, objektivisht nuk kanë mundur të jenë të pavarur, qoftë në ide të mëdha, qoftë në veprime po edhe në vetë jetën e tyre. Kontributi i tyre parimisht është determinuar nga lufta e klasave, si një tipar i shoqërive të lashta. Dhe do të shohim, se pikërisht në periudhën e sofistëve (shekullit V-IV p.e.s.), në atë periudhë kur shkenca lëshon rrezet e para, së pari me emërtimin filozofia (dashuria për dijen), dhe me sa duket është përdorur për herë të parë, nga sofisti Pitagora rreth 572 – 497 para e.r. – që sipas tij “sophia”, ishte qartas “dija shkencore”[4], është prezente antogonizmi klasor dhe lufta e klasave për dominim. Madje, sofistët dhe vetë Pitagora dhanë një kontribut për teorinë e “rolit të forcës në jetën shoqërore”, sipas së cilës ligji i natyrës vlen edhe për shoqërinë njerëzore, sepse sikur në natyrë ashtu edhe në shoqëri, gjithmonë sundojnë më të fortit dhe më të shkathëtit.[5] Pse mos ta theksojmë se ky fenomen, ishte ai q[ e gjykoi Sokratin për idetë e tij. Në vitin 399 p.e.s., pas rivendosjes të demokracisë në Athinë, Sokrati u gjykua me akuzat se nuk besonte te perënditë dhe se prishte rininë. Ai u dënua me vdekje. Akuza ishte: “Sokrati është një person keqbërës dhe kurreshtar, që kërkon brenda sendeve nën tokë dhe mbi qiej, duke bërë që më e keqja të ngjajë si më e mira dhe duke ua mësuar të gjitha këto të tjerëve.”[6]

E, pra, fenomeni i ‘rolit të forcës...” si një standard i përhershëm i vetëdijës shoqërore, na bën të mendojmë se cenimi i objektivitetit në shkencë, ka qenë një dukuri prezente që në celulat e ideve shkencore, pavarësisht se ka mundur të ketë përjashtime.

Kjo frymë e luftës së klasave, do të vazhdojë së ekzistuari edhe pas fillimit të epokës së re, duke mos u ndalur asnjëherë. Më saktë, cenimi i objektivitetit në shkencë ka variuar nga vendi në vend, nga shoqëria në shoqëri, nga periudha në periudhë. Obskurantizmi shkencor, i cili nënkupton  “pikëpamjen teorike apo qëndrimin praktik që i kundërvihet haptazi ose heshtazi shkencës, diturisë, arsimit, shkollimit dhe përparimit në përgjithësi, kurse e favorizon injorancën analfabetizmin, konservatorizmin, etj., u favorizua veçanërisht në shoqërinë feudale, e cila nuk çante kokën për shkencë e shkencëtarë, për dituri e dijetarë, për shkolla e arsim, etj. [7]

Duke e mbështetur këtë, le të themi se periudha e Mesjetës, që fillon diku kah viti 529, kur me dekretin e Perandorit bizantin Justinian mbyllen të gjitha shkollat filozofike, ndërsa zgjat deri nga fillimi i shek. XV (afër 1000 vjet), kur në Evropë fillon depërtimi i rrezeve të para të Humanizmit dhe Renesansës,[8] përbën momentin më të rrezikshëm, me gjasë më të veçantin prej të gjitha kohërave në raport me cenimin e objektivitetit në shkencë. Sekuencë qëndrore e kësaj tragjedie, mbetet ikona e “inkuzicionit”.

Edhe pas Mesjetës, po edhe deri më sot, problemi i shkencës objektive mbetet konsistent, ngase antagonizmi i klasave nuk ka pushuar për asnjë moment deri më sot. Që domethënë se edhe cenimi i objektivitetit në shkencë dhe obskurantizmi shkencor vazhdon të ekzistojë, ku më pak e ku më shumë, konform metodave të kohës dhe në mënyra të ndryshme.

4. Përmbajtja sociologjike e çështjes

Duke e pranuar si të mirëqenë faktin se objektiviteti apo ‘objektive’ “i referohet një pozicioni mendor të konsideruar si i përshtatshëm për një hulumtues shkencor: i distancuar, pa paragjykime dhe i hapur ndaj gjithçkaje që mund të dalë nga të dhënat.[9] konstatojmë se ai është i kërkuar në të gjitha rrafshet e veprimtarisë njerëzore, pa marrë parasysh llojin e tyre. Por, mbi të gjitha, objektiviteti i këtillë është i kërkuar veçanërisht në shkencë, pasiqë ajo, me të drejtë është sinonim i mirëqenies, avancimit, zhvillimit dhe lumturisë së gjithëmbarshme njerëzore. Sëkëndejmi, e kundërta e kësaj, pra, problemi i (jo)objektivitetit në shkencë, i kundërvihet egërsisht këtij koncepti mbi shkencën dhe bashkë me këtë i kundërvihet zhvillimit të gjithanshëm të shoqërisë njerëzore.

I shikuar nga prizmi sociologjik, problemi i cenimit të objektivitetit në shkencë duket të jetë një prej problemeve serioze shoqërore. Dhe jo vetëm kaq, ai është edhe një shqetësim kolektiv, duke filluar nga instancat më të ulëta e deri te ato më të lartat, që kërcënon me regres të vërtetë, e që në rrethana praktike dhe ekzistuese zakonisht shndërrohet në një bumerangë të vërtetë për strukturën sociale në dëm të së tashmes, të së ardhmes dhe të vetë shkencës. Mosfunksionimi normal i objektivitetit shkencor, respektivisht obskurantizmi shkencor, në secilin vend dhe periudhë, simbolizon shkaqet e vërteta për kriza sociale, etiko - morale, të identitetit kombëtar, etj.. Sepse, gjersa objektiviteti shkencor identifikon të mirën e mundshme, si një e qenë e supozuar e subjektit, që në gjendjen e hulumtimit shkencor objektiv domosdoshmërisht synohet nga hulumtuesi shkencor, në anën tjetër joobjektiviteti si rrëshqitje subjektive, qoftë e vetëdijshme apo e porositur, e aranzhuar apo në rrethana të dhunës edhe e detyrueshme, identifikon devijimin nga idealja, për t’u bërë diçka që është e keqe, destruktive, dhe e rrezikshme. Duke e kuptuar këtë problem të (jo)objektivitetit, jo vetëm që e kuptojmë se objektiviteti në shkencë, nuk është thjeshtë një fontanë dëshirash apo se është një kërkesë kompletuese e hulumtimit shkencor, përkudrazi, e kuptojmë se ai mbetet një princip dhe kriter bazë në shkencë që përshkon esencialisht hulumtimin shkencor, në mënyrë që ai të trajtohet si i tillë. Edhe më tej, ai është akt moral i hulmtuesit shkencor objektiv, në mënyrë që ai të mos bëhet i pamoralshëm dhe të dalë qesharak, inferior, servil, jo serioz dhe dilerant.

Vetëm ai studim që kryhet në përputhje me frymën e objektivitetit shkencor, duke i zbatuar me rreptësi metodat e kërkuara me të drejtë mund të pretendojë se është objektiv në përdorimin e mëtejshëm të paraqitjes së duhur të objektit të studimit, e jo të dëshirave e paragjykimeve subjektive të hulumtuesit.[10]

Duke e kuptuar këtë si qeniesore të shkencës dhe logjikë etike të mentaliteti shkencor, “objektiviteti bashkë me 2) pasionin për të vërtetën, 3) synimin për dijen, 4) përfitimin për njerëzimin, 5) çiltërsinë për paanshmëri, 6) kërkesën për origjinalitet të lartë dhe nderim të tij, si dhe 7) përfilljen e metodës, konsiderohen prej të ashtuquajturave “ideale shkencore”.[11]

Secili prej këtyre elementeve ka rëndësinë e vet të jashtëzakonshme në paanshmërinë shkencore në kuadër të realitetit shoqëror. Sferat që ato identifikojnë kanë rol esencial në tërësinë e procesit shkencor objektiv si diçka unikate. Qoftë veç e veç, apo dhe si tërësi, ato përmbahen në objektivitetin si një premisë që kushtëzon arritjen e mirëfilltë të qëllimit të synuar, po edhe respektimin e metodës së shkencës objektive. Mungesa e njërit prej tyre, e cenon objektivitetin në shkencë si dhe e lëndon procesin shkencor në tërësi.

Fundja, objetiviteti në shkencë është elementi qëndror që tërheq paralelen ndërmjet shkencës së ndershme dhe asaj të pandershme, apo thënë më drejtë dhe më mirë, ndërmjet shkencës dhe jo shkencës. Nëse shkenca, si një hulumtim i mirëfiltë me frymë objektive është e thirrur për të vërtetuar realitetin e çështjeve, për të përpunuar në thellësi faktet ekzistuese, për ta nxjerrur në pah të vërtetën e kërkuar, atë të vërtetë objektive, që si e tillë, edhe po qëse tingëllon kundër interesave të një grupi apo të një shtrese, ajo ka vlerë për të gjithë pa dallim. Në rastin e kundërt, hulumtimi shkencor me frymë subjektive, edhe nëse arrinë të nxjerrë në pah një epilog të një anshëm dhe subjektiv, që kënaq dëshirat e një grupi të caktuar të shoqërisë njerëzore, ajo në të vërtetë nuk ka kontribuar asgjë. Madje, jo vetëm se e ka humbur kriterin human të shkencës, atë “në favor të përfitimit të njerëzimit”, si një prej idealeve shkencore, porse ka plasuar një huti, konfuzion, të pavërtetë dhe rrezik për vlerat unikate. Edhe më mirë të themi për vlerat e mirëfillta, që ekzistojnë si të tilla pavarësisht supozimit të subjektit apo hulumtuesit shkencor, e mbi të gjitha edhe për vetë shoqërinë, të cilës i ka bërë një ‘nder’ me një konkludim të pavërtetë. Për një hulumtim shkencor të këtillë, që përmbahet me teori të pavërteta dhe ngarkesa subjektive, shoqëria njerëzore më së paku ka nevojë.

5. Faktorët kryesorë që e cenojnë objektivitetin në shkencë

5.1. Faktori ideologjik

Faktori ideologjik, mbase është prej faktorëve kryesor që e cenon objektivitetin në shkencë. Në rastin më të thjeshtë, në vend që ideologjia ta mbështesë shkencën në gjykimin e paanshëm dhe objektiv të saj, ndodhë e kundërta, ku shkenca, duke kaluar në ideologjizim vendoset në shërbim të një ideologjie të caktuar.

Një gjendje e këtillë, po thuajse ka ekzistuar dhe ekziston në të gjitha regjimet totalitare, në të cilat pushteti është identifikuar me ideologjinë. Por, modeli më i rrezikshëm i ideologjisë, si cenuese e objektivitetit në shkencë, është ajo që identifikohet si pjesë e identitetit kombëtar. Rasti më unikat i kësaj është ideologjia serbe për “Serbinë e madhe”. Sipas kësaj ideologjie, hija e sëcilës për një kohë të gjatë ka qëndruar a priori mbi çdo objektivizëm shkencor të shkencëtarëve serb, dhe vazhdon edhe sot e më ditë, Serbia e madhe do të mund të realizohej edhe duke bërë spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës.

Sipas akademik Rexhep Qosjes, “ideja e Serbisë së Madhe, në të vërtetë e përshkon politikën shtetërore serbe që prej themelimit të shtetit serb. Dhe kjo ide do të mbështetet në mendimin programor të themeluesit të gjuhës letrare e të letërsisë së re serbe, Vuk Stefanoviq – Karaxhiqit: “Ku jeton qoftë edhe një serb, atje është tokë serbe”![12] Ndërsa, me sa dihet deri tash, projekti i parë, ku janë vënë bazat e idesë së Serbisë së Madhe, është “Neçartanije” e Ilija Garashaninit e vitit 1844, sipas së cilës, Serbia e madhe do të nënkuptonte një shtrirje të gjerë territoriale: Serbia, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Sllavonia, Sremi, Banati, Baçka, pjesa më e madhe e Kroacisë së sotme.[13]

Kështu, koncepti i Serbisë së Madhe, është bërë një ideologji dhe mit i kombit serb, që për gjatë gjithë historisë së Serbisë ka determinuar devijimin objektiv të projekteve shkencore të serbëve, po qoftë edhe duke mbrojtur kauzën inkriminuese dhe hegjemoniste. Si shkak i kësaj, shumë (pseido)intelektual e (pseudo)akademikë kanë rrëshqitur nga objektivizmi shkencor, duke e vënë kontributin e tyre, kinse shkencor, në emër të ideologjisë dhe mitit e për shkatërrimin e qenies shqipëtare. Prej tyre, përpos “Neçartanije - së”[14] së lartëcekur të Ilija Garashaninit e vitit 1844, me projektet e tyre famëkeq mbeten si më të njohur edhe këta:

Vasa Çubrilloviqi, histiorian dhe anëtar i ardhshëm i Akademisë së shkencave dhe arteve të Serbisë si dhe Akademisë Ruse të Shkencave, me projektin e tij të parë në vitin 1937;

 Ivo Andriqit, i cili çmohet nga serbët si shkrimtari më i madh serb, të cilit në vitin 1961 i është dhënë çmimi Nobël, dhe ishte anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë me projektin e tij në vitin 1939;

Ivan Vukotiqit me projektin e tij në vitin 1939;

Stevan Moleviqit me projektin e tij në vitin 1941;

Pastaj Dobrica Qosiqit me shumë artikuj e vepra që vjellin hegjemonizëm që nga vitet ’60 e këndej.

E, në krye të turpit dhe me të njëjtën logjikë inkriminuese qëndron “Memorandumi” famëkeq i  Akademisë së shkencës dhe Arteve të Serbisë, i vitit 1986, të cilën e patën përpiluar një grup akademikësh.[15]

5.2. Faktori politik

Ndikimi i faktorit politik ka një tejshtrirje në të gjitha segmentet e jetës shoqërore, e jo vetëm në çështjen e objektivitetit shkencor. Si në sistemin monist të qeverisjes, ashtu edhe në atë pluralist dhe demokratik, mbajtja e pushtetit përshkohet me fanatizëm ekstrem. Për ta realizuar këtë, pushtetarët janë në gjendje të mos zgjedhin as mënyrë e as të kursejnë mjete. Do të ishte qesharake e naive, që në rrethana të tilla, të mendohet se ky antagonizëm nuk do ta reflektojë edhe objektivitetin e shkencës. Në këtë kontekst, karakterizimi i ndikimit politik, është i prirur që publikimin e epilogut të një hulumtimi shkencor, t’ia përshtasë rrethanave të konvenueshme politike, qoftë duke e ndalur apo vonuar. Këto vonesa dhe afatizime që i bëhen rezultateve shkencore, e me gjasë është një fenomen global, janë forma më e thjeshtë, më e lehtë dhe më me pak dëme e reflektimit politik. Sikundër kësaj, ndikimi i politikës e ka edhe formën e vet më të egër, më perverse dhe më obskurantiste, si më keq se asnjë faktor tjetër. Rasti tipik i kësaj që themi është ideja dilerante e Akademisë së shkencave dhe e Arteve të Maqedonisë, e cila nëpërmjet “Enciklopedia Maqedonase – Makedonska Enciklopedia” ndjellakeqe e të manipuluar, që u publikua dhe u promovua në shtatorin e vitit 2009, faktet historike mbi (prej)ardhjen e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë, i përgënjeshtron dhe i devijon në mënyrën më naive.[16] Ky projekt, botërisht është i ditur se është investuar nga Qeveria e Maqedonisë dhe politika e saj.

5.3. Faktori fetar

Faktori fetar dhe bindja fetare, ndoshta për gjatë gjithë historisë së njerëzimit ka qenë prej atyre fenomeneve shoqërore, që gjithmonë e ka shoqëruar njerëzimin, nga e kualara e deri më sot, dhe ka patur një rol të jashtëzakonshëm. Rasti i inkuzicionit në Mesjetë, ndonëse shpalosë instrumentalizmin hegjemonist të doktrinës së krishterizmit, njëkohësisht përbën rastin më eklatant të mundshëm në dëm të objektivitetit të shkencës. Bëhet fjalë për atë Inkuzicionin trishtues, të cilin papa Inoqenti III, e themeloi në vitin 1215. Sipas disa burimeve, viktimë të inkuzicionit prej themelimit e deri në fund të tij më 1835, pas gjashtë shekuj, kanë qenë afër një milionë njerëz. Në të vërtetë Inkuzicioni kishte për detyrë t’i luftonte dhe t’i asgjësonte të gjithë ata që mendonin në mënyrë disonante në raport me dogmën dhe kishën katolike, mendimtarët, shkrimtarët, teologët, filozofët, shkencëtarët, etj. Ndërsa martirët kryesor të tij, ndër shumë të tjerë ishin edhe këta kolosë të zbulimeve shkencore: Xhordano Bruno, Gali Galileu, Jan Husi, Serveti, Vanini, etj.[17] I vetmi “faj – gabim” i këtyre shkencëtarëve të mëdhenj, që u kushtoi me djegie në turmë të drunjve, ishte qëndrimi i tyre objektiv në persiatjet e tyre shkencore. Teoritë e tyre sot e kësaj dite, mbeten kryevepër e arritjeve njerëzore.

Hija e frikshme e inkuzicionit, mbetet i pashlyer në kujtesën e objektivitetit të shkencës. Madje, pikërisht ky element, ka përligjur idenë e gabuar se të gjitha doktrinat fetare, pa marrë parasysh ato, në raport me qëndrimin e tyre ndaj shkencës, kanë përmbajtjen e njëjtë. Kjo ka ndikuar, që përgjithësisht Mesjeta të koncipohet vetëm me një trajtë, dhe atë negative. Por, kjo nuk është tërësisht e vërtetë. Sepse, disi shumë arritje të Mesjetës, përmbahen në inkuzicionin e Kishës, si një lëvizje obskurantiste. Me këtë rast, dhe duke mos u lëshuar në analiza më të gjata, por për arsye se konstatimi në vijim është me interes të shkencës objektive, konkludojmë se një gjë e tillë nuk është e vërtetë sidomos për Islamin si një fe e objektivizmit shkencor. Jo pse dëshirojmë ta themi këtë, por sepse realiteti historik, është i brumosur në këtë. Për kontributin e madh të Islamit dhënë shkencës objektive, mund të flitet shumë dhe gjatë, prandaj do të shtojmë edhe diçka. Pikërisht në këtë periudhë të Mesjetës, ishte Islami ai që e ndihmoi shkencën, e shpëtoi atë dhe e pulësoi së lulëzuari. Si një pol i kundërt me inkuzicionin dhe mu në zavallin e përsekutimit të objektivitetit shkencor, do të jetë vetë feja Islame ajo që do të zhvillojë mendimin shkencor. Mjafton ta kujtojmë bibliotekën e Kordovës në Andaluzinë muslimane të pas shekullit IX-X, e cila, në mos asgjë tjetër, në kujtesën e shkencës, mbahet mend, si një prej kultit themeltar të prejardhjes së dijës bashkëkohore. Të kujtojmë filozofët e mëdhenj si Ibën Ruzhdin, që njihet si “aristotelian” (v. 866) [18], Ibën Sinanë – Avicenën (v. 1037), dhe shumë të tjerë. Kjo përfshinë “një periudhë gjashtë shekullore, e cila ka qenë perioda e artë e historisë së mendimit dhe shkencës islame. Me qindra shkencëtarë dhe filozofë janë kultivuar dhe ngritur në këtë periudhë 900 - 1500.”[19] Madje thuhet se po të mos ishte kontributi i muslimanëve që e dhanë me rastin e përkthimit të dijës dhe filozofisë helene, dija greke vështirë se do t’i shpëtonte katrahurave të inkuzicionit dhe të mbijetonte deri më sot. Edhe për arsyen se kur muslimanët i morën në duart e tyre shkencat e ndryshme (si: fizika, kimia, matematika, astronomia, mjekësia, logjika, etj, e që disa prej tyre ende nuk kishin profil të mëvetshëm), nga Grekët “ato ishin në një periudhë stagnimi”.[20]

Bazuar në këtë, mbetem i prirur ta përjashtoj Islamin si doktrinë e konsoliduar nga ky imazh errësire i obskurantizmit fetar të inkuzicionit, dhe imazhin e Mesjetës. Pse feja ka patur një dominim të theksuar, mos të gjeneralizojmë me obskurantizëm fetar pa dallim. Por, në anën tjetër të medaljes, konsideroj se faktori fetar, përgjithësisht, pa dallim feje, mund të ketë rol negativ në objektivizmin e shkencës, kur klima shkencore i nështrohet manipulatorëve fetarë dhe profiterëve dogmatikë.

5.4. Faktori social - ekonomik

Ky faktor, gjithmonë ka qenë dhe vazhdon të jetë prej faktorëve më të ndieshëm, që ndikon në (jo)objektivitetin shkencor të hulumtuesit. Subjekti hulumtues, duke qenë i varur nga të ardhurat e rrogës, mbetet rob i shefave të tij dhe jo i objektivitetit si një epiqendër. Nga ky sindrom, sidomos janë të goditur hulumtuesit shkencorë, që jetojnë në vendet e varfëra me sistem të pakonsoliduar social. Pjesë e kësaj fatkeqësie shkencore, mbase janë edhe hapësirat tona shqiptare mbarëkombëtare.

Edhe për arsyen se në vendet ku nuk ka rregull social, puna hulumtuese e subjektit suberdinohet nga frika e largimit nga vendi i punës. Nëse kjo i ndodh hulumtuesit, ai duhet të përballet me sigurimin e ekzistencës së vet dhe të familjes, për dallim nga vendet e zhvilluara, ku sigurimi social vazhdon të kujdeset për anëtarin e shoqërisë me të gjitha benificionet sociale dhe shëndetësore, deri në punësimin e tij të ardhshëm. Kjo është arsyeja e parë, ndërsa arsyeja jetër është se projektet shkencore nuk kanë çmim në kuptimin e të mirave materiale, e që subjekti shkencor, në rrethana të trysnisë, mund të llogarisë në punën vetanake. Kjo, hulumtuesin shkencor e bën akoma më opurtunist ndaj klasës sunduese.

 

6. Konkludimi sociologjik i çështjes

Nëse e pranojmë si të mirëqenë konstatimin se mendimi shkencor objektiv është i vetmi element njerëzor që ndikon në përspektivën njerëzore, dhe kjo, parimisht, nuk ka alternativë tjetër, atëherë do të pranojmë se cenimi i objektivitetit në shkenë është veprimi më dekonstruktiv i mundshëm që i kundërvihet pamëshirshëm zhvillimit dhe avancimit të shoqërisë. Si në të kaluarën, ashtu edhe në periudhën bashkëkohore monopolizimi i shkencës, shndërrohet në rol të një faktori negativ, që sjellë pasoja të paparashikueshme e të rrezikshme për një shoqëri të caktuar, dhe atë jo vetëm në planin social - ekonomik, po edhe në rrafshin kulturor e kombëtar.

Pasojat e cenimit të objektivizmit shkencor janë të ndryshme, të shumta dhe multidisiplinare. Por, me këtë rast, nga konkludimi sociologjik i çështjes, do t’i deduktojmë në dy si më kryesore: 1) neutralizimi i zhvillimit shoqëror, dhe 2) mungesa e alternativës më të mirë.

6.1. Neutralizimi i zhvillimit shoqëror

Objektiviteti mundëson perceptimin e gjërave dhe njohjen e realitetit të tyre në masën më të madhe të mundshme. Duke i njohur ato, njeriu mund të tërheqë paralelen e epilogut të një çështjeje apo të një procesi shkencor, që ka të bëjë me realitetin, aktualen, ekonominë, politikën, artin, kulturën, etj.. E tëra kjo, për të zbuluar me kohë dobësitë e së tashmes dhe për t’i identifikuar premisat e përspektivës së ardhshme. Ana e kundërt e kësaj, apo të themi më mirë, më e mira e supozuar e një realiteti ekzistues, objektivisht nuk mund të analizohet, duke iu qasur problemit nga brenda. Përkundrazi, njohja e vetvetes arrihet vetëm duke dalur nga vetvetja. Në këtë rast, subjektivizmin shoqëror, e me këtë e kam parasysh mentalitetin ekzistues të një gjendjeje shoqërore, nuk mund ta zbërthemjë me një subjektivizëm tjetër, por pikërisht me një logjikë objektive. Me një perceptim të paanshëm dhe mbi të gjitha nga jashtë.

Duke dalur nga vetvetja, pra duke e vënë në spikamë realitetin ekzistues nga objektiviteti shkencor, arrijmë t’i përballim faktet dhe t’i identifikojmë edhe dobësitë edhe favoret. Veprimtaria e këtillë, parimisht premton për lëvizje pozitive nga e dëmshmja drejt të dobishmes, nga e keqja drejt të mirës dhe nga e mira drejt të më së mirës.

Si kundër kësaj, monopolizimi i objektivitetiti të shkencës, është monopolizim i objektivës dhe vazhdim i papërmisueshëm dhe konstant i njëanshmërisë së subjektivitetit shoqëror. Në këtë stad, një shoqëri e përfshirë me këtë fenomen, e ka humbur “dinamikën sociale”, për të cilën thoshte Ogyst Kanti (1798 - 1857) se ajo e ka për detyrë të analizojë faktorët që çojnë në zhvillimin e shoqërisë dhe shkaqet e moszhvillimit.[21] Shoqëria e njëjtë, nuk mund të ketë plane të mirëfillta për planifikimin strategjik të së ardhmes, dhe atë në çdo segment të jetës shoqërore, e posaçërisht në rrafshin kulturor, ekonomik dhe politik, që konsiderohen si tipare bazike të një identiteti të mëvetshëm shoqëror. Mbi të gjitha, neutralizimi i veprimtarisë shkencore objektive, për të mos thënë privimi i saj, përbën intencën për kamuflimin e gjendjes aktuale dhe mbajtjen e statikës sociale, manifestimi i së cilës shprehimisht është arbitrare në shoqëri. Fundja, cenimi i idesë për objektivitet shkencor, është vetiu një padrejtësi e pastër. Në shumicën e rasteve, ky element ka rol vendimtar në shkaktimin e kryengritjeve dhe revolucioneve.

6.2. Mungesa e alternativës më të mirë

Kur mungon liria e shprehjes së mendimit, mungon edhe zhvillimi i ideve më të mira. Ndikimi i mendimit të lirë, apo i veprimtarisë shkencore objektive, reflekton edhe në  shfaqjen e alternativave më të mira mbi shoqërinë nëpërmjet rrugës së kritikës dhe pluralizmit të mendimeve. Madje, procesi shkencor konstruktiv, bazohet në pluralizëm të ideve dhe kritikës. Sipas Karl Popper “pluralizmi kritik është pozicioni, ku në interes të kërkimit të së vërtetës – sa më shumë teori aq më mirë – duhet lejuar për të garuar midis teorive. Kjo garë qëndron në diskutimin racional të teorive dhe në eleminimin e tyre kritik. Diskutimi është racional dhe kjo do të thotë se bëhet fjalë për të vërtetën e teorive konkurruese: teoria, që gjatë diskutimit kritik duket se i afrohet më shumë së vërtetës, është më e mira dhe teoria më e mirë i zhvendos teoritë më të këqija. Pra, bëhet fjalë për të vërtetën.[22] Për atë të vërtetën e kërkuar, që fiton njëmendësinë e bashkësisë së lirë dhe objektive.

Kur jemi këtu, sipas interpretimit të Galip Veliut edhe Xhoshua Rojs është i mendimit se verifikimi individual nuk është i mjaftueshëm për të provuar vërtetësinë e një teze shkencore. Kështu që, një zbulim mund të quhet shkencor vetëm nëse pranohet si i tillë nga bashkësia e shkencëtarëve. Individi i studion faktet e veçanta të përvojës, i mbledh këto fakte dhe arrinë në një përfundim mbi këto fakte. Përfundimi që vjen si rezultat i studimit apo eksperimentimit me këto fakte, duhet të afirmohet dhe të pranohet nga bashkësia e vëzhguesve shkencorë. Ekzistenca e kësaj bashkësie konsiderohet si baza e çdo kërkimi (studimi) shkencor.[23]

Prandaj, në rastin e kundërt, kur kemi monopolizim të mendimit dhe shkencës, nuk mund të bëhet fjalë për një alternativë të rryer, gjersa ajo si tezë shkencore nuk e ka fituar përkrahjen e hulumtuesve shkencorë objektivë, nëpërmjet formës së debatit dhe kritikës.

7. Përfundim

 

Duke marrë për bazë atë që u tha gjer më tani, në raport me cenimin e objektivitetit në shkencë, konstatojmë se objektiviteti në shkencë është prej veprimeve më prioritare të veprimtarisë njerëzore. Ai mbetet arbitër që përcakton intesitetin e zhvillimit të shoqërisë dhe të shkencës në përgjithësi. Për këtë duhet të kontribuojë secili anëtar i shoqërisë njerëzore, pavarësisht nga origjina, kombësia, shteti, feja, raca, mosha, pozita, puna, etj. Objektiviteti në shkencë, nuk është pronë e një shteti e as e një kombi apo feje. Ai është pronë e shkencës së ndershme, e kjo domethënë se është interes i të gjithëve dhe për të gjithë.

Sikundër kësaj, cenimi i objektivitetit në shkencë, është rreziku përmanent për gjininë njerëzore në përgjithësi. Reflektimi i tij ka përmasa negative dhe herë herë të paparashikueshme e të pallogaritshme. Lufta ndaj tij, është përsëri interes i të gjithëve dhe për të gjithe, dhe si i tillë kërkon mobilizim ndërkombëtar.

 

LITERATURA

 

  1. Açıkgenç, Alparslan “Dija dhe shkenca në qytetërimin islam”, boton fondacioni i shkencës dhe kulturës “Dituria”, Gostivar, 2008.
  2. Açıkgenç, Alparslan “Mendimi shkencor dhe barrët e tij”, boton Logos – A, Prishtinë, 2006.
  3. Bajrami, Prof. dr. Hakif  “NAÇARTANIA – program politik serb që shpie në shfarosjen e shqiptarëve 1844 – 1999, boton Shkrola, Prishtinë, 2004.
  4. Islami, Hivzi “Spastrimet etnike – politika gjenocidale ndaj shqiptarëve”, boton Dukagjini, Pejë, 2003.
  5. Marshall, Gordon “Fjalor Sociologjik - Oksfordi” përktheu nga gj. angleze Bashkim Shehu, boton ‘Instituti i dialogut dhe komunikimit’ - Tiranë, pa vit të botimit.
  6. Murtezai, Akademik Ekrem “Fjalor i terminologjisë fetare”, boton Kryesia e Bashkësisë Islame e Kosovës, Prishtinë, 2007.
  7. Murtezai, Ekrem “Fjalor i Filozofisë” boton “Toena”, Tiranë, 2007.
  8. Popper, Karl “Për filozofinë dhe shkencën” – referate dhe punime të përzgjedhura, shtëpia botuese “Fan Noli”, Tiranë, 2009.
  9. Qosja, Rexhep “Shpërngulja e shqiptarëve sipas programeve kombëtare serbe, që nga Naçertanija e Ilija Garashaninit (1844) deri te ndarja e Kosovës sipas Dobrica Qosiqit (2004)”, boton Toena, Tiranë, 2005.

10.  Raeper, William dhe Linda Smith “Një hyrje tek idetë” boton Dituria, Tiranë, 1999.

11.  Raimi, Dr. Sunaj “Sociologjia” boton USHT, 2009, Tetovë.

12.  Veliu, Galip “Dija dhe pavdekësia” boton fondacioni i shkencës dhe kulturës “Dituria”, Gostivar, 2009.

(Punim i botuar në revisten “Edukata Islame”, nr.93/2010, fq.39-54)



[1] Ekrem Murtezai, “Fjalor i Filozofisë” boton “Toena”, Tiranë, 2007, fq. 312. Nocioni objektivitet – i (lat. objectum – gjësend; gjerm. objektivität; fr. objectivité; ang. objectivity), në konceptin ontologjik të fjalës, nënkupton tërësinë e gjësendeve, dukurive, proceseve, cilësive, etj. objective, d.m.th. të atyre që ekzistojnë pavarësisht nga vetëdija, mendimi, qëndrimi dhe nga e tërë ajo që është subjective – njerëzore. (shih: po aty).

[2] Ekrem Murtezai, “Fjalor i Filozofisë”, po aty.

[3] Alparslan Açıkgenç “Mendimi shkencor dhe barrët e tij”, boton Logos – A, Prishtinë, 2006, fq. 151. Sipas studiuesit Alparslan Açıkgenç secila shkencë duhet të kalojë nëpërmjet një etape paraprake, që njihet si “etapa e problemeve”. Mirëpo, kjo etapë fillestare akoma nuk është “veprimtari shkencore”, por vetëm “veprimtari dijekërkuese”. Ngase termi shkencë është kufizuar për ato veprimtari, në të cilat ka një vetëdije në mendjen e studiuesve: ajo veprimtari tashmë përbën një disiplinë. Për këtë arsye është më e përshtatshme që veprimtarit studimore në etapën e problemeve të quhen “veprimtari dijekërkuese”. (shih: po aty).

[4] Shih: Alparslan Açıkgenç “Mendimi shkencor...”, po aty, fq. 152 – 153.

[5] Dr. Sunaj Raimi, “Sociologjia” boton Universiteti Shtetëror i Tetovës, 2009, Tetovë, fq. 21-22.

[6] William Raeper dhe Linda Smith “Një hyrje tek idetë” boton Dituria, Tiranë, 1999, fq.11.

[7] Akademik Ekrem Murtezai, “Fjalor i terminologjisë fetare”, boton Kryesia e Bashkësisë Islame e Kosovës, Prishtinë, 2007, fq. 375.

[8] Dr. Sunaj Raimi, “Sociologjia”, po aty, fq. 33.

[9] Gordon Marshall, “Fjalor Sociologjik - Oksfordi” përktheu nga gj. angleze Bashkim Shehu, boton ‘Instituti i dialogut dhe komunikimit’ - Tiranë, pa vit të botimit, fq. 283.

[10] Shih: Gordon Marshall, “Fjalor Sociologjik - Oksfordi” po aty, fq. 283.

[11] Alparslan Açıkgenç “Mendimi shkencor dhe barrët e tij”, boton Logos – A, Prishtinë, 2006, fq.172.

[12] Rexhep Qosja, “Shpërngulja e shqiptarëve sipas programeve kombëtare serbe, që nga Naçertanija e Ilija Garashaninit (1844) deri te ndarja e Kosovës sipas Dobrica Qosiqit (2004)”, boton Toena, Tiranë, 2005, fq. 9.

[13] Hivzi Islami, “Spastrimet etnike – politika gjenocidale ndaj shqiptarëve”, boton Dukagjini, Pejë, 2003, fq. 17.

[14] Një përpunim seriozë e me sy kritikë të përmbajtjes së “Naçartanije-së”, e ka bërë studiuesi ambicioz nga Kosova Prof. dr. Hakif Bajrami, në librin e tij “NAÇARTANIA – program politik serb që shpie në shfarosjen e shqiptarëve 1844 – 1999, boton Shkrola, Prishtinë, 2004.

[15] Shih: Rexhep Qosja, “Shpërngulja e shqiptarëve sipas programeve kombëtare serbe…” po aty, fq. 9 e tutje.

[16] Sipas kësaj enciklopedie, fyhen shqiptarët duke i quajtur si “njerzë mali” dhe kinse ardhacak në Maqedoni kryesisht pas shekullit XVI-të, e me intensitet më të madh pas shekullit të XVIII-të, sidomos nëpër qytetet si Tetovë e Gostivar, të cilët si bandistë dhe kaçakë terrorizuan popullsinë maqedonase duke i detyruar të shpërngulen. Aty ka edhe shumë gjepura të tjera. (informata nga gazetat ditore dhe interneti – www.BBCalbanian.com, në kohën kur u publikua Enciklopedia).

[17] Akademik Ekrem Murtezai, “Fjalor i terminologjisë fetare”, po aty, fq. 172, (cituar me parafrazim).

[18] Alparslan Açıkgenç “Dija dhe shkenca në qytetërimin islam”, boton fondacioni i shkencës dhe kulturës “Dituria”, Gostivar, 2008, fq. 74.

[19] Alparslan Açıkgenç “Dija dhe shkenca…” po aty, fq. 122.

[20] Alparslan Açıkgenç “Dija dhe shkenca…” po aty, fq. 79

[21] Dr. Sunaj Raimi, “Sociologjia”, po aty, fq. 54-55.

[22] Karl Popper “Për filozofinë dhe shkencën” – referate dhe punime të përzgjedhura, shtëpia botuese “Fan Noli”, Tiranë, 2009, fq.76.

[23] Galip Veliu “Dija dhe pavdekësia” boton fondacioni i shkencës dhe kulturës “Dituria”, Gostivar, 2009, fq. 115-116.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme