Pyetje:
Një vëlla musliman punon me taksi dhe i duhet të qëndrojë me orë të gjata në punë, kështu që ai disa namaze i kryen ulur në makinë dhe ndoshta ndonjëherë detyrohet të falet pak në drejtim jo të kibles. A ka të drejtë ta bëjë një gjë të tillë nëse frikësohet se i kalon koha dhe a ka dallim në këtë midis farzit dhe nafiles?
Përgjigje:
Në shembullin që ti përmende nuk konsiderohet e nevojshme që të mund të falësh farzin ulur, ose i larguar nga kibla.
Pyetje:
Unë vuaj nga devijimi seksual në të menduar. Por elhamdulil-lah deri tani nuk kam bërë gjëra që e hidhërojnë All-llahun Fuqiplotë. Megjithatë unë kam shumë frikë se mos rrëshqas në këto lakmi dhe nuk di ç’të bëj sidomos pasi unë jam i dobët. Elhamduli-lah në mënyrë të rregullt e ndjek xhaminë si dhe ndjek aktivitetet fetare dhe vazhdimisht mundohem që ta angazhoj veten me këto gjëra, por vazhdimisht dështoj. Cila është zgjidhja?
Përgjigje:
Ilaçi yt i parë është të shpeshtosh lutjen dhe vazhdimisht kthimin tek All-llahu. Ndërsa ilaçi i dytë të shkosh para një mjeku specialist fetar që i frikësohet All-llahut.
Pyetje:
Siç mund ta dini dhe ju, në këtë kohë janë shtuar devijimet e mashtrimet, saqë unë sapo dal nga njëri, hyj në tjetrin. Por një gjë më mundon, e ajo është që të bëhem i moralshëm si sahabet (shokët e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem), All-llahu qoftë i kënaqur me ta. Unë për veten time kërkoj më shumë moralin se sa ibadetin. Pra, kështu nisem në këtë gjë, saqë arrij deri në atë shkallë që ta respektoj nënën time në masë të madhe, po ashtu edhe vëllezërit e mi, saqë jam në gjendje të flijoj për ta, por nuk shkon më tepër se një javë apo 10 ditë e përsëri kthehem në të parën ku përsëri ndjej se besimi më dobësohet. Kështu përsëri kthehem në moralin e mëparshëm saqë edhe familja befasohet. Ju lutemi të më këshilloni!
Përgjigje:
Virtytet e mira janë thelbi i Fesë. Por mënyra e arritjes deri tek ato, së pari janë zbatimi i detyrimeve, të cilat All-llahu t’i ka obliguar. Pastaj shpeshtimi i të përmendurit të All-llahut dhe së dyti leximi i Kuranit. Ky është ilaçi që rregullon veten tënde si dhe ky ilaç të bën më të kthellët, më të butë në marrëdhënie me të tjerët. Mos harro edhe rëndësinë e lutjes dhe kthimit tek All-llahu.
Pyetje:
A është në rregull të besohet mundësia që All-llahu të gënjejë? Nëse nuk është në rregull, atëherë si është dispozita e atij që shkruan dhe vepron një gjë të tillë si dhe ata që thërrasin në këtë ide?
Përgjigje:
Njeriu i mençur e që beson All-llahun, nuk mund të thotë për All-llahun se Ai mund të gënjejë! Ai që e beson një gjë të tillë, është njësoj si ai që e mohon All-llahun Fuqiplotë.
Pyetje:
Vazhdoj t’i drejtohem All-llahut me lutje dhe mundohem ta zgjedh kohën e përshtatshme dhe fjalët e përshtatshme, por kurgjë nuk po ndodh. A do të thotë se All-llahu nuk është i kënaqur me mua? Unë e di se duhet që të pres, por dua të di, a është All-llahu i kënaqur me mua si muslimane e mirë?
Përgjigje:
All-llahu pranon lutjen e robit derisa ai nuk shpejton dhe nuk thotë: jam lutur, por nuk më është përgjigjur. Dije se Ai të ka premtuar se do të përgjigjet në kohën kur Ai do, e jo në kohën kur ti dëshiron dhe ajo në mënyrën që Ai do, e jo në mënyrën që ti dëshiron.
Pyetje:
Unë jetoj dhe punoj në Holandë që prej 30 vjetësh e deri tani. Kam paguar shumë qira për apartamentin tim. Tani jam martuar dhe kam dy fëmijë. Për t’i shpëtuar kësaj gjendjeje dëshiroj të blej një banesë, jo për luks. As që dua ta blej, apo që ta shes atë e të fitoj, por dua të jetoj aty deri në vdekje. Dëshiroj që ju të më tregoni, a më lejohet që të blej dhe pagesa të bëhet me kredi në bazë të hipotekës (normal kjo ka kamatë)? Çfarë të bëj?
Përgjigje:
Nuk lejohen transaksionet me hua me kamatë, ose me gjëra të tjera përveçse në raste të nevojës ekstreme. Kurse ti e di, a je në këtë situatë, apo nuk je?
Pyetje:
Punoj në një kompani private ku aty nuk ka as sigurime shëndetësore, ose shoqërore. A më lejohet mua që të regjistrohem në sigurimet shoqërore?
Përgjigje:
Nëse nuk ka kamatë, nuk ka ndonjë pengesë.
Pyetje:
A është e vërtetë se për ne muslimanët e vitit ‘48 ka dispozita të veçanta siç supozojnë shumë njerëz dhe këto për shkak të kushteve tona të veçanta, të cilat ju i dini mirë? Cilat janë rregullat pas të cilave duhet të shkojmë që të mos e humbim busullën, e të humbasim rrugën? Shumica këtu kryejnë vepra që janë në kundërshtim me Sheriatin dhe që nuk i takojnë muslimanit (saqë këto gjëra kanë filluar të pasqyrohen në moralin e të rinjve). Nëse ndonjërin prej tyre e këshillon, e sheh se ai e refuzon këshillën, duke e arsyetuar këtë se dispozitat e sheriatit nuk vlejnë dhe nuk zbatohen në kushtet tona ku jetojmë dhe se është e rëndë që ne t’i zbatojmë pasiqë nuk jemi shtet islam, madje ne edhe nuk jetojmë edhe në shtet jo-islam (bie fjala në shtetet evropiane). Prej punëve të cilat këtu kam për qëllim janë veprimet me kamatë me bankat, mbushja e llotarive me të gjitha llojet, kopjimi i cedeve (cd), programeve kompjuterike dhe shitja e tyre, mbështetja në papunësi për të marrë ndihma sociale për të papunët, edhepse ata punojnë dhe kanë rrogë mujore (disa – madje shumica e tyre) lënë punën edhepse mund të punojë me qëllim që të marri ndihma sociale.
Përgjigje:
Dispozitat e sheriatit islam e ndjekin muslimanin kudo që ai të jetë. Kurse prej këtyre dispozitave është: Nevoja ekstreme bën që të lejohen të ndaluarat dhe lejimet që janë të caktuara e të njohura. Pra, këto dispozita në përgjithësi nuk kanë vatan të caktuar. Muslimani detyrohet t’i zbatojë kudo që të jetë.
Pyetje:
Kam studiuar xhirimin në institutin e arteve dhe ky ishte fati im pas shkollës së mesme. Më pas jam punësuar në një Kompani private që merret me prodhimin e punëve të artit. Këtu punova 4 vite me radhë si kameraman. Pastaj kalova në fushën e produksionit ku kam punuar si ndihmues. Ende synimi im është që ta mësoj produksionin jo për të nxjerrë prodhime artistike të njohura si të ditëve të sotshme, por që të hulumtoj punë qëlluese, edukative apo fetare. Gjatë gjithë kësaj kohe unë po zvarritem, megjithëse arti nuk ka mundur ende që të më tërheqi në lajthitjet e tij, edhepse jam në mesin e tyre. Por unë vazhdimisht veproj me një mënyrë diplomatike për t’u ruajtur nga ata dhe ta kryej punën time. Elhamduli-lah jam i rregullt në namaz dhe nuk bëj lëshime në ibadetet e mia. Kjo është e vetmja punë që njoh dhe kjo punë është burimi i furnizimit tim, gruas dhe fëmijës tim. Pra, puna ime si ndihmës xhirues, a është haram? Edhepse qëllimi im është që të mësoj xhirimin kurse një gjë të tillë është e rëndë dhe e shtrenjtë nëse nuk punoj në këtë mënyrë. Pra, doemos duhet të ushtrohet nën duart e njeriut që është prodhues i specializuar e i aftë.
Përgjigje:
Dispozita e kësaj varet nga lloji teknik që prodhon si ndihmës i xhiruesit. Pra, nëse është i arsyeshëm me sheriat islam, atëherë nuk ka pengesë, por nëse jo, atëherë është haram.
Pyetje:
Kam një mixhë, gruaja e të cilit ka lindur një fëmijë para kohe. Fëmija e ka shpinën të hapur dhe ka difekt në nervat e tij. Mjekët thonë se ky do të vdesë pa operacion, bile edhe pas operacionit mundësitë për të jetuar janë 50%, por edhe nëse jeton gjysma e poshtme e tij do të jetë e paralizuar. Ndërkaq prindi i fëmijës nuk zotëron aq pasuri për operacin. A lejohet që ta lëmë ashtu pa operacion e të vdesë, apo ta vdesim ne (me injeksione)?
Përgjigje:
Nuk lejohesh të bëhesh shkaktar i vdekjes së tij. Kurse sa i përket operacionit të tij kjo i lihet vendimit të prindërve.
Pyetje:
Në Insbruk ka më tepër se një xhami, por të komuniteteve të ndryshme. Ka edhe një xhami me qira që është e komunitetit arab. Vëllezërit këtu deshën para një viti të blejnë një xhami, por ndihmat që mblodhën nuk janë të mjaftueshme, kështu që komisioni i ngarkuar me këtë punë ka kërkuar kredi nga një bankë për ndërtimin e kësaj xhamie. Por kjo temë ishte thelbi i një përçarjeje midis atyre që janë kundër kamatës për të cilën gjë All-llahu Fuqiplotë kërcënohet me luftë dhe atyre që e shohin një gjë të nevojshme dhe me interes. Vendi i ri i xhamisë u ble me kredinë e bankës dhe me ndihmat që u mblodhën. Njerëzit këtu u ndanë në dy tabore. Njëri thotë se nuk do të shkojnë për t’u falur në atë xhami që nuk është e ndërtuar me devotshmëri, kurse tabori tjetër ka mendim të qartë, ecin me kohën. Këta kanë kërkuar përgjigje nga Ez’heri, të cilët u kthejnë përgjigje se kredia është hallall dhe nuk ka asnjë problem aty, duke u mbështetur në parimin e nevojës, por e vërteta është se nevoja jonë, është sikurse e atij që dëshiron një shtëpi për pronësim me qëllim që ta ngrejë çmimin e qirasë. A lejohet kjo shitje dhe a lejohet namazi në këtë xhami, e cila është ndërtuar me pasuri që mban kamatë?
Përgjigje:
Nuk lejohet blerja e një ndërtese për ta shndërruar në xhami nëpërmjet kamatës dhe kjo sipas vendimit të njëzëshëm (ixhma) të muslimanëve. Kjo nevojë që kërkon një gjë të tillë, nuk është e konsiderueshme.
Pyetje:
Si thoni që të shkruhet Kurani me shafran dhe me ujë trandafili dhe pastaj të laget me ujë dhe pastaj të pihet si rukje (shërim), ose si mbrojtje, apo për ta forcuar kujtesën? Dhe pse shafrani dhe uji i trandafilit?
Përgjigje:
Bartja e ajeteve të Kuranit për bereqet është e ligjshme dhe një gjë e tillë është një lloj prej llojeve të rukjes së ligjshme. Kurse të shkruhen ajetet me shafran dhe të ngjashme dhe lagia e tyre me ujë etj., është bidat që nuk përputhet me sheriatin dhe me rregullat e rukjes.
Pyetje:
Së pari: A është haram bakshishi që i jepet kamerierit në restorant nëse ai gjatë tërë kohës më shërben pa ma kërkuar një gjë të tillë?
Përgjigje:
Po lejohet t’i jepet kamerierit dhe një gjë e tillë është veprim i mirë.
Pyetje:
Unë elhamduli-lah jam një rob musliman që falem, por kam mungesë kontakti me All-llahun nga ana shpirtërore me përjashtim kur kam situata të rënda. Shpresoj prej jush që të më udhëzoni se si të bëhem prej atyre që janë vazhdimisht të lidhur me All-llahun Fuqiplotë, lidhje kjo që nuk mund të matet me asgjë!
Përgjigje:
Kjo arrihet duke e shpeshtuar të përmendurit e All-llahut (duke bërë dhikër) sidomos herët në mëngjes dhe natën, duke lexuar Kuran, duke u larguar nga ngrënia e haramit dhe duke mos u shoqëruar me njerëzit e këqij.
Pyetje:
Jam një vajzë e re e martuar. Jeta ime ishtë e mbushur me devotshmëri kurse burri im është thirrës në nivel familjar dhe të shoqërisë. Ai ishte kështu deri kur bleu një kompjuter dhe u bëmë pjesëmarrës në internet. Nga kjo kohë filluam të përjetojmë kundërshtime që nuk i kemi patur më herët. Papritmas zbulova se ai ishtë anëtar në web-faqet amorale dhe shpreson që unë t’u ngjaj atyre vajzave, por mua nuk më le turpi ta bëj një gjë të tillë. Krahas kësaj ai ka filluar që të afrohet me shokë të këqij dhe të harrojë shokët e devotshëm. Ai më do mua, por ai nuk ndjen se unë atë e dua sepse unë nuk e befasoj atë me gjëra… Çfarë të bëj. Unë i frikësohem All-llahut që ai të më marri në llogari për veprimet e mia. Por unë po betohem se mundohem të jap gjithë atë që mundem për ta kënaqur, për të fituar kënaqësinë e All-llahut dhe për të arritur dashurinë e burrit tim.
Përgjigje:
Lus All-llahun që ta udhëzojë atë e ta përudhë, po ashtu edhe ti lutu. Këshilloje atë, kujtoja vendimin e All-llahut dhe sillu me të me butësi. All-llahu është i mundshëm që ta udhëzojë atë.
Pyetje:
Vajzën time e kam emërtuar “Sidra”. Ajo tani është tre vjeçare. Më është thënë se shumë hoxhallarë e kanë ndaluar një emër të tillë dhe nuk e di për çfarë arsye dhe se emri e dëmton atë. Sa është e vërtetë një gjë e tillë?
Përgjigje:
Zgjedhja e emrit të foshnjes i lehet dëshirës së prindërve dhe shijes së tyre (me përjashtim të emrave që janë emra fetarë të feve të tjera, të cilët kanë kuptime që përfaqësojnë besimet e tyre, vër. e përkth.). Por është e pëlqyer dhe e preferuar që prindërit të zgjedhin për fëmijët e tyre emra të dashur që kanë kuptime të mira e që nxisin optimizmin.
Pyetje:
Para pak kohësh kam pranuar Islamin dhe nuk i di rregullat e marrëdhënieve të mia me familjen time. Di se Islami thekson respektin ndaj prindërve, pa marrë parasysh fenë e tyre. Por unë e kam fjalën këtu për familjen, për anëtarët e tjerë të familjes; a t’i ndërpres lidhjet e mia me ta? Para dy vjetësh jam martuar me një musliman dhe kjo ndodhi pasi e pranova Islamin. Prindërit e mi nuk ishin të shqetësuar për shkak të pranimit tim të Islamit. Por ata filluan të shqetësohen për ndryshimet që pësoi jeta ime. Megjithatë unë nuk i shkëputa lidhjet e mia me prindërit madje edhepse ato nuk silleshin mirë me burrin tim. Kohët e fundit prindi im ka filluar të sulmojë burrin tim, si me fjalë po ashtu edhe fizikisht. Kjo ndodh para meje (e gjitha kjo për shkak të mendimeve të kundërta që ka burri im me nënën time). Kam frikë se mos e dëmtojë burrin pasi e shtyu me forcë. Burri im më tha që të mos e vizitoj më familjen time nga droja që të mos ndodhë ajo që ndodhi. Çfarë më propozoni? Kam frikë se ata do të vazhdojnë përsëri kështu me burrin tim. Por i druhem edhe dënimit të All-llahut nëse ndërpres lidhjet e mia me familjen. Më këshilloni!
Përgjigje:
Nuk i lejohet muslimanit që të ndërpresi marrëdhëniet me familjen që i ka rahim (me ata që e ka të ndaluar të martohet me ta), për shkak të asaj se këta janë muslimanë e ata jomuslimanë. Të këshilloj që të shtosh dashurinë ndaj prindit tënd dhe të sillesh me moral të mirë me të, sepse një gjë e tillë do të shkaktojë që atij t’i hapet zemra ndaj burrit tënd. Por në fillim përdor urtësinë dhe vizito prindin me butësi dhe deri në masë të fundit t’i hysh në zemër, duke mos patur burri yt lidhje aty dhe më vonë situata do të zbutet.
Pyetje:
Si është dispozita e Sheriatit të punosh në Bufe siç veprohet në disa restorante ashtuqë myshteriu paguan një shumë të caktuar me të cilën i mundësohet të hyjë në atë restorant dhe pastaj ushqehet dhe shërbehet çfarë të dojë. Kështu veprojnë edhe disa lokale zbavitëse rekreative për fëmijë, ku fëmija paguan një shumë të caktuar dhe pastaj luan me cilëndo lojë të dojë. A ka në këtë dëmtim? Këto veprime, a mund t’i konsiderojmë njëlloj me tatimet që merren për të hyrë në parqet rekreative (të argëtimit)?
Përgjigje:
Kjo është si ajo që është bërë traditë (urf) të hyhet në banjot publike (hamamet) pa lidhur kontratë apo kushtëzim dhe sikurse veprimi i atij që qethet te rrojtorja pa kushtëzuar. Për gjithë këto juristët kanë diskutuar dhe kanë konstatuar se Urfi (tradita e përdorimit) zë vendin e kontratës. Pra, kështu është edhe me “Bufenë e hapur”.
Pyetje:
Shpresoj që të na sqaroni përkufizimin e “boshatisjes”[1] në ekonomi dhe çfarë dispozite ka në Islam.
Përgjigje:
“Boshatisje” nuk ka asnjëfarë arsyetimi në Sheriat, por edhe as arsyetim ligjor. Pra, nuk lejohet që të merret apo të jepet ndonjë pasuri kundruall asgjësë. Por mund t’i iket kësaj metode të palejuar në mënyrë që qiraxhiu të shesë ndonjë plaçkë që është aty bie fjala mobiljet me atë shumë që dëshiron kështu kjo lejohet edhe me Sheriat, edhe në mënyrë ligjore dhe kështu i iket pagesës për “boshatisjen” që nuk është e lejuar.
Pyetje:
A lejohet që dikush të dërgojë vizë për haxh dhe ai pastaj t’ia shesi dikujt tjetër që është i interesuar me një çmim të caktuar, bie fjala ajo të kushtojë 25 mijë lira siriane, e ky ta shesi 35 mijë lira siriane. Ky veprim, a është i dyshimtë?
Përgjigje:
Ky veprim nuk lejohet dhe nuk lejohet haxhi të kryhet në këtë mënyrë. Një gjë të tillë e kanë theksuar Fukahatë.
Pyetje:
A lejohet që mashkulli t’ia dhurojë dikujt njërin testis dhe si do të ishte çështja e shumimit pastaj?
Përgjigje:
Nëse jeta e atij që i dhurohet ai testis varet nga kjo gjë dhe vullnetari e di se jeta e tij do të vazhdojë në gjendje të zakonshme edhe pasi ta dhurojë atë, atëherë ky dhurim është i lejuar. Ndërkaq çështja e pasardhësve nuk ndikon në përkatësinë me këtë dhurim, d.m.th., fëmijët që do t’i lindin këtij që i është dhuruar testisi janë të tij.
Pyetje:
Kam lexuar librin tuaj “El Insan ve adaletu All-llah fil erd (Njeriu dhe drejtësia e All-llahut në sipërfaqen e tokës)”. E vërteta është se nuk kam fjalë me të cilat mund të shpreh emocionet e besimit që ka ngjallur tek unë libri juaj i shkëlqyeshëm dhe nderin e respektin që derdh zemra ime ndaj jush. All-llahu u shpërbleftë. Ky libër më ka nxitur të bëj disa pyetje, e ndër to është: Pyes për ata fëmijë që vuajnë nga paraliza ose mundime të tjera të mëdha, ose mungesa e të parit, të dëgjuarit etj. Këta nuk i kanë kuptuar as çështjet më të rëndomta të Fesë që të realizojnë kënaqësinë, bindshmërinë, botëkuptimin e dashurisë apo arsyen e nënshtrimit ndaj All-llahut. Pra, cila është urtia e mundimeve dhe sprovave të tyre kur ata nuk janë në gjendje të perceptojnë e të kuptojnë përveç se atë që është e ndijshme (shqisore) dhe nuk e kuptojnë veç se këtë skenë nga një dramë e madhe (siç e keni përmendur ju).
Përgjigje:
Ajo që merret në konsideratë janë emocionet që fshihen në zemër (shpirt), e jo pamja që shohin sytë e tu nga gjendja e njerëzve. Të jesh i bindur se All-llahu ka ndarë emocionet e kënaqësisë tek robërit e vet, siç ka ndarë edhe emocionet e mjerimit dhe brengave në masë shumë të madhe të barazisë, qofshin ata të vegjël apo të rritur. Ajo që merret në konsideratë nuk është pamja e jashtme xixëlluese e shkëlqyese që nxit (shkakton) në veten tënde zili, e as pamja mjeruese që të shkakton në zemër dhembshuri e mëshirë, por ajo që merret në konsideratë është ajo që shfaqet në zemër (shpirt), kurse kjo gjë është ajo me të cilën All-llahu e ka veçuar vetëm Veten e Tij.
Pyetje:
Kam lexuar në disa fetva se kartat me vlerë si: “Visa” “American Express”, të cilat jepen nga bankat me kamatë janë të ndaluara. Pyetja ime është si do të ishte çështja e tregtarit që merret me tregtimin e orendive shtëpiake, e i cili shumicën e myshterinjve (sidomos prej hebrejve dhe të krishterëve) i ka prej atyre që blejnë vetëm me kartat me vlerë të përmendura. Pra, si është puna e këtij tregtari që të punojë me këto karta?
Përgjigje:
Kartat me vlerë që mbajnë vlerë pasurie, e të cilat përdoren për marrëdhënie tregtare (biznes) për lehtësim të myshteriut dhe shitësit, përdorimi i tyre nuk ka ndonjë problem. Ndërkaq përsa i përket asaj që banka, e cila i lëshon këto karta vepron me kamatë, duhet të theksoj se çështja e saj që vepron me kamatë, nuk kalon në ndalimin e përdorimit edhe të kartave me vlerë.
Pyetje:
Më ka pyetur një vajzë e re nga Suedia: Cila është urtia e ndalimit të kumarit? Unë u mundova me njohuritë e mia të pakëta t’ia shpjegoj, por përgjigjja ime nuk ishte bindëse dhe racionale?
Përgjigje:
Nëse njeriu nuk bindet për dëmet shoqërore dhe edukative e shpirtërore (psikologjike) të kumarit, atëherë gjithashtu ai nuk bindet edhe në shumicën e gjërave të pacënueshme të Islamit. Një gjë e tillë është shumë e çuditshme!
Pyetje:
U drejtohem me këtë letër kurse goja ime është e paaftë të përshkruaj atë që kam në brendinë time prej largimit tim nga All-llahu dhe gjynahet e mëdha që kam. Unë shikoj gjëra që i ka ndaluar All-llahu në kanalet satelitore dhe internet. Këtë e bëj duke e ditur se është e ndaluar (haram) dhe se All-llahu nuk është i kënaqur me këtë. Falem, agjëroj dhe fal pesë kohët me xhemat, ndjek derset (ligjëratat nëpër xhami). I premtoj All-llahut se do t’i lë ato, por kur mbetem vetëm e hap internetin dhe shikoj faqet e fëlliqura pornografike, si dhe shikoj filma pornografike në kanalet satelitore. Çdo ditë e di se një gjë e tillë është haram dhe bëj teube (pendim), por sa vjen nata përsëris të njëjtat punë. Edhe lexoj, por nuk hyn gjë në kokën time dhe kam frikë se po më vjen çasti i vdekjes e të më gjejë në këtë gjendje. Kërkoj këshillë prej jush!
Përgjigje:
Shërimi yt është që ta shtosh lutjen dhe kthimin tek All-llahu sidomos në kohët specifike si koha e sehurit (syfyr) etj. Kurse ilaçi i dytë i yti është të bësh istigfar (të kërkosh falje nga All-llahu duke thënë Estagfirull-llah) 100 herë, të bësh tesbih (të thuash subhanell-llah) 100 herë dhe të bësh salevat (të thuash All-llahume Sali ala Muhammedin …) 100 herë. Nëse vazhdon kështu me këtë gjë, do të gjesh shpëtim dhe dalje nga ajo që thua.
Pyetje:
Çfarë do t’u këshillonit familjeve muslimane në Francë përsa i përket arsimit?
Përgjigje:
I këshilloj që të ndërtojnë për fëmijët e tyre shkolla të llojit “Full time (me kohë të plotë)”, siç veprojnë çifutët për edukimin e fëmijëve të tyre.
Pyetje:
Jemi një grup shoqesh që punojmë në disa ndërmarrje private: hotele, fabrika dhe byro private. Në këto vende pune nuk na mundësohet të jemi me mbulesë (hixhab). Krahas kësaj edhe kemi kontakte të shumta me burra si me punëtorët apo klientët, ju e keni parasysh atë që dua të them? Si është gjykimi juaj për këtë situatë që jemi?
Përgjigje:
Sipas sheriatit nuk të lejohet të punosh e të jesh në marrëdhënie pune ku detyrohesh të shkelësh urdhërat e All-llahut. Heqja e hixhabit është prej harameve (gjërave të ndaluara). Njëkohësisht edhe kontakti i tepërt me burrat është i ndaluar sidomos kur je pa hixhab. Prandaj unë të këshilloj që të kërkosh ndonjë punë tjetër që nuk bie ndesh me sheriatin dhe me normat e tij.
Pyetje:
Në vendin tonë bujqit lidhin kontrata me kombajnerët. Kështu këta pagesën e tyre e marrin me të korra (përafërsisht një të pestën e të korrave). Pyetja është se këta bujq, kur duhet ta bëjnë llogarinë e dhënies së zekatit pasi t’ia japin kombajnerit pagën që i takon apo para?
Përgjigje:
Do ta bëjnë llogarinë e zekatit pasi të heqin atë pjesë që duhet t’ia japin atij.
Pyetje:
Jam një musliman që para dy javësh kam arritur në Kanada. Shumica e vëllezërve këtu merren me kamatë dhe nuk i kushtojnë rëndësi rasteve të nevojës, e sidomos për blerjen e banesave nëpërmjet bankës me këste dhe kamatë. Shpresojmë që ju të na përgjigjeni dhe si mundem t’i këshilloj ata që janë ngatërruar qysh më para dhe dëshirojnë të tërhiqen? Si të veprojnë, pasiqë bie fjala të kenë paguar gjysmën e shumës?
Përgjigje:
Çdo musliman e di se kamata me të gjitha format e saj është haram me përjashtim kur janë të detyruar (nevojës ekstreme). Kurse ai që është ngatërruar me një gjë të tillë, bie fjala, gjegjësisht të ketë miratuar kontratën dhe të ketë paguar një pjesë të saj ashtuqë nuk i mundësohet ta anullojë marrëveshjen, atëherë shpresoj që të mos e marrë All-llahu në përgjegjësi, me kusht që të mos i kthehet më një gjëje të tillë.
Pyetje:
A më lejohet që ta jap me qira barnatoren për një shumë të caktuar. Vetë nuk e vë dot në përdorim për shkaqe familjare, të cilat më detyrojnë të mos e përdor personalisht?
Përgjigje:
Po, të lejohet, por me kusht që në barnatore të ushtrojë punën një njeri kompetent për këtë punë.
Pyetje:
Jam Libanez dhe siç e dini shkollat e krishtera konsiderohen dhe ofrojnë cilësi më të mirë si për nga arsimi po ashtu edhe për nga sistemi dhe për fat të keq ato janë më të mira se shkollat e muslimanëve. Prindi im më ka dërguar në një shkollë prej atyre. Por aty më ndalohet namazi i drekës dhe xhumaja. Jam munduar që të transferohem, por prindi im nuk pajtohet. A më konsiderohet një gjë e tillë arsye dhe çfarë të bëj?
Përgjigje:
Nuk të lejohet të rrish në shkolla ku të ndalohet falja e namazeve të detyruara. Nuk respektohet krijesa (prindi etj) në shkeljen e ligjeve të Krijuesit.
Pyetje:
Një grua gjendet larg vendit të vet dhe banon me një shoqe. Si është dispozita e qëndrimit të saj në vendin e punës pa patur atje mahrem (burrin ose ndonjë me të cilin i ndalohet martesa e përhershme me të), duke theksuar se në atë vend ka siguri madje është edhe në nivel të shkëlqyeshëm.
Përgjigje:
Nuk ka pengesë që gruaja të qëndrojë pa mahrem në ndonjë vend nëse qëndrimi i saj nuk i shkakton të bëjë ndonjë haram apo të lërë ndonjë detyrim.
Pyetje:
Si mund të bëj ta kontrolloj veten sa ma mirë?
Përgjigje:
Shpeshto dhikrin (të përmendurit All-llahun), leximin e Kuranit dhe kthimin tek All-llahu. Kështu All-llahu do ta mundësojë që të kontrollosh veten.
Pyetje:
Çfarë duhet të bëj nëse unë ndjej se kam sekrecione vaginore, duke qenë në namaz apo duke qenë në tavaf (rrotullimi rreth Qabes). A t’i konsideroj si istihada (rredhja e gjakut apo të ngjashme jashta ciklit të menstruacioneve), të marr abdes për çdo farz dhe të falem sa të dëshiroj namaze nafile brenda asaj kohe! Apo t’i konsideroj si dispozita e mosmbajtjes së urinës (urinim i pavullnetshëm) nga të cilat vuaj shumë sidomos në mesin e ciklit menstruacional. Unë jam duke kryer Umren (vizita e Qabes jashtë kohës së Haxhit)?
Përgjigje:
Së pari: Vetëm ndjenja për rrjedhjen e sekrecioneve nuk do të thotë se ato doemos kanë dalë nga kufiri i vaginës. Prandaj vetëm një ndjenjë e tillë nuk e prish abdesin. Ajo që prish abdesin është kur ti të sigurohesh se këto sekrecione kanë kaluar kufirin e vaginës dhe si rezultat janë lagur teshat.
Nëse e vërteton se ato kanë kaluar saqë edhe rroba të është lagur, atëherë abdesi të është prishur dhe ti në këtë rast e ke për detyrim të marrësh tjetër abdes.
Nëse ky rast të përsëritet shpesh saqë sekrecionet kanë arritur dhe janë lagur teshat dhe kjo përsëritet, atëherë gjendja jote kalon në dispozitën e atij që vuan nga mosmbajtja e urinës (që ka urinim të pavullnetshëm) dhe në këtë rast të lejohet të falësh çdo namaz farz me abdes të ri dhe gjatë farzit ke mundësi të falësh po me atë abdes sa të duash namaz nafile (vullnetare).
Pyetje:
1. Në fshatin tonë zhvillohen disa dhikre dhe këto i ngjallin disa sufistë. Unë këtu do të përmend disa gjëra që ata bëjnë: Dhikri fillon me leximin e një faqeje nga Kurani (ashere) dhe pastaj njerëzit formojnë disa rrathë dhe fillojnë duke përsëritur bashkë “la ilahe il-lall-llah”, me zë të lartë, duke u lëkundur djathtas e majtas dhe me melodi të ndryshme. Shejhu lëviz në mesin e rrethit dhe siç thonë ata arrin shkallën “hal” dhe kështu ai kalon prej një gjendje në tjetër, e ata e përsërisin fjalën All-llah dhe kjo e gjitha me melodi të ndryshme, kështu që nga kjo gjendje shumë prej tyre emocionohen dhe fillojnë të dalin prej tyre britma dhe fjalë që nuk kuptohen. Pra, a lejohet që ne të jemi të pranishëm në ato rrethe?
2. A është e saktë se këto gjëra që ndodhin me këta shujukhë “hoxhallarë e prijës të tyre), bie fjala kur ata bien në trans, a thua vallë gjëra të tilla janë “keramet”[2].
3. A lejohet pas xhenazes transi dhe daullja?
Përgjigje:
Nuk ndalohet dhikri (të përmendurit) i All-llahut të bëhet duke qenë njeriu ulur apo në këmbë dhe as duke qenë dorë për dore, por me rëndësi është që t’u përmbahet rregullave në vijim:
1. Nëse është në këmbë të tregohet me edukatë d.m.th., të mos jetë kërcim apo lëkundje, ose kërcim nga toka.
2. Të shqiptojë fjalët e dhikrit, bie fjala: “All-llah”, “la ilahe il-lall-llah” ose “Huve All-llah”, në mënyrë të qartë, duke mos i humbur shkronjat e t’i shndërrojë në hingë ose në zëra të tjera. Njëkohësisht ndalohet edhe të shtiret për të arritur atë që quhet grada “haal”, ose ndonjë tjetër si dhe nuk lejohet të përpiqet të arrijë atë.
3. Një gjë e tillë është haram dhe doemos duhet të kundërshtohet e të hiqet nga praktikimi.
Pyetje:
Jam nga Amerika: gruaja ime është e brengosur për arsye se ajo nëse më respekton mua në marrëdhëniet e saja me prindërit e vet, ajo mund të jetë gjynahqare ndaj All-llahut. Ka disa vite që prindërit e saj nuk sillen mirë me mua, me prindërit e mi dhe me gruan time (d.m.th. me vajzën e tyre), prandaj unë e këshillova gruan time që t’i përcaktojë marrëdhëniet e saja me prindërit e vet, pasiqë marrëdhëniet e mia me ta ishin në përfundim të plotë. Pyetja ime është se: a i ndalohet gruas time që të më respektojë mua për t’i këputur marrëdhëniet me prindërit e saj? Çfarë përgjegjësish kam unë ndaj prindërve të saj? Nëse ne i mbajmë marrëdhëniet e mira me ta, atëherë përbuzja e tyre ndaj nesh do të vazhdojë. Pra, çfarë të bëj?
Përgjigje:
Nuk i lejohet gruas tënde që të këpusi marrëdhëniet e saja me prindërit e vet. Teksti kuranor për një gjë të tillë është i qartë dhe kryekëput kthjellët. Por ekziston mundësia që të zbuten marrëdhëniet aq sa të mos dëmtohen marrëdhëniet e tua bashkëshortore. Ndërkaq për përbuzjen që ju bëjnë ata, bëni durim, gjë për të cilën do të keni shpërblim të madh.
Pyetje:
A ndalohet punësimi në një thertore ku shiten llojet e ndryshme të mishrave të freskëta, si të derrit, të gjeldetit dhe ushqime të tjera. A më lejohet puna aty për shkak të mishit të derrit?
Përgjigje:
Punësimi në thertore që të punosh me derrin, nuk lejohet. Kurse punësimi aty për të punuar me mishrat e tjerë që janë të lejuar, është e lejuar.
Pyetje:
Disa thonë se hadithi: “All-llahu ka mallkuar atë që shkul vetullat (për t’i holluar) dhe ajo që kërkon nga dikush që t’ia shkulë vetullat”, ka për qëllim të hiqen krejt vetullat dhe prej fillimit të vizatohen. Kurse rregullimi i tyre nuk është haram. Po ua theksoj se kjo fetva ka dalë nga disa prej juristëve. Kërkoj sqarim!
Përgjigje:
Ai që thotë një gjë të tillë është i paditur (xhahil), duhet të heshti, ose është shpifës i sheriatit dhe manipulues dhe duhet të merren masa që të edukohet. Në kohën e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem nuk ka ekzistuar ky art i zbukurimit që Pejgamberi të na i tërheqi vërejtjen nga kjo (pra, hadithi flet për shkuljen e vetullave; sqarim i përkthyesit).
Pyetje:
Jam një musliman arab 23 vjeçar dhe kam një vajzë një vjeç e gjysmë. Jetoj në Australi ku atje ballafaqohem me probleme. Gjithmonë kur ka ndonjë problem, gruaja ime m ë thotë se do të të shkurorëzoj (pasiqë sipas ligjit të këtij vendi edhe gruaja ka të drejtë të shkurorëzojë burrin). Në fillim martesa jonë ishte sipas sheriatit. Nëse ndodh shkurorëzimi (All-llahu mos e bëftë), atëherë a lejohet që vajzën time të vogël të mos e lë me nënën e saj në këtë vend që siç mund ta dini gjërat amorale janë të lejuara. Pra, sipas sheriatit të All-llahut, a mundet që gruaja ta shkurorëzojë burrin? Gruaja ime mendon se nëse bëhet shkurorëzimi nëpërmjet gjykatës këtu në Australi, unë nuk jam më burri i saj; a është e vërtetë kjo? Dhe a ka të drejtë sipas sheriatit islam që ajo të mbajë fëmijën nëse ajo dëshiron shkurorëzimin? Pra, nëse ndodh shkurorëzimi nëpërmjet gjykatës australiane kurse unë nuk e shkurorëzoj dhe ajo shkon te familja e saj, të cilët jetojnë këtu dhe kalon një kohë e gjatë, ajo e larguar prej meje, a konsiderohet sipas Islamit ajo si e shkurorëzuar?
Përgjigje:
-Sipas sheriatit islam nuk shkurorëzohet gruaja përveç nëse ti e shkurorëzon.
-Largimi i saj prej teje që sipas ligjit australian shkakton shkurorëzim nuk shfuqizon martesën tuaj sipas sheriatit edhe sikur një gjë e tillë të vazhdojë me vite.
-Fëmijët e tu nëse janë të vegjël dhe nën moshën 10 vjeç duhet të jenë nën kujdesin e nënës nëse ajo është e aftë (e meritueshme) për një gjë të tillë.
--------------------------------------------------------------------------------
[1] Me fjalën “boshatisje” është për qëllim që njeriu, i cili ka marrë ndonjë lokal apo shtëpi me qira dhe kur pronari i lokalit apo shtëpisë kërkon që qiraxhiu t’ia lirojë lokalin apo shtëpinë, atëherë qiraxhiu e kushtëzon pronarin që për boshatisjen e lokalit apo shtëpisë t’i paguajë një shumë parash.
[2] Keramet - Ngjarje e pazakonshme nga ana e ndonjë personi, duke mos pretenduar pejgamberi.