TREGIM*
Ky tregim ka për qëllim dallimin në mes të bindjes ateiste dhe asaj fetare. Mjerisht, ende në shkollat e ndryshme nëpër botë dhe tek ne, ka profesorë të atillë të cilët bindjet e tyre ateiste përpiqen t’ua imponojnë nxënësve të tyre. Feja islame në esencë nuk ka qëndrim antishkencor siç e shohin disa antiislamist, ajo e përkrahë diturinë dhe kërkimet shkencore nëse ato janë të bazuara në argumente lëndore, ndërsa janë vet shkencëtarët ateistë ata të cilët konceptin ’’fé’’ e injorojnë dhe sipas tyre e pranueshme është vetëm ajo që perceptohet me shqisat e njeriut. Kundërshtimet e shkencës përherë pikënisje të tyre kanë patur çështjen e pamundësisë së perceptimit të Zotit përmes shqisave të njeriut. Këto kundërshtime kanë ekzistuar dhe vazhdojnë të ekzistojnë duke shkaktuar debate ndërmjet dijetarëve fetarë dhe atyre laik, por duke mos përjashtuar as profesorët dhe nxënësit e studentët nëpër shkolla e fakultete. Kështu ndodhi në një shkollë të mesme në të cilën kishte një profesor të lëndës së filozofisë, të cilin e mundonin problemet e shkencës në shpjegimin e ekzistencës së Zotit, saqë ai i bindur në pikëpamjet e tij shkencore dhe si një kundërshtar i madh i fesë që ishte, filloi të ngatërrohej me nxënësit e tij. Një ditë profesori ateist derisa po e shpjegonte mësimin e radhës ndërpreu ligjërimin e tij dhe iu afrua një nxënësi, kërkoi nga ai të ngritej në këmbë dhe pastaj e pyeti:
A je ti musliman?
Po, jam! Pa e përfunduar nxënësi fjalën, profesori nxitoi me pyetjen tjetër.
Atëherë ti beson në Zot?
Patjetër.
A është Zoti i mirë?
Po, sigurisht. Zoti është i mirë!
A është Zoti i Plotfuqishëm? A mund të bëjë çdo gjë Ai?
Po. Sigurisht se po.
A je ti i mirë e i sinqertë, apo je i keq e mëkatar?
Sipas Kur’anit...
Ah, Kur’ani! Profesori e ndërpreu nxënësin dhe filloi të zgërdhihej si për inat dhe pastaj heshti për një moment. Pastaj vazhdoi përsëri:
Ja, po të sjell një shembull. Le të themi se atje diku është një njeri i sëmur dhe ti mund ta shërosh atë. A do t’i ndihmosh atij? Do ta bësh ti këtë?
Po zotëri, sigurisht se po. U përgjigj nxënësi, sikur dëshironte të shprehte gatishmërinë e tij prej muslimani.
Pra, ti je gjithmonë i mirë dhe i sinqertë…!
Nuk do të thosha ashtu!
Pse nuk do të thoshe? Ti në atë rast do t’i ndihmoje një njeriu të sëmurë apo të gjymtë…në të vërtet, shumica prej nesh do t’i ndihmonim po të kishim mundësi… Mirëpo, Zoti nuk i ndihmon atij…!
Heshtje! – Nxënësi nuk foli dhe vetëm dëgjonte
Ai nuk i ka ndihmuar, apo jo? E ka lënë atë të sëmurë. Vëllai im ka qenë një musliman dhe ka vdekur nga sëmundja e kancerit, megjithëse përherë i është lutur Zotit për ta shëruar. Si mund të jetë pra Zoti i mirë?
Hëm. Pse nuk përgjigjesh?
Prap heshtje! Nxënësi pak nga mosdija dhe pak nga frika filloi të humbiste fare para profesorit ateist i cili papushuar po i shtronte pyetje.
Jo, ti nuk mund t’i ndihmosh atij… apo ndoshta nuk dëshiron? Ai shkoi te tavolina e tij dhe piu një gllënjkë ujë nga gota e tij sa për t’i dhënë pa kohë nxënësit për t’u menduar. Ky profesor, kur dëshironte të kënaqej duke keqtrajtuar nxënësit e tij, përdorte dhunën me ngadalë dhe fare rrjedhshëm duke bërë pyetje nga më provokueset. Pasi e la gotën përsëri në tavolinën e tij u kthye prapë te nxënësi dhe i tha:
Le të fillojmë edhe një herë djalosh. – A është Zoti i mirë?
P…o, - Tha ai, duke belbëzuar.
A është djalli i mirë? – Pyeti ateisti.
Jo. – Tha nxënësi me nxitim.
Prej nga vjen djalli, kush e krijoi atë? Pyeti ateisti. Nxënësi mbeti i shtangur nga kjo pyetje. Ç’do ky tani nga unë? Mendoi ai me vete. Pse nuk më len të qetë?
Zoti e ka krijuar atë. – U përgjigj nxënësi.
Ashtu është. Zoti e ka krijuar, apo jo? Profesori ateist i cili tashmë kishte hyrë në moshën e pleqërisë dhe megjithëkëtë ende e ndiente veten të fuqishëm për t’i keqtrajtuar si një psikopat nxënësit e tij besimtar, filloi të fërkonte flokët e thinjura me gishtërinjtë e tij të deformuar. Këtë e bënte përherë kur e ndiente veten fitimtar. Pastaj endej nëpër klasë sikur nuk gjente vend dhe duke buzëqeshur me ironi i shikonte nxënësit për t’ua bërë me dije se; Ja unë jam fituesi.
Si duket do të kënaqemi gjatë këtij viti apo jo? Tha ai derisa po i afrohej nxënësit.
A s’më thua, a nuk është bota e mbushur me fatkeqësi?
Po, ashtu është!
A nuk janë gjithë këto gjëra të kqija, mëkat? A është Zoti Ai që ka krijuar çdo gjë?
Po.
Pra, më thuaj, të keqen kush e ka krijuar?
Heshtje – Nxënësi sikur nuk dëshironte të përgjigjej në këtë pyetje.
Në botë ka sëmundje, imoralitet, urrejtje, shëmti. Të gjitha këto gjëra në botën njerëzore, a ekzistojnë më thuaj? Nxënësi i rënduar nga kjo gjendje, përpëlitej me ndjenjat e tij dhe mendonte me vete. Për çfarë profesori po flet, ato vërtet janë gjëra evidente por ku ai e ka qëllimin kjo nuk qëndronte fare.
A ekzistojnë trego? U dëgjua përsëri zëri i profesorit ateist.
Po, ekzistojnë. Tha nxënësi.
Atëherë, kush i krijoi gjithë këto të këqija?
Heshtje. Pastaj profesori papritmas thirri me zë të lartë.
Më thuaj kush i krijoi ato. Fol! Si një i sëmur psikik iu afrua nxënësit edhe më tepër, tek fytyra, dhe me zërin e një psikopati gjakftohtë i tha:
Zoti i krijoi të gjitha, të mirat dhe të këqijat! A është kështu, më trego?
Prap heshtje! Nxënësi po përpiqej të vështronte profesorin në sy dhe të mos dorëzohej para tij. Papritmas ateistit iu kthye urtësia dhe sikur një gjarpër i qetësuar filloi të shikonte klasën. Nxënësit dukeshin sikur të hipnotizuar. Të gjithë vështronin në një pikë, në sytë e profesorit. Pastaj vazhdoi:
Si mund të jetë që Zoti është i mirë, ndërsa Ai ka krijuar tërë kohën kaq shumë të këqija në botë. Pastaj ngriti duart e tij duke përshkruar globin tokësor dhe vazhdoi: E gjithë urrejtja, brutaliteti, të gjitha vuajtjet, të gjitha torturat, aq shumë vdekje dhe shëmti, të gjitha i ka krijuar ky Zoti yt i mirë në këtë botë të keqe. A s’është kështu, djalosh?
Heshtje!
A nuk i sheh ti këto të këqija gjithandej? Pastaj heshti disa sekonda dhe vazhdoi sërish: A nuk i sheh? Iu afrua përsëri tek fytyra dhe sërish e pyeti: A është Zoti i mirë?
Heshtje!
A beson ende në Zot? Nxënësi befasisht i tradhtoi shpresat e tij dhe tha:
Po profesor unë ende besoj, ende, dhe do të besoj gjithmonë. Kësaj radhe i trishtuar nga çfarë dëgjoi, ateisti plak filloi të fërkonte përsëri kokën e tij. Pastaj sërish vazhdoi.
Feja ka lindur si rezultat i mungesës së shkencës! Dikur, duke mos qenë shkenca njerëzit shpiknin besimet e tyre, mirëpo sot bota ka përparuar dhe nuk besohet më, dhe nuk ka nevojë fare të besohet. Shkenca thotë se ti i posedon pesë shqisa të cilat i shfrytëzon për ta njohur dhe vështruar botën përreth teje. Njëra prej tyre është të pamurit. E ke ti në rregull këtë shqisë? Nëse po, më thuaj; a e ke parë Zotin ndonjëherë?
Jo, nuk e kam parë asnjëherë.
Atëherë na trego ndoshta e ke dëgjuar Atë ndonjëherë?
Jo, asnjëherë.
Apo ndoshta e ke ndier Zotin tënd, e ke shijuar apo e ke nuhatur Atë? Më thuaj mos vallë ti posedon ndonjë lloj ndijimi të veçantë?
Jo, profesor. Unë jam sikurse çdo njeri tjerët.
E pra, si mund të besosh? Hë? Si qëndron puna tani, ende beson?
Po.
Ti si duket je i bindur në besimin tënd. Fytyra e profesorit filloi të skuqej, mirëpo nuk dëshironte të shprehte inatin e tij para nxënësve të tjerë. Duke u zgërdhirë, me zërin e tij të përzier me urrejtje e nënçmim iu drejtua përsëri nxënësit. Ky, në ato momente nuk kishte dëshirë më të madhe se të lirohej nga dhuna që po ia shkaktonte profesori i tij.
Bazuar në përvojën jetësore, studimet e deritanishme dhe argumentet shkencore, shkenca thotë se Zoti nuk ekziston. Çfarë mendon ti? Ku është Zoti yt?
Nxënësi nuk u përgjigj. Gjoksi po i mbushej zemërim. Çfarë të bëjë me ty o mosbesimtar – mendoi ai. Nëse ngatërrohem me ty, do t’më përjashtojnë nga shkolla. Çfarë të bëjë? Ndërsa po e shtrëngonte grushtin, profesori ateist e kuptoi se në ç’gjendje ndodhej dhe duke ia ktheu shpinën i tha:
Ulu të lutem.
Nxënësi, megjithë urrejtjen ndaj profesorin por edhe vetes tij pse nuk mundi t’i gjente përgjigjet e duhura vendosi të ulej. Ndihej aq i mundur saqë me dëshirë nuk do të kishte qëndruar më aty. I vinte turp prej shokëve. Ishte skuqur, fytyra po i digjej flakë, këtë e ndiente fare mirë. Deshi të ikte jashtë, por qëndroi nuk doli.
Derisa profesori po largohej drejt tavolinës së tij, nga rreshti i mesëm i klasës u dëgjua një zë. Një nxënës tjetër po e mbante dorën të ngritur duke kërkuar nga profesori të merrte fjalën. Është i njohur parimi islam sipas të cilit në rastet e këtilla njeriu duhet të flasë kur e sheh se është e nevojshme, dhe të heshtë, kur fjalët janë pa vend. Ky djalosh, ishte njëri nga nxënësit më të mirë në shkollë. Kishte një edukatë mirë të formuar nga familja e tij, mësonte me zell, ndërsa kur fliste të tjerët e dëgjonin me respekt.
Profesor, a mund të marr fjalën? Profesori duke u kthyer me fytyrë kah nxënësit me buzëqeshjen e tij ironike tha:
Ah, siç duket këtu na qenka edhe një bir muslimani. Mirë djalosh të lejoj të flasësh. Por, të lutem, na trego vetëm atë për çfarë ne nuk kemi njohuri. Nxënësi po vështronte rreth e rrotull klasës derisa e ndali shikimin në sytë e profesorit.
Profesor, sjellja juaj është e çuditshme! I tha ai me urtësi. Unë jam nxënësi juaj, por megjithëkëtë më duhet t’ju them se njeriu duhet të shmangë ekstremet në mendimet edhe veprimet e tij...
Fol, çfarë do? E ndërpreu ai.
Po mirë, të pyes unë ty, a ekziston një gjë të cilën ne e quajmë ’’errësirë’’?
Kjo që pyet është marrëzi, djalosh. Çfarë do të ishte nata nëse nuk është errësira.
Klasën e kaploi heshtja! Diku, dikujt i ra lapsi në dysheme. Profesori nuk mund të besonte se ç’po ndodhte tani. Me hapa të shpejtë iu afrua dritares, nisi të shikonte jashtë. Nuk i tha nxënësit asnjë fjalë. Nuk i tha as të ulej e as të vazhdonte.
Pra, ju mendoni se ekziston errësira?
Po…
Profesor, ju e keni gabim. Errësira nuk është gjësend, ajo është mungesa e diçkafit. Ju mund të keni pak dritë, dritë normale apo dritë shkëlqyese, por nëse nuk keni fare dritë atëherë nuk keni asgjë, ndërsa kjo gjendje quhet errësirë. A nuk është kështu profesor? Errësira pra është mungesa e dritës. Në të vërtet, errësira nuk ekziston. Po të ekzistonte ne do të kishim mundësi ta bëjmë errësirën më të errët ose do t’i mbushnim poçet me errësirë siç i mbushim me dritë. A keni ju mundësi për këtë profesor, nëse po, atëherë të lutem më jep një poç me errësirë.
Si një injorant i paturpshëm profesori ateist filloi të qeshej para nxënësit që nuk po i linte vend për t’u tallur me të siç e kishte zakon të tallej me të tjerët.
Djalosh, pse nuk na tregon cili është qëllimi yt kështu, ku qëndron çështja?
Po profesor. Çështja është se qasja juaj shkencore që në fillim ka të meta, ndërsa përfundimi do të jetë i dështuar. Kësaj radhe profesori u helmua i tëri.
Qasja ime ka të meta…? Unë do të jem i dështuar…? Si guxon të flasësh kështu?
Profesor, më lejo të ta shtjelloj çfarë dua të them. E tërë klasa kishte mbetur gojëhapur duke e dëgjuar këtë dialog, disa herë qeshnin e të tjerët lëshonin ndonjë fjalë sa për mahi.
Fol. Fol më shpejt… Profesori bënte përpjekjet më të mëdha për të marrë veten nën kontroll por edhe të tjerët. Duke e ngritur dorën lart kërkoi nga nxënësit të qetësoheshin.
Le të marrim si shembull jetën dhe vdekjen; sipas jush njëra është e mirë e tjetra e keqe. Nëse e kuptoni vdekjen si të kundërtën e jetës atëherë ju profesor jeni një injorant, ngase vdekja nuk mund të ekzistojë si e pavarur. Vdekja nuk është e kundërta e jetës, ajo është thjesht mungesa e saj. Pastaj profesor, ju e kuptoni Zotin si diçka që është e përcaktuar, sikur gjërat që maten, apo siç thoni ju; Zoti i mirë dhe Zoti i keq. Profesor, shkenca madje nuk është në gjendje ta shpjegoj as mendjen, përveç konkludimit se ajo shfrytëzon energjinë dhe forcën e njohur në fizikë si magnetizëm, por megjithëkëtë ende shkencëtarët nuk i kanë parë ato, e aq më pak t’i kenë kuptuar sa duhet ato. Në gjithësi, ka shumë gjëra të cilat shqisat tona nuk janë në gjendje t’i perceptojnë por ja që ato ekzistojnë. Profesor, a nuk mendoni se në ç’gjendje do të ndodheni kur të dilni para All-llahut? Pastaj nxënësi mori një revistë nga banka e shokut të tij, ajo ishte një revistë për të rinjtë e ilustruar me fotografi femrash lakuriqe dhe iu drejtua profesorit:
Këtu e kemi një nga revistat më të neveritshme të vendit tonë të dashur, megjithëkëtë ajo është ndër më të lexuarat. Tani, ju pyes unë juve profesor, a ekziston imoraliteti?
Po sigurisht se ekziston…
Profesor ju përsëri e keni gabim. Imoraliteti është dukuri e cila vije në shprehje kur mungon morali. A ekziston padrejtësia…? S’ke nevojë të përgjigjesh, po të tregoj; jo, ajo është mungesa drejtësisë. A ekziston e keqja? Pastaj nxënësi u ndal dhe po mendohej… Profesor, a nuk është e keqja rezultat i mungesës së të mirës? Ju pak më parë shprehët habinë pse All-llahu e ka krijuar të keqen? Do t’ua sjell shembullin e thikës; ajo është e prodhuar për t’u shërbyer me të në kuzhinë por ja që njerëzit ndonjëherë e bëjnë të kundërtën; e përdorin atë për të vrarë njëri tjetrin. Fytyra e profesorit ndërronte ngjyrat. Ai u inatos aq shumë sa që mbeti pa fjalë, kurse nxënësi vazhdoi më tej.
Nëse ekziston e keqja në botë, ndërsa ne këtë të gjithë e pranojmë, atëherë, Zoti është që e ka përkryer këtë botë duke e krijuar të keqen dhe të mirën. Në librin e Tij, në Kur’an, Ai na tregon se secili njeri është i lirë të zgjedh për veten e tij; të mirën ose të keqen. Për veprimet e mira shpërblehesh kurse për ato të këqijat dënohesh! Profesori u shtang, mbeti si pa frymë. Kësaj radhe nuk gjeti viktimë për t’u tallur me të. Deshi apo jo ai ishte i detyruar të thellohej në dialog me nxënësin. U mendua pak dhe ia filloi.
Si një shkencëtar i filozofisë, unë këtë çështje nuk e kuptoj si diçka që ka të bëjë me zgjedhjen; ndërsa si realist, unë kurrsesi nuk e pranoj konceptin e Zotit apo që ndonjë faktor tjetër fetar të jetë domethënës për barazinë në botë, sepse unë nuk e shoh Zotin.
Kurse unë them se mospërfillja e kodit moral Hyjnor është fenomeni të cilin po e shohim të gjithë ne. Ia ktheu nxënësi, pastaj vazhdoi. Çfarë i mësoni ju nxënësit, se e kanë prejardhjen prej majmunit?
Nëse keni për qëllim aspektin natyror të zhvillimit, po, natyrisht se ashtu u them.
A e keni vëzhguar ndonjëherë evolucionin me sytë tuaj profesor? Profesori ia kishte ngul sytë nxënësit dhe duke i shtrënguar dhëmbët e tij lëshoi një zë rrëqethës, si duket për ta frikësuar atë e me qëllim që ai të heshte.
Profesor. Meqë asnjëri nuk e ka parë me sytë e tij procesin e evoluimit dhe gjithashtu nuk mund ta vërtetoj se ky proces është duke vazhduar, apo se është ndalur tani, atëherë na tregoni profesor; Jeni ju një shkencëtar hulumtues apo predikues i ’’bindjen’’së Darvinit? Nxënësi pastaj heshti. Profesori u mendua ca dhe tha:
Duket qartë paturpësia yte gjatë diskutimit. Tani a e përfundove të lutem?
Pra, ju nuk i pranoni parimet e Zotit mbi sigurimin e drejtësisë dhe përparimit njerëzor. Sidoqoftë, feja nuk është një sistem pranimi i të cilit detyrohet me dhunë. Para çdo gjëje ajo ka besimin, kurse juve pikërisht çfarë ju mungon është besimi…
Unë besoj në atë që duket – ajo është shkenca.
Profesor, ju na keni mësuar se definicioni i shkencës është; të mësuarit nga vëzhgimi i fenomeneve, ndërsa më herët that se feja ka lindur si rezultat i mungesës së shkencës. Profesor, ju ende nuk e keni kuptuar se shkenca gjithashtu është mënyrë për të dështuar… Ah shkenca. Nxënësi filloi buzëqeshte. A nuk e shihni se shkenca përherë ka dështuar në mungesë të fesë së vërtetë, Islamit? Profesor, Pejgamberi ynë s.a.v.s. na ka mësuar se; Mospranimi i së vërtetës dhe përdhunimi i mendimeve të të tjerëve është mendjemadhësi!
Shkenca ka dështuar…, unë qenkam mendjemadh…? Profesori filloi të belbëzonte. Klasën e kaploi zhurma. Nxënësi ende po qëndronte në këmbë…
Në lidhje me shqisat që i fole shokut tonë, do ta sjell një shembull tejet praktik…Profesori qëllimisht nuk po fliste asgjë, ndërsa nxënësi filloi t’i shikonte shokët e tij…
A ka ndokush që e ka parë mendjen e profesorit? Klasa shpërtheu në qeshje. Nxënësi vazhdoi: A ka ndokush që e ka dëgjuar mendjen e profesorit, e ka ndier ndokush atë, e ka prekur apo e ka nuhatur atë…? Siç duket, asnjëri prej jush. Pastaj nxënësi filloi fare ngadalë t’i lëmonte flokët e tij. Duket qartë se nuk është e mundur në asnjë mënyrë ta perceptojmë mendjen e profesorit…. Mirë! Bazuar në parimet e theksuara shkencore nga vet profesori, unë deklaroj se profesori nuk ka mendje fare! Në klasë u shkaktua një rrëmujë e madhe, të gjithë qeshnin. Profesori nuk ka mendje, profesori nuk ka tru…ha, ha…thërrisnin e qeshnin ata pa ia nda, ndërsa nxënësit s’i mbeti tjetër përveç se të ulej.
Porosia më e dashur nga ky tregim është se me mosbesimtarët nuk është turp të qeshesh ngase ata vetvetiu janë qesharak.
* Ky tregim të një autori anonim është huazuar nga Interneti.
Përktheu dhe përshtati nga anglishtja Bekim Rrahimi