Ebu Hanifja r. a*

Përgjithësisht është pranuar që prejardhja e tij është jo arabe, duke u nisur nga etimologjia  e emrave të gjyshit të tij Zuta dhe stërgjyshit Mah. Historiani El-Hatib el-Bagdadi, shënon një konstatim nga nipi i Ebu Hanifes, Ismail bin Hammad, i cili origjinën familjare të Ebu Hanifes e dha si Thabit bin Nu’man bin Marzban, ku pohon se është me prejardhje persiane. Mospërputhja e emrave të gjyshit dhe stërgjyshit të Ebu Hanifes të dhëna nga Ismaili, mendohet të jetë pikërisht tek adoptimi i emrit arab të Zutas, pra ( Nu’man ), kur e ka pranuar Islamin dhe që emrat Mah si dhe Marzban ishin tituj ose emërtime në Persi. Dallimet e mëtutjeshme të opinioneve ekzistojnë edhe tek origjina e tij. P.sh Ebu Muti’e përshkruan Ebu Hanifen si arab, duke cituar origjinën e tij si Nu’man bin Thabit bin Zuta bin Jahja bin Asad. Sidoqoftë, mendimi më i pranuar është se ai ishte me prejardhje Persiane.[2] / [3]

Pozita e tij si Tabi’in

Ebu Hanifja lindi 67 vjet pas vdekjes së Pejgamberit Muhammed s.a.v.s., mirëpo lindi gjatë kohës së Sahabëve të Muhammedit s.a.v.s., ku disa prej tyre jetuan gjer në rininë e Ebu Hanifes. Enes bin Maliku, shërbëtori personal i Pejgamberit s.a.v.s., vdiq në vitin 93 hixhrij si dhe një tjetër Sahabij, Ebu Tufail Amir bin Uathileh, vdiq në vitin 100 hixhrij, kur Ebu Hanifja pra ishte 20 vjeçar. Sidoqoftë, nuk ekziston ndonjë evidencë që dëshmon se Ebu Hanifja ka treguar ( transmetuar ) ndonjë hadith nga shokët e Muhammedit s.a.v.s., megjithatë nuk ka ndonjë dyshim se ai ka qenë “ tabi’i ” ( ai që ka takuar ndonjë shokë të Pejgamberit a.s. ) apo jo, meqë ai e kishte takuar Enes bin Malikun.

Megjithatë, autori i El-Hajrat ul-Hisan mblodhi informata nga libra të biografive dhe i citoi emrat e Sahabëve prej të cilëve raportohet se Imami ka transmetuar hadithe. Ai i numëron 16 sosh ( Sahabinjë ). Ata janë: Enes bin Malik, Abdull-llah bin Anis el-Juhani, Abdull-llah bin el-Harith bin Juz’ el-Zabidi, Xhabir bin Abdull-llah, Abdull-llah bin Ebi Aufe, Ua’ile bin    el-Aska’, Ma’kal bin Jaser, Ebu Tufejl Amir bin Ua’ile, Aishe bint Hexhred, Sehl bin Sa’d, Eth-Thabit bin Hal-lad bin Suvejd, Eth-Thabit bin Jezid bin Se’id, Abdull-llah bin Semre, Mahmud bin el-Rebi’, Abdull-llah bin Xha’fer si dhe Ebu Umame. Hadithi i transmetuar        i Ebu Hanifes nga Enes bin Maliku është: “ Kërkimi i diturisë është obligim për çdo dhe secilin musliman.”[4]

Dihet se për mësimin e shkencës së Hadithit që ekzistonte në atë kohë në Kuffe, mosha      e duhur ishte strikte, ku askush nën moshën 20 vjeçare nuk pranohej në shkollën e hadithit. Dijetarët e kohës mendonin se askush nën këtë moshë nuk do të mund të arrinte pjekurinë      e duhur që të jetë në gjendje të kuptoj  transmetimet ( e haditheve – sh.p.).

Jeta e hershme dhe arsimimi

Ebu Hanifja u rrit në kohën e tiranisë së sundimit ( kalifatit ) të Abd ul-Melik bin Mervanit dhe të djalit të tij El-Velidit I ( El-Velid bin Abd ul-Melikut ). Qeverisja në Irak ishte nën kontrollin e El-Haxh-xhaxh bin Jusufit, një përkrahës besnik i Abd ul-Melikut. Gjatë sundimit të tij, udhëheqësit e fesë dhe dijes ishin nën shënjestrën e Haxh-xhaxhit, meqë ata tentonin t’i frenonin ( pengonin ) ligjet e tija të vendosura në Arabi dhe Irak. Si pasojë         e kësaj, Ebu Hanifja në fëmijërinë e tij të hershme nuk pati as interesa e as shansa që të marr ndonjë arsimim. Ai thjesht mjaftohej duke ndjekur hapat e babait si tregtar i njohur  i mëndafshit.

Ai themeloi biznesin e thurjes së mëndafshit, ku tregoi ndershmëri dhe drejtësi të madhe.  Njëherë një punëtor i tij shiti në një vend tjetër ca rrobe mëndafshi në intersin e tij ( Ebu Hanifes ), por harroi që t’ju tregoj blerësve për një defekt të vockël që kishin ato rroba. Kur mësoi për këtë gjë Ebu Hanifja u shqetësua tepër, meqë ai nuk pati mundësi që t’ua kthej paratë blerësve. Ai menjëherë urdhëroi që të gjitha të ardhurat nga shitja e ngarkesave   ( mallrave ) të mëndafshit të shpërndahen për të varfërit.

Vdekja e Haxh- xhaxhit në vitin 95 Hixhrij dhe ajo që e pasoi, vdekja e Velidit në vitin 96 Hixhrij, bënë që drejtësia dhe administrimi i mirë të rikthehej me Kalifatin e Sulejman bin Abd ul-Melikut dhe pasuesit të tij Ummer bin Abd ul-Azizit. Ummeri e përkrahu  arsimimin në atë nivel saqë çdo shtëpi u bë medrese ( shkollë ). Edhe Ebu Hanifja poashtu fillloi të ketë interes për arsimim, i cili interes u ngrit edhe më tepër nga këshilla e papritur e Esh-Sha’biut ( vdiq më 722 m. ), njërit nga dijetarët më të mirënjohur të Kuffes.

Gjatë kryerjes së një porosie të nënës së tij, rastisi të kaloj pranë shtëpisë së Esh-Sha’biut. Esh-Sha’biu, duke e pandehur për student, e pyeti Ebu Hanifen së cilën klasë e ndjek. Kur Ebu Hanifja përgjigjet se nuk ndjek ndonjë klasë, Sha’biu i tha: “ Unë po shoh shenja të inteligjencës te ti. Ti do të duhej të ulëshe në shoqërinë e të diturve.” Duke e pasur vath në vesh këshillën e Sha’biut, Ebu Hanifja filloi në kërkimin e plotë të diturisë, gjë që për një kohë të caktuar ( të shkurtër ) pati ndikim të thellë në historinë e Islamit. Arsimimi i tij  i hershëm u arrit përmes medreseve (shkollave), ku e mësoi Kur’anin dhe Hadithin, duke u treguar tej mase i zgjuar në studime. Ai e kaloi një pjesë të madhe të jetës nën mbikëqyrjen    ( mësimdhënien ) e Hammad bin Ebi Sulejman, një juristi të madh të Kuffes.

Ebu Hanifja ishte njëri nga studentet më të dalluar të Imam Xha’fer es-Sadikut ( stërnip      i Muham-medit a.s.; Imami i 6-të i Shiiave ), siq ishte konfirmuar nga Ibn Haxher el-Hajtemi në El-Sava’ik el-Muhrikeh, mandej nga Allamah Shiblinji në Nur ul-Ebsar. Abd ul-Halim Xhindi, Muhakik Ebu Zuhra dhe Muhad-dithin ( dijetarë hadithi ) e Ulema të tjerë kanë qartësuar se Imam Ebu Hanifja ishte student i Imam Xha’fer Sadikut. Imam Xha’feri e kishte hapur një universitet, ku nuk u studiua vetëm feja, por edhe shkencat dhe matematika. Alkimisti Islam Xhabir bin Haj-jan studioi në këtë universitet. Në këto kushte Ebu Hanifja studioi dhe e fitoi diturinë e tij. Hallka fillestare për diturinë e Ebu Hanifes ishte Muham-med el-Bekiri ( stërnip i Muham-medit a.s.; Imami i 5-stë i Shiiave )[5], e më pas zingjiri i diturisë  i vazhdon me Imam Xha’fer es-Sadikun.

Burrëria dhe vdekja

Më 763, el-Mensuri, mbreti Ab-basij i ofroi Ebu Hanifes detyrën e Gjykatësit suprem        të Shtetit, por ai refuzoi që ta pranoj ofertën, duke zgjedhur të jetë i pavarur. Nxënësi i tij, Ebu Jusufi ishte caktuar Kadi ul-Kudat ( Gjykatës suprem ) nga regjimi El-Mensurit në vend të tij.

Në përgjigjen ndaj El-Mensurit, Ebu Hanifja kundërshtoi ofertën duke thënë se ai nuk        e konsideron vetën të përshtatshëm për atë post. El-Mensuri, i cili kishte idetë dhe arsyet        e tija për ofrimin e atij posti, u inatos tepër dhe e akuzoi Imamin për gënjeshtër.

“ Nëse jam duke gënjyer, tha Ebu Hanifja, atëherë qendrimi im është dyfish i rregullt.         Si mund ta caktosh atëherë ti një gënjështar në postin ( detyrën ) e lartë të Kadiut (Gjykatësit)?”

I hidhëruar me këtë përgjigje, sunduesi e arrestoi Ebu Hanifen. E mbylli në burg dhe  e torturoi. Ai aty as nuk e ushqeu e as nuk u kujdes për të.[6]Edhe përkundër kësaj juristi  i shumëmirënjohur vazhdoi ti mësoj ata të cilët u lejohej ta vizitonin.

Më 767, Ebu Hanifja vdiq në burg. Shkaku i vdekjës së tij nuk është i qartë, meqë disa thonë se Imami dha një mendim juridik  për pushtetin e sjellur nga El-Mensuri, kështu që ai më vonë e helmoi për vdekje.[7] Është transmetuar se shumë njerëz qenë të pranishem në xhenazen e tij,  saqë është thënë se xhenazja e tij i’u ritregua gjashtë herë më se 50 000 njerëzve të cilët ishin grumbulluar para se të varrosej. Më vonë, pas shumë vjetësh, u ndërtua Xhamia Ebu Hanife në Adhamijeh, që është afër Bagdadit.

Veprat e tija

Kitab ul-Athar ( e transmetuar nga Imam Muham-med esh-Shejbani-i, e përbërë nga 70 000 hadithe ),

Kitab ul-Athar ( e transmetuar nga Imam Ebu Jusufi ),

Alim vel-muteal-lim,

Fikh ul-Ekber,

Musned  Imam ul- A’zam,

Kitab ur-Rad alel-Kadirijeh.

 

 

Shtojcë

 

Disa thënje të dijetarëve mbi Ebu Hanifen

Imam Ebu Davudi ( autor i Sun-nenit ) ka thënë: “ All-llahu e mëshiroftë Malikun, vërtet ka qenë imam i nderuar, All-llahu e mëshiroftë Shafi’iun, ka qenë vërtet imam i nderuar, All-llahu e mëshiroftë Ebu Hanifen, ka qenë vërtetë imam i nderuar e i respektuar ”.[8]

Ebu Muti’iu ka thënë: “ Isha në Mek-ke, dhe sa herë kam hyrë në Harem për ta bërë tavafin në orët e vona të natës, i kam parë Ebu Hanifen dhe Sufjanin duke bërë tavaf ”.[9]

Ka thënë Imam Shafi’iu: “ Ai që nuk i studion librat e Ebu Hanifes, pothuaj nuk është thelluar fare në shkencë, e posaçërisht në atë të Fikhut. Fjalët e Ebu Hanifes janë të pakontestueshme, dhe ato i pranon secili ”.[10]

Vaki’ë bin Xherrahi ( mësues i Imam Shafi’iut ) thotë: “ S’kam takuar njeri më të dijshëm në Fikh se Ebu Hanifja, dhe s’kam parë njeri që ta falë namazin më mirë se Ebu Hanifja ”.[11]

E takoi Imam Malikun Lejth bin Sa’di në Medine dhe e pyeti se pse ishte djersitur. Imami i’u përgjigj: “ U takova me Ebu Hanifen, dhe sa fakih ( dijetar i Fikhut ) i aftë ishte,  o egjiptas ”! [12]

_____________________

 


*Rahmetull-llahi alejhi – Zoti e mëshiroftë!

 

[2] S. H. Nasr (1975), “The religious sciences”, in R.N.Frye, the Cambridge History of Iran, Volume 4, Cambridge University Press. pg 474: “Abu Hanifa, who is often called the “grand imam”(al-Imam al-’Azam) was Persian

[3] Cyril Glasse, “The New Encyclopedia of Islam”, Published by Rowman & Littlefield, 2008. pg 23: “Abu Hanifah, a Persian, was one of the great jurists of Islam and one of the historic Sunni Mujtahids”

[4]“Imam – ul-A’zam AbuHanifa, TheTheologian” .Masud.co.uk.

http://www.masud.co.uk/ISLAM/misc/abu_hanifa.htm. Retrieved 2010-02-07.

[5] Përmendja e shiave këtu si dhe pak më lartë, nuk do të thotë se këta Imam kanë qenë shiia, por rasti është njëjtë si tek Aliu, Hasani, Husejni radijall-llahu anhum etj, të cillët janë pervetësuar negativisht e pa të drejtë nga shiiat si imam të tyre. ( sh.p. )

[6] Ya’qubi, vol.lll, p.86; Muruj al-dhahab, vol.lll, p.268-270.

[7] Najeebabadi, Akbar S. (2001). The History of Islam. vol, 2. Darussalam Press. pp. 287. ISBN 9960-892-88-3.

[8] Shih Muhamed Ashik Ilahi El Bureni: Çështje të Fikhut sipas Kuduriut II, Prishtinë, 2010.

[9] Shih po aty.

[10] Po aty.

[11] Po aty.

[12] Shih Taha Xhabir el-Ulvani: Kultura e dialogut në Islam, Shkup, 2000.

Autorët

Nu’mani, Shibli ( 1998 ). Imam Abu Hanifah – Life and Works.

Translated by M. Hadi Hussain.

Islamic Book Service, New Delhi. ISBN 81-85738-59-9.

 

 

Përktheu dhe përshtati nga gjuha angleze  si dhe e plotësoi me ca shtojca

Daim Abazi

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme