
Në vitin 2009, pas zgjedhjeve lokale dhe presidenciale pata publikuar një shkrim me titullin: “Nuk i mbesim borxh askujt”, ku ndër të tjera aludoja edhe në fitoren e Rufi Osmanit si kryetar i Komunës së Gostivarit. Atëherë, mendoja dhe tash po ashtu mendoj se është mirë të nënvizohet një fenomen i tillë që është i pranishëm në historikun shkurtër demokratik të shqiptarëve të Maqedonisë. Pse përsëri po i kthehem këtij momenti? Pikërisht duke arsyetuar titullin e shkrimit të atëhershëm me rezultatet zgjedhore të këtyre zgjedhjeve të sapombaruara. Ne, si shqiptarë, u kemi dalë hakut personave të caktuar që janë sakrifikuar për ne: këtë e bëmë kur në vitin 2002 Xhezair Shaqirin – Komandant Hoxhën e bëmë deputet, por edhe kur Rufi Osmanin e zgjodhëm kryetar K
VMRO-ja nuk i ka më 63 deputetë dhe arsyetimi se “nuk kemi mundur të bëjmë aq sa duhet, sepse VMRO-ja kishte shumë deputetë” tashmë nuk mbanë. BDI-ja është shërbyer edhe me arsyetime të ndryshme joreale, se PDSH-ja i ka lënë në situatë të keqe, se Amerika u thotë të rrinë të qetë e të mos bëjnë asgjë (sikur Obama s’ka punë tjetër, por merret me përdorimin e shqipes në Maqedoni, me rastin e Sopotit, me enciklopedinë, me rastet e Hagës, me “Shkupi 2014” etj.) Por, pas këtyre zgjedhjeve e pas këtyre rezultateve BDI-ja nuk mund të arsyetohet më me asgjë. Është koha e fundit kur duhet kryer punët për të cilat VETË ata janë zotuar para elektoratit shqiptar se do t’i kryejnë. Tashmë krejt përgjegjësinë e kanë vetëm ata në duart e tyre. S’ka më hapësirë për arsyetime, për eskivime e për fshehje pas Amerikës e BE-së. Megjithëse, për fat të keq, nga deklaratat e para pas zgjedhjeve nga BDI-ja nuk japin indikacione se e kanë marrë mesazhin për përgjegjësinë dhe për besimin që ua kemi dhënë. Përkitazi me zgjedhjet e diasporës, ata nuk e pranuan përgjegjësinë, por u shërbyen me metodologjinë e vjetër sikur të jenë azilantë në qeverinë në të cilën edhe vetë bëjnë pjesë. Ne si shqiptarë nuk mund të pajtohemi në asnjë mënyrë që në Prishtinë e në Stamnboll të marrin më shumë vota kandidatët e VMRO-së karshi atyre shqiptarë.
Pas zgjedhjeve të 5 qershorit populli “foli” përsëri. Nga rezultatet e këtyre zgjedhjeve mund të nxirren disa mesazhe mjaft të qarta që shqiptarët ua dhanë politikanëve të tyre: DR-së ia dhanë çelësin, RDK-së i treguan se duhet një qasje shumë më serioze dhe angazhim krejt tjetërfare për të marrë votën e shqiptarit; PDSH-së i treguam se ende nuk ka dalë nga provincializmi tetovar dhe nuk ka dhënë ofertë serioze me njerëz seriozë që të mund të marrin besimin e shqiptarëve, ndërsa BDIsë ia hoqën 3 deputetë duke i dhënë kështu mesazhin se nuk keni qenë të mirë, por ju kemi votuar sepse s’kemi pasur alternativë më të mirë. I pari (Imer Selmani) prej këtyre e kuptoi mesazhin: ai të martën dha dorëheqje, që është një akt i mirë i pranimit të verdiktit të popullit. I dyti (Rufi Osmani) nga deklaratat fillestare lë përshtypjen se e ka kuptuar mesazhin se, për t’u bërë lider, nuk mjafton vetëm dituria dhe titujt shkencorë, por se duhet të punohet shumë, të dalësh nga populli dhe të jesh me popullin. I treti (Menduh Thaçi) duhet ta marrë seriozisht mesazhin e 5 qershorit nëse dëshiron të fitojë në zgjedhjet e ardhme. Subjekti i tij politik ka nevojë për një reformë më të thellë brendapartiake, të përpilojë një platformë që është më e kapshme dhe më e besueshme dhe atë ta realizojë me njerëz të ri. Ka shumë për t’u thënë e për t’u analizuar, por ajo që duhet kuptuar si mesazh i këtyre zgjedhjeve është se kështu si ka vajtur puna deri tash nuk është mirë dhe se duhen ndryshime më radikale. Edhe PDSH-ja dha indikacione se e ka marrë këtë mesazh kur kryetari i saj doli dhe i pranoi rezultatet e zgjedhjeve njëkohësisht duke uruar fituesin, që ishte një moment i ri, të cilin të gjithë e pranuan si një gjest të mirë politik. Por, punë ka për t’u bërë edhe shumë - fillimisht duhet organizuar si një opozitë e mirë, sepse ne shqiptarët kemi nevojë edhe për një opozitë të fuqishme e konstruktive. Pra, të merremi vesh, jo për një opozitë që merr rrogën e deputetit dhe rri nëpër kafene në Tetovë.
Ndërkaq, ajo që është më e rëndësishmja është mesazhi që mori BDI-ja. Duke u ndërlidhur me titullin e shkrimit të lartpërmendur, të botuar pas zgjedhjeve të 2009-ës, BDI-ja duhet ta kuptojë se shqiptarët përsëri ia dhanë votën dhe besimin pikërisht atyre që ende mbajnë bagazhin e luftës së 2001. Ata duhet ta kuptojnë se 10 vite me radhë në çdo lloj të zgjedhjeve që janë organizuar, ne shqiptarët me shumicë ua kemi dhënë votën dhe besimin pikërisht atyre. Por, edhe ata, sikur Rufi Osmani dhe Xhezair Shaqiri, të cilët morën mesazhin nga populli në këto zgjedhje, edhe ata duhet ta dinë se ky mund të jetë shansi i fundit kur shqiptarët i votojnë në numër kaq të madh.
Pastaj, neve nuk na besohet se në tërë Evropën e mbushur me plot shqiptarë të na dalë deputet një maqedonas vëmërovist. BDI-ja ishte pjesë e aparatit shtetërorë që ka organizuar zgjedhjet edhe në diasporë andaj është e patolerueshme të mos e pranojnë përgjegjësinë. Madje, kjo është një fiasko që më së shumti i bie mbi qafë Ali Ahmetit, Fazli Veliut dhe Musa Xhaferit, që për vite me radhë kanë organizuar diasporën shqiptare.
Tani jemi në kohën kur duhet të fillojnë bisedimet për formimin e qeverisë së re. Andaj nëse BDI-ja dëshiron ta dëgjojë zërin e popullit, ajo duhet të angazhohet për formimin e një programi qeveritar, i cili do të përmbajë sa më shumë detyrime që janë premtuar në fushatë. Nëse do të kishin pranuar ndihmë, do t’u thosha se ashtu siç i kushtëzonte Gruevski në Qeverinë e 2008-tës se “ju marr në Qeverie nëse nuk përziheni në çështjen e emrit të shtetit”, tash e ka radhën Ali Ahmeti t’ia radhisë punët në të cilat Gruevski nuk ka të drejtë të përzihet nëse dëshiron të bëjë qeveri: integrimi i shpejtë në NATO e BE, ndryshimi i emrit, mbyllja e rasteve të Hagës, mbyllja e rasteve të Sopotit dhe të gjitha proceseve politike, përdorimi i drejtë i gjuhës shqipe dhe ndarja e barabartë e buxhetit të shtetit. Gjithsesi, se në një dialog të hapur dhe konstruktiv ata duhet të gjejnë një gjuhë të përbashkët dhe me siguri se duhet bërë edhe kompromise, por në asnjë mënyrë nuk duhet hequr dorë nga pikat themelore në të cilat ata vazhdimisht thirreshin në fushatë. Më në fund, para se të votohet qeveria e re, ata duhet ta bëjnë transparente arrëveshjen që kanë bërë dhe programin qeveritar me të cilin janë pajtuar se do të bashkëqeverisin, në mënyrë që ne, votuesit e rëndomtë, të mund të përcjellim dhe vlerësojmë arritjet e tyre. Ata vazhdimisht brohorisnin e bënin thirrje në fushatë për t'u bërë "bashkë drejt qëllimit". Aq sa na takonte neve, ne u bëmë BASHKË, por QËLLIMIN që duhej ata të na e kumtojnë nuk e kuptuam. Prandaj shpresoj që së paku ata vetë ta dinë dhe të na e tregojnë edhe neve, sepse symbyllur nuk kalohet rrugë e gjatë.
Punë ka për t’u bërë sa një mal, bile sa një mal i madh. Andaj, BDI-së duke qenë fituese ndër shqiptarët i takon që të bëjë punë e punë. Zaten aq shumë punë kanë mbetur për t'u bërë sa në asnjë mënyrë nuk duhet humbur kohën në gjetjen e arsyetimeve, sepse ka thënë një dijetar: “Arsyetimet janë karakteristikë e atyre që dështojnë.”