Dalja nga “hipnoza e pavarësisë” së Kosovës

Kjo tezë, e  përfaqësuar kryesisht nga deklarata e zëvendës kryeministrit serb, Ivica Daçiq, ku ai  shprehimisht thotë:” “Është e nevojshme të përcaktohet vija kufitare midis Serbisë dhe Shqipërisë, dhe ky është opsion real. Serbia nuk është dashur të pranojë askënd tjetër si negociator përpos Shqipërisë”,  nënkupton ndarjen e Kosovës si dhe pazaret që qeveria e Beogradit duhej të bënte më Tiranën për një le të themi “shtrëngim duarsh” historik i cili sipas Beogradit do të ishte një  opsion real në mënyrë që ky i fundit të shtohej si yll i verdhë në flamurin e Bashkimit Evropian.

 

E gjithë ajo devotshmëri  e politikës kosovare ndaj atij “favori” të madh që i ishte bërë duke i dhënë pavarësine, shpejtimi i luftëtarëve kosovarë për t’u vetëdorëzuar plot qejf në Hagë të cilët ishin antipodi i Mlladiqit sepse po mbronin vatanin e tyre, ekzaltimi deri në hymn i figurave administrative të politikës perëndimore të cilat po kryenin thjesht  detyrën e tyre në Kosovë, e shumë përunjësi të shoqërisë civile të Kosovës në raport me të ashtuquajturin “borxhin” e shqiptarëve ndaj Perëndimit, kishin instaluar një psikozë mpirjeje hipnotike në përceptimin e popullatës kosovare mbi idealin dhe pozicionimin historik të shqiptarëve në trojet e tyre si dhe për rolin e tyre në Ballkan. Deklarata e Kryeministrit Thaqi se pavarësia ishte minimumi historik i së drejtës shqiptare, ku unë do të shtoja dhe i vonuar bile, tregon se grykësia serbe për troje detyrimisht do ta çojë artikulimin dhe veprimin shqiptar drejt natyrshmërisë së kufinjve etnike.

 

”Ka gjithnjë e më shumë njerëz në qarqet ndërkombëtare të cilët e shohin se projekti i imponimit të pavarësisë së Kosovës ka rënë në vështirësi dhe se është e domosdoshme të gjendet ndonjë zgjidhje kompromisi. Shumë prej tyre konsiderojnë se ndarja mund të ishte një nga opsionet.” Kjo është deklarata e Vuk Jeremiç e bërë që në Shkurt të vitit 2011. Shprehja e Jeremiçit kërkon të demantojë themelet mbi të cilat u ngrit pavarësia e Kosovës të cilat në bazë të saj kishin mos kthimin e saj në kufinjtë e para vitit 1999-të duke ruajtur një integritet të vetin, mosbashkimin me asnjë shtet tjetër duke ruajtur hartën e vet kufitare siç është. I gjithë faktori shqiptar në Ballkan ra dakort me këtë zgjidhje, e cila edhe pse mund të konsiderohet e padrejtë, në themel të vet përsëri e ngrinte Kosovën në një stad të ri mëvetësimi dhe profilizimi.

 

Tani, në këtë kontekst deklaratat e përfaqësueve serbe sulmojnë dy pikat themelore pra synimin për ndryshimin e kufinjve të Kosovës përmes ndarjes dhe po përmes ndarjes t’ia ofrojnë atë që ngel nga Kosova Shqipërisë duke u munduar ta fusin këtë të fundit si palë negociatore në këtë mes. Nëse shtrohet një ndryshim total i principeve mbi të cilat u hartua pavarësia e Kosovës, atëherë propozimi serb është i mangët dhe hap rrugë për të tjera konfigurime.

 

Mendoj se duhet që me të njëjtën forcë dhe kurajo që Serbia shigjeton kërkesa jashtë të drejtave historike të saj, me të njëjtin intensitet duhet që Tirana zyrtare të kërkojë të drejtën legjitime për bashkim me Kosovën. Sa më fort që serbët t’i mëshojnë tezës së ndarjes aq më fort politikanët e Tiranës por edhe të Prishtinës duhet të fuqizojnë kërkesën për bashkim. Pra bashkim përkundrejt ndarjes së trojeve. A nuk mjaftuan një shekull e kusur për të treguar se stabiliteti në Ballkan nuk mund të ndërtohet mbi copëtimin e padrejtë?  Përsëri kërkohet të gjehet zgjidhja duke marrë si postulat ndarjen.

 

Serbia po kërkon të luajë një lojë piacën e së cilës ajo mendon se mund ta mbajë nën kontroll. Por unë mendoj se ajo gabohet. Beogradi është i bindur se shqiptarët nuk kanë për të qenë në gjendje të kapin kurrë kohën dhe se shqiptarët janë tejet të  defaktorizuar e të dehomogjenizuar për të ardhur tek rezultantja e bashkimit kombëtar. Faktet tregojnë se pas luftës së Kosovës, indeksi i ndjenjës kombëtarë tek shqiptarët në rajon arriti majat. Nga terminologjia “kosovar” e cila rëndom përdorej tek ne  si për të etiketuar një specie tjetër që fliste shqip përtej kufirit, ndërveprimi dhe ndërshkrirja shumëplanëshe pasoi në vitet në vijim.

 

Kështu që Beogradi gabohet. Sa herë që ka prodhuar konflikte ka shkundur shqiptarët nga pluhuri i padrejtësisë historike. Ndaj edhe hapja e një fronti të ri konflikti përmes tezës së  ndarjes së Kosovës nuk do të bëjë gjë tjetër vetëm se do të rrisë treguesin përbashkues ndërshqiptar. Jo vetëm kaq, por pjaca e shqiptarëve në rajon do të luhej në një dimension i cili nuk mund dhe nuk do të kishte shansin të ishte vetëm për krahina të caktuara.

 

Borxhi i historisë ndaj shqiptarëve është aq i madh sa nuk e ka emrin as Mitovicë e as Preshevë. Nëse Serbia mendon se me kozmetikë bisedimesh hipokrite dhe tinzare apo edhe me kriminelë të sëmurë në Hagë, do të mund t’ju imponohet  shqiptarëve, atëhere ndarja nuk do të jetë vetëm një vijë e vogël në një krahine kosovare, por shumë vija të reja do të duhej të hiqeshin në Ballkan përgjatë rajoneve ku shqipja ushton këndshëm.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme