Zbulimet arkeologjike të shekujve tetëmbëdhjetë dhe nëntëmbëdhjetë të e.s. provuan ekzistencën e popujve dhe të gjuhëve për të cilat studiuesit e Testamentit të Vjetër përdorën emrin semitik. U zbulua se këto gjuhë i përkisnin së njëjtës familjeje demografike. Studimi i mëtejshëm zbuloi lidhje më të afërta midis gjuhëve, që deri atëherë mendohej se nuk ishin të lidhura.
Gjuhët semite janë anëtare të së njëjtës familje. Si të tilla, ato kanë një numër karakteristikash thelbësore, me anën e të cilave mund të identifikohen dhe të cilat përbëjnë thelbin e tyre:
Triliteraliteti (Treshkronjorshmëria). Gjuhët semite kanë të përbashkët karakteristikë n gjuhësore të triliteralitetit, pra fjalët e tyre përbëhen nga rrënjë me tri bashkëtingëllore secila dhe nga fjalët e prejardhura nga këto rrënjë. Kjo është karakteristikë e veçantë e anëtarëve të kësaj familjeje; asnjë gjuhë tjetër apo familje gjuhësore nuk e ka një veçori të tillë. Lista e temave apo fjalëve-rrënjore mund të ndryshojë nga një gjuhë te tjetra. Disa rrënjë janë hequr nga përdorimi dhe të tjera janë huazuar nga gjuhë të huaja. Megjithatë, gjuhët semite ia kanë dalë mbanë që të vazhdojnë të kenë shumicën e fjalëve-rrënjore të tyre të përbashkëta me njëra-tjetrën. Nga këto rrënjë trebashkëtingëllorëshe, fjalët formohen përmes një procesi që quhet “zgjedhim”, që përbëhet nga ndërrimi i shqiptimit të tri bashkëtingëlloreve sipas rregullit, apo nga të shtuarit e një apo më tepër bashkëtingëlloreve si parashtesë, prapashtesë, apo brendashtesë dhe duke ndryshuar gjithashtu shqiptimin e saj. Çdo formë e zgjedhuar ka si ngjyrim një modalitet të domethënies së rrënjës bashkëtingëllorëshe.
Po t’i vendosim këto modalitete si tituj në dimensionin horizontal dhe rrënjët bashkëtingëllorë she në dimensionin vertikal, ne do të kemi një rrjet koordinativ në të cilin mund të vendosen të gjithë emrat dhe foljet, pra pothuaj e gjithë gjuha, për t’u shqyrtuar dhe kuptuar më qartë.
Gjuha arabe është më e dendura dhe e mbush tërë rrjetin koordinativ, gjë që mbështet pohimin se ajo, në formën e saj klasike, është gjuha origjinale nga e cila kanë rrjedhur gjuhët e ndryshme semite.
Fonetika. Gjuhët semite kanë të përbashkët një alfabet që përbëhet nga 6 tinguj grykorë, dy tinguj qiellzore, dy tinguj buzorë, pesë tinguj uvularë, dy gjuho-dhëmborë, tre tinguj fishkëllorë, gjashtë tinguj lëngëzorë dhe gjashtë tinguj fërkimorë. Asnjë gjuhë apo dialekt semit që ekziston nuk i ka të gjithë ata. Arabishtja ka pjesën më të madhe, njëzet e nëntë nga një total prej tridhjetë e dy. Arabishtja ka më tepër shkronja sesa çdo gjuhë tjetër semite. Është kjo arsyeja për të cilën studiuesit pajtohen se “alfabeti semit origjinal ishte pothuaj identik me atë të arabishtes klasike.”
Gramatika. Gjuhët semite janë të eptueshme (të lakueshme dhe të zgjedhueshme).
Vetëm tri gjuhë eptohen sot: gjuha arabe, amharike dhe gjermane.. Shumë gjuhë të së shkuarës ishin të eptueshme, për shembull, akadianishtja, greqishtja, latinishtja dhe sanskritishtja. Gjuhët moderne, në pjesën më të madhe, e kanë humbur eptimin e tyre. Brenda familjes latine eptimin e kanë humbur: frëngjishtja, italishtja dhe spanjishtja. Edhe anglishtja e ka humbur eptimin e saj, ndërsa gjermanishtja e ka ruajtur.
Eptimi është tregues i një prirjeje më ekzigjente, që synon më tepër përpikëri.
Fjalori dhe përpikëria.. Gjuhët semite kanë një fjalor të bollshëm, me shumë fjalë për të njëjtin objekt. Arabishtja i tejkalon të gjitha ato. Arabishtja i jep dritës 21 emra, vitit 24, diellit 29, reve 50, errësirës 52, shiut 64, burimit të ujit 88, ujit 170, gjarprit 100, devesë 255 dhe luanit 350. I njëjti thesar ekziston edhe në lidhje me kafshët e tjera, me shkretëtirën, shpatën, si edhe me karakteristikat njerëzore të gjatësisë (91 fjalë), shkurtësisë (160), kurajës, bujarisë, koprracisë dhe kështu me radhë. Shkrimtari i prozës apo poezisë është i lirë që të zgjedhë, nga spektri i pasur, fjalën që i përshtatet veprës së tij më së miri për sa i përket formës, tingullit, gjatësisë, rimës dhe forcës tërheqëse.
Përveç bollëkut të fjalëve, gjuhët semite kanë një përpikëri të jashtëzakonshme diksioni të përshtatshëm gjatë përdorimit të tyre. Nuancat konotative (ngjyruese) të domethënies që perceptojnë semitët shpesh janë të pakapshme për të tjerët. Nga ana tjetër, arabishtja e ka zhvilluar këtë karakteristikë në shkallë të skajshme, duke dhënë një emër të ndryshëm për çdo orë të ditës dhe natës, për çdo natë të kalendarit hënor, për çdo llojshmëri të të parit, të të ulurit, të të ecurit, të të fjeturit, apo të të dashuruarit.
Shkretëtira, shpata, njeriu i gjatë, njeriu i shkurtër, heroi, mikpritësi, koprraci, bujari – të gjitha këto fjalë kanë një numër termash për t’i përcaktuar ato. I shtojmë kësaj faktin se arabishtja është unike me pasurinë e disa qindra fjalëve që bartin një kuptim dhe të kundërtin e tij në të njëjtën kohë. Sikur të mos mjaftonte kjo, disa fjalë bartin tri apo më tepër kuptime në të njëjtën kohë. Leksikologët kanë raportuar njëqind e pesëdhjetë fjalë me tre kuptime, njëqind e pesëdhjetë me katër, njëqind e pesëdhjetë fjalë të tjera me pesë, dhe kështu me radhë shkalla rritet deri sa ato arrijnë tridhjetë e pesë domethënie për fjalën ‘ajn (sy) dhe gjashtëdhjetë për fjalën ‘exhuz (të moshuarin).
Gjuha arabe ka një kapacitet të rëndësishëm për të shprehur sfera të gjera të eksperiencës. Ajo ka fjalë që i përkojnë çdo realiteti dhe ka një fjalë tjetër për çdo nënndarje apo nuancë të domethënies.
Ajo dallon midis deveve të moshave të ndryshme, ngjyrave të ndryshme dhe numrit të ndryshëm të pasardhësve, si edhe midis topografive të panumërta të shkretëtirës, duke i dhënë secilës një emër të ndryshëm. Ajo dallon orët e ditës dhe natës, ndodhjen e tyre gjatë muajve, dhe secilës i jep një emër të ndryshëm.
Sintaksa. Në gjuhët semite, sintaksa qëndron në thjeshtësinë e artikulimit dhe qartësinë perceptuese. Në arabisht, shpesh elokuenca përcaktohet nga forma e përshtatshme, saktësia apo qartësia. Shkurtësia e shprehjes është gjithmonë virtyt letrar; dhe të përmbledhurit e domethënieve të rëndësishme në pak fjalë, që mund të kuptohen dhe mësohen përmendsh lehtësisht, është një fuqi e veçantë e të gjitha veprave letrare semite. Për përmbledhjen e përkushtimit, të karakterit moral dhe mençurisë, në numrin më të paktë të fjalëve dhe megjithatë më të fuqishme, Bibla Hebraike dhe Kur’ani nuk kanë të krahasuar. Duke pasur kapacitete të tilla latente (të brendshme) letrare, nuk është për t’u çuditur që gjuhët semite kanë qenë mjeti i komunikimit të profecisë prej kohërave më të hershme.
Një tjetër karakteristikë sintaksore e përbashkët për të gjitha gjuhët semite është mungesa pothuajse e plotë e fjalëve të përbëra. Me sa duket, begatia e sinonimeve dhe fjalët e mëvetësishme për çdo domethënie denotative (kuptimore) dhe konotative (ngjyrimore) në çdo nivel, kanë mënjanuar nevojën për fjalët e përbëra.
Veprat letrare semite
Që nga shpikja e shkrimit, semitët ishin të parët që krijuan prozë dhe poezi letrare, që u angazhuan për të shkruar dhe për t’i ruajtur ato të shkruara në pllaka balte për brezat e ardhshëm.
Estetika letrare qëndron në kombinimin e saktësisë dhe qartësisë me bukurinë dhe efektin emocional. Cilësia estetike lidhet, si rrjedhim, me një frazë, një varg apo një fjali. E gjithë poezia semite është e llojit lirik, që karakterizohet nga paralelizmi i pjesëve të saj, nga autonomia e vargjeve të saj dhe natyra jozhvillimore e vazhdimësisë së saj. Veprat letrare semite: Libri Hebraik i Mbretërve, Psalmet, Kënga e Këngëve, mbishkrimet mbretërore akadiane, Epi i Gilgameshit; kasidah arabe; Kur’ani, mekamat; apo Një mijë e një netët, japin përshtypjen e paanësisë së tyre, të mungesës së një fillimi apo një mbarimi. Ndikimi emocional nuk arrin pikën kulmore dhe lehtësimin në fund.
Revelimet gjatë rrjedhës semite të historisë
Revelimi, apo komunikimi i vullnetit të Zotit drejtuar njeriut, ka një histori të gjatë dhe ka marrë forma të ndryshme. Në kohët më të hershme, Zoti e reveloi vullnetin e Tij në mënyrë indirekte nëpërmjet ogureve të natyrës, apo në mënyrë të drejtpërdrejtë nëpërmjet vizioneve dhe ëndrrave, të cilat priftëria ishte mësuar që t’i deshifronte. Revelimi u ruajt duke iu besuar memories.
Teksti më i hershëm i një mesazhi hyjnor, që përmban pretendimin e një shenjtërie të tillë, është Kodi i Hamurabit.
Revelimet e mëhershme gjatë rrjedhës semite të historisë ishin kode të ligjeve të hartuara në prozë tokësore dhe praktike. Revelimet e mëvonshme ishin rrëfime dhe këshilla për devocion dhe dëlirësi, por gjithashtu ishin hartuar në stilin e thjeshtë të gjykimit të përgjithshëm.
Testamenti i Vjetër Hebraik përmbante shumë pasazhe të një bukurie letrare të shkëlqyer. Por askush që beson në burimin hyjnor të Biblës Hebraike nuk e ka mbështetur pretendimin e tij për hyjninë e saj në bukurinë e saj letrare. Përkundrazi, vlerësimi i çdo bukurie letrare ishte rrjedhim i besimit në origjinën hyjnore të tekstit.
Kur’ani është vepra më e bukur letrare!
Rasti i Kur’anit është i kundërt me atë të Biblës. Pa dyshim, Kur’ani është i bukur, në të vërtetë vepra më e bukur letrare e njohur kurdoherë në gjuhën arabe. Bukuria e tij, megjithatë, nuk është pasojë e besimit, por vetë shkaku i tij.
Gjykimi estetik – se Kur’ani është i bukur, madje, sublim – nuk është një shprehje e besimit. Ai është një gjykim kritik, që arrihet nëpërmjet analizës letrare. Bukuria është shkaku dhe dëshmia për origjinën e tij hyjnore.
Islami është unik ndërmjet religjioneve të njerëzimit në mbështetjen e vërtetësisë së shenjtërisë së tij në faktin e bukurisë së tij sublime.
Kur’ani dëshmon një refuzim të zhvillimit narrativ si një parim letrar organizativ. Referimet ndaj ndodhive të caktuara trajtohen në mënyrë segmentore dhe me përmendje të përsëritura, sikur lexuesit të ishin tashmë të familjarizuar me ngjarjet dhe karakteret. Qëllimi kryesor nuk është narrativja, por didaktika dhe morali.
Në Kur’anin e Shenjtë ekziston një proces serik i perceptimit dhe i vlerësimit që e sfidon zhvillimin drejt një klimaksi të vetëm kryesor dhe konkluzioni të mëvonshëm. Përshtypja e unitetit të përgjithshëm është e dobët dhe vetëm nëpërmjet përjetimit të pjesëve të tij individuale, një pas një, lexuesi apo dëgjuesi kap një sens të tërësisë.
Kur’ani ndahet në module letrare (ajet dhe suvar), të cilat ekzistojnë si pjesë të plota që qëndrojnë më vete. Çdo modul është i kompletuar dhe nuk varet nga ai që ka kaluar përpara, apo vjen pas tij.
Mjetet poetike që rezultojnë me përsëritje tingulli, apo përsëritje metrike, janë me shumicë në prototipin kur’anor. Përveç shembujve të shpeshtë të rimave fundore një apo shumërrokëshe, Kur’ani përmban shumë rima të brendshme në rreshta.
Përsëritjet e njësive metrike të tingullit të zanores apo bashkëtingëllores janë të shumta dhe e gjallërojnë poetikisht këtë vepër letrare. Frazat dhe rreshtat e refrenit rifillojnë vazhdimisht për të përforcuar edhe mesazhin didaktik, edhe mesazhin estetik.
Paralelizmi, antiteza, metafora, krahasimi dhe alegoria janë vetëm disa prej shumë mjeteve poetike që sigurojnë pasurinë dhe përpunimin fjalësor në Kur’an. Shumëfishimi i këtyre elementeve u shkakton atyre që i dëgjojnë, apo i lexojnë fragmentet e tij, mahnitje me bukurinë dhe elokuencën e tij.
Si një vepër letrare, Kur’ani ka një estetikë të mrekullueshme dhe ndikim emocional mbi muslimanët që e lexojnë apo e dëgjojnë prozën e tij poetike. Madje edhe jomuslimanët janë impresionuar thellësisht nga përkryershmëria e tij letrare dhe perfeksionimi i paimitueshëm i tij.