EBU HAMID EL-GAZALI (450-505 h. - 1058–1111)

             Emri i plotë i El-Gazaliut është Ebu Hamid Muhammed bin Muhammed El-Gazali. Ka lindur në Tus të krahinës së Horasanit në Persi më 1058.

            I ati i tij ishte i varfër në pikëpamje materiale, por shumë i pasur në shpirt. Jetesën e fitonte duke bërë pëlhurë dhe nga ky zanat e mori edhe mbiemrin El-Gazali (pëlhurëendës).

            Historia flet shumë pak mbi jetën e babait të El-Gazaliut. Por, na informon se kishte një dashuri të veçantë për dituri dhe respekt të posaçëm për dijetarët; nuk ngurronte kurrë t’u shërbente për të fituar simpatinë dhe bekimet e tyre. I ati i El-Gazaliut e kishte bërë traditë që saherë që dëgjonte ndonjë vaiz (predikues) të mire t’i lutej All-llahut duke thënë:

            “O All-llah! Më dhuro një djalë që të bëhet vaiz i madh dhe dijetar i njohur!”

            Si duket Ebu Hamidi e trashëgoi këtë dashuri për dituri nga i ati, me ndryshim se pati mundësi të pajisej vetë me të, gjë që i mungoi babait të tij. El-Gazaliu që në fëmijëri tregoi një zell të madh për mësim dhe durim të pashoq për të studiuar.

            El-Gazaliut i vdiq i ati duke qenë ende fëmijë bashkë me të vëllain e tij Ahmedin. Këta mbeten nën kujdesin e një sufiu të varfër që qe mik i ngusht i babait të El-Gazaliut, të cilit i dha një pasuri të vogël duke thënë: “Dëshira ime më e madhe ka qenë që të mësoj, por unë nuk e pata këtë fat, por prej teje dëshiroj që ta plotësosh këtë dëshirë tek fëmijët e mi”. Sufiu e plotësoi këtë dëshirë të mikut të vet, duke u kujdesur për rritjen e El-Gazaliut me të vëllanë si në pikëpamje kulturore ashtu edhe morale. Por, nuk shkoi shumë e pasuria e vogël që e kishte lënë i ati u mbarua e sufiu nuk qe në gjendje t’i ushqente, prandaj, një ditë iu tha:

            “Dinie e bijtë e mi se pasuria juaj që kishit u mbarua, unë jam një fukara e nuk kam pasuri që t’ju ushqej, prandaj duhet të shkoni në një shkolllë”.

            Këtu duhet shënuar që shkollat muslimane qenë të parat që u jepnin bursa studentëve të varfër, domethënë i strehonin dhe i ushqenin falas.

            El-Gazaliu kaloi disa kohë në një shkollë fetare në qytetin e tij, por nga fakti se ai dëshironte të të pajisej më tepër me dituri e dijetarët ishin të pakët në këtë qytet, vajti në Xhurxhan ku u bë student i një dijetari të mirënjohur me emrin Ebu Nasr El-Ismail.

            Në Xhurxhan mbante shënim gjithë çka dëgjonte nga mësuesi i vet, por si duket mjaftoi me kaq, pa përfituar intelektualisht nga shenimet… Këtë gjë na e tregon vetë El-Gazaliu, në një pjesë të veprës së tij që e quajti “Shpëtimtari nga humbja” (El-Munkidhu min’ed-dalal), e që mund të quhet biografia e vet kulturore, me këto fjalë:

            “Kusarët na prenë udhën dhe m’i morën gjithë ç’kisha me vehte dhe ikën. Unë i ndoqa dhe e arrita të parin e tyre, i cili më tha: “Kthehu, o i mjerë, në dash të shpëtosh lëkurën”! Unë i thash: “Të lutem, për hirë të Atij që të ka në dorë jetën, të ma kthesh çantën e vogël në të cilën kam gjëra që nuk të hyjnë ty në punë! “Më tha: “Ç’ke në te?” Iu përgjigja: “Kam në të disa defterë në të cilët kam shënime, emigrova për t’i dëgjuar dhe shkruar, me to mësoj shkencat e ndryshme”. U shkreh së qeshuri me të madhe kryehajni dhe më tha: “Nuk i paske mësuar shkencat çka përmbajnë? Si duket kur ta morëm çantën ti u zhveshe nga dituria dhe mbete pa mësim!” Pastaj urdhëroi njërin prej shokëve të tij dhe ma dorëzoi çantën. Kjo ngjarje la një përshtypje të thellë në shpirtin tim dhe i thashë vetes: “Këtë ma dërgoi All-llahu për të më udhëzuar!”, dhe kur arrita në Tus iu përkushtova me shpirt studimeve për tri vjet rresht gjersa arrita në atë shkallë që po të vidheshin defterët nuk do të zhvishesha nga dituria”.

            Tash El-Gazaliu ka arritur moshën njëzetvjeçare. Shkoi në Nisabur që ishte një qendër kulturore islame dhe u regjistrua student në medresenë En-Nidhamijeh, nën profesorin famëmadh Imamu’l-Haremejnin, Xhuvejniun, intelektualin më të madh të kohës së tij.

            El-Gazaliu ishte i pajisur me një kujtesë të jashtëzakonshme, zgjuarësi të rrallë, durim të pashoq për të hetuar dhe studijuar, kështu që nuk shkoi shumë e El-Gazaliu u çmua si studenti më i aftë i këtij profesori të famshëm, nën kujdesin e të cilit studioi prej vitit 1078 e gjer me vdekjen e mësuesit të tij më 1086. Gjatë kësaj kohe fama e El-Gazaliut kishte marrë dhenë. Kryeministri Nidhamu’l-mulk, që ishte i mirënjour për dashurinë që kishte për diturinë dhe respektin që kishte për dijetarët, dërgoi dhe e thirri El-Gazaliun në Bagdad dhe pas një bisedimi të gjatë që pati me të, duke e çmuar për diturinë e madhe që zotëronte, e emëroi si kanonist dhe teolog me rrogë në pallatin e tij. Në vitin 1091 e zgjodhi për të dhënë mësime në Kolegjin Nidhamije të Bagdadit që ishte një ndër qendrat më të njohura kulturore të asaj kohe. Kjo ishte detyrë që lakmohej nga të gjithë dijetarët e famshëm të kohës, kurse u jepej vetëm atyre që ishin shumë të shquar në fushën kulturore.

            El-Gazaliu e përmbushi shumë mirë misionin me të cilin u ngarkua, studentët derdheshin si uji në klasët e tij në degët e ndryshme të kulturës së njohur atëherë, sa që arriti të kishte më tepër se 300 studentë. Shumë dijetarë trokitnin portën e tij për të diskutuar probleme të ndryshme shkencore dhe për të marrë mendimet e tij.

            El-Gazaliu kaloi katër vjet si profesor në këtë kolegj, fama e tij nga dita në ditë shtohej; por, edhe filloi të bëhej skeptik, dhe në mbarim të katër vjetëve arriti kulmin e dyshimit, jo vetëm në teologji por edhe në çdo degë tjetër të kulturës dhe të filozofisë. Nuk i bëhej më të jepte mësime dhe pa pritur, në vitin 1095 e la detyrën e profesorit, la qetësinë që gëzonte nga ofiqi i tij, u nda nga familja dhe shkoi duke u endur qytet më qytet për të gjetur prehjen shpirtërore dhe qetësinë mendore, duke e kaluar kohën në lutje dhe meditacion. Shkoi në Jerusalem, Aleksandri, Damask, dhe kreu detyrën e haxhillëkut në Mekke, sikundër vizitoi edhe Medinën.

            Gjatë kohës së dyshimit u mor me shkrime, përveç kësaj studioi me premi teologjinë dhe çdo degë të fesë, filozofinë që njihej atëherë si dhe sufizmin me anë të të cilit gjeti qetësinë shpirtërore që kërkonte dhe prehjen mendore. Duke folur mbi zhdukjen e e dyshimit në këtë periudhë të jetës së tij, El-Gazaliu në biografinë e tij “Shpëtimtari nga humbja”, pasi flet për periudhat e ndryshme që kaloi gjatë jetës së tij të dyshimit, tregon se shpëtimi nga errësira e dyshimit dhe dalja në dritën e besimit nuk i erdhën nga provat dhe argumentet ” …por nga Drita që All-llahu shkaktoi të depërtonte zemrën time. Dritë që shkëlqeu hyrjen në të gjitha dituritë. Të mendojmë se sigurimi vjen vetëm duke u bazuar në argumente formale është të kufizojmë mëshirën e pafund të All-llahut.”

            Afro 700 vjet më vonë erdhi filozofi David Hume që shprehi po thuaj të njejtin botëkuptim duke mejtuar se të gjitha besimet dhe konvikcionet tona varen nga dëshira dhe se arsyeja nuk është bazë për konvikcion.

            Pasi El-Gazaliu doli nga errësira e dyshimit në dritën e besimit me ndër­mjetësinë e përvojës sufiste, u mor edhe disa vjet me mësim në qytete të ndryshme. Përvojën e tij filloi ta hedhë në letër, duke shkruar libra të ndryshme, përveç atyre që i kishte shkruar më parë në teologji, moral dhe jurisprudencë.

            Enciklopedia Britanike shënon që El-Gazaliu ka shkruar 69 vepra në subjekte të ndryshme. Shumë prej tyre janë përkthyer në anglishte, gjermanishte, frëngjishte, italishte, krahas përkthimeve të bëra në gjuhët e popujve muslimanë.

            Libri më i madh dhe më i famshëm i El-Gazaliut është “Ihja`u ulum’id-din” (Përtërirja e diturive fetare), në disa mijë faqe dhe deri tash dhjetra botime të ndryshme në vende të ndryshme.

            Dy pjesët e para të këtij libri flasin mbi formën e jashtme të ibadeteve (lutjeve), kurse dy pjesët e fundit flasin mbi natyrën e brendshme të fesë. Çdonjëra nga këto katër libra përmbajnë në vete nga dhjetë libra. Stili është madhështor, gjuha e lehtë dhe mund të kuptohet edhe nga fillestarët. Kjo vepër me të vërtetë është kryevepër, sidomos në pikëpamje të karakterit njerëzor dhe të etikës.

            Për këtë libër orientalistët evropianë kanë treguar një kujdesje të madhe dhe është përkthyer në shumë gjuhë bashkëkohore. Pozita që gëzon El-Gazaliu me këtë vepër në mes të muslimanëve, mund të krahasohet me pozitën që gëzon në mes të bashkëfetarëve të tij Kristian Thomas à Kempis (1380-1471), i cili qe një mistik i famshëm kristian dhe besohet të ketë arritur një përparim të lartë shpirtëror. Kempisi u bë i njohur me librin “Imitimi i Krishtit”. Natyra  lëndës së këtij libri i afrohet natyrës së lëndës së ”Ihja-ut”, natyrisht me ndryshim që ”imitimi” është shkruar për t’iu përshtatur mësimeve dhe pikëpamjeve kristiane.

            Për librin ”Përtrirja e diturive fetare” disa nga dijetarët muslimanë kanë thënë: ”Po të zhduken të gjitha librat e shkruara mbi fenë islame, do të ishte një humbje e vogël, me kusht që libri i El-Gazaliut ‘Përtrirja e diturive fetare’ të ruhej”.

            Dy vepra të tjera që janë me famë në botën oksidentale dhe që shkaktuan një rrebesh kundërshtimesh ndër filozofët janë: Mekasidu’l-felasifeh (Synimet e filozofëve) dhe Tehafut’ul-felasifeh (Vetë­shk­atërrimet e filozofëve). Në librin e parë El-Gazaliu përmbledh idetë e ndryshme filozofike në logjikë, metafizikë dhe degët tjera që njiheshin gjer atëherë. Ky libër qe përkthyer në latinishte prej Dominicus Gandissalvus dhe qe botuar në Venedik më 1506. I dyti përmban një kritikë të rreptë ndaj sistemeve filozofike të ndryshme të shpjeguara në librin e parë.

            El-Gazaliu vetë pohon se librin e parë e shkroi me qëllim që t’i paraqiste lexuesit materialin të cilin do ta kritikonte në librin e tij të dytë.

            Pak kohë më vonë filozofi Ibn Rushd refuzoi botëkuptimin e El-Gazaliut mbi filozofinë me librin e tij Tehafut’ut-tehafut (Vetëshkatërrimi i vetëshkatërrimit) duke hedhur poshtë idetë e El-Gazaliut mbi filozofët.

            Në kohën e El-Gazaliut intelektualët muslimanë ishin ndarë në dy kampe: sufitë dhe juristët, të cilët ishin në luftë të rreptë. El-Gazaliu me shkrimet e tij arrinë t’i zhduki kundërshtimet e mëdha dhe t’i afrojë të dy kampet.

            El-Gazaliu si çdo reformator tjetër, pati shokë që pranuan idetë e tij, por pati edhe njerëz që e luftuan. Edhe ndër evropianët nuk i pati të rrallë admiruesit e tij: Ernest Renani, Cassanova, Carra de Voux, T. J. Boer dhe dr Zwemer. Enciklopedia Islame e shkruar nga jomuslimanët, e botuar në Leyden, Holandë më 1927, në vëllimin e dytë, duke folur mbi të thotë: ”... (El-Gazaliu) është mendimtari më origjinal që ka prodhuar Islami dhe teologu më i madh”.

            Prof. Macdonald-i në librin e tij Development of the Muslim Theology e quan El Gazaliun: “ Më i madhi dhe sigurisht figura më simpatike në historinë islame; i vetmi mësues i kohëve të vona që vihet nga muslimanët në një radhë me katër imamët e mëdhenjë.” Dhe vazhdon të shkruaj: ”Në islam nuk ka ardhur njeri pas tij që të zë vendin e tij dhe as që është kuptuar plotësisht prej muslimanëve. Në ringjalljen islame që po ngjetë tash, do të vijë koha e tij dhe një jetë e re do të vijë për të, nga ristudimet e veprave të tij”.

            Reformatori i madh Islam i shekullit XX, profesori, i ndjeri shejh Mustafa Meragiu, rektor i Universitetit të El-Ez`herit të Kairos në Egjipt shkroi:

            ”Po të përmenden Ibn Sina dhe Farabiu menjëherë na shkon mendja tek dy filozofë të mëdhenjë; po të kujtohet emri i Ibn Arebiut do të mendojmë për burrin sufi, mendimet e të cilit kanë rëndësi e peshë të madhe në mistikën islame; po të përmenden emrat e Buhariut dhe Muslimit  menjëherë do të mendojmë për dy tradicionalistë më të mëdhenjë islamë që shënuan me sinqeritet fjalët dhe veprat e Muhammedit a.s., duke ruajtur një thesar të vlefshëm; por, po të kujtohet emri El-Gazali, këtu kemi shumë aspekte, nuk na shkon mendja në një burrë, por në shumë burra dhe secili me vlerë dhe rëndësi të madhe në lëmin e vet. Na kujtohet El-Gazaliu kanonist, jurist i lirë, teolog, prijës i ehli sunnetit, mbrojtës i idesë së tyre; El-Gazaliu sociolog i specializuar për gjendjen e njerëzimit, fshehtësitë e ndërgjegjjes dhe sekretet e shpirtit; El-Gazaliu filozof që luftoi filozofinë; El-Gazaliu edukator; El-Gazaliu sufi ose po të duash thuaj, kur kujtohet El-Gazaliu, të shkon mendja tek burri që ishte enciklopedia e diturive të shekullit të tij”.

            Ebu Hamid Muhammed bin Muhammed El-Gazaliu vdiq në vendlindjen e tij, ku kaloi vitet e fundit të jetës me lutje e shkrime – ditën e hënë me 19 dhjetor 1111.

            I vëllai i tij, Ahmedi, duke folur mbi vdekjen e të vëllait, Ebu Hamidit thotë:

            ”Të hënën mbrëma vëllai im mori abdes dhe u fal. Pastaj tha: ”Ma sill qefinin!” të cilin e mori dhe e puthi, ngriti sytë e tij lartë duke thënë: ”Unë dëgjoj dhe i bindem urdhërit të shkoj te All-llahu”. U shtri në shtrat dhe ia dorëzoi shpirtin Krijuesit të tij, vajti e takoi Perëndinë e Lartë”.

            Kështu vdiq El-Gazaliu në paqë, mbasi u përpoq të gjejë paqën dhe e gjeti në lutje dhe dashuri. Lutje vetëm një Zoti dhe dashuri për të dhe për tërë njerëzimin pa dallim feje a race ... (Post scriptum: Ky tekst është parathënie e librit “Ballsami i lumturisë” nga Imam El-Gazaliu, i botuar në Romë, Itali më 1959, fq.V-XIV. Puna jonë në këtë tekst ka qenë redaktimi i tekstit, pa e humbur aspak vlerën e origjinalit. (Vërejtje e N.Ibrahimit).

           

            Detroid, Michigan,

            2 shkurt 1959

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme