MEHMET (MUHAMED) ALI PASHA NË BOTIMET DHE DORËSHKRIMET ARABE

Shoqëria njerëzore ka vlerësuar dhe vazhdon të vlerësojë individët apo sistemet që u ngritën prej tyre, kur ato kanë përcjellë vlera për kombet e tyre apo dhe më gjerë. Jo të pakta janë rastet kur prijës të caktuar, periudhat e sundimit të të cilëve janë etiketuar si periudha të arta, kanë hyrë jo vetëm në histori si njerëz të shquar por, janë afruar në rangjet e mitologjisë, pavarësisht se periudha e sundimit të tyre nuk është prejhistorike. Një nga shkaqet që çon në një fenomen të tillë është se, periudhat që kanë ardhur më pas kanë qenë të një niveli shumë më të ulët politik dhe ekonomik se ato të mëparëshmet. Këtu vlen të përmendim udhëheqësin e shquar të periudhës Abasite në Bagdat, Harun Ar- Rashid, që u përfshi dhe në eposet mitologjike si “Një mijë e një net” etj. Një përngjasim të tillë e gjejmë dhe me themeluesin e Egjiptit të ri, Mehmet Ali Pasha.
Shtetet e reja arabe që dolën pas periudhës së Halifatit Osman, e kanë parë Mehmet Ali Pashën dhe periudhën e tij, si një simbol të një shteti të fuqishëm ekonomikisht dhe politikisht si brenda kufinjve po ashtu dhe në sferën ndërkombëtare. Kjo gjë bëri që periudha e tij të merrej si shembulli që duhej arritur. Ndërsa në nivelet politike çështja trajtohej e tillë, në nivelet kulturore e shkencore, personaliteti i tij dhe i shtetit që ai themeloi e udhëhoqi u bë objekt studimesh të mirëfillta. Mehmet Ali Pasha ka zënë vend në librat, studimet e mendimtarëve, studiuesve, gjurmuesve dhe historianëve, duke u bërë një nga më të studiuarit si në aspektin historik dhe në fushën e përkthimit.
Por nuk mjaftuan tërë këto shkrime për këtë etapë të rëndësishme historike. Njerëzit e shquar nuk mund ti shmangen dhe respektit të popullit të thjeshtë. Me qindra ngjarje, fakte apo dhe gojëdhëna, filluan të përçoheshin në popull, si nga ata që e përjetuan periudhën e tij të ndritur historike por dhe nga ata që erdhën më pas. Në mjediset popullore Mehmet Aliu u bë simboli i mirësisë dhe i personalitetit. Aq të shumta ishin rrëfimet për të sa që studiues të ndryshëm filluan të merren drejt përdrejt me mbedhjen e këtyre rrëfimeve.
Prandaj u shkruan libra të shumtë me shije të veçantë, të cilat u mbështetën në gojëdhënat, deklaratat gojore dhe ato më shkrim, të cilat mbështeteshin në tregimet dhe rrëfimet e gjyshërve dhe të stërgjyshërve që i kishin ruajtur vite më radhë. Njëri nga këta është dhe libri: “Mehmet Ali Pasha i Madh dhe veçoritë e kësaj familje mbretërore”. Ky libër u përpilua nga burime të sigurta që u ruajtën në memorien e njërëzve të asaj periudhe, që kishin mbajtur në mend dhe kishin përjetuar historinë e Egjiptit bashkëkohor. Për secilën familje përshkruhej histori e veçantë, histori që sot e kësaj dite vazhdon të mësohet nga të vegjëlit dhe të mëdhenjtë, si dhe është mbresëlënëse në zemrat e tyre.
Në punën time, jam munduar që të përmbledh titujt e këtyre librave, broshurave, emrave të autorëve, të librave, pa marrë parasysh ishin këto botime apo dorëshkrime, duke u ndalur në historinë e botimeve dhe duke shkuar gjithashtu edhe nëpër shtëpi të ndryshme botuese, e që dihet shumë mirë se gjithë këto nuk gjenden në një vend. Më shumë kam kërkuar në Shtëpinë Botuese Kombëtare të Egjiptit dhe në Arkivën e Aleksandrisë.
Nuk mund të them se këtu kam tubuar tërë materialin që ndodhet brenda këtyre librave ose broshurave, porse do ti përmend titujt e librave dhe emrat e autorëve të këtyre librave, në mënyrë që t’ua bëj me dije se janë shkruar shumë libra për Mehmet Aliun dhe kontributin e tij.
Gjatë kërkimeve në bibliotekën kombëtare të Egjiptit në Kairo, bibliotekën e Aleksandrisë si dhe bibliotekën e shoqatës së historianëve të Egjiptit, kam gjetur më shumë se 158 libra të madhësive të ndryshme, e në mesin e tyre edhe 18 dorëshkrime, që trajtonin jetën dhe veprën e Mehmet Ali Pashës dhe familjes së tij. Disa prej të cilave do ti përmendim më poshtë, me shqiptimin e tyre në arabisht në mënyrë që studiues të ndrydhëm të kenë mundësinë e hulumtimit.
Botimet për Mehmet Ali Pashën dhe familjen e tij, mund të klasifikohen në katër etapa. Etapa e para janë librat e botuar nga viti 1850 e deri më 1951, ku dhe dinastisë së Mehmet Ali Pashës po i vinte fundi. Periudha e dytë 1952 -vit ky që përkon me largimin e familjes mbretërore nga Egjipti- e deri më 1970, librat e shkruar për Mehmet Ali Pashën dhe familjen e tij, në territoret arabfolëse, ishin mjaft të rrallë për të mos thënë të papërfillshëm. Periudha e tretë 1971 -1995 shënon një rigjallërim në fushën studimore për Mehmet Ali Pashën. Kulmin e saj fusha studimore, historiko – politike për të e njohu pas vitit 1995 e në vazhdim, që unë e kam klasifikuar si periudha e katërt. Në këtë periudhë janë përfunduar veprat më të rëndësishme në lidhje me jetën dhe veprën e këtij udhëheqësi të shquar të Egjiptit modern, siç quhet dhe nga vetë egjiptianët sot. Megjithëse për Mehmet Ali Pashën është shkruar shumë, ka akoma pjesë të jetës së tij, ku informacioni është mjaft i pakët ose mungon fare. Kështu p.sh. për periudhën para se ai të mbërrijë në Egjipt nuk dihet veçse shumë pak, ndërsa për fëmininë e tij nuk dihet thuajse asgjë, gjë që ka lënë shteg për spekullime të ndryshme mbi origjinën e tij, vendlindjen, prejardhjen e secilit prej prindërve etj. Kjo ka bërë që mjaft studiues apo peudostudiues, sidomos ata që janë të mveshur me një pekt të errët të nacionalizmave të sëmura, apo ata që vuajnë për madhështi dhe që të gjithë njerëzit e shquar në rajon apo dhe më gjerë, mundohen që pa tjetër t'a paraqesin prej vendit të tyre.
Siç u përmend më lart, periudha e parë e botimeve mbi Mehmet Ali Pashën, karakterizohen nga paraqitja kronologjike e ngjarjeve siç janë psh: librat: “Muhamed (Mehmet) Aliu dhe Gadishulli Arabik” i Autorit Abdurrahim Abdurrahman, botuar në vitin 1875 ne Kairo, ku paraqiten në mënyrë të hollësishme, fushatat që ndërmori Mehmet Ali Pasha me urdhër të Sulltan Osmanit, mbi kryengritësit në Gadishullin Arabik. Diçka të ngjashme do të gjejmë në librin: “Projekti i fushatës së Muhamed Aliut mbi Algjeri”, i autorit Husejn Muhamed Abdullah El Hunejdi botuar më 1941. Por librat kronologjikë përmbledhin në mënyrë të detajuar dhe mënyrën e ndërtimit dhe administrimit të Egjiptit nga Mehmet Aliu pa harruar dhe vetë jetën e këtij titani. Kështu përpjekjet e para do ti gjejmë në vitin 1875 nga Abdurrahman Zeki i cili në librin me titull: “Peruidha e Muhamed (Mehmet) Aliut, 100 faqe nga historia e periudhës së Muhamed Aliut”, i cili pa kuptuar megjithëse me një punim jo shumë voluminoz ishte bërë shkëndija e historografisë Arabe e veçanërisht Egjiptiane për këtë udhëheqës të shquar. Këtu vlen të përmendim dhe punime të tjera p.sh. libra të tillë si ai i Abdulhalim El Mësrit me titull : “Muhamed Aliu i Madh” apo “Kalendari i Nilit, Periudha e Muhamed Aliut” shkruar nga Emijn Sami më 1936, përkthimin e librit vërtet të vlefshëm dhe voluminoz të Eduart Xhoanit të vitit 1921 me titul: “Egjipti në shekullin e 19, kronologji përmbledhëse e ngjarjeve të banorit të xhenentit- Muhamed Ali Pasha”.
Ndërkohë që dhe aspektet e ndërtimit të shtetit që e bënë Mehmet Aliun një figurë të shquar kanë zënë vend në botimet e kësaj periudhe. Psh: “Ushtria tokësore dhe detare e Egjiptit në kohën e Muhamed Aliut”, botuar më 1935 nga Omer Tosun, por dhe në fusha të tjera si: Fabrikat dhe shkollat ushtarake në periudhën e Mehmet Ali Pashës, Historia e Arsimit në Egjipt në periudhën e tij, Bujqësia, politika e brendëshme, lëvizjet kombëtare dhe zhvillimi i sistemit të shtetit në Periudhën e Mehmet Aliut, Mehmet Aliu dhe Europa, marrëdhëniet e tij me Hilafetin Osman e shumë fusha të tjera.
Periudha e dytë nuk është shquar për ndonjë llojshmëri botimesh apo dhe sasi. Në këtë periudhë vlen të përmenden disa studime të vleshme në fushën e artit siç është libri i Mahmud Muhamed Exh-Xheuherit me titull: “Pallate dhe orendi , nga Muhamed Aliu e deri tek Faruku”, i cili përpiqet të na japë një pamje të trashigimisë kulturore të trashëguar por për fat të keq aspekti ideologjik ka ndikuar në të (të mos harrojmë se libri është botuar më 1954, vetëm dy vjet pas përzënies së familjes Mbretërore nga ana e nacionalistëve arabë). Pjesa tjetër e botimeve me shumicë është përzier dhe me ideologjinë e kohës, por pa harruar dhe një vlerësim të një prej arritjeve më të mëdha të Egjiptit në periudhën e sundimit të familjes së Mehmet Ali Pashës – Kanali i Suezit. Megjithatë mund të përmendim librin e autorit Albert Horani me titull: “Mendimi Arab në periudhën e rilindjes 1798 – 1939”, apo librin e autorit Abdulkerim ebu Nasër, botuar më 1968 me titull: “Kanali i Suezit, 100 vjet nga Muhamed Aliu deri tek Xhemal Abdun Nasër”, si përpjekje dinjitoze po ta krahasosh periudhën e represionit në të cilën u shkruajtën.
Periudha e tretë dhe e katërt janë shumë të ngjashme me njëra tjetrën. Së pari sepse janë zhveshur nga ndikimet ideologjike, janë më pak kronologjike dhe me shumë analitike. Botimet e këtyre dy periudhave përpiqen të analizojnë, të zbulojnë dhe pse jo të kritikojnë, por dhe të nxjerrin në pah fakte historike të pa treguara apo të anashkaluara më parë. Nacionalizmi apo ndjenjat e madhështisë ia kanë lënë vendin të vërtetave historike dhe mendjeve të ftohta deri diku pa komplekse.
Disa nga këto libra mbështeten në burimet historike nga gjuhë të ndryshme si nga anglishtja, frengjishtja, turqishtja dhe vetë arabishtja. Librat e shkruara për Mehmet (Muhamed) Aliun në këtë aspekt janë të shumta dhe të llojllojshme. Shumica e tyre edhe pse nuk janë shkruar në gjuhën arabe, janë përkthyer në këtë gjuhë. Akoma dhe sot po përkthehen materiale të ndryshme për këtë temë, në mënyrë që të mësohet kjo etapë e rëndësishme në historinë e Egjiptit.
Ne na mbetet të themi se historianët hasën në vështirësi derisa e nxorrën në pah një pjesë mjaft të madhe për të vërtetën e kësaj epoke, sepse atyre iu dashur të krijojnë një lloj barazie mes të kaluarës dhe të tashmes, gjë që ndryshojnë shumë në mes tyre.
Megjithatë është për të ardhur keq që një pjesë goxha e vlefshme e historisë së Mehmet Ali pashës nuk është servirur akoma për lexuesit dhe studiuesit. Këtu kam për qëllim një sasi të konsiderueshme dorëshkrimesh në formë librash dhe fermanësh, të cilat vazhdojnë të pluhurosin raftet ndërkohë që tituj që ata mbajnë janë mjaft intrigues si p.sh.: Fermanë të kohës së Mehmet Aliut në gjuhë arabe dhe osmane si, “Përmbledhje e përkthimeve të fermanëve Esh Shahanije, të lëshuara nga valiu Muhamed (Mehmet) Ali”.

Nga këtu shohim se historianët e studiuan palodhshëm duke u bazuar në burimet e reja historike duke u munduar ta nxjerrin në pah të vërtetën dhe të fshehtën rreth Mehmet Aliut, por intersimi i tyre u përqëndrua më shumë tek personaliteti i Mehmet Aliut si themelues i Egjiptit bashkëkohorë, sundues i tij dhe familjen e tij e cila trashëgoi fronin mbretëror. Ai dhe familja e tij patën një ndikim të drejtëpërdrejtë në historinë e Egjiptit. Për këtë u shkruan shumë libra, broshura, u mbajtën sesione shkencore për jetën dhe personalitetin e Mehmet Aliut dhe Egjiptit si shtet. Këto libra u mbështetën në burime të vërtetuara pa marrë parasysh ishin këto deklarata me gojë apo me shkrim, dokumente të shkruara shtypi, dorëshkrime, burime nga përkthime të ndryshme ose nga njerëz që jetuan në kohën e sundimit të tij dhe trashëgimtarëve të tij, që kishin për bazë dokumente të prera.
Autorët e këtyre librave dhe vetë librat ngërthenin në vete një faktor shumë të rëndësishëm për përparimin shkencorë të shkencave shoqërore dhe kulturore, prandaj asnjëherë nuk mund të themi se këta autorë shkruan sipas mendjes së tyre apo anuan kah ndonjë personalitet më shumë se sa në ndonjë tjetër, kjo u bë nga shkaku sepse luajtën rolin e dijetarit që më shumë bazohet në burime të sigurta dhe të forta. Nga kjo e shohim rolin e studiuesve në shkencat shoqërore, ku në histori njihen si dijetarë të shkencave, që nuk u ndalën vetëm me ato që u përshkruajtën shkurtimisht, por e kapën shtjellimin e lëndës në thellësi duke mos anuar kah supozimet e tyre personale apo sipas interesave të njerëzve që jetuan në këtë kohë, gjë që në fund solli një studim objektiv dhe të frytshëm.
Kur i kthehemi sferës historike dhe asaj të përkthimit, atë që prezentuan historianët nga mundësitë e tyre në çdo kohë dhe vend, shohim se ky studim hyn në radhën e studimeve më të vështira, sepse kërkon një vërtetim të saktë, një vërtetim të thellë, që kërkon një analizë rreth përkthyesit dhe lidhjes së jetës së tij me të gjitha rrymat që parqiten gjatë jetës së tij, kohës së sundimit të tij dhe shoqërisë e cila ndodhej në atë kohë. Patjetër, kjo do qasje studimi me serozitet sepse luan rol shumë të rëndësishëm, prandaj të gjitha kontrastet që paraqiten kërkojnë një shtjellim të veçantë. Pra historia ka regjistruar heronj të ndryshëm që ia shndritën popullit kohën që jetuan.
Kjo gjithashtu është edhe një shkollë për ne sepse na bënë të ditur se njeriu kurrë nuk ka qenë në boshllëk, por një qenie e cila gjithmonë ka tentuar të veprojë dhe të organizojë jetën në mënyrën më të mirë. Prandaj etapa e sundimit të Muhamed Ali Pashës njihet si periudha kur për Egjiptin u vendos një shkollë e re realiste, shkollë e rrymave të reja mendore që meriton studim.
Nga kjo shkencëtarët tentuan të shkruajnë libra të shumtë për Mehmet Ali Pashën, historinë e jetës, arritjet e tij rreth zhvillimit të Egjiptit, si dhe dështimet që ndodhën ndonjehërë, në këtë rrugë të gjatë e të vështirë.

Nga e gjithë kjo gjejmë se janë botuar dhe shumë libra që përshkruajnë jetën personale të Mehmet Aliut, pra monografi, studime të veçanta për personalitetin e tij, që i bëri të mundur jo vetëm historisë Arabo - Egjiptiane të përfitojë në sfera të ndryshme, por edhe asaj botërore pasi rreth kësaj etape u shkruan dhe u përkthyen vepra të shumta.

Këto arsye, por dhe vlerësimi për njeriun që ideoi një shtet modern dhe të përparuar e të civilizuar, bënë që qeveria Egjiptiane ta shpallë vitin 2005, i cili përkon me 200 vjetorin e ardhjes së Mehmet Ali Pashës në pushtet në Egjiptit, si vit jubilar, duke programuar konferenca studimore, simpoziume, emisione të ndryshme mediatike por dhe, një promovim vlerash me mbështjetjen e institucioneve kryesore në vend.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme