Arsyeja e këtij shkrimi janë fyerjet dhe shpifjet e disa mediave kosovare dhe uebportaleve (zemrashqiptare dhe revista Drini) ndaj komunitetit më të madh fetar në shoqërinë shqiptare, të cilit i takoj edhe unë, pra atij musliman. Disa pjesëtarë të një pakice fetare (krishtere – katolike) nuk ndalen së shpifuri dhe së fyeri të rinjtë muslimanë të cilët në protestat e tyre legjitime nuk duan asgjë më tepër se të kenë një xhami në qendër të Prishtinës. Komuniteti më i madh fetar në kryeqytetin kosovar kërkon objekt fetar ashtu siç ka katedralen shumë të madhe komuniteti shumë i vogël katolik. Kjo nuk duhet të perceptohet si punë inati, kurse cështjes duhet t'i afrohemi me një qasje racionale dhe pa paragjykime dhe do arrijmë në përfundimin se një xhami në qendër të Prishtinës e lejuar nga komuna e Prishtinës është mëse e nevojshme dhe kjo nuk do të ishte e imponuar si dy kishat tjera në Prishtinë. (99% e prishtinasve janë muslimanë) Për fat të keq këta të rinj muslimanë nga disa media dhe disa të krishterë katolikë etiketohen me epitetet më të shpifura. Kur lexon shkrimet e tyre me plotë paragjykime dhe urrejtje të bënë të mendosh se për ta nuk ekzistuaka asnjë sistem vlerash, e akoma më hiç katolike. Intelektualët ish-komunistë dhe të ashtuquajtur liberal-demokrat dhe disa të tjerë katolikë duke harruar edukatën dhe kulturën liberal-demokrate dhe kishtare s'pushojnë së shpifuri ndaj këtyre të rinjve të cilët gjatë lutjeve kolektive duan të mos lagen nga shiu dhe të mos digjen nga rrezet e diellit. Këta të rinj duan të kenë objektin për t'i kryer parimet e fesë së tyre. E di se për individët të cilët katedralen e Prishtinës e konsiderojnë vetëm si një simbol politik për ta mashtruar botën, edhe ndërtimi i xhamisë është një kërkesë politike. Për atë dhe kanë bashkuar forcat me disa media të Prishtinës dhe në format më të shëmtuara po sulmojnë të rinjtë muslimanë dhe Bashkësinë Islame. Disa media të Kosovës nuk kanë hezituar të shëtisin e të hulumtojnë nëpër çdo cep të Kosovës ndonjë hoxhë dhe punëtor të rebeluar të BI dhe prej tij të nxjerrin ndonjë 'llaf' kundër kreut të këtij institucioni. Po pse këto media lodhen të shkojnë kaq larg kur e kanë një njeri të tillë në mes të Prishtinës i cili do t'i kishte dhënë 'material' kundër kreut të BI?
Nuk e di pse komuniteti katolik e ka të vështirë të pranojë se shumica e shoqërisë shqiptare është muslimane? Një gjë është më se e qartë se edhe sikur edhe të mos llogarisim fare ateistët shqiptarë përsëri komuniteti musliman është më i madh në krahasim me komitetet tjera fetare shqiptare. Dhe këtu nuk ka asgjë të keqe. Ky realitet edhe nëse është i hidhur duhet pranuar. E nëse dikush bazohet në disa mite të krishterizmit shqiptar se shqiptarët në fenë islame janë konvertuar me dhunë dhe benefecione tjera dhe tani në mënyrë kolektive duhet të kthehen në fenë e 'të parëve', atëherë duhet të jetë i sigurtë se ky pretendim nuk përkon me racionalizmin dhe mendësinë e modernizmit evropian. Sepse shoqëria shqiptare ka 20 vite që po shijon demokracinë dhe lirinë, sado të brishta të jenë ato, dhe çdo kush është i lirë të zgjedhë fenë, ideologjinë, mendimin dhe stilin e jetës së tij. Gjithashtu gjatë kësaj periudhe kemi patur edhe konvertime në fenë krishtere. Por edhe pse muslimanët janë shumicë nuk do të thotë se duhet të jenë më të privilegjuar dhe të kenë më shumë të drejta se komunitetet tjera fetare, por jo edhe të diskriminohen (rasti me xhaminë në Prishtinë). Shtetet tona, Kosova dhe Shqipëria janë shtete sekulare dhe synojnë të integrohen në Bashkimin Evropian ku mbisundon liberal demokracia, ku të gjithë janë të lirë të kenë objektet fetare dhe të praktikojnë fenë e tyre. Por edhe një gjë nuk duhet lënë pa përmendur se shteti shqiptar dhe ai kosovar për hir të trendit dhe frymës anti-islame në disa vende evropiane (Franca) nuk duhet të ndjekin të tilla politika e të shkelin të drejtat e qytetarëve te tyre muslimanë (ndalimi i shamisë në shkolla).
Por më e hidhura qëndron në atë se në inteligjencën dhe shoqërinë shqiptare pa marrë parasysh këtu komunitetin fetar (një sindromë i tillë shihet edhe në shoqëritë tjera ballkanike dhe të prapambetura) individi me mendim dhe besim ndryshe akuzohet si tradhtar, anti-kombëtar, i shitur, agjent, spiunë, shërbëtor i interesave të huaja e si më keq. Ky mentalitet burimin e ka në sistemin monistë në të cilin janë edukuar shumica dërmuese e intelektualëve shqiptarë. Të tillët edhe pse kanë dëgjuar dhe kanë njohur pluralizmin por në asnjë mënyrë nuk janë të gatshëm ta praktikojnë atë në jetën e përditshme. Për arsye se janë të brumosur në mentalitetin se secili që mendon ndryshe përbën rrezik për 'partinë', e nëse kërcënohet partia rrezikohet edhe populli, kombi dhe shteti. Kështu që ata edhe pse thonë se janë distancuar nga komunizmi dhe janë rreshtuar disa në anën e liberal-demokracisë dhe disa të tjerë në frontin e social-demokracisë dhe neo – marksizmit, por në mendësinë e tyre akoma janë të vjetrit. Këta ndoshta mendojnë se duke fyer dhe kërcënuar muslimanët shqiptarë i shërbejnë ideologjive të tyre, por duhen të jenë të sigurtë se veprime të tilla janë në kundërshtim me mësimet që i servojnë këto ideologji.
Liberal – demokratët, social-demokratët dhe neo-marksistët shqiptarë nuk guxojnë të shprehin mendimet dhe bindjet e tyre që dalin nga mësimet e atyre ideologjive që besojnë dhe janë heshtur nga propaganda ngulfatëse e disa personave që thirren në emër të krishterizmit katolik. Ata kanë frikë se akuzohen si tradhtar dhe anti-kombëtar. Prandaj kur është fjala për të drejtat e muslimanëve, si kërkesa e ligjshme për xhami në Prishtinë, shkelin çdo parim dhe vlerë ideologjike të tyre dhe rreshtohen në anën e kundërt. Edhe kur Adem Demaçi kritikoi Vatikanin për mosnjohjen e shtetit të Kosovës, katolikët reaguan në stilin mesjetar ndaj tij dhe disa prej tyre nuk hezituan që atë ta shpallin si 'fanatik musliman'. Të njëjtin qëndrim e mbajnë edhe kundër Rexhep Qoses. Mendësia që po reflekton nga disa katolikë shqiptarë nuk ka dallim aspak me atë të kishës mesjetare e cila vriste e priste çdo person me mendim dhe besim të ndryshëm me të saj.
Neve si shumë gjëra tjera edhe shtetin (Kosovën) na kanë bërë të tjerët dhe na kanë sjellë shumë vlera, por se sa i kuptojmë ne këto vlera është e diskutueshme. Këtu e kam fjalën për intelektualët dhe shoqërinë civile. Te tillet nëse i besojnë shtetit laik të Kosovës dhe vlerave të demokracisë duhet të rreshtohen në anën e bashkëqytetarëve të tyre muslimanë të cilët kërkojnë me shumë të drejtë ndërtimin e një xhamie në Prishtinë. Kjo xhami është nevojë primare e shoqërisë muslimane e cila përbën shumicën dhe nuk ndjekë asnjë qëllim tjetër sic mundohen të shpifin disa. Për atë dhe intelektualët dhe shoqëria civile duhet të demonstrojnë përkrahjen e tyre ndaj xhamise sepse kjo është përkrahje edhe ndaj demokracisë, lirisë dhe të drejtave të njeriut.
Do të ishte mirë që muslimanët dhe të krishterët të garonin në përhapjen e vlerave dhe mësimeve të feve të tyre që janë tepër të vlefshme dhe jetësore për shoqërinë shqiptare, si psh. dashuria për Zotin dhe njeriun, ruajtja e familjes, miqësia, modestia, e shumë vlera tjera që janë të përbashkëta mes këtyre feve. Intelektualët e krahut të majtë të ngrenë zërin ndaj padrejtësive sociale, politike dhe ekonomike në shoqëri dhe të solidarizohen me bashkëmendimtarët e tyre botëror në thirrjet për njohjen e shtetit të pavarur palestinez nga Tirana, Prishtina dhe Shkupi. Kurse ata liberal – demokratët e 'Shoqërisë së hapur' të cilët deri më sot s'kanë bërë gjë tjetër veç se kanë ngrënë buxhetin e Sorosit, le të propagandojnë vlerat e ideologjisë së tyre dhe mësimet e Karl Poperit, sepse mendoj se shoqëria shqiptare ka nevojë edhe për mësimet dhe mendimet e këtij filozofi hebre. Prandaj dhe të gjithë duhet të pranojmë pluralizmin në kuptimin e gjerë të fjalës, të propagandojmë vlerat tona, të kritikojmë njëri – tjetrin në bazë dëshmive dhe argumenteve racionale. Por gjykoj se nuk duhet të sillemi si ata të 'zemrashqiptare' dhe 'Revista Drini' që kanë vënë në shënjestër muslimanët dhe çdo ditë vjellin vrer ndaj tyre. Këto dy uebportale duke u thirrur në mitin e modernizmit (Skënderbeun) dhe mitin e post – modernizmit (Shën Terezën) në format më qesharake paralajmërojnë për radikalizmin e muslimanëve në shoqërinë shqiptare. Dikush duhet të dalë dhe t'i raportojë Vatikanit për diskreditimin që po ia bëjnë atij në mesin e shqiptarëve.
O Zot çfarë urrejtje, çfarë smire e çfarë armiqësie po reflekton nga zemrat, fjalët dhe penat e ithtarëve të Mesihut, Profetit Tënd, mësimet e të cilit akoma mbajnë të ndezur në zemrat e miliona njerëzve flakën e dashurisë dhe robërisë!