Bashkimi Evropian në rolin e rindezësit të sherrit?


Në të vërtetë, Bashkimi Evropian që nga fillimi e ka imponuar këtë dialog, për t’i bërë favore Serbisë. Favori kryesor ka të bëjë me krijimin e ambientit që në fund të vitit 2011 Serbisë t’i jepet statusi i shtetit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Marrja e atij statusi pastaj do të jetë një kartë e fuqishme në duart e Boris Tadiçit,  në mënyrë që në zgjedhjet e vitit 2012 të marrë edhe një mandat tjetër për qeverisje në Serbi. Sipas kalkulimeve të strategëve të Bashkimit Evropian, edhe një mandat i ri katërvjeçar i një qeverie proeuropiane, sikundër e konsiderojnë ata qeverinë e Tadiçit, do të ishte i mjaftueshëm, që Serbia të shkëputet nga përqafimi i ariut rus dhe për ta integruar në mënyrë të pakthyeshme në strukturat europiane.

Këto janë kalkulime të cilat për mungesë të fuqisë së evropianëve, madje edhe për mungesë të vullnetit që edhe atë fuqi që e kanë ta përdorin për ta detyruar Serbinë të shkëputet nga bataku nacionalist dhe rusofil, bëhen në dëm të fqinjëve më të dobët të Serbisë, në rend të parë ndaj Bosnjës e Hercegovinës dhe ndaj Kosovës. (Përpjekja e para disa viteve e Bashkimit Evropian që të mbahej Mali i Zi i lidhur pas qerres së Serbisë, ishte po ashtu një përpjekje hipokrite dhe bizare, kur iu imponua Malit të Zi që referendumi për pavarësi të arrinte rezulatin prej 54 për qind e jo ashtu si është kudo në botë, 50 plus një.)  

Bashkimi Evropian në kalkulimin e vet në shikim të parë duket racional: llogaritë se favoret që po ia bën Serbisë janë një lojë taktike, sepse kur të vjen puna te anëtarësimi, do ta detyrojë të heqë dorë nga ambiciet e saj nacionaliste dhe nga favoret e fituara në dëm të Kosovës e të Bosnjës, gjatë rrugës së integrimit. Por, kjo është një lojë shumë e rrezikshme e Bashkimit Evropian, e cila në të kaluarën i ka kushtuar shumë jetë njerëzish rajonit. Taktikë të ngjashme pati përdorur Bashkimi Evropian ndaj Serbisë, edhe pas Marrëveshjes së Dejtonit, me ç’rast shtetit gjakatar të Millosheviçit i pati dhënë edhe preferenciale  ekonomike.

Por, Serbia nuk u evropianizua nga ato preferenca ekonomike. Përkundrazi, paratë e marra me atë rrugë i përdori për ta realizuar projektin e spastrimit etnik të Kosovës. Ekziston rreziku potencial që të përsëritet sjellja e atëhershme e Serbisë, pas gjithë këtyre favoreve pa karar që po ia bën Bashkimi Evropian, në dëm të Kosovës e të Bosnjës e Hercegovinës. Është shumë e mundshme që formulën e tashme të Tadiçit: “ Edhe Kosovën edhe Europën”,  vetë ai ose ndonjë drejtues tjetër i shtetit serb, ta zëvendësojë me formulën e Jeremiçit ( e të Koshtunicës), “ ndërmjet Evropës dhe Kosovës, zgjedhim Kosovën”.

Kjo mund të ndodhë, madje që në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, nëse Tadiçit nuk i mjafton për fitore as gjithë arsenali politik dhe propagandistik i Brukselit, i cili është vënë tërësisht në shërbim të tijin. Pse? Paaftësia e qeverisë së Tadiçit që ta luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar, e bashkuar me pasojat e krizës ekonomike të tejzgjatur, ka krijuar pakënaqësi të madhe tek qytetarët serbë, të cilët në një moment mund t’ia kthejnë bërrylin partisë së tij.

Në një rast të tillë, i gjithë investimi i Bashkimit Evropian për evropianizimin e Serbisë do të shumëzohej me zero, sepse do të ktheheshin në pushtet forcat nacionaliste dhe rusofile, të cilat të vetmen gjë që do ta merrnin në konsideratë do të ishte trashëgimia imperiale e regjimit të Tadiçit, për ta finalizuar me një agresion edhe më të madh, ndoshta edhe ushtarak, në drejtim të Kosovës. (Sot shumëkujt ky skenar i duket e pamundshëm, por edhe në kohën e Titos shumëkujt i është dukur e pamundshme ajo që ndodhi në vitet e nëntëdhjeta në hapësirat e ish-Jugosllavisë). Vetë fakti që edhe Tadiçi e lëre më nacionalistët radikalë thonë se kurrë nuk do ta pranojnë shtetin e Kosovës, është argument se ndërmjet Kosovës e Serbisë ka vetëm një armëpushim të imponuar nga Fuqitë e Mëdha e jo një paqe të qëndrueshme.

Prandaj, loja e Bashkimit Evropian me favoret ndaj Tadiçit në dëm të Kosovës e të Bosnjës, është shumë e rrezikshme, sepse kërcënon të bëjë të kontestueshme pavarësitë e këtyre dy vendeve dhe të kthejë edhe konfliktet e armatosura në vitet e ardhshme. Kjo mund të ndodhë nëse prishen ekuilibrat e brishtë gjeopolitikë të arritur pas Marrëveshjes së Dejtonit (1995) dhe Marrëveshjes së Kumanovës (1999), sepse në atë rast  do të ballafaqohemi me ringjalljen  e apetiteve aneksioniste dhe imperiale të Serbisë. Fatkeqësisht, hapi i parë në këtë ringjallje të apetiteve imperiale serbe ndaj Kosovës është pikërisht dialogu teknik ndërmjet Beogradit e Prishtinës, të cilin Serbia po e shfrytëzon për ta legalizuar prezencën e saj shumëplanëshe në vend.

Në një debat televiziv në B92, pas arritjes së tri kuazimarrëveshjeve të para, kryenogeciatori serb, Borisllav Stefanoviçi, tekstualisht deklaroi se “Serbia është në Kosovë me të gjitha institucionet, përveç ushtrisë”. Dialogu  tash po përdoret pikërisht për t’i legalizuar ato institucione, e jo për t’i shuar, sikundër ka deklaruar Edita Tahiri. Krijimi i ekipeve të përbashkëta për implementimin e kuazimarrëveshjeve, nga Serbia do të përdoret që strukturat serbe të legalizohen dhe të arrijnë në një pikë sa të shpallin se bashkëqeverisin me “organet e përkohshme të Prishtinës”.

Ky është synimi i qartë i Serbisë dhe në ambientin ku Bashkimi Evropian nuk ia prishë as tymin e duhanit, kjo ka mundësi që të realizohet, me ç’ka do të minonte seriozisht themelet e shtetit tonë të ri. Në këtë kontekst, Stefanoviçi ka pohuar se në pjesën veriore nuk ka struktura paralele, po ka ekskluzivisht struktura të shtetit serb. Dialogu po e shpie punën në drejtim të legalizimit të tyre dhe të inkorporimit të tyre si struktura të sistemit të qeverisjes në Kosovë. Prej aty krijimi i një entiteti serb në veriun e  Kosovës, do të ishte një veprim vetëm teknik.

Në bazë të sjelljeve të Bashkimit Evropian, i cili Kosovën po e mban në një presion të egër psikologjik e politik, ndërsa Serbisë po i bën favore të mëdha, është e dukshme tendenca që kjo edhe të ndodhë realisht. Një entitet serb në Kosovë, do të ishte një gur i rëndë në qafën e shtetit të ri, i cili nuk do ta linte kurrë të mbajë kokën drejt e lëre më që të ngrejë kokën lart. Strategët në Bashkimin Evropian, me prejardhje nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën dhe mercenarët e ndryshëm si puna e Karla del Pontes e Dik Martit, që kanë armiqësi patologjike ndaj Kosovës, nuk do të lënë gur pa lëvizur për ta krijuar një entitet serb në veri të Kosovës.

Aktualisht, kjo rrymë është shumë e fuqishme në institucionet europiane, aq sa në fakt ata e hartojnë politikën e izolimit të Kosovës, me qëllim që ta gjunjëzojnë ekonomikisht, ta komprometojnë politikisht dhe ta detyrojnë që të pranojë projektin e tyre për entitetin serb në veri të vendit. Kjo frymë po dominon në  shumë deklarime dhe veprime të zyrtarëve të institucioneve europiane. Prandaj, jo rastësisht Vuk Jeremiçi po deklaron se “Serbia nuk e ndjen presionin e Bashkimit Evropian lidhur me Kosovën”.  

Është e vërtetë se Bashkimi Evropian nuk është duke i bërë asnjë trysni Serbisë që të ndërrojë kursin e destabilizimit të Kosovës. Përkundrazi,  të gjitha gjasat janë që dialogu që po zhvillohet dhe kuazimarrëveshjet që gjoja po arrihen, do ta dëmtojnë edhe më shumë Kosovën, kësaj radhe edhe me kontributin e vetë Bashkimit Evropian. Mjafton të shihen elemente të këtyre kuazimarrëveshjeve për ta kuptuar këtë rrezik. Fjala vjen, krahas detyrimit që ka marrë Serbia për të ofruar Kosovës kopjet e librave të amëzës, Kosova detyrohet t’i ofrojë Serbisë të dhënat nga librat e vet të amzës,  të hartuara gjatë këtyre dymbëdhjetë vjetëve!

Kush mund të arsyetojë një imponim të tillë, sipas të cilit qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë të administrohen paralelisht edhe nga shteti serb? Pse u dashka që dokumentet e Kosovës t’i jepen Serbisë?!  A ia jep Gjermania të dhënat nga librat e amëzës Francës? Apo Zvicra Italisë? Apo Sllovenia Austrisë? Pse ky detyrim poshtërues?

Kosovës i është imponuar nga Bashkimi Evropian që të bisedojë me Serbinë për dokumentet që Serbia i ka plaçkitur gjatë spastrimit etnik, gjenocidit dhe kulturocidit,  ndërsa Bashkimi Evropian ia imponon Kosovës që t’ia jep Serbisë dokumentet e veta, dymbëdhjetë vjet pas dëbimit të Serbisë nga Kosova. Kjo është tipike për logjikën e atyre pleqnarëve të padrejtë që u përmendën në fillim të këtij teksti.

Por e vërteta është se sipas fjalëve të Borisllav Stefanoviçit, “Serbia edhe pas këtyre marrëveshjeve nuk e ndërpret funksionimin e vet në Kosovë”, duke përfshirë këtu edhe lëshimin e dokumenteve të reja të shtetit serb. Ai kështu po thotë publikisht dhe askush nga Bashkimi Evropian nuk po e demanton. Dhe as që do ta demantojë kush, sepse Stefanoviçi dhe qeveria e tij janë në sinkron me Bashkimin Evropian.

Para disa ditëve Boris Tadiçi ka deklaruar se “Kosova nuk është parakusht për integrimet europiane”, duke folur më shumë si zëdhënës i parapaguar i BE-së. Askush nuk ia ka demantuar deklaratat. Për më tepër, deklaratat e tij skandaloze për ndarjen e Kosovës, kanë hasur në vesh të shurdhër në Bruksel. Zyrtarët e Brukselit e kanë shprehi të mos dëgjojnë atë që nuk u pëlqen ta dëgjojnë dhe ashtu shtiren se janë gjakftohtë, ndërsa në të vërtetë në atë mënyrë përpiqen ta fshehin paaftësinë e tyre, që të menaxhojnë ndershmërisht qoftë dhe një krizë lokale.

Në fakt, ata po e menaxhojnë në mënyrën më të pandershme të mundshme, duke e detyruar Kosovën të hyjë në një dialog të panevojshëm (për çështje për të cilat Serbia është dashur të jep llogari e jo të bëhet partner) dhe duke e detyruar të pranojë zgjidhje që e kërcënojnë stabilitetin e vendit dhe dinjitetin e qytetarëve të saj.

Në fakt, duhet thënë hapur: me këtë dialog të shpifur dhe me këto kuazimarrëveshje të imponuara, Bashkimi Evropian po përgatit një skenar të errët për Kosovën, i cili fillon me delegjitimin e shtetit të ri, (të cilin edhe ashtu Bashkimi Evropian nuk e njeh),  me ndarjen e tij e ka rrezik edhe më një konflikt të ri të armatosur, i cili mund të bëhet i pashmangshëm, në një pikë kur nacionalizmi serb do të përpiqet që t’i finalizojë fitoret e dhuruara nga Bashkimi Evropian.

Në qoftë se jemi gjallë, do ta shohim se skenari i zgjedhur nga Bashkimi Evropian, nëse  nuk korrigjohet shpejt, këtë epilog dramatik e bën të pashmangshëm. Në atë rast, Bashkimi Evropian nuk do të mundet as ta aktrojë  rolin e pleqnarëve hileqarë, që i bëjnë presion më të dobëtit, por do të identifikohet me rolin e atyre batakçinjve, që me hilenë e tyre e rindezin sherrin.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme