Vlerat e muajit Sha’ban nën prizmin e Sunetit

 
Muaji i Sha’banit është muaji i begative madhështore, që i nxitë myslimanët që të shfrytëzojnë nga rasti për të përfituar shpërblime të mëdha si dhuratë nga Allahu xh.sh. për veprimet e mira dhe produktive gjatë këtij muaji.

Muaji Sha’ban për dallim nga muajt e tjerë, karakterizohet me dy ngjarje të mëdha dhe të rëndësishme, jo vetëm historike, por që kanë të bëjnë edhe me edukimin shumë dimensional, sikur ai shpirtërorë, shoqërorë, human dhe ai vëllazëror i besimtarëve islam, e që janë:

- Nata e katërmbëdhjetë e muajit Sha’ban që njihet si nata e Beratit, dhe
- Ndërrimi i Kiblesë së muslimanëve prej Mesxhidi Aksasë (Jerusalimit) në drejtim të Mesxhidi Haramit – Bejtullahut.

I Dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi vesl-leme) e madhëronte këtë muaj me shtimin e adhurimeve dhe veprimeve të mira, si agjërimi dhe format e tjera të adhurimeve qofshin trupore apo edhe ekonomike-materiale. Këto veprime të Pejgamberit a.s. ligjësuan forma të adhurimit, përmes së cilave besimtarët islam që pasuan dhe trasuan rrugën e tij, shtuan veprat e mira, sinqeritetin dhe devotshmërinë që janë shpresa më e mirë për besimtarin islam. Për këtë Allahu xh.sh. në Kur’anin Famëlartë thotë: “Kurse veprat e mira (fryti i të cilave është i përjetshëm) janë shpërblimi më i mirë te Zoti yt dhe janë shpresa më e mirë.” [1]

Përmes këtyre adhurimeve (ibadeteve) të shtuara gjatë këtij muaji, siç është agjërimi, përmes së cilit njeriu shkëputët nga të mirat, dëfrimet dhe kënaqësitë materiale të kësaj jete, si dhe ngritët në shkallën më të lartë të pastërtisë dhe çiltërisë së tij, afrohet te Krijuesi i tij, dhe shtonë dashurinë ndaj Allahut xh.sh.
Andaj, muaji i Sha’banit në zemrat e besimtarëve islam, që janë të mishëruar me dashurinë ndaj Allahut xh.sh. dhe të Dërguarit të Tij, sjell një ndjenjë të posaçme, të pa përshkruar në fjalë, sepse këtë muaj Allahu xh.sh, i falë ata që kërkojnë falje, i mëshiron ata që kërkojnë mëshirë dhe i begaton ata që kërkojnë begatitë e Tij.

Agjërimi i Pejgamberit a.s. gjatë muajit Sha’ban

Ashtu si transmetohet në transmetimet e shumta nga shokët e Pejgamberit (sahabët) mësojmë se nga tradita e tij ishte se ai agjëronte aq shumë sa që thuhej se ai asnjëherë nuk e ndërpriste agjërimin. Pastaj e ndërpriste agjërimin për ditë të shumta derisa thuhej; ai nuk agjëron. Më së shumti që agjëronte Pejgamberi s.a.v.s. ishte në muajin Sha’ban, respektivisht e agjëronte shumicën e muajit. Në disa transmetime thuhet se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. këtë muaj e agjëronte tërësisht, porse në transmetimet të tjera thuhet se ai s.a.v.s. nuk ka agjëruar asnjë muaj të plotë përveç muajit Ramazanit!

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. këtë muaj e shoqëronte me shtim të ibadetit e veçanërisht me agjërim gjatë ditës dhe me namaz nafile gjatë natës. Në një hadith të transmetuar nga Umi Seleme, e kjo nga Aisha r.a. e cila ka thënë: “Pejgamberin a.s. nuk e kam parë që ka agjëruar ndonjë muaj të plotë, përveç Ramazanit, e as nuk e kam parë Pejgamberin a.s. se ka agjëruar ndonjë muaj më shumë, se sa në muajin Sha’ban.“[2]

Për urtësinë e agjërimit të Pejgamberit s.a.v.s. në muajin Sha’ban dijetarët islam dhanë mendime të shumta, mirëpo në një transmetim nga Ibni Ebi Lejla thuhet se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. këtë e bënte për të madhëruar muajin e Ramazanit. Këtë transmetim e përforcon edhe një transmetim tjetër që është i regjistruar te Imam Termidhiu, përcjellë nga Enesi r.a., shërbëtori i Pejgamberit s.v.a.s. i cili ka thënë: Është pyetur i Dërguari i Allahut s.a.v.s.: Cili agjërim është më i vlefshëm pas agjërimit të Ramazanit? Ai u pwrgjigj: “(Agjërimi) Muaji Sha’ban për shkak të madhërimit të Ramazanit” [3]. E kjo bëhej me qëllim që besimtarët islam të presin muajin e agjërimit me gjoks të hapur dhe të pastër.

Në koleksionin e Nisaiut dhe të Ebu Davudit e gjejmë të regjistruar hadithin e transmetuar nga Usame b. Zejdi ku thuhet: “I thash: O i dërguari i Allahut s.a.v.s., nuk të kam parë që ke agjëruar ndonjë muaj prej muajve sa agjëron në muajin Sha’ban! Ai tha: “Ky muaj është muaji që njerëzit janë në gaflet në të, i cili gjendet mes muajin Rexhep dhe Ramazan. Ky muaj (Sha’bani) është muaji që ngriten punët tona te Allahu i Madhërishëm, andaj unë dëshiroj që kur të ngritën punët e mia të jem agjërueshëm.” [4]

Edhe pse transmetimet që flasin për agjërimin e Pejgamberit s.a.v.s. në muajin Sha’ban disa prej tyre thonë se ai agjëronte tërë muajin Sha’ban, realiteti është se ai agjëronte shumicën e tij, e mos agjërimin e tërësishëm të këtij muaji e bëri për shkak të frikës se mos të tjerët do ta kuptonin se agjërimi në këtë muaj është detyrueshëm – farz. Në shpjegimin e këtyre haditheve Imam Termidhiu bartë shpjegimin e dijetarit, Ibni Mubarek, i cili thotë: nuk ka përplasje mes haditheve, porse gjuha arabe mundëson që të përdoret shprehja tërë muajin, nëse është agjëruar shumica e tij.

Ngritja e veprave tona

Në mesin e muajit Sha’ban, respektivisht në natën e katërmbëdhjetë gjendet nata e Beratit. Kjo natë është nata që Allahu xh.sh. i hapë dyert e qiejve dhe e zbret mëshirën e tij përmes engjëjve, duke i pranuar lutjet dhe pendimet e robërve të Tij. Kjo natë pra është nata që ngriten punët e besimtarëve Islam te Allahu xh.sh., ashtu si e theksoi hadithi i sipërpërmendur. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. në një hadith të transmetuar nga Enes b. Maliku thotë: “Secili besimtarë në qiell ka nga dy dyer, për njërën derë i zbret furnizimi i tij, kurse për derën tjetër hynë – ngriten fjalët dhe veprat e tij.”

Në disa hadithe të transmetuara nga Pejgamberi a.s. vërejmë se përmenden disa kohë në të cilat ngritën veprat tona te Allahu xh.sh. Sigurisht se theksimi i më shumë se një kohe në të cilën ngritën veprat tona nuk ka të bëjë me kundërshtime mes haditheve, sepse secila koha që përmendet për ngritjen e veprave tona ka edhe urtësinë e vet.

Ngritja e menjëhershme e veprave tona
Në një hadith të transmetuar nga Abdullah b. Saibi r.a. tregohet se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte falur katër rekate të namazeve nafile menjëherë pas namazit-farzit të drekës dhe tha: “Në këtë kohë (orë – moment) hapen dyert e qiellit, dhe unë dëshiroj që në këtë kohë të ngritën punët e mia të mira.” [5]

Ngritja e veprave natën dhe ditën
Transmetohet nga Ebu Musa r.a. i cili ka thënë: Na ka mësuar i Dërguari i Allahut s.a.v.s pesë fjalë (mësime) dhe tha: “Vërtetë Allahu xh.sh. nuk flenë dhe nuk ka nevojë për të fjetur, Ai e zbret drejtësinë dhe e ngritë atë[6], te Allahu ngriten veprat e natës para veprave të ditës (para se të fillohet me punët e ditës), dhe veprat e ditës para veprave të natës. Mbulesa e Allahut xh.sh. është drita, e nëse e shpalosë Shkëlqesia – Lartësia e Tij (Fytyra e tij) do ti kishte djegur krijesat e Tij gjithkund ku arrin Drita e Tij.”

Ngritja e veprimeve javore
Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. i cili ka thënë: i Dërguari i Allahut s.a.v.s ka thënë: Veprat ngriten te Allahu xh.sh. ditën e enjte dhe të hënën, dhe Allahu i Madhërishëm falë çdo njeri i cili nuk i ka përshkruar shok Allahut (nuk ka bërë shirk) me përjashtim të atyre që mes tij dhe vëllait të tij ka zënkë – ngatërresë, e Allahu xh.sh. thotë: “Lëni këta dy ashtu si janë derisa të pajtohen!” [7].

Kurse në koleksionin e Imam Termidhiut në një hadith të transmetuar po ashtu nga Ebu Hurejra r.a. thuhet: I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: ”Veprat ngriten te Allahu ditën e hënë dhe të enjte, e unë dëshiroj që kur të ngriten veprat e mia të jem agjërueshëm.” [8]

Ngritja vjetore e veprave
Transmetohet nga Usame b. Zejdi ku thuhet: I thash: O i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk të kam parë që ke agjëruar ndonjë muaj prej muajve sa agjëron në muajin Sha’ban. Ai tha: “Ky muaj është muaji që njerëzit janë në gaflet në të, i cili gjendet mes muajin Rexhep dhe Ramazan. Ky muaj (Sha’bani) është muaji që ngriten punët tona te Allahu i Madhërishëm, andaj unë dëshiroj që kur të ngritën punët e mia të jem agjërueshëm.” [9]

Dijetari i Famshëm El-Mennavi në sqarimin e këtyre haditheve thotë se veprat ngriten te Allahu xh.sh. natën e gjysmës së muajit Sha’ban, pra natën e katërmbëdhjetë të muajit Sa’ban dhe natën e Kadrit, natën e njëzet e shtatë të muajit Ramazan. Ngritja e veprave për çdo të hënë dhe të enjte është ngritje e përgjithshme javore, kurse ngritja e veprave natën e katërmbëdhjetë të muajit Shaban dhe natën e Kadrit, është ngritje e detajizuar vjetore. Urtësia e ngritjes së veprave të njerëzve te Allahu xh.sh. është nxjerrja në shesh e nderit dhe vlerës së realizuesit të këtyre veprave.

Ngritja e veprave në natën e Beratit

Në natën e katërmbëdhjetë të muajit Sha’ban, që njihet si nata e Beratit, hapen dyert e qiejve dhe pranohen lutjet e atyre që luten dhe zbret magfireti – amnistia e Allahut xh.sh. Melaqet zbresin në tokë me rahmetin e Allahut xh.sh. Këtë natë Allahu xh.sh. bënë amnistinë – faljen e madhe për robërit e tij duke i larguar nga zjarri i xhehenemit, pastaj Allahu xh.sh. lëshon shikimin e Tij (mëshirën e Tij) mbi robërit, duke i falur ata që kërkojnë falje, i mëshiron ata që kërkojnë mëshirën dhe i shlyen të këqijat e atyre që bëjnë pendim – Teube.

Në një transmetim nga Aisheja r.a., bashkëshortja e Pejgamberit s.a.v.s. thuhet se ajo ka thënë: Një natë u ngrit i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nga shtrati për t’u falur, dhe gjatë namazit qëndroi aq gjatë në sexhde, saqë mendove se ka vdekur. Kur vërejta qëndrimin e gjatë në sexhde, pa lëvizur, u ngrita dhe e kapa për gishtin e dorës dhe ai lëvizi, e unë e dëgjova duke thënë në sexhde: “O Zot, kërkoj mbrojtje me faljen Tënde prej dënimit Tënd, kërkoj mbrojtje me kënaqësinë Tënde ndaj hidhërimit Tënd, kërkoj mbrojtjen Tënde nga Ti, nuk di si të të lavdëroj Ty, përveç se ashtu si Ti e ke lavdëruar veten Tënde.” Pasi e ngriti kokën nga sexhdeja dhe përfundoi me namazin, atëherë më tha: Oj Aishe, ose oj Kuqaloshe, a mendove se shkova te tjetra? I thash (thotë Aishja): Jo pasha Allahun o D dërguari i Allahut, nuk mendova ashtu, por mendova se ke vdekur për shkak të sexhdesë tënde të gjatë! Atëherë Pejgamberi s.a.v.s. tha: A e din se çfarë nate është kjo? Aisheja r.a. i tha: Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë! Pejgamberi a.s. tha: “Kjo është nata e gjysmës së muajit Sha’ban, vërtetë këtë natë Allahu i Madhërishëm paraqitet para robërve të Tij, i falë ata që kërkojnë falje prej Tij, i mëshiron ata që kërkojnë mëshirë, kurse ziliqarët i len të tillë si janë, të armiqësuarit, të pa falur dhe të pa mëshiruar.”[10]

Në një transmetim nga Abdullah b. Arri thuhet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Allahu xh.sh. natën e gjysmës së muajit Sha’ban paraqitet para të gjitha krijesave të Tij dhe i falë robërit e Tij, me përjashtim të dy kategorive që janë: hipokriti që bënë përçarje dhe vrasësi i njeriut (me pa të drejtë).” [11]

Në një hadith tjetër të transmetuar nga Aisheja r.a. thhet se i dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi vesl-leme). ka thënë: “Më erdhi Xhibrili a.s. dhe më tha: Kjo është nata e gjysmës së muajit Sha’ban. Allahu në këtë natë liron nga zjarri i Xhehenemit sa numri i qimeve të deleve të fisit Beni Kelb[12], dhe këtë natë Allahu nuk e mëshiron vetëm atë që ka bë shirk (që i ka përshkruar Allahut shok), atë që bënë përçarje mes myslimanëve, atë në nuk i viziton të afërmit e tij (ka shkëputur lidhjet familjare), atë që nuk nderon – respekton prindërit, atë që rrobat i lëshon për toke kur ecën, alkooloçarët që përdorin alkoolin, dhe atë që ka mbytur njeri.”[13]

Sipas parimeve të përgjithshme islame, për tu arritur lumturia dhe kënaqësia në këtë botë, si dhe shpëtimi në jetën e botës tjetër, besimtari islam ka për detyrë që jetën e tij ta ndërtojë dhe menaxhojë mbi dy parime kryesore që janë:

1- Parimi i mirësisë dhe lidhjes së tij me Krijuesin e tij që e ka krijuar;
2- Parimin e mirësisë dhe lidhjes së tij familjare dhe ndërnjerëzore në mënyrë që sjelljet e tyre të jenë mbi parimin e vëllazërisë, dashurisë, dhe respektit. Allahu xh.sh. në Kur’anin famëlartë në kontekst të kësaj duke folur për sahabët thotë: “Ata u jepnin përparësi atyre para vetvetes”[14]

Sahabët i kishin kuptuar mirë këto dy principe themelore islame, si dashurinë horizontale ashtu edhe atë vertikale, andaj ishin të bindur se dashuria ndaj të tjerëve, respekti, ndihma dhe humanizmi, mbi të gjitha është edhe pjesë e imanit- besimit të njeriut. Këtë ua kishte mësuar i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ku kishte thënë: “Asnjëri nga ju nuk është besimtar derisa t’ia dojë vëllait të tij atë që e dëshiron për veti.”

Andaj, nëse me vëmendje përqendrohemi në të këto hadithe të përmendura, e veçanërisht në hadithin e fundit vërejmë se përmenden sëmundjet të pa dukshme, që motivojnë jo vetëm dekoncentrimin shpirtëror të besimtarit islam siç janë urrejtja, zilia, shpirtngushtësia, por edhe shkaktojnë çrregullime familjare dhe shoqërore siç janë hipokrizia dhe përçarja mes njerëzve, alkooli, ndërprerja e lidhjeve familjare, mos respektimi i shoqërisë, krimi etj. Andaj, muaji i Sha’banit është një mundësi e mirë që besimtari islam përmes urdhrave dhe këshillave që na i bëri i Dërguari i Allahut për respekt të këtij muaji, të përmirësohet dhe të shërohet nga këto anomali që dëmtojnë individin dhe shoqërinë, e para së gjithash edhe besimin e njeriut.

Kështu i kishin kuptuar sahabët dhe selefi i ndershëm porositë pejgamberike. Në një transmetim nga Enes b. Maliku tregohet se si myslimanët e pritnin muajin Sha’ban dhe thotë: Kur prezantonte muaji Sha’banit, myslimanët e rritnin gatishmërinë e punëve të mira, lexonin Kur’an, shpërndanin lëmosha dhe sadaka duke u solidarizuar me të varfëritë dhe nevojtarët, me qëllim që edhe ata të ndihmohen për pritjen e muajit të Ramazanit. Ata e kuptuan se ngritja e punëve të tyre te Allahu xh.sh. në natën e katërmbëdhjetë të Muajit Sha’ban, duke e përcjellë me agjërim dhe ibadete të shtuara, është përfundimi i veprim vjetor, kurse fillimin e muajt të Ramazanit e konsideronin si fillimi i vitit të ri shkollor, me një e lan të mirë, të përgatitur, të pastër dhe të bashkuar. Kështu fillonte viti i tyre dhe kështu mbaronte.

Sa i përket agjërimit të muajit Sha’ban si agjërim nafile dijetarët kanë tërhequr paralele analitike mes namazit dhe agjërimit, duke thënë, ashtu si i paraprinë namazeve farze namazi sunet, ashtu edhe agjërimit farz i paraprinë agjërimi sunet. Në realitet sunetet na përkujtojnë në farzet, ose i kompletojnë ata në rast të ndonjë mangësie të pa qëllimtë dhe konsiderohet mbrojtëse të farzit.

Agjërimi i këtyre ditëve, për ata të cilët eventualisht kanë pa agjëruar ndonjë ditë të Ramazanit me arsyetime juridike islame, preferohet që për agjërimin e tyre të bëhet nijet agjërim kaza. Këto ditë mund të agjërohen edhe agjërim të premtuar (nedhr) që dispozita e tyre është vaxhib, e nëse nuk është i ngarkuar me këto lloje të agjërimit, atëherë agjëron edhe agjërim nafile.

________________________________________
[1] El-Kehf: 46.
[2] Imam Buhariu: 1833.
[3] Termidhiu.
[4] Nisaiu dhe ebu Davudi.
[5] Termidhiu dhe Ahmedi.
[6] Në një transmetim tjetër thuhet drejtësi është begati e Allahut, e nëse njerëzit e keqpërdorin, atëherë Ai e ngritë begatinë e Tij.
[7] Imam Muslimi dhe Termidhiu.
[8] Termidhiu.
[9] Nisaiu dhe ebu Davudi.
[10] Imam Bejhekiu.
[11] Imam Ahmedi.
[12] Dijetarët thonë se në hadith përmendet fisi Beni Kelb, për arsye se ky fis ishte i njohur me ruajtjen e bagëtisë dhe kishte bagëti më shumë se sa të gjithë fiset tjera.
[13] Imam Bejhekiu.
[14] El-Hashr: 09.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme