Nga definimi që dijetarët islam i bënë nocionit medhheb, qartë vërehet se bëhet fjalë për metodologjinë shkencore që e përdorin dijetarët eminent (muxhtehidët) për nxjerrjen e dispozitave juridike islame nga burimet e njëzëshme të sheriatit islam si Kur’ani, suneti, konsensusi (ixhmai) dhe analogji (kijasi). Nxjerrja e dispozitave islame përfitohet prej argumenteve të veçanta që kanë të bëjnë me çështjen që kërkon normën juridike. Pra kjo metodologji e dijetarëve islam për përfitimin e normave juridike islame bazuar mbi rregullat dhe principet e përpikta që njëkohësisht bëjnë filtrimin e dispozitës si garancë për shëndoshmërinë e saj, përjashton mundësinë që me këto çështje të merren njerëzit jo profesional dhe jo kompetent të kësaj lëmie.
Të jesh medhhebist nënkupton që njeriu i rëndomtë, apo ai i cili nuk plotëson kriteret e ixhtihadit të veprojë sipas fetvasë së dijetarit i cili ka arritur gradën e ixhtihadit, pavarësisht se ndjek vetëm një dijetar apo disa prej tyre.[3] Gjykohet kështu ngase fetvaja e muxhtehidit për njeriun e rëndomtë është ngjashëm sikur argumenti për muxhtehidin.
Ajo që është më e rëndësishme në lëminë e shkollave juridike islame - medhhebeve, e që është potencuar nga të gjithë dijetarët, që medhhebet emërtohen me emrin e tyre, është, se ata asnjëherë nuk i dhanë vetes së tyre të drejtën e ekskluzivitetit se vetëm ata janë në të drejtë, e të gjithë të tjetër janë gabim. Përkundrazi, ata ishin që, me përgatitjen e tyre të lartë profesionale dhe intelektuale bënin ixhtihadë në çështjet që pranojnë ixhtihadin, gjithnjë duke u mbështetur në argumentet autentike islame dhe gjuhësore dhe në fund përfundonin me konkluzën e ixhtihadit, pra përcaktimin e normës, duke pohuar se kjo normë është sipas të arriturave të mia, e kush gjen argumente më të fuqishme le të mbështetet në ixhtihadin e tij. Kjo jo vetëm që nuk i obligoi të tjerët të ndjekin ata, por përkundrazi ishte nxitje që edhe të tjerët të merren me ixhtihadë, por vetëm atëherë kur ti kenë plotësuar kushtet e ixhtihadit. Ky ishte respekti më madhështorë që dijetarët islam i bënë njëri tjetrit dhe diturisë në përgjithësi.
Definimi i jomedhhebit
Në anën tjetër, meqë definuam se çka është medhhebi, dhe konstatuam se medhhebi është një doktrinë juridike e cila për nxjerrjen dhe përfitimin e dispozitave juridike islame, shkoqitjen e argumenteve autentike jo mbi bazën e dëshirës dhe kotësisë siç pretendon dikush, por mbi bazën e rregullave, principeve dhe parimeve të përgjithshme, andaj, nëse fjalës medhheb ia shtojmë parashtesën mohuese “LA” që don të thotë “JO” pra formojmë nocionin jomedh-hebizëm, atëherë qartë na del edhe definicioni i jomedh-hebit që është e kundërta e medh-hebit. Jo medhhebizmi nuk mund ndryshe të definohet vetëm se: Njeriu i rëndomtë (Amiju) apo ai i cili nuk ka arritur gradën e muxhtehidit nuk duhet të ndjekë ndonjë dijetar që është muxhtehid,[4] (sepse edhe ai ka të drejtë të përfitoj dispozita nga argumentet e sheriatit ashtu si i kupton). Pra, meqë medh-hebi ishte metodologjia shkencore e muxhtehidit për përfitimin e dispozitave nga burimet e sheriati islam, atëherë nga jomedhhebizmi dalin dy alternativa, ose është metodologji jo shkencore, ose fare ska metodologji, e që të dyja këto kuptime janë irracionale dhe në kundërshtim me tekstet Kur’anore dhe të hadithit të Pejgamberit s.a.v.s., sepse kjo i hapë mundësinë çdonjërit në shoqërinë islame që merret me çështjen e nxjerrjeve dhe kodifikimin e dispozitave juridike islame, pavarësisht se është dijetar apo jo, dhe pavarësisht se është kompetent për këtë ose jo.
Meqë medhhebi ka metodologji (menhexh), rregulla, parime dhe principe shkencore, atëherë e kundërta e sajë që është jomedhhebi, nënkupton se nuk ka metodologji (menhexh) të caktuar, nuk ka rregulla, dhe nuk ka principe, që nënkupton se është sinonim i anarkisë dhe çrregullim total, që islami jo vetëm që e urren, por edhe e lufton anarkinë, sepse ai është sistem që precizon dhe rregullon jetën e njeriut. Sipas jomedhhebizmin mundësia e nxjerrjes së dispozitave nga argumentet e sheriatit islam i jepet secilit që dëshiron të merret me këtë çështje pavarësisht se i njeh apo nuk i njeh çështjet. Pikërisht me këtë e sqaron dhe e ndalon hadithi i pejgamberit s..a.v.s. ku ka thënë: “Nëse një çështje i besohet atij që nuk është kompetent, atëherë prit çrregullime”.
Jo medhhebistët në emër të lirisë dhe çlirimit si dhe në emër të unitetit, duke i luftuar medhhebet në mënyrë absolute përvetësuan të drejtën e ekskluzivitetit se vetëm ata janë në të drejtë, sepse sipas tyre, çdo kush që nuk e kupton argumentin ashtu si e kuptojnë jomedhhebistët, ata janë gabimtarë, mëkatarë e shpeshherë edhe jobesimtarë !
Ajo që është aq sa interesantë aq edhe irracionale, është fakti kur jomedhhebistët sulmojnë medhhebet në emër të risisë (bidatit), duke ua ndaluar të tjerëve të mendojnë ndryshe sepse sipas tyre medhhebet nuk kanë ekzistuar në kohën e pejgamberit s.a.v.s.. Me këtë jo vetëm që nuk kanë të drejtë, porse qëllimisht harrojnë realitetin e pa kontestuar se jomedhhebizmi është risia (bidati) më i ri në këtë sferë. Në historinë e Pejgamberit s.a.v.s. dhe të sahabëve gjejmë disa raste, kur një grup prej sahabëve ka kuptuar tekstin (ajetin ose hadithin) në një mënyrë dhe ka përfunduar me dispozitën e caktuar sipas asaj që ka kuptuar, kurse grupi tjetër i sahabëve të njëjtin tekst e kanë kuptuar ndryshe dhe kanë përfunduar me dispozitë tjetër nga grupi i parë. Andaj kur kanë shkuar te Pejgamberi s.a.v.s. dhe i kanë treguar për rastin dhe ixhtihadin e tyre që e kanë bërë, pejgamberi s.a.v.s. nuk ka kontestuar asnjërin mendim, por përkundrazi u ka dhënë të drejtë të dy mendimeve. Nga kjo nënkuptohet se unifikimi i rezultatit të ixhtihadit mes muxhtehidëve nuk është i domosdoshëm, sepse mospajtime të tilla ka pasur edhe në vetë kohën e pejgamberit s.a.v.s., andaj edhe dijetarët eminent në emrin e të cilëve emërtohen medhhebet nuk kanë vepruar asgjë as më shumë e as më pak se e kanë ndjekur pikërisht këtë rrugë dhe metodologji që Muhamedi a.s. i nxiste shokët e tij.
Fakti tjetër që vërteton për mospajtimet e dijetarëve në dispozitat e përfituara nga ixhtihadi është edhe periudha e tabiinëve, kohë kjo kur edhe janë formuar medhhebet e askush nuk kishte mohuar medhhebet, e të kishte ftuar në jomedhhebizëm. Gjithashtu medhhebet nuk i kishin mohuar as dijetarët e mirëfilltë pas tyre. Shkaqet e mosmohimit ishin sepse ata ishin të vetëdijshëm se të gjithë njerëzit nuk kanë aftësi e as kapacitet që të kuptojnë argumentet e sheriatit islam, andaj pasuan pas atyre që kishin këtë kapacitet dhe aftësi.
Andaj shpikja e jomedhhebizmit është shpikje e kohëve të fundit pra është risi apo bidat si kanë dëshirë ta quajnë jomedhhebistët duke bërë përpjekje që ata personalisht të ballafaqohen direkt me argumentet e sheriatit, duke i tejkaluar dijetarët eminent që kanë aftësi dhe përgatitje për të bërë sqarimet e argumenteve. Tejkalimi i dijetarëve sipas bindjeve të mia, duke mos përfillur komentet e tyre për tu kyçur direkt në argument nënkupton tejkalim të ajetit Kur’anor ku Allahu xh.sh. thotë: “Pyetni ata që dinë për çështjet që nuk i dini”.
Në anën tjetër, tejkalimi i dijetarëve është nënçmim edhe për tërë umetin islam nëpër kohë dhe shekuj, sepse vlerat e Umetit nuk janë në kuantitet por janë në kualitet, e asnjë umet apo popull nuk mund të ketë kualitet po qe se nuk ka dijetarë, sepse dijetarët janë koka dhe truri i popullit që Allahu xh.sh,. na ka urdhëruar të dëgjojmë dhe ndjekim rrugën e tyre. Pastaj me këtë humb vlera e diturisë që është aq shumë e shenjtëruar saqë Allahu xh.sh. edhe zbritjen e Kur’anit famëlartë e filluar me fjalin e parë Ikre-lexo,
__________________
[1] Kal’axhi Muhamed Revas, Mu’xhem lugatul fukara f.419.
[2] Ekzistojnë edhe shumë definicione tjera të cilat ndryshojnë vetëm formalisht porse esenca e tyre është e njëjtë.
[3] Dr. Muhamed Seid Ramadan el Buti, lamedhhebijtu ahtaru bid’atin tuhed-didi eshiratul islamijetu f. 11.
[4] I njëjti burim.