
عن عمر رضي الله عنه أيضا ، قال:
بينما نحن جلوس عـند رسـول الله صلى الله عليه وسلم ذات يوم اذ طلع علينا رجل شديد بياض الثياب ، شديد سواد الشعر لا يرى عليه أثـر السفر ولا يعـرفه منا احـد. حتى جـلـس إلى النبي صلي الله عليه وسلم فـأسند ركبـتيه إلى ركبتـيه ووضع كفيه على فخذيه، وقـال: " يا محمد أخبرني عن الإسلام ".
فقـال رسـول الله صـلى الله عـليه وسـلـم :(الإسـلام أن تـشـهـد أن لا إلـه إلا الله وأن محـمـد رسـول الله وتـقـيـم الصلاة وتـؤتي الـزكاة وتـصوم رمضان وتـحـج البيت إن اسـتـطـعت اليه سبيلا).
قال : صدقت.
فعجبنا له ، يسأله ويصدقه ؟
قال : فأخبرني عن الإيمان .
قال : أن تؤمن بالله وملائكته وكتبه ورسله واليوم الاخر وتؤمن بالقدر خيره وشره .
قال : صدقت .
قال : فأخبرني عن الإحسان .
قال : ان تعبد الله كأنك تراه ، فإن لم تكن تراه فإنه يراك .
قال : فأخبرني عن الساعة .
قال : "ما المسؤول عنها بأعلم من السائل "
قال : فأخبرني عن أماراتها .
قال : " أن تلد الأم ربتها ، وان ترى الحفاة العراة العالة رعاء الشاء يتطاولون في البنيان"
ثم انطلق ، فلبثت مليا ،ثم قال :" يا عمر أتدري من السائل ؟"
قلت : "الله ورسوله أعلم ".
قال : فإنه جبريل ، اتاكم يعلمكم دينكم "رواه مسلم [ رقم : 8 ].
Përkthimi i hadithit i dytë
Transmetohet, gjithashtu, nga Umeri radijall-llahu anhu, i cili ka thënë:
Një ditë ishim duke ndejur te i Dërguari i All-llahut, sal-lAll-llahu alejhi ve sel-lem, kur u duk një njeri me rroba shumë të bardha dhe flokë shumë të zeza. Në të nuk hetohej shenja e udhëtimit dhe askush prej nesh nuk e njohëm. U ul pranë të dërguarit sal-lAll-llahu alejhi ve sel-lem, duke i mbështetur gjunjtë e vet në gjunjtë e tij, i vendosi duart e veta në kofshën e tij dhe tha: "O Muhammed, më trego ç'është Islami?" I Dërguari sal-lAll-llahu alejhi ve sel-lem, tha: "Islami është të dëshmosh që nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhammedi është i dërguar i Zotit, ta kryesh namazin, ta ndash zekatin, ta agjërosh ramazanin, ta vizitosh Ka'ben nëse ke mundësi ta bësh këtë!
"Ai tha". Të vërtetën e the." Ne u çuditëm: po e pyet dhe po ia vërteton. Ai tha: "Më trego, ç'është imani?" (Pejgamberi) tha: "Të besosh Zotin, Engjëjt e Tij, Librat e Tij, të Dërguarit e Tij, Ditën e fundit dhe të bësosh në të caktuarit e Tij të së mirës dhe së keqës." Tha: Të vërtetën e the". Tha: "Më trego ç'është ihsani?" (Pejgamberi) tha: Ta adhurosh All-llahun sikur e sheh Atë, sepse edhe pse ti nuk e sheh Atë, Ai vërtet të sheh ty." Tha: "Më trego ç'është çasti i (fundit, dita e shkatërrimit)?" (Pejgamberi) tha: "Për këtë i pyeturi nuk di më shumë nga ai i cili pyet. "Më trego mbi shenjat e tij?" Tha: "Kur robëresha ti lindë vetes zonjush, kur të shihen barinjtë këmbëzbathur, të zhveshur, të zhveshur e të mjerë se si garojnë në ndërtimin e godinave të mëdha". Pastaj shkoi, kurse unë mbeta i habitur. Pastaj (i Dërguari) tha: "O Umer, a e njeh atë që më pyeti?" Thashë: "All-llahu dhe i Dërguari i Tij më së miri e di". Tha: "Vërtet ky qe Xhibrili, erdhi t’jua mësojë fenë tuaj". (Muslimi).
Shpjegimi i hadithit të dytë
Hadithi i sipërtheksuar bën pjesë ndër hadithet autentike (sahih) të cilin Imam Muslimi e vë në krye të "Sahihut" të tij të njohur. Këtë hadith, gjithashtu, e transmeton edhe Imam Buhariu dhe koleksionistët e tjerë të haditheve.[1] Këtë hadith e transmeton edhe Imam Ebu Hanifeh në Musnedin e tij.[2]
Kad Ijadi, njëri ndër ekspertët më të mëdhenjë të shkencës së hadithit, këtij hadithi i ka kushtuar vëmendje të posaçme dhe ndër të tjera thotë: "Ky hadith i përfshinë të gjitha bazat e besimit dhe detyrat e obligueshme të veprimit të sinqertë, obligimin e aplikimit të veprave të mira, dhe obligimin e shmangies nga veprat e këqija. Në të, në mënyrë lakonike, janë shprehur të gjitha parimet themelore të mësimit islam dhe në bazë ky hadith përfshinë të gjitha veprat e besimtarit, qofshin të mira apo të këqija." [3]
Gjatë të lexuarit dhe të përsituarit të këtij dhe rreth këtij hadithi, vëmendjen do ta përqendrojmë në momentet karakteristike siç janë: paraqitja e Xhibrilit, domethënia e nocionit "islam", "iman" dhe "ihsan" duke mos u ndalë në hollësi dhe rreth çastit të fundit dhe disa parashenjave të çastit të fundit.
1.Paraqitja e Xhibrilit
Gjatë pejgamberisë së Muhammedit a.s. Xhibrili është paraqitur në tri forma dhe atë në formë të njeriut të panjohur, në formë të shokut të Muhammedit a.s. me emrin Dihje dhe në formën e tij të vërtetë të engjëllit. Në rastim konkret, Xhibrili i është paraqitur Muhammedit a.s. në formë të njeriut të panjohur që as'habët e Resulull-llahut a.s. dhe tërë muslimanët e ardhshëm t'i mësojë fenë e tyre. Përveç tjerash, paraqitja e Xhibrilit konfirmon faktin se hadithi (tradita) i Muhammedit a.s. është i frymëzuar, i shpallur (wahjun) nga All-llahu xh.sh.[4] Me fjalë të tjera, Xhibrili e ka mësuar Muhammedin a.s., por jo në formën e shpalljes së Kur'anit.[5]
Po ashtu, paraqitja e Xhibrilit na mëson edhe bontonin islam: vesh-mbahtjen e bukur e të pastër, ngjyrën e bardhë e të optimizmit, parfumosjen me rastin e mbajtjes së ligjëratave apo paraqitjeve publike.[6]
2. Nocioni Islam, Iman dhe Ihsan
Nocionin Islam, Iman dhe Ihsan Muhammedi a.s. e ka komentuar nduarshëm varësisht nga çasti dhe rrethanat në të cilat ka folur dhe vepruar. Në këtë rast Muhammedi a.s. flet vetëm mbi bazat e islamit, imanit dhe ihsanit.[7]
a. Islam-i
Nocioni "Islam" mund të përkufizohet si përkushtim, dorëzim i plotë tek All-llahu, xhel-le shanuhu, që të manifestohet nëpërmjet formës së jashtme, ibadetit: shehadetit, namazit, zekatit, haxhit dhe agjërimit, sikurse është vepruar në ghadithin e cituar. Hadithologu i mirënjohur boshnjak, Mehmed Hanxhiq[8] pohon se kur nocioni "islam" gjendet pranë nocionit "iman" nënkupton detyrat materiale, manifestuese. Disa madje islamin e kanë quajtur demonstrim praktik, historik të imanit. I theksuar mëvetshëm nocioni "islam" do të thotë "detyrat materiale dhe shpirtërore". Domethënie identike ka edhe nocioni "iman" kur gjendet i mëvetshëm.
Në vazhdim të hadithit theksohen aspektet më kryesore të ibadetit, pa të cilat nuk ka përkushtim të vërtetë të All-llahut, xhel-le shanuhu. Këtë përkushtim duhet ta përcjellë imani dhe vetëm me këtë rast manifestimi do ta fitojë efektin e vet çfarë i përket.
- b. Iman-i
Nocioni iman Muhammedi a.s. e përkufizon si bindje të brendshme që përbëhet nga të besuarit e vërtetë të All-llahut xh.sh. me të gjitha cilësitë e tij të përkryera, të besuarit e engjëjve, librave, pejgamberëve, ditës së mbramë dhe caktimit të Zotit (kadai dhe kaderi).
Nga kjo kuptojmë se veprat materiale, manifestuese nuk bëjnë pjesë në "iman", por janë produkt i imanit dhe shprehje e të konfirmuarit të tij. Disa thonë metaforikisht se imani është fara, kurse islami fryti i farës, nëse personi ka iman, islami i tij do të manifestohet në jetën praktike të njeriut, në moralin e tij, në mirësjelljen e tij, në raportet e tij me të tjerët etj.[9]
Njeriu besimtar medoemos duhet t'iu nënshtrohet edhe të gjitha urdhërave dhe kërkesave të All-llahut xh.sh. dhe gjithashtu edhe të Muhamedit a.s. Për këtë arsye thuhet se çdo mu'min është muslim, kurse çdo muslim medoemos nuk mund të jetë mu'min, pasi që manifestimi mund të ketë karakter të pastër formal.[10]
Relacioni Islam – Iman
Imami Ebu Hanife përsa i përket nocionit "islam" dhe "iman" thekson se "dëshmimi vetëm me gjuhë nuk e përbën imanin". Sepse, sikur të ishte ashtu, atëherë të gjithë hipokritët do të ishin besimtarë.[11]
Ebu Hanife më tej thekson se "është e pamunur që imani të jetë pa islam, as që islami mund të jetë pa iman. Këto të dyja janë të lidhura njëra me tjetrën sikur shpina me barkun.[12]
Edhe Abdullah ibn Seid El-Katani, konsideron se imani përbëjhet prej ikrarit, por shton se për ikrarin është kusht njohja mendore, marifeti dhe besimi, tasdik. Po ashtu, shumë juristë dhe muhadithë, si Shafiu, Maliku, Evzaiu, mendojnë se imani ka tri komponentë: ikrarin, tasdikun dhe veprimet trupore.[13]
Siç pohon edhe Ebu Hanife me lart, bazat e theksuara të imanit dhe pesë simbolet e saj të islamit janë nocione të pandashmë, të cilat kanë kuptimin e vet dhe efektin pozitiv në transformimin e shpirtit njerëzor në formimin e personalitetit të njeriut vetëm nëse kryhen sikur e shohim Atë.[14]
- b. Ihsan-i
Ihsani përkatësisht bamirësia nga Muhamedi a.s. në këtë hadith është përkufizuar si aspekti më i lartë i përkushtimit ndaj All-llahut xh.sh., si shkalla më e lartë e Islamit, kurse kjo do të thotë që njeriu me ihsanin dhe imanin e tij të arrijë atë shkallë që çkado që të punojë këtë ta bëj me atë përkushtim sikur e sheh dhe e përcjell çdo sjellje e tij,[15] qoftë njeriu i caktuar në vetmi apo në vende publike.
Thelbi i ihsanit është dashuria ndaj Allahut të lartësuar, që e motivon njeriun ta përvetësojë kënaqësinë e Tij. Ky virtyt është aktiv dhe kërkon aktivitet para të këqijave. Ai që aplikon ihsanin, muhsini, nuk qëndron indiferent para veprimeve kundërislame dhe vetëm të tillët meritojnë të gjenden nën mbrojtjen e Allahut.[16] Institucioni i ihsanit ndërton sistemin politik, ekonomik, shoqëror, e cakton pozitën e njeriut në shtet dhe të shtetit mbi individin, ngre marrëdhëniet ndërkombëtare dhe brendashtetërore, në paqe dhe luftë.[17]
Ihsani nënkupton atë që njeriu rregullisht t'i kryej detyrat dhe obligimet ndaj vetvetes, bashkësisë dhe fqinjeve, e sidomos ndaj All-llahut xh.sh. dhe që njerëzve t'u jetë mirënjohës për të mirat që ia kanë bërë.[18] Tërë këto janë shprehje e besimit të pastër në All-llahun xh.sh. dhe rrugë për të fituar simpatinë dhe shpërblimin e All-llahut xh.sh.
Imam Neveviu lidhur me pjesën e hadithit "ta adhurosh All-llahun, sikur e sheh Atë…" thekson se paraqet një bazë të madhe të besimit islam, një nga bazat e mësimit islam, shtyllë e sinqeritetit të njerëzve të devotshëm dhe thesar të pashterrshëm moral e shpirtëror të besimtarit."[19]
Tërë kjo përbën një tërësi të pandashme që quhet islam, ndonëse në kontekste të ndryshme shprehen disa specifika të vogla mes këtyre nocioneve që janë shprehje të rrethanave të ndryshme.[20]
3. Çasti i fundit
(Jewm’us-sa'ah)
Në pjesën e fundit të hadithit të shtruar hasim në një çështje mjaft të rëndësishme, në çështjen e çastit të fundit (ditës së shkatërrimit) të kësaj ekzistence. Në pyetjen e Xhibrilit se kur do të ndodh "çasti i fundit", Muhammedi a.s. u përgjigj se "për këtë i pyeturi nuk di më shumë nga ai i cili pyet" që d.m.th. se ai nuk ka ditur, as që ka mundur të dijë diç lidhur me sekretet absolute (eskatologjike) të cilat janë monopol ekskluziv i All-llahut.[21] Lidhur me këtë All-llahu xh.sh. thotë: "Kurse çasti i fundit do të vijë sa hap a mbyll sytë ose më shpejt". (En-Nahl, 77). Çdo fjalë më tepër se që rrëfen Kur'ani rreth kësaj çështjeje është hamendje e plotë dhe është në kundërshtim me mësimin islam. Ndonëse dijenia se kur do të jetë çasti i fundit i kësaj bote është ekskluzivisht e Zotit, megjithatë, Ai në Kur'an na lajmëron për disa shenja që do t'i paraprijnë kësaj dite (çasti). Kur'ani e përmend "tymin" i cili do të shfaqët (Ed-Duhan, 10-16); pastaj "kafshën" e cila do të del nga toka (En-Neml, 82), Hënën që do të përgjysmohet (El-Kamer, 1), paraqitja e "Jexhuxhit dhe Mexhuxhit" (El-Kehf, 93-99) e të tjera. Gjithashtu, Kur'ani lajmëron se çasti i fundit do të vij atëherë kur qytetërimi në Tokë të arrijë zhvillimin kulmor të tij, kurse njeriu të zotërojë me fenomenet në natyrë dhe në vetvete (Junus, 24).[22] Mirëpo, domethënien e vërtetë të të gjitha këtyre "ajeteve" e di vetëm All-llahu xh.sh. (Ali Imran, 7). Sepse gjykimi i lirë është i lejuar vetëm kur ka të bëjë me gjërat e kësaj bote, kurse për çështjet eskatologjike (gajbijat) dituria jonë është e kufizuar dhe nga këto dijmë aq sa na mëson Kur'ani.
4. Parashenjat ('alametet)
e çastit të fundit
Muhamedi a.s. në disa hadithe thekson disa parashenja ('alamete) të cilat do t'i paraprijnë çastit të fundit (ditës së fundit) (jewmu-s-sa'atu), siç janë: paraqitja e Dexhxhalit, Je'xhuxhit dhe Mexhuxhit, lindja e Diellit nga Perëndimi, zbritja e Isait a.s. nga qielli etj. Disa nga dijetarët muslimanë të jashtëm, por edhe të vendit këto parashenja i interpretojnë në kuptime tjera e jo në kuptim të parashenjave të çastit të fundit, kurse disa të tjerë i pranojnë tekstualisht dhe pohojnë se kanë domethënien e tyre.[23] Mirëpo, për këtë më vonë.
a. Ndër parashenjat e çastit të fundit në hadithin e shtruar përmenden dy:
1) "Kur robëresha t'i lind vetes zonjush" dhe
2) "Kur të shihen barinjtë këmbëzbathur, të zhveshur e të mjerë se si garojnë në ndërtimin e godinave të mëdha."
Parashenja e parë e këtij hadithi është komentuar llojllojshëm, mbase, për shkak të tri versioneve të këtij hadithi. Versioni i parë është ky tashmë i theksuari, i dyti është "kur robëresha t'i lindë vetes zotëri (sundues) dhe versioni i tretë është "kur robëresha ti lindë vetes burrë".
Imam Neveviu duke komentuar "Sahihun" e Muslimit thekson disa domethënie të mundshme lidhur me hadithin e sipërm:
1. Shumica mbajnë qëndrimin se domethënia më e drejtë e hadithit "kur robëresha t'i lind vetes zonjush (zotëri, sundues, burrë)” është se para ditës së fundit numri i robërve do të rritet mjaft, kështu që zotërinjtë me robëreshat e tyre do të kenë fëmijë dhe kur zotëriu të vdesë, këta fëmijë do t’i trashëgojnë ata në pasuri dhe sundim. Me këtë fëmijët vetjak në njëfarë mënyre do t’u bëhen zotëri (sundues) nënave të tyre, të cilat ende kishin status robëreshe.
2. Domethënia tjetër e mundshme është se robëreshat do të lindin fëmijë, prej të cilëve disa do të bëhen sundues, njëkohësisht pra do t’u bëhen sundues nënave të tyre.
3. Domethënia vijuese sipas Neveviut është se para ditës së fundit ndërmjet njerëzve gjendja do të keqësohet aq sa robërpronarët shumë do të bëjnë tregti me robëreshat e tyre, edhe pse me to do të kenë fëmijë. Pasi që fëmija i lindur nga robërpronari (zotëriu) me robëreshën me lindjen e tij konsiderohet i lirë dhe e trashëgon babain në pasuri, parashtrohet se këta fëmijë pasi të rriten do t’i blejnë nënat e tyre si robëresha, duke mos ditur se janë nënat e tyre.[24]
Ajniu, haditholohu i njohur dhe njëri nga komentatorët e suksesshëm të ‘Sahihut’ të Buhariut, ndër të tjera thekson se, mbase, Muhamedi a.s. me simptomet e ditës së fundit ka menduar edhe në mosedukimin dhe rënien morale të fëmijëve, të cilët me prindërit e tyre sillen sikur sunduesit me robërit e tyre. Përçmimi, mosdëgjimi, eksploatimi i prindërve të vet rëndom kushtëzon çregullim të rendit shoqëror dhe shkatërrimin e përgjithshëm të shoqërisë.[25]
Këtij interpretimit të fundit i bashkohemi edhe ne, kur kihet parasysh se shprehja “emetun” përveç robëreshë dhe sherbëtore[26] d.m.th. edhe femër, grua. Në këtë rast përkthimi i hadithit do të ishte “kur femra t’i lindë vetes sundues (zotëri)” që do të thoshte se nënat nuk i kanë edukuar fëmijët e tyre, kështu që ata pasi rriten, sillen me nënat e tyre sikurse robërpronari ndaj robërit të tij.[27] Aktualiteti unë vetëm e përforcon këtë pohimin tonë. Duke e marrë parasysh universalitetin e porosive islame (të Kur’anit dhe Sunnetit) interpretimi i këtillë është mjaft i qëlluar.
b. Sa i përket pjesës së mbetur në fund të hadithit “…kur të shihen barinjtë këmbëzbathur, të zhveshur e të mjerë, se si garojnë në ndërtimin e godinave të mëdha” duket se është ca më i qartë.
Mufesiri i mirënjohur Kurtubiu konsideron se kjo pjesa e fundit e këtij hadithi do të thotë një kthesë radikale në shoqëri, në të cilën shumica do të pësojë. Në këtë kohë në sundim do të vijnë të padijshmit, që do ti jepen grabitjes dhe shumëzimit të kapitalit, jetës luksoze, ngritjes së pallateve dhe anarkisë.[28]
Në çdo popull bariu simbolizon njeriun e sinqertë, të dëlirë, por edhe të varfër e të mjerë. Para fundit të kësaj bote këta barinjë këmbëzbathur e të varfër do të pasurohen aq sa do të garojnë me të tjerët në ngritjen e godinave të mëdha luksoze. Është e qartë se nëse i hedhim një sy historisë së zanafillës, ngritjes dhe shkatërrimit të qytetërimeve të ndryshme, do të kuptojmë se ka të bëjë me një krizë të rëndë morale, ku nuk dominojnë kriteret e shëndosha shoqërore, por anarkia dhe shtrembërimet e shumta sociale, ekonomike dhe politike.
Në fund, ndiejmë të nevojshme të shtrojmë ca mendime lidhur me “`alametet e çastit të fundit”! Dijetarët islam rreth kësaj çështjeje kanë mendime të ndryshme, prej atyre interpretimeve tekstuale (tradicionalistët) deri tek ato racionale (racionalistët). Derisa të parët çdo gjë e komentojnë sipas shkronjës dhe paraqitjen e Dexhalit e të ngjashme e kuptojnë ashtu si edhe përshkruhen[29], racionalistët, së pari bëjnë seleksionimin e haditheve sipas autenticitetit të tyre në “sened” (zinxhirin e transmetuesve) dhe “metn” (tekstin e hadithit), kurse në bazë të Kur’anit vëjnë kritere racionale dhe ”`alametet” i interpretojnë në mënyrë simbolike, sikur Dexhali është ekuivalent me materializmin ateist (teknologjinë moderne) etj.[30] Mendojmë se tekstet islame lejojnë interpretime të tilla dhe madje posedojmë më shumë se një kuptim. Edhe mendimi racionalist është një ndër kuptimet e mundshme dhe nuk ia vlen të hedhet poshtë a priori.
Përmbledhje
- Hadithi, sikur edhe Kur’ani, është i frymëzuar nga All-llahu xhel-le shanuhu, dhe pasimi i tyre është domosdoshmëri. Mospasimi i tyre tërheq mëkat të rëndë, kurse refuzimi dhe përçmimi i tyre tërheq mosbesimin.
- Islami përbëhet prej: 1. dy shehadetet, 2. namazi, 3. zekati, 4. haxhi, 5. agjërimi.
- Imani përbëhet prej: 1. Besimi në All-llahun 2. melekët, 3. kitabet, 4. pejgamberët, 5. ditën e mbrëmë, 6. caktimin e Allahut.
- Ihsani – bëmirësia përbëhet në atë që gjithnjë, në vetmi dhe publikisht të veprojmë pozitivisht në emër të All-llahut.
- Çasti i fundit (Es-sa’atu) i kësaj bote është në dijeni të All-llahut dhe askush përveç Tij nuk di asgjë. As Muhammedi a.s. nuk ka pasur dijeni për kohën e Çastit të fundit (Hud, 31)
- Parashenjat e çastit të fundit ekzistojnë, porse ato do të duhej kuptuar jo si simptomë e shkatërrimit total të ekzistencës, por si simptomë të rënies dhe shkatërrimit moral të shoqërisë në periudhën e caktuar kohore. Normalisht, në fund të jetës së gjithësisë, këto parashenja do të jenë të theksuara dhe tregues se fundi i gjithësisë është afër.
- Xhibrili i është paraqitur Muhammedit a.s. në formën e njeriut të panjohur. Herë-herë i është paraqitur në formën e Shokut të tij me emrin Dihje dhe herë-herë në formën e tij të vërtetë. Përveç mësimit të fesë (ed-din), Xhibrili ka qenë shembull edhe në mënyrën e komunikimit, veshmbathjes, qëndrimit të përgjithshëm etj.
- Prishja morale – ky ves do të shtrihet gjerësisht në popull, kurse këtë ves do ta përcjellin edhe mosrespektimi i prindërve dhe se fëmijët do të sillen me prindërit e ture sikur që sillet zotëriu me robërit e vet.
- Konfuzion dhe rrëmujë shoqërore - në këtë periudhë në pozita shoqërore do të vijnë njerëzit më të prishur të shoqërisë. Me popullin do të udhëheqin njerëzit më pak meritorë. Kategoria e ish-njerëzve të varfër do të pasurohen, do të garojnë në ndërtime të mëdha e luksoze, kurse deri para një kohe jetonin nga ndihmat.
- Pyetjet e arsyeshme – Besimtarët duhet të shtrojnë pyetje për dobi e jo pyetje zënkash apo intrigash. Herë-herë duhet shtruar pyetje edhe për doni të masës.
- Të gjitha këto parime e përbëjnë Islamin, si të vetmen fe të pranuar nga All-llahu xhel-le shanuhu. W’Allahu a`lem!
[1] Ibn Redžeb El-Hanbeli, op. cit., fq. 237 e tutje.
[2] Imam-i A’zam Ebu Hanife, Musned, Botim arabisht-turqisht, Istanbul, 2000, fq. 20-22 dhe 8-10.
[3] Sahihu-l-Buhariu, prijevod i komentar Hasan Škapur, I, Prijedor, 1974, fq. 74.
[4] “Thuaj, përuluni All-llahut edhe të dërguarit …” (Ali Imran, 32). “Çka do që u jep i Dërguari, atë merreni, e çka t’ju ndalojë, përmbahuni prej asaj…”. (El-Hashr, 7). Shih: Subhi Salih, Mebahithu fi ulumi-l-Kur’an, bot. V. Bejrut, 1988, fq. 204. El-Mewdudi, Muhammedi a.s. dhe Kur’ani i shenjtë, Prizren 1409/1989, fq. 120.
[5] Ibn Redžeb El-Hanbeli, op. cit., fq. 38.
[6] Mustafa El-Buga, Muhjidin Mistu, op. cit., fq. 18.
[7] Në të komentuarit tonë të kësaj pjese të hadithit nuk do të ndalemi, pasi që edhe islami edhe imani do të shkoqitet në forma të ndryshme, sikur në hadithin vijues.
[8] Mehmed Handžic, Vazovi, (Sarajevo, 1943 ?), fq. 15
[9] Shih ajetin kur’anor të sures El-Fet’h, 29.
[10] Ebu Hanife, Kitabu-l-vasijjeh, përkthim i N. Ibrahimit, Edukata Islame, Nr.41-42/1985, Prishtinë, fq.51
[11] Ebu Hanife, Kitabu-l-vasijjeh, op. cit., fq. 51; Imam Ebu Hanifeh, Fikh-ul-ekber, Prizren, Prizren, 2005, fq. 76-77.
[12] Imam Ebu Hanifeh, Fikh-ul-ekber, Prizren, Prizren, 2005, fq. 80.
[13]Sipas: Muhammed Seid Ramadan El-Buti, Të vërtetat e patundshme të besimit islam, Tetovë, 2004/1425 h., fq. 238-239.
[14] Hasan Škapur, Temelji Islama, Takvim 1970, Sarajevo, fq. 93.
[15] Shih: Mahmut Karalić, Islam, Iman i Ihsan, Islamska misao, br. 69/1984, Sarajevo, fq. 17. Gjithashtu shih: Mehmed Handžić, Vazovi, op. cit., fq. 16
[16] Nexhat Ibrahimi, Bazat e etikës islame - Ahlaku, Shkup, 2005, fq. 75-77.
[17] Muhammed Kutub, Shkëndija pejgamberike, Shkup, 2002, fq. 93-110.
[18] Sahihu-l-Buhari, op. cit., fq. 74.
[19] Ibid., op. cit., fq. 74.
[20] Nexhat Ibrahimi, Bazat e etikës islame, op. cit., fq. 68-77.
[21] Shih ajetet kur’anore: Llukman, 34; Ez-Zuhruf, 85; El-Ahzab, 63; En-Naziat, 42-44; El-A’raf, 187 etj.
[22] Shih: Mustafa Mahmud, Kur’an - savremeni pokušaj razumijevanja, Sarajevo, 1981.
[23] Ebu Hanife, Fikh-ul-ekber, op. cit., fq. 32.
[24] Mahmut Karalić, op. cit., fq. 19.
[25] Sahihu-l-Buhari, op. cit., fq. 75.
[26] Teufik Muftić, Arapsko-srpskohrvatski rječnik, I, botimi II, Sarajevo, 1984, fq. 109.
[27] Mahmut Karalić, op. cit., fq. 19
[28] Sahihu-l-Buhari, op. cit., fq. 75.
[29] Mirsad Sedic, Broj 40 u hadisima Allahovog Poslanika s.a.v.s., Sanski Most, 2003, fq. 23-25.
[30] Mustafa Mahmud, Prej dyshimit deri në besim, Prishtinë, 1987, fq. 99-110. dhe: Muhammed Asad, Rruga për në Mekë, Shkup, 2003, fq. 397-416.