
Ishte i burgosur më gjatë sesa Nelson Mendela Ahmed Al-Senussi qëndroi 31 vite në burgjet libiane. Pas shumë vitesh në frikë për herë të parë ai e tregon historinë e tij.Më mbetet në kujtesë zëri i tij. Ahmed Al-Zubair Al-Senussi flet me një zë të qetë që rrallë ndëgjohet në Bengazi, në qytetin e rebelëve të zëshëm. Mjaftë ngrohtë tingëllon edhe kur e përmend gruan e tij të vdekur, Fatilahen. i rraskapitur duket kur i kujtohet oficeri nga burgu, koloneli Mufta Ahmed Rashidi. Por, ai është plot energji kur flet mbi All-llahun, Zotin e tij, që i ka ndihmuar gjatë gjithë kohës së burgut prej 31 vitesh.
Ahmed Al-Zubair Al-Senussi nuk është njeri që dëshiron ta tregojë historinë e tij dhe të shkojë pas gazetarëve nëpër hotelet e tyre. Ai është vështirë të gjendet. Historinë e tij ai e tregon vetëm atëherë kur e pyesin. Dhe kush dëshiron ta pyes, atë duhet ta kërkojë nëpër familjet e vjetra të qytetit – besnike të mbretit. Dhe, kur atë ta gjejë, që të gjithë e konsiderojnë hero, ai e mohon këtë.
Vetëm unaza e zezë në gishtin e tij na përkujton prejardhjen e tij. Gjysmëhëna dhe ylli i bardhë në sfondin e zi është treguesi i familjes Senussi dhe pjesë e flamurit të shtetit të tij. Është familja nga doli Mbreti Idris i Parë. Në kohën e Gadafit të rinjtë e dëshironin rikthimin e tij edhe pse nuk dinin fare për të.
Planifikonte rrëzimin e shtetit
Stërgjyshi i Senussit luftonte kundër osmanëve, nipi i tij, Ahmad Esh-Sharifi e udhëhiqte revolucionin kundër italianëve, kurse në Luftën e Parë Botërore kundër britanikëve. Kur çdo gjë humbi, një kapiten i një nëndetëseje gjermanë, që ishte në koalicion ia siguron jetën duke e bartur deri në një vend të sigurtë. Më 1933 ai vdes. Po në të njëjtin vit u lind i nipi që e mban emrine tij: Ahmed.
I lindur në një familje revolucionarësh, Ahmed Al-Senussi lufton kundër Gadafit. Më 1970, një vit pas marrjes së pushtetit nga diktatori, ai planifikonte një kryengritje. Ai bisedonte me oficerë, zyrtarë dhe politikanë, por nuk ia arriti. Ahmedi ende nuk e di se kush e tradhëtoi, njerëzit më të afërt apo shërbimi i Gadafit.
Në gusht të vitit 1970 Ahmed Al Senussi burgoset dhe po në të njëjtin vit nga Gjykata Popullore denohet me vdekje. Gjykimi mbeti 18 vite pa u ekzekutuar dhe nuk e dinte kurrë se kur do të vdiste, ditën e nesërme apo pas një viti. Në vitin 1988 vendimi i parë shndërrohet në një gjykim me burg dhe ai duhej të vuante edhe 13 vite tjera. Në fund ai mbajti 6 vite më shumë sesa Nelson Mendela. Kur flet për Mandelën, Ahmed Al-Senussi thotë: atë mund ta vizitonte familja e tij, kishte liri lëvizjeje dhe mund të lexonte shumë. Al-Senussi për 18 vite nuk kishte vizitorë dhe e kishte vetëm një libër për lexim.
Vetëvrasja? Kjo është e ndaluar për myslimanët
Në dy vitet e para ai u rrah shumë. Një lloj i torturës, që Ahmedi e quan “Falga”, praktikohet me një sajllë dhe një dru. Ai nuk dëshiron ta përshkruajë dhe qeshet. Aty i kishte humbur të gjithë dhëmbët. Nëntë vitet e tjera, prej 1972 deri 1981, ai i kalon në vetmi. Qelia e tij ishte e madhe, diku pesë metër me pesë, por e zbrazët. Vetëm një WC, një lavabo, një sixhade dhe ndonjëherë një krevat. Sexhaden e shfrytëzonte për të fjetur dhe për t`u falë. Dritaret ishin të barrikaduara, ndërprerësi i rrymës ishte nga jashtë dhe gardianët e linin atë të ndezur ditë e natë, derisa nuk dalloje asgjë. Ai nuk ndëgjonte asgjë, pos pikëve të ujit në llavabo, sepse muret ishin shumë të trasha. Të arratisej nuk mendonte kurrë. Gardianë në kopsht, mbi çati dhe çdokund. Vetëvrasje? “Kjo është haram, e ndaluar, për myslimanët”, thotë Al-Senussi.
“Herë pas here në gjumë i ndieja lëvizjet e lehta të këmbëve të bumballave që lëviznin mbi mua. Kur ishte i zgjuar, duhej të kujdesesha që mijtë mos të ma vidhnin ushqimin”, shpjegon ai. Ai ushqehej tri herë në ditë. Por, megjithatë kishte uri. Nëntë vite nuk pa njeri. Ai mund t`i shihte vetëm duart e gardianit kur ia sillte ushqimin përmes deriçkës së vogël në mes të
derës kryesore. Nëntë vite nuk e pa qiellin. Gjatë kësaj kohe foli shumë vetë me vete, thotë ai.
Ai ka medituar shumë dhe ka lexuar Kur`an. Ai është kujtuar shpesh në Fatilahen, gruan e tij, me të cilën ishte i martuar nëntë vite para se të burgosej. “Zoti e di fatin e njeriut”, thotë Al-Sanussi.
Për vdekjen e gruas mëson pas shumë vitesh
Pas nëntë vitesh në qelinë e tij vijnë edhe të burgosur tjerë. Ai nuk e mba mend mirë se çfarë bisedoi me ta për të parën herë. Po ashtu edhe Omar Hariri, që tani konsiderohet si udhëheqës i ushtrisë rebele, ishte ndër ta. Vëllai i tij nga gjaku. Do të ishte mirë që ta kishte dikë që do ta ndihmonte gjatë torturave, ato që tani po fillojnë përsëri.
Më e keqja nuk ishte rritja e zërit të radios, që e bënin gardianët për të mos u dëgjuar në dhomat tjera, kur i rrihnin shokët, por më e keqja ishte ato që i thoshin rojet. Dhe, më i keqi ndër rojet ishte kolonel Mufta Ahmed Rashidi.
Al-Senussi dy gjëra ka për t`ia thënë këtij njeriu: Ai kurrë nuk dëshiron ta shohë më. Dhe, nëse një ditë koloneli do të dalë para drejtësisë, atëherë ai i dëshiron drejtësi. Gjykatësi do të vendosë, jo Al-Sanussi. Më 1984 e dërguan në burgun Ebu Salim të Tripolit, ku përgjithësisht vuanin të burgosurit politik. Katër vite më vonë vendimi “dënim me vdekje” shndërrohet në dënim burgu. Për herë të parë familja e tij mësoi se ai jeton. Pas 18 vitesh kur atij i lejohet të ketë vizitë, atë e viziton i vëllai. Ishte shumë mirë, por ndjente plot mallëngjim. Për herë të parë merr vesh se i kishte vdekur e shoqja, Fatilahja.
“Kisha frikë se do të më likuidonin”
Në shenjë të jubileut të 32 të pushtetit gadafian, më 2001 ai lirohet. Fëmijët që i mbante mend ishin bërë burra, kurse të moshuarit kishin vdekur. Derisa ai kthehej me aeroplan për në vendlindjen e tij Bengazi, atë e prisnin me mijëra njerëz. Tre muaj priti vizitorë. Ai njoftohej përsëri me familjarët e tij. Se do të burgosej përsëri nga Gadafi nuk kishte frikë, por kishte frikë se do të likuidohej.
Al-Senussi tani është 77-vjeçar. Ai më tepër dëgjon dhe i korrigjon emrat e vendeve në drejtshkrim të përkthyera nga anglishtja. Miqtë e tij janë të vëmendshëm dhe kujdesen si për familjen mbretërore. Sytë e tij shkëlqejnë ende dhe ai vazhdon të mendojë për Fatilahen dhe kohën që ia vodhën atij. Ai lufton përsëri në një revolucion kundër “New Neros”, siç e quan ai
Gadafin. Në qeverinë e përkohshme ai e ka një vend. Takohen jo rregullisht dhe atë në vende të fshehta. Sipas televizionit shtetëror, për kokën e tij janë dhënë 250.000 dollarë. Al-Sanussi përshëndetet në gjermanishte: “Auf Wiedersehen”. Pastaj e shikon qiellin që aq gjatë nuk e kishte parë.
E përktheu nga gjermanishtja: Naxhi Ibrahimi
(Marrë nga SPIEGEL ONLINE)